Mësimi 31

Respekti për tjerët

Çfarë duhet bësh?

Trego vlerësim për të tjerët, duke i nderuar.

Pse ka rëndësi?

Të tregosh respekt është një kërkesë e krishterë. Nxit një atmosferë ku të tjerët janë më të prirur ta pranojnë atë që u ke treguar nga Bibla.

SHKRIMET na thonë ‘të nderojmë njerëzit e çdo lloji’ dhe ‘të mos flasim keq për askënd’. (1 Pjet. 2:17; Titit 3:2) Në të vërtetë, çdo njeri që takojmë ka «ardhur në ekzistencë ‘në ngjashmërinë e Perëndisë’». (Jak. 3:9) Çdo njeri është një nga ata për të cilët vdiq Krishti. (Gjoni 3:16) Gjithashtu, të gjithë duhet ta dëgjojnë lajmin e mirë, me qëllim që të veprojnë në përputhje me të dhe të shpëtohen. (2 Pjet. 3:9) Disa njerëz meritojnë respekt të veçantë për shkak të cilësive ose të autoritetit që kanë.

Pse disa njerëz përpiqen ndoshta të japin ndonjë justifikim për të mos treguar llojin e respektit që nxit Bibla? Kultura vendëse mund të përcaktojë se kush meriton të nderohet në bazë të rangut, ngjyrës, seksit, shëndetit, moshës, pasurisë ose pozitës shoqërore. Korrupsioni i përhapur mes nëpunësve publikë e ka gërryer respektin për autoritetin. Në disa vende njerëzit janë shumë të pakënaqur me gjendjen e tyre në jetë, sepse ndoshta punojnë me orë të zgjatura vetëm për të plotësuar nevojat minimale dhe rrethohen nga njerëz që nuk shfaqin respekt. Të rinjtë gjenden nën presionin e bashkëmoshatarëve për t’u rebeluar ndaj mësuesve që nuk shihen me sy të mirë dhe ndaj autoriteteve të tjera. Shumë ndikohen nga televizioni, i cili paraqet fëmijë që ua hedhin prindërve ose që bëjnë ligjin në shtëpi. Kërkohen përpjekje që të mos i lejojmë këto koncepte të botës të ndikojnë në vlerësimin që kemi për të tjerët. Nga ana tjetër, kur i trajtojmë të tjerët me dinjitet, kjo krijon një atmosferë në të cilën ka më shumë mundësi të ketë shkëmbime idesh.

T’u drejtohemi tjerëve me respekt. Nga dikush që po kryen një vepër fetare pritet që të tregojë respekt duke u veshur dhe duke vepruar siç duhet. Ajo që shihet si normë e mirësjelljes ndryshon nga një vend në tjetrin. Disa e shohin si mungesë respekti t’i flasësh dikujt kur je me kapelë në kokë ose me dorën në xhep. Në vende të tjera njerëzit mund ta pranojnë një gjë të tillë. Merr parasysh ndjenjat e banorëve vendës për të mos fyer askënd. Kjo do të të ndihmojë të kesh më pak pengesa për ta shpallur me efektshmëri lajmin e mirë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mënyrën se si u drejtohemi të tjerëve, sidomos të moshuarve. Zakonisht shihet si e papërshtatshme që të rinjtë t’i thërrasin të rriturit me emër, me përjashtim të rastit kur u jepet leje ta bëjnë një gjë të tillë. Në disa vende, edhe nga të rriturit pritet që të mos u drejtohen me emër të panjohurve. Gjithashtu në shumë gjuhë përdoret përemri shumës «ju» ose ndonjë shprehje tjetër për t’i treguar respekt një më të moshuari ose dikujt me autoritet.

Gjeste tregojnë respekt. Në komunitetet e vogla pritet që një njeri të tregojë se e ka vënë re praninë e dikujt që takon, qoftë kur ecën në rrugë, qoftë kur hyn në një dhomë. Kjo bëhet me një përshëndetje të shkurtër, një buzëqeshje, një përkulje të kokës ose edhe duke ngritur vetullat. Shpërfillja e pranisë së një tjetri shihet si mungesë respekti.

Megjithatë disa mund të ndihen të shpërfillur, edhe sikur personi tjetër ta bëjë të ditur se e ka vënë re praninë e tyre. Pse? Sepse e kuptojnë që ai nuk i ka parë si individë. Nuk është e pazakontë që njerëzit të kategorizohen në bazë të ndonjë veçorie fizike. Shpesh njerëzit i shmangin ata që kanë ndonjë gjymtim ose që janë të sëmurë. Megjithatë Fjala e Perëndisë na tregon se duhet t’i trajtojmë këta individë me dashuri dhe respekt. (Mat. 8:2, 3) Të gjithë ne jemi të ndikuar në ndonjë mënyrë nga mëkati që kemi trashëguar prej Adamit. A do të ndiheshe i respektuar në qoftë se të tjerët do të të identifikonin gjithmonë duke u nisur nga të metat e tua? A nuk do të doje, përkundrazi, që të të njihnin për cilësitë e tua të shumta pozitive?

Respekti përfshin edhe pranimin e kryesisë. Në disa vende është e nevojshme të flasësh me kreun e shtëpisë para se t’u japësh dëshmi të tjerëve në shtëpi. Ndonëse caktimi ynë për të predikuar dhe mësuar vjen nga Jehovai, e pranojmë që prindërit janë ata të cilët Perëndia i ka autorizuar për të stërvitur, për të disiplinuar dhe për të drejtuar fëmijët e tyre. (Efes. 6:1-4) Prandaj, kur shkojmë në një shtëpi, zakonisht është e përshtatshme të kërkojmë të flasim me prindërit në fillim, para se të fillojmë një bisedë të gjatë me fëmijët.

Mosha të jep edhe përvojën e jetës, e cila duhet respektuar. (Jobi 32:6, 7) Fakti që e mbajti parasysh këtë e ndihmoi një motër të re pioniere në Sri-Lankë e cila duhej të fliste me një burrë të moshuar. Në fillim ai e kundërshtoi vizitën e saj, duke thënë: «Si mund të ma mësojë Biblën mua një e re si ti?» Por ajo iu përgjigj: «Në të vërtetë, nuk erdha për t’ju mësuar, por për t’ju thënë diçka që kam mësuar unë dhe që më ka bërë kaq të lumtur, sa nuk mund të rri pa ua thënë të tjerëve.» Përgjigjja me respekt e pionieres ngjalli interesin e burrit të moshuar. «Më thuaj atëherë, çfarë ke mësuar?»—pyeti. «Kam mësuar si të jetoj përgjithmonë»,—tha ajo. Burri i moshuar filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Jo të gjithë të moshuarit do ta shprehin dëshirën për t’u trajtuar me kaq respekt, por shumica do ta çmojnë atë.

Mirëpo, ndoshta ekziston rreziku që të teprohet me shfaqjet e respektit. Për shembull, në ishujt e Paqësorit dhe në vende të tjera, përdorimi i mënyrës së të folurit me respekt sipas zakonit kur i drejtohen kryetarit të fshatit ose të fisit mund t’i ndihmojë Dëshmitarët që të gjejnë njerëz që i dëgjojnë dhe të kenë mundësi t’u flasin si kryetarëve, ashtu edhe njerëzve nën autoritetin e tyre. Megjithatë lajkat nuk janë as të nevojshme dhe as të përshtatshme. (Prov. 29:5) Në mënyrë të ngjashme, një gjuhë mund të ketë tituj nderi si pjesë të gramatikës së saj, por respekti i krishterë nuk kërkon që të teprohet me to.

folur me respekt. Bibla na nxit që ta shpjegojmë arsyen për shpresën tonë «me frymë butësie dhe respekt të thellë». (1 Pjet. 3:15) Kështu, ndonëse ka mundësi t’i gjejmë menjëherë të metat e pikëpamjes së një tjetri, a është e mençur ta bëjmë këtë në një mënyrë që do t’i ulë dinjitetin? A nuk do të ishte më mirë ta dëgjonim me durim, ndoshta duke e pyetur pse ndihet ashtu dhe pastaj t’i merrnim parasysh këto ndjenja ndërsa arsyetojmë me anë të Shkrimeve?

Ky lloj respekti që shfaqet në situata me dy persona duhet të jetë i dukshëm edhe kur i drejtohemi një auditori nga podiumi. Oratori që i respekton dëgjuesit e tij nuk do t’i kritikojë ashpër ose nuk do të shfaqë një qëndrim që nënkupton: «Po të dëshironit me të vërtetë, do ta zbatonit këtë këshillë.» Të folurit e tillë vetëm sa i shkurajon të tjerët. Është shumë më mirë kur e shohim auditorin si një grup njerëzish që e duan Jehovain dhe duan t’i shërbejnë atij. Duke imituar Jezuin duhet të tregojmë kuptueshmëri kur kemi të bëjmë me ata që janë të dobët frymësisht, me më pak përvojë ose më të ngadaltë në zbatimin e këshillave biblike.

Auditori do ta dallojë respektin e oratorit për ta, në qoftë se ai përfshin edhe veten ndër ata që kanë nevojë ta zbatojnë më plotësisht Fjalën e Perëndisë. Prandaj është e mençur ta shmangim përdorimin e vazhdueshëm të përemrit vetor «ju» kur bëjmë zbatimin e shkrimeve. Vini re, për shembull, ndryshimin midis pyetjes «A po bëni gjithçka që mundeni?» dhe pohimit «Secili prej nesh duhet të pyesë veten: ‘A po bëj gjithçka që mundem?’» Thelbi është i njëjtë në secilën pyetje, por e para nënkupton që oratori nuk e vë veten në të njëjtin nivel me auditorin. E dyta nxit gjithsecilin, duke përfshirë edhe oratorin, që të analizojë situatën dhe motivet e tij.

Kundërviju prirjes për të përdorur shprehje humoristike thjesht me qëllimin për ta bërë auditorin të qeshë. Kjo ia ul dinjitetin mesazhit të Biblës. Është e vërtetë se duhet të gjejmë kënaqësi në shërbimin që i bëjmë Perëndisë. Mund të ketë madje disa aspekte të materialit të caktuar që shkaktojnë disi humor. Megjithatë, të qeshësh me çështje serioze tregon mungesë respekti për auditorin dhe për Perëndinë.

Le ta tregojmë me mënyrën si u drejtohemi të tjerëve, me sjelljen dhe me të folurit tonë se i shohim të tjerët ashtu siç na ka mësuar Jehovai.

SI TA TREGOSH?

Merr parasysh si i sheh Jehovai njerëzit.

Trego respekt për kryesinë, moshën dhe autoritetin.

Prano që njerëzit kanë të drejtën të kenë mendimet e tyre.

Kuptoje auditorin tënd.

USHTRIM: Mendo për dikë që është ose shumë më i madh, ose shumë më i ri se ty. Medito se si do t’i ishe drejtuar atij personi, çfarë do t’i thoshe për të filluar bisedën dhe çfarë do të bëje për të treguar respekt të sinqertë për personin dhe për atë që thotë ai ose ajo. Vepro në përputhje me atë që ke menduar.

Mënyra se si mund tregoj shumë respekt

․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․

․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․

․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․

․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․

․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․

․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․

․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․

․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․

․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․