• Kur të vdes një njeri
  • Si mund të ndihmojnë të tjerët?

Si mund ndihmojnë tjerët?

«NËSE mund të bëj diçka, ma thuaj.» Shumë prej nesh mund t’u flasin kështu miqve apo familjes së personit që ka vdekur para pak kohe. Dhe me të vërtetë, jemi të sinqertë. Do të bënim gjithçka për ta ndihmuar. Por a do të na telefonojë personi i pikëlluar për të thënë: «Kam menduar diçka që mund të bësh për të më ndihmuar»? Zakonisht jo. Është e qartë, se ndoshta duhet të marrim iniciativën nëse dëshirojmë të ndihmojmë ose të ngushëllojmë një njeri të pikëlluar.

Një proverb biblik thotë: «Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si molla të arta mbi një enë argjendi.» (Proverbat 15:23; 25:11) Tregojmë mençuri kur e dimë se çfarë duhet të themi dhe se çfarë nuk duhet të themi, se çfarë duhet të bëjmë dhe se çfarë nuk duhet të bëjmë. Ja disa sugjerime biblike që kanë qenë të dobishme për disa persona të pikëlluar.

Çfarë duhet bësh . . .

Dëgjo: Duhet të jesh «i shpejtë në të dëgjuar»,—thotë Jakovi 1:19. Një prej gjërave të dobishme që mund të bësh është të marrësh pjesë në dhimbjen e personit të pikëlluar duke e dëgjuar. Disa njerëz të pikëlluar mund të kenë nevojë që të flasin për personin e dashur që ka vdekur, mbi aksidentin apo sëmundjen që shkaktoi vdekjen ose për ndjenjat e tyre qysh prej vdekjes. Pra, mund të pyesësh: «A do të dëshiroje të flisje?» Le të vendosin ata. Duke kujtuar kohën kur i vdiq i ati, një i ri tha: «Me të vërtetë më ndihmoi fakti që njerëzit më pyetën se çfarë kishte ndodhur dhe kur me vërtetë dëgjuan.» Dëgjo me durim dhe simpati, pa menduar se është e domosdoshme të japësh një përgjigje apo zgjidhje. Lëre të të shprehë çdo gjë që dëshiron.

Jepi siguri: Siguroje që ai ka bërë gjithçka të mundur (ose diçka tjetër që ti e di që është e vërtetë dhe pozitive). Siguroje se ndjenjat e tij: trishtimi, zemërimi, faji ose ndonjë ndjenjë tjetër, nuk janë të pazakonshme. Tregoji për të tjerë që ti i njeh dhe që kanë marrë veten mbas një humbjeje të ngjashme. «Fjalët e ëmbla» janë si «ilaç për kockat»,—thonë Proverbat 16:24.—1. Selanikasve 5:11, 14.

Tregohu i gatshëm: Duhet të jesh i gatshëm, jo vetëm për ditët e para, kur shumë shokë dhe familje janë të pranishme, por edhe muaj më pas, kur të tjerët janë kthyer në rutinën e tyre normale. Në këtë mënyrë do të jesh «një shok i vërtetë» që qëndron afër mikut në kohë «të vështirë». (Proverbat 17:17) «Shokët tanë morën masa që mbrëmjet tona të mbusheshin me aktivitete e kështu të mos rrinim shumë kohë vetëm në shtëpi»,—shpjegon Tereza, fëmija e së cilës kishte vdekur në një aksident automobilistik. «Kjo na ndihmoi të përballonim ndjenjën e boshllëkut që kishim.» Për shumë vjet më pas, datat e përvjetorëve, siç janë përvjetorët e dasmave apo të vdekjeve mund të jenë kohë të vështira për të afërmit. Përse të mos i shënosh data të tilla në kalendarin tënd? Kështu, kur të vijnë, ti mund të tregohesh i gatshëm, nëse ka nevojë, për t’i përkrahur me simpati.

Merr iniciativën e duhur: A ka ndonjë punë që duhet bërë? A duhet që dikush të kujdeset për fëmijët? A ka nevojë për strehim për shokët ose familjet që mund të kenë ardhur? Ata që sapo kanë humbur dikë, shpesh janë aq të hutuar sa nuk dinë se çfarë duhet të bëjnë ata vetë dhe jo më t’u thonë të tjerëve se si mund t’i ndihmojnë. Pra, nëse dallon një nevojë të vërtetë, mos prit sa të të kërkojnë; merr iniciativën. (1. Korintasve 10:24; krahaso 1. Gjonit 3:17, 18.) Një grua, së cilës i kishte vdekur i shoqi kujton: «Shumë veta thanë: ‘Nëse mund të bëj diçka, ma thuaj.’ Por një shoqe nuk pyeti. Ajo vajti drejt e në dhomën e gjumit, hoqi çarçafët e njollosur që nga vdekja e tij dhe i lau. Një tjetër mori një kovë, ujë dhe ilaç dhe e pastroi me furçë qilimin ku kishte vjellë im shoq. Disa javë më pas, një prej pleqve të kongregacionit erdhi i veshur për punë, me veglat e tij dhe tha: ‘E di që mund të ketë diçka që duhet riparuar. Ku është?’ Sa i dashur ka mbetur ai në zemrën time, pasi më rregulloi derën që varej në një menteshë dhe një prizë elektrike!»—Krahaso Jakovit 1:27.

Ji Mikpritës: Bibla na kujton: «Mos harroni mikpritjen.» (Hebrenjve 13:2) Veçanërisht, nuk duhet të harrojmë të jemi mikpritës me të pikëlluarit. Në vend të një ftese «hajde kur të duash», vendos datën dhe orën. Nëse ata nuk e pranojnë mos u dorëzo shpejt. Ndoshta duhet t’i inkurajosh në mënyrë të butë. Ndoshta nuk e kanë pranuar ftesën sepse frikësohen se do të humbin kontrollin e emocioneve para të tjerëve. Ose ndoshta ndihen fajtorë që të gëzojnë një darkë dhe në shoqëri gjatë një periudhe të tillë. Mos e harro gruan mikpritëse, Lidian, të përmendur në Bibël. Pasi ajo e ftoi Lukën në shtëpinë e saj, ai tha: «Dhe na detyroi të pranojmë.»—Veprat 16:15.

Ki durim dhe ji i arsyeshëm: Mos u çudit shumë me atë që thonë personat e pikëlluar fillimisht. Mos harro, ndoshta ndihen të zemëruar ose fajtorë. Nëse shpërthimet e emocioneve drejtohen mbi ty, nga ana jote do të nevojitet mendjehollësi dhe durim që të mos përgjigjesh me inat. «Vishuni, pra, . . . me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin.»—sugjeron Bibla.—Kolosianëve 3:12, 13.

Shkruaj një letër: Shpesh nuk e imagjinojmë se sa e vlefshme mund të jetë një letër ngushëllimi. Cila është dobia e saj? Sindi, nëna e së cilës vdiq nga kanceri, u përgjigj: «Një shoqe më shkroi një letër të bukur. Kjo më ndihmoi me të vërtetë, sepse mund ta lexoja herë pas here.» Një letër inkurajuese mund të shprehet «me pak fjalë», por këto duhet të vijnë nga zemra. (Hebrenjve 13:22) Mund të thuash që interesohesh dhe se ke një kujtim të veçantë për të ndjerin, ose mund të tregosh se si ka ndikuar ai mbi jetën tënde.

Lutu me ta: Mos e nënvlerëso dobinë e lutjes, me ose për të pikëlluarin. Bibla thotë: «Shumë fuqi ka lutja e të drejtit.» (Jakovit 5:16) Për shembull, kur dëgjojnë që ti lutesh për ta, ndjenjat e tyre të fajit mund të lehtësohen.—Krahaso Jakovit 5:13-15.

Çfarë nuk duhet bësh . . .

Mos rri larg, ngaqë nuk di se çfarë duhet thuash ose bësh: «Jam i sigurt se tani për tani ata kanë nevojë që të jenë vetëm»,—mund të themi me vete. Por ndoshta e vërteta është që po rrimë larg, sepse kemi frikë se do të themi ose do të bëjmë diçka të gabuar. Megjithatë, nëse shokët, familja dhe bashkëbesimtarët i shmangen personit të pikëlluar, ka mundësi që ai të ndihet edhe më i vetmuar dhe dhimbja e tij mund të shtohet. Mos harro: shpesh, fjalët dhe veprat më të këndshme janë të thjeshta. (Efesianëve 4:32) Vetë prania jote mund të jetë një inkurajim. (Krahaso Veprat 28:15.) Duke kujtuar ditën e vdekjes së vajzës, Tereza thotë: «Brenda një ore, hyrja e spitalit u mbush me shokët tanë; erdhën të gjithë pleqtë e kongregacionit bashkë me gratë e tyre. Disa prej grave erdhën me biguditë akoma në flokë, disa erdhën të veshur për punë. Ata ndërprenë gjithçka dhe erdhën menjëherë. Shumë prej tyre na thanë se nuk dinin se çfarë duhej të thoshin, por s’kishte rëndësi, gjëja kryesore ishte që ata ishin të pranishëm.»

Mos këmbëngul ta ndalojnë hidhërimin: Ndoshta do të dëshironim të thoshim: «Hajde, tani mos qaj më». Por është më mirë ta lejojmë të derdhë lot. «Mendoj se është e rëndësishme që t’i lejojmë personat e pikëlluar të tregojnë emocionet e tyre dhe të shprehin ndjenjat e tyre»,—thotë Katerina duke reflektuar mbi vdekjen e të shoqit. Kundërshto prirjen për t’u thënë të tjerëve se si duhet të ndihen. Dhe mos mendo se duhet të fshehësh ndjenjat e tua për të mbrojtur të tyret. Bibla rekomandon se është më mirë të «qani me ata që qajnë».—Romakëve 12:15.

Mos shpejto t’i këshillosh flakin rroba apo sende personale personit vdekur, para se jenë gati: Ndoshta ne mendojmë se do të ishte më mirë për ta që të flakin çfarëdo sendi që mund të ngjallë kujtime, sepse në njëfarë mënyre ato zgjasin hidhërimin. Por, shprehja «larg syve, larg zemrës» nuk zbatohet këtu. Personi i pikëlluar ndoshta do të ketë nevojë të ndahet gradualisht nga kujtimi i të vdekurit. Kujto përshkrimin e Biblës mbi reagimin e patriarkut Jakob, kur e bënë të besonte se biri i tij i ri, Jozefi, u vra nga një kafshë e egër. Pasi Jakovit ia paraqitën veshjen e gjatë të Jozefit, të njollosur me gjak, Jakobi «mbajti zi për birin e tij shumë ditë. Dhe të gjithë bijtë dhe të gjitha bijat e tij erdhën për ta ngushëlluar, por ai nuk pranoi të ngushëllohet».—Zanafilla 37:31-35.

Mos thuaj: «Mund kesh një fëmijë tjetër»: «U fyeva kur njerëzit më thanë se mund të kisha një fëmijë tjetër»,—kujton një nënë që humbi fëmijën e saj. Ndoshta, thuhen me qëllim të mirë, por një prind të pikëlluar, fjalët që nënkuptojnë se fëmija mund të zëvendësohet mund ta «shpojnë me shpatë». (Proverbat 12:18) Një fëmijë nuk mund të zëvendësohet me një tjetër. Përse? Sepse secili ka vendin e vet.

S’ke nevojë shmangësh përmendjen e personit vdekur: «Shumë veta nuk përmendën as emrin e tim biri Xhimit, dhe as folën për të,—kujton një nënë.—Duhet të pranoj se u ndjeva e lënduar kur vepruan kështu.» Pra, mos ndrysho temën kur përmendet emri i të vdekurit. Pyete personin nëse ka nevojë për të folur mbi njeriun e dashur. (Krahaso Jobi 1:18, 19 dhe 10:1.) Disa persona të pikëlluar e çmojnë kur dëgjojnë shokët që tregojnë për cilësitë e veçanta që e bënë të vdekurin kaq të dashur për ta.—Krahaso Veprat 9:36-39.

Mos shpejto thuash: «Më mirë kështu»: Nuk «i ngushëllon zemërlëshuarit» që po vuajnë nëse gjithmonë përpiqesh të gjesh diçka pozitive te vdekja. (1. Selanikasve 5:14) Duke menduar për kohën kur i vdiq nëna, një vajzë e re tha: «Disa thoshin: ‘Ajo nuk po vuan’ ose ‘Të paktën ajo është në paqe’. Por s’desha ta dëgjoja këtë.» Komente të tilla mund të japin përshtypjen se të afërmit nuk duhet të jenë të trishtuar ose që humbja nuk ishte aq e madhe. Përkundrazi, ndoshta ata janë shumë të trishtuar, sepse i merr shumë malli për personin e dashur.

Ndoshta do jetë mirë mos thuash: «Unë e di si ndihesh»: A e di me të vërtetë? Për shembull, a mund të dish se si ndihet një prind kur i vdes një fëmijë nëse nuk ke përjetuar një humbje të tillë edhe ti? Madje edhe po të kesh përjetuar diçka të tillë, duhet të mbash parasysh se ndoshta të tjerët nuk ndihen pikërisht si u ndjeve ti. (Krahaso Vajtimet 1:12.) Në krahun tjetër, nëse duket e përshtatshme, mund të jetë e dobishme të tregosh se si e more ti veten pas vdekjes së personit të dashur. Një grua, së cilës i kishin vrarë vajzën, u ngushëllua kur një nënë tjetër tregoi se si ishte kthyer në rutinën e jetës pas vdekjes së vajzës. Ajo tha: «Nëna e vajzës së vdekur nuk filloi me një parathënie: ‘Unë e di si ndihesh.’ Thjesht, më tregoi se çfarë ndodhi me dhe më la që të bëja unë lidhjen me ato gjëra që më përshtateshin.»

Për të ndihmuar një person të pikëlluar, kërkohet dhembshuri, mendjehollësi dhe shumë dashuri nga ana jote. Mos prit derisa personi i pikëlluar të vijë tek ti. Mos thuaj thjesht: «Nëse mund të bëj diçka . . . » Gjeje vetë atë «diçka», pastaj merr iniciativën e duhur.

Mbeten akoma disa pyetje: Çfarë mund të themi për shpresën e Biblës mbi ringjalljen? Çfarë domethënieje ka për ty dhe për njeriun e dashur që të ka vdekur? Si mund të dimë se ajo është një shpresë e sigurt?

Pyetje për t’u menduar

Përse është e dobishme të marrim pjesë në dhimbjen e personit të pikëlluar duke e dëgjuar?

Çfarë janë disa gjëra që mund të bëjmë për të ngushëlluar një të pikëlluar?

Çfarë nuk duhet të themi apo të bëjmë me një person të pikëlluar?

[Kutia faqen 25]

Si ndihmojmë fëmijët përballojnë vdekjen e një njeriu dashur

Kur vdekja godet një familje, prindërit, si edhe të afërmit e miqtë, shpesh nuk dinë se çfarë duhet të thonë ose të bëjnë për të ndihmuar fëmijët që të përballojnë atë që ka ndodhur. Megjithatë, fëmijët kanë nevojë për ndihmë nga të rriturit. Konsidero disa pyetje të zakonshme që bëhen për të ndihmuar fëmijët që të kuptojnë së ç’është vdekja.

Si mund t’u shpjegosh fëmijëve ç’është vdekja? Është e rëndësishme që ta shpjegosh çështjen me fjalë të thjeshta e të vërteta. Mos ngurro të përdorësh fjalë si «i vdekur» dhe «vdekja». Për shembull, mund të ulesh me fëmijën, ta përqafosh dhe t’i thuash: «Ka ndodhur diçka shumë, shumë e trishtuar. Babi kishte një sëmundje që shumë vetë nuk e kanë [ose diçka tjetër që është e vërtetë], dhe vdiq. Askush nuk ka faj për vdekjen e tij. Do të na marrë shumë malli, sepse e donim shumë dhe ai na donte neve.» Megjithatë, mund të jetë e dobishme t’i shpjegosh se kjo nuk do të thotë që fëmija apo prindi tjetër do të vdesin vetëm sepse do të sëmuren ndonjëherë.

  Inkurajoje të bëjë pyetje. «Ç’do të thotë i vdekur?»—mund të pyesin. Mund të përgjigjesh kështu: «I vdekur do të thotë se trupi nuk punon më dhe nuk mund të bëjë atë që bënte: nuk mund të flasë, të shohë apo të dëgjojë dhe nuk mund të ndiejë asgjë.» Një prind që beson në premtimin e Biblës mbi ringjalljen mund ta përdorë këtë rast për t’i shpjeguar se Perëndia Jehova e kujton personin e vdekur dhe mund ta sjellë atë në jetë përsëri në parajsën e ardhshme tokësore. (Luka 23:43; Gjoni 5:28, 29)—Shiko pjesën «Një shpresë e sigurt për të vdekurit».

A ka diçka nuk duhet thuash? Nuk është e dobishme të thuash se personi i vdekur ka vajtur për një udhëtim të gjatë. Frika se mund të braktiset është një problem i madh për një fëmijë, veçanërisht kur një prind ka vdekur. Nëse i themi fëmijës se i vdekuri ka vajtur në një udhëtim të gjatë, kjo mund të forcojë ndjenjën e braktisjes te fëmija dhe ai mund të arsyetojë kështu: «Gjyshja iku dhe nuk më tha as mirupafshim!» Gjithashtu, ki kujdes që kur të flasësh me fëmijë të vegjël të mos thuash se i vdekuri po fle gjumë. Shpeshherë fëmijët i marrin gjërat fjalë për fjalë. Nëse një fëmijë e konsideron gjumin të barabartë me vdekjen, mund të zhvillojë një frikë për të fjetur gjumë çdo mbrëmje.

A duhet shkojnë fëmijët funeral? Prindërit duhet të marrin parasysh ndjenjat e fëmijëve. Nëse nuk dëshirojnë të shkojnë, mos i detyroni dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të ndihen fajtorë që nuk shkojnë. Nëse dëshirojnë të shkojnë, përshkruaj me hollësi ç’do të ndodhë, duke përfshirë nëse do të ketë një arkivol dhe nëse ai do të jetë i hapur apo i mbyllur. Gjithashtu, duhet të shpjegosh se mbase do të shikojnë shumë njerëz që qajnë ngaqë janë të trishtuar. Përsëri, lëri të bëjnë pyetje. Siguroji se mund të ikin po të kenë nevojë.

Si reagojnë fëmijët ndaj vdekjes? Shpesh, fëmijët mendojnë se janë përgjegjës për vdekjen e një personi të dashur. Pasi një fëmijë nganjëherë mund të jetë zemëruar me të ndjerin, ai mund të mendojë se mendimet apo fjalët e zemërimit të tij, shkaktuan vdekjen. Ndoshta duhet t’i ngushëllosh kështu: «Mendimet ose fjalët e tua nuk i sëmurin njerëzit dhe nuk i bëjnë të vdesin.» Një fëmijë i vogël mbase do të ketë nevojë për një sigurim të tillë herë pas here.

A duhet t’ua fshehësh dhimbjen fëmijëve? Është gjë normale edhe e shëndetshme të qash para fëmijëve. Përveç kësaj, është gati e pamundur të fshehësh plotësisht ndjenjat nga fëmijët; ata janë të prirë nga aftësitë shquese dhe shpesh mund të kuptojnë kur diçka nuk është në rregull. Duke e pranuar pikëllimin tënd në mënyrë të sinqertë, i ndihmon ata të kuptojnë se është normale të kesh dhimbje të tilla dhe t’i shfaqësh ndjenjat nganjëherë.

[Figura faqen 21]

Nëse dallon një nevojë reale, mos prit sa të të kërkojnë—merr iniciativën e duhur

[Figura faqen 22]

Prania jote në spital mund të inkurajojë personin e pikëlluar