rinjtë pyesin

Ç’duhet di për duhanin?

Shiko mundësitë e mëposhtme dhe vër një ✔ anash çdo pike ku gjen veten.

□ Jam kureshtar

□ Po kaloj strese

□ Dua të më pranojë shoqëria

□ Kam hallin e peshës

NËSE shënove ndonjë nga pikat sipër, ke diçka të përbashkët me shokët e tu që pinë duhan ose që u ka shkuar mendja.* Për shembull:

Shuarja e kureshtjes. «Doja të provoja si ishte të pije duhan. Kështu pranova cigaren që më dha një vajzë në shkollë dhe dola e piva fshehurazi.»—Trejsi.

Përballimi i stresit dhe pranimi nga tjerët. «Në shkollë, çunat e gocat thoshin ‘më duhet një cigare’, e pastaj ‘aa, tani po, ia dal’. Kur isha e stresuar, doja të ndihesha edhe unë ashtu.»—Niki.

Rënia peshë. «Disa goca pinë duhan për të ruajtur elegancën—është shumë më kollaj se të mbash dietë!»—Samanta.

Megjithatë, para se të ndezësh cigaren e parë—ose cigaren tjetër—ndalu e mendo. Mos u bëj si peshku që ha karremin. Vërtet, peshku merr një shpërblim të vogël, por sa shtrenjtë e paguan! Më mirë ndiq këshillën e Biblës dhe përdor ‘aftësitë e tua për të menduar në mënyrë të kthjellët’. (2 Pjetrit 3:1) Mundohu t’u përgjigjesh pyetjeve të mëposhtme.

Çfarë di vërtetë për duhanin?

Shëno nëse pohimet e mëposhtme janë të vërteta apo të rreme.

a. ․․․ Duhani pakëson stresin.

b. ․․․ Mund ta nxjerr thuajse gjithë tymin.

c. ․․․ Pasojat te shëndeti do t’i ndiej vetëm kur të jem i rritur.

ç. ․․․ Duhani më bën më interesant për seksin tjetër.

d. ․․․ Po të pi duhan, s’i bëj keq njeriu përveç vetes.

dh. ․․․ Perëndisë nuk i intereson nëse unë pi duhan apo jo.

Përgjigjet

a. Duhani pakëson stresin.—E rreme. Për momentin duhani e lehtëson stresin që vjen kur po vdes për një cigare. Mirëpo, shkencëtarët kanë zbuluar se në të vërtetë nikotina i shton hormonet e stresit.

b. Mund ta nxjerr thuajse gjithë tymin.—E rreme. Sipas disa studimeve, mbi 80 për qind e grimcave të tymit që thith, mbeten brenda trupit.

c. Pasojat te shëndeti do t’i ndiej vetëm kur të jem i rritur.—E rreme. Ndonëse rreziqet shtohen pas çdo cigareje që pi, disa pasoja janë të menjëhershme. Disave u mjafton një cigare e vetme që t’u bëhet ves duhani. Mushkëritë do të të dobësohen dhe ka të ngjarë të vuash nga një kollë që s’të shqitet. Rrudhat në lëkurë do të të shtohen dhe do të dalin para kohe. Duhani shton rrezikun e çrregullimit të funksioneve seksuale, krizave të panikut dhe depresionit.

ç. Duhani më bën më interesant për seksin tjetër.—E rreme. Studiuesi Llojd Xhonston vërejti se adoleshentët që pinë duhan nuk i duken «edhe aq tërheqës shumicës së seksit tjetër».

d. Po të pi duhan, s’i bëj keq njeriu përveç vetes.—E rreme. Çdo vit vdesin mijëra vetë ngaqë thithin tymin e duhanit të të tjerëve. Pra, do të dëmtosh familjen, miqtë, e madje edhe kafshët që ke në shtëpi.

dh. Perëndisë nuk i intereson nëse unë pi duhan apo jo.—E rreme. Kush dëshiron t’i pëlqejë Perëndisë, duhet të pastrohet nga «çdo ndotje e mishit». (2 Korintasve 7:1) S’diskutohet që duhani ndot trupin. Nëse zgjedh të jesh i papastër, duke dëmtuar veten dhe të tjerët me anë të duhanit, s’mund të jesh mik i Perëndisë.—Mateu 22:39; Galatasve 5:19-21.

Si mos bie pre?

Atëherë, ç’do të bësh nëse të ofrojnë një cigare? Shpesh mjafton një përgjigje e thjeshtë, por e prerë, si: «Jo faleminderit, nuk e pi.» Nëse tjetri ngul këmbë ose edhe të tall, mos harro se është e drejta jote të zgjedhësh. Mund të thuash:

● «Kur mësova sa rreziqe ka, e ndava mendjen se nuk bën për mua.»

● «Kam plane të rëndësishme për të ardhmen, prandaj dua të marr frymë edhe për ca kohë.»

Sidoqoftë, ashtu si të rinjtë e cituar më sipër, presionin më të madh mbase e ke nga vetja. Po të jetë kështu, kundërshtoje këtë «zë të brendshëm» duke arsyetuar rreth pyetjeve të mëposhtme.

● A do të më sjellë vërtet ndonjë të mirë duhani? Për shembull, nëse vendos të pi duhan vetëm që të më pranojnë të tjerët, a do të më pranojnë vërtet kur s’kam thuajse asgjë tjetër të përbashkët me ta? E fundja, a dua t’u shkoj pas avazit atyre që do të kënaqeshin teksa i bëj dëm vetes?

● Sa shtrenjtë do t’i kushtojë duhani xhepit dhe shëndetit tim, pa përmendur humbjen e respektit të të tjerëve?

● A dua ta shes miqësinë me Perëndinë për një cigare?

Po sikur të të jetë bërë ves duhani, si të shpëtosh?

Si ta lë?

1. Bind veten. Shkruaj arsyet që ke ti për ta lënë dhe hidhu një sy herë pas here. Një motiv i fortë mund të jetë dëshira që të jesh i pastër në sy të Perëndisë.—Romakëve 12:1; Efesianëve 4:17-19.

2. Kërko ndihmë. Nëse ke pirë fshehtas, tani është momenti të flasësh hapur. Tregoju atyre që ua ke mbajtur sekret se do ta lësh duhanin dhe kërkoju të të ndihmojnë. Nëse dëshiron t’i shërbesh Perëndisë, lutju për ndihmë.—1 Gjonit 5:14.

3. Cakto një datë. Jepi vetes dy javë kohë a më pak, dhe shëno në kalendar ditën kur ke vendosur ta lësh. Tregoju familjes dhe miqve se në atë datë do të lësh duhanin.

4. Kërko dhe zhduk. Para datës që ke caktuar, rrëmo cep më cep dhomën, makinën e rrobat se mos gjen ndonjë cigare dhe zhduki. Hiq gjithë çakmakët, shkrepëset dhe tavllat e duhanit.

5. Përballo simptomat e lënies. Pi mjaft lëngje frutash ose ujë dhe fli më shumë. Mos harro se sikleti është i përkohshëm, kurse dobitë janë përhershme.

6. Shmang tundimet. Rri larg vendeve e situatave ku mund të të vijë të pish duhan. Gjithashtu, mund të të duhet të kufizosh shoqërinë me ata që e pinë.—Proverbat 13:20.

7. Mos nxirr justifikime. Mos gënje veten duke thënë «do ta thith vetëm një herë». Shpesh justifikime të tilla bëjnë që t’i dorëzohesh prapë këtij vesi.—Jeremia 17:9.

Mos bjer grep!

Vit për vit, firmat e duhanit shpenzojnë miliarda dollarë për reklama. A thua nuk e dinë se shumë të rinj do t’i joshë karremi i tyre, e madje do të bëhen duhanxhinjtë e së nesërmes?!

Mos lejo që biznesmenët e industrisë së duhanit të të zhvatin xhepat. Pse ta hash karremin e tyre? As ata, as shokët e tu që pinë duhan, nuk mendojnë për të mirën tënde. Në vend se të dëgjosh ata, vërja veshin këshillës së Biblës dhe mëso «si të nxjerrësh dobi për vete».—Isaia 48:17.

[Shënimi]

Edhe pse ky artikull flet për ata që pinë cigare, problemet dhe rreziqet që nxirren në pah, vlejnë edhe për ata që përtypin duhan.

[Kutia dhe figurat faqen 27]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

  «Nëse më pyesin pse s’pi duhan, do t’u them: ‘Se s’më pëlqen t’i nxij mushkëritë dhe ta shkurtoj jetën.’

  «Nëse më ofrojnë një cigare, do t’u them: ‘Jo.’ Po të ngulin këmbë, do t’u them: ‘Sipas teje, s’paskam të drejtë të vendos për veten time?! Epo të ndodhë kjo edhe sot, është kulmi!’

[Figurat]

Benxhamini

Hedra

[Kutia faqen 28]

A E DIJE?

  Përdorimi i duhanit pa bërë tym, si për shembull duke e përtypur, mund të nxjerrë më shumë nikotinë se cigaret dhe përmban më se 25 substanca kancerogjene që rritin rrezikun e kancerit të fytit e të gojës.

[Kutia faqen 28]

PSE MOS FLASËSH ME PRINDËRIT?

  Është shumë më kollaj të përballosh presionin e shokëve kur je i përgatitur. Pse të mos u kërkosh prindërve të bëni prova bashkë, që të jesh gati t’i përgjigjesh dikujt që të ofron një cigare? Njëri prind mund të luajë rolin e shokut që të bie në qafë. Nëse do ide të mira se si të përgjigjesh, shiko pjesën «Kur shokët të bëjnë presion», në faqet 132, 133 të librit rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2.

[Figura faqen 28]

Ashtu si peshku që ha karremin, duhanpirësi merr një shpërblim, por e paguan shtrenjtë