Kapitulli i katërmbëdhjetë

Si kesh një jetë lumtur familjare?

Ç’duhet të bëjë një burrë për të qenë bashkëshort i mirë?

Si mund të jetë një grua bashkëshorte e mirë?

Çfarë përfshin të jesh prind i mirë?

Si mund të ndihmojnë fëmijët që familja të jetë e lumtur?

PERËNDIA JEHOVA dëshiron që ti të kesh një jetë të lumtur familjare. Në Fjalën e tij, në Bibël, jepen udhëzime për çdo pjesëtar të familjes dhe përshkruhet roli që Perëndia i ka caktuar secilit. Kur pjesëtarët e familjes përmbushin rolin e tyre në përputhje me këshillat e Perëndisë, rezultatet janë shumë të mira. Jezui tha: «Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!»—Luka 11:28.

2 Do të kemi një jetë familjare të lumtur vetëm nëse e pranojmë që familja e ka origjinën nga Jehovai, të cilin Jezui e quajti «Ati ynë». (Mateu 6:9) Çdo familje në tokë ekziston falë Atit tonë qiellor, dhe ai me siguri e di se çfarë i bën të lumtura familjet. (Efesianëve 3:14, 15) Atëherë, çfarë mëson Bibla për rolin e secilit pjesëtar të familjes?

FAMILJA E KA ORIGJINËN NGA PERËNDIA

3 Jehovai krijoi njerëzit e parë, Adamin dhe Evën, e i bashkoi si burrë e grua. I vendosi në një shtëpi parajsore këtu në tokë, në kopshtin e Edenit, dhe u tha të kishin fëmijë. «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën»,—u tha Jehovai. (Zanafilla 1:26-28; 2:18, 21-24) Ky nuk është thjesht tregim ose përrallë, pasi Jezui tregoi se ajo që thotë Zanafilla për origjinën e jetës familjare, është e vërtetë. (Mateu 19:4, 5) Le të shohim pse lumturia brenda familjes është e mundur, ndonëse sot kemi shumë probleme, dhe jeta nuk është siç e kishte menduar në fillim Perëndia.

4 Çdo pjesëtar i familjes mund të ndihmojë për lumturinë e saj, nëse imiton Perëndinë në shfaqjen e dashurisë. (Efesianëve 5:1, 2) Por, si ta imitojmë Perëndinë, kur nuk e shohim? Mund të mësojmë si vepron Jehovai, sepse ai dërgoi Birin e tij të parëlindur nga qielli në tokë. (Gjoni 1:14, 18) Kur ishte në tokë, ky Bir, Jezu Krishti, e pasqyroi kaq mirë personalitetin e Atit të tij qiellor, saqë, kur shihje dhe dëgjoje Jezuin, ishte sikur të kishe përballë Jehovain e ta dëgjoje të fliste. (Gjoni 14:9) Prandaj, secili mund të ndihmojë që jeta familjare të jetë e lumtur, po të mësojë se si tregoi dashuri Jezui dhe po të ndjekë shembullin e tij.

NJË MODEL PËR BURRAT

5 Bibla thotë se burrat duhet t’i trajtojnë gratë njësoj si i trajton Jezui dishepujt. Shqyrto udhëzimin biblik: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të. . . . Në këtë mënyrë burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten, sepse, asnjeri nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të, ashtu siç bën Krishti për kongregacionin.»Efesianëve 5:23, 25-29.

6 Dashuria që ka Jezui për kongregacionin, pra për dishepujt e tij, është shembull i përsosur për burrat. Jezui ‘i deshi deri në fund’ dishepujt, duke sakrifikuar jetën e vet për ta, edhe pse ishin shumë larg përsosmërisë. (Gjoni 13:1; 15:13) Burrave u jepet këshilla: «Vazhdoni t’i doni gratë tuaja e mos jini të zemëruar hidhtas me to.» (Kolosianëve 3:19) Çfarë do ta ndihmojë një burrë që të zbatojë këtë këshillë, sidomos nëse gruaja e tij nganjëherë nuk vepron me maturi? Ai duhet të mbajë parasysh që edhe vetë gabon, e i duhet të bëjë diçka që Perëndia ta falë. Ç’duhet të bëjë? Të falë ata që gabojnë ndaj tij, përfshirë edhe gruan e vet. Sigurisht që edhe ajo duhet të bëjë të njëjtën gjë. (Mateu 6:12, 14, 15) Është më se e vërtetë shprehja se një martesë e suksesshme është bashkimi i dy njerëzve që dinë të falin.

7 Gjithashtu, burrat duhet të mbajnë parasysh që Jezui tregohej gjithnjë i vëmendshëm ndaj dishepujve të tij. Ai merrte parasysh kufizimet dhe nevojat e tyre fizike. Për shembull, kur dishepujt ishin të lodhur, u tha: «Ejani të shkojmë veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak.» (Marku 6:30-32) Edhe gratë meritojnë vëmendje e kujdes. Bibla i përshkruan ato si ‘enë më e dobët’, dhe i urdhëron burrat që ‘t’i nderojnë’. Përse? Sepse, ashtu si burrat, edhe ato kanë ‘hirin e pamerituar të jetës’. (1 Pjetrit 3:7) Burrat duhet të mbajnë parasysh se ajo që e bën një njeri të çmuar në sytë e Perëndisë, është besnikëria, jo gjinia.—Psalmi 101:6.

8 Bibla thotë se ai burrë «që do gruan e tij, do veten». Kjo sepse, burri dhe gruaja e tij, «nuk janë më dy, por një mish i vetëm», siç theksoi Jezui. (Mateu 19:6) Prandaj, për sa u përket interesave seksuale, duhet të kufizohen vetëm me njëri-tjetrin. (Proverbat 5:15-21; Hebrenjve 13:4) Këtë mund ta arrijnë duke pasur si synim të plotësojnë nevojat e njëri-tjetrit, jo të përqendrohen vetëm te nevojat e tyre. (1 Korintasve 7:3-5) Vlejnë të përmenden edhe këto fjalë: «Asnjeri nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të.» Burrat duhet t’i duan gratë e tyre siç duan veten, duke mos harruar se do t’i japin llogari kreut të tyre, Jezu Krishtit.—Efesianëve 5:29; 1 Korintasve 11:3.

9 Apostulli Pavël foli për ‘përzemërsinë e butë që ka Krishti Jezu’. (Filipianëve 1:8) Butësia e Jezuit ishte një cilësi e këndshme, e cila i bënte për vete gratë që ishin ndër dishepujt e tij. (Gjoni 20:1, 11-13, 16) Gratë kanë shumë nevojë që burrat t’u tregojnë përzemërsi të butë.

NJË SHEMBULL PËR GRATË

10 Familja është një strukturë e organizuar dhe, që të funksionojë mirë, ka nevojë për një krye. Edhe vetë Jezui i nënshtrohet Atij që është Kreu i tij. «Kreu i Krishtit është Perëndia», ashtu si «kreu i gruas është burri». (1 Korintasve 11:3) Nënshtrimi i Jezuit ndaj kryesisë së Perëndisë është një shembull i shkëlqyer, pasi të gjithë ne duhet t’i nënshtrohemi dikujt si kreut tonë.

11 Burrat e papërsosur bëjnë gabime dhe shpesh nuk janë kryefamiljarë idealë. Atëherë, ç’duhet të bëjë një grua? Nuk duhet t’ia ulë vlerat asaj që bën burri i saj e as të përpiqet ta marrë ajo rolin e kreut të familjes. Gruaja duhet të mbajë në mendje se, për Perëndinë ka vlerë të madhe një frymë e qetë dhe e butë. (1 Pjetrit 3:4) Duke shfaqur një frymë të tillë, ajo do ta ketë më të lehtë të shfaqë nënshtrimin që u takon grave të devotshme, edhe në rrethana sprovuese. Për më tepër, Bibla thotë: «Gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.» (Efesianëve 5:33) Po në rastin kur burri nuk e pranon Krishtin si Kreun e tij? Bibla i nxit gratë: «Jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitoni pa fjalë, nëpërmjet sjelljes suaj, pasi të kenë parë me sytë e tyre sjelljen tuaj të dëlirë bashkë me respekt thellë.»1 Pjetrit 3:1, 2.

12 Sido që të jetë bashkëshorti, besimtar ose jo, gruaja nuk tregon mungesë respekti nëse, me takt, shpreh një mendim që ndryshon nga mendimi i të shoqit. Ndoshta pikëpamja e saj është e drejtë, dhe do të ishte në të mirë të familjes që i shoqi t’ia dëgjonte fjalën. Në një rast, edhe pse Abrahami nuk ishte dakord me të shoqen, Sarën, që i tregoi një zgjidhje praktike për një problem familjar, Perëndia i tha: «Dëgjoje zërin e saj.» (Zanafilla 21:9-12) Sigurisht, kur burri merr vendimin, dhe ky vendim nuk bie në kundërshtim me ligjin e Perëndisë, e shoqja tregon nënshtrim duke e mbështetur.—Veprat 5:29; Efesianëve 5:24.

13 Gruaja mund ta përmbushë rolin e saj në familje në një sërë mënyrash. Për shembull, Bibla tregon se gratë e martuara duhet «të duan burrat, të duan fëmijët, të jenë me mendje të shëndoshë, të dëlira, punëtore në shtëpi, të mira, të nënshtruara ndaj burrave të tyre». (Titit 2:4, 5) Një grua dhe nënë që vepron kështu, do të fitojë dashurinë dhe respektin e familjes së saj. (Proverbat 31:10, 28) Por, meqë martesa është bashkimi i dy njerëzve të papërsosur, disa rrethana ekstreme mund të çojnë në ndarje, e madje edhe në divorc. Bibla e lejon ndarjen në disa rrethana të caktuara. Megjithatë, ndarja nuk duhet parë si diçka e parëndësishme, pasi Bibla këshillon: «Gruaja të mos ndahet nga burri. . . . Edhe burri nuk duhet ta lërë gruan.» (1 Korintasve 7:10, 11) Kurse për divorcin, baza biblike është vetëm kurvëria nga njëri bashkëshort.—Mateu 19:9.

NJË SHEMBULL I PËRSOSUR PËR PRINDËRIT

14 Me mënyrën se si i trajtonte fëmijët, Jezui la një shembull të përsosur për prindërit. Kur disa u përpoqën t’i ndalonin fëmijët që të shkonin te Jezui, ai tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos u mundoni t’i ndalni.» Pastaj, siç vazhdon Bibla, «i mori fëmijët në krahë dhe filloi t’i bekonte, duke vënë duart mbi ta». (Marku 10:13-16) Kur vetë Jezui gjente kohë për të ndenjur me fëmijët, a nuk duhet të bësh edhe ti të njëjtën gjë për djalin a vajzën tënde? Ata nuk kanë nevojë që të rrish me ta vetëm një copë herë; duhet të kaloni shumë kohë bashkë. Duhet të gjesh kohë që t’i mësosh, sepse kështu i ka udhëzuar Jehovai prindërit.—Ligji i përtërirë 6:4-9.

15 Kjo botë sa vjen e bëhet më e ligë, prandaj fëmijët kanë nevojë që prindërit t’i mbrojnë nga njerëzit që duan t’u bëjnë keq, siç janë maniakët seksualë. Shqyrto se si i mbrojti Jezui dishepujt e tij, që me përzemërsi i quante «fëmijë të vegjël». Kur e arrestuan dhe pas pak do ta vrisnin, ai gjeti një mënyrë që dishepujt të iknin. (Gjoni 13:33; 18:7-9) Si prind, duhet të jesh vigjilent për të kuptuar përpjekjet e Djallit për t’u bërë keq fëmijëve të tu. Duhet t’i këshillosh e t’i paralajmërosh fëmijët që më përpara.* (1 Pjetrit 5:8) Kurrë më parë siguria e tyre fizike, frymore dhe morale s’ka qenë kaq e kërcënuar sa tani.

16 Natën para se Jezui të vdiste, dishepujt u grindën mes tyre se kush ishte më i madhi. Në vend që të zemërohej me ta, Jezui përsëri i këshilloi me dashuri, me fjalë e me shembullin e tij. (Luka 22:24-27; Gjoni 13:3-8) Nëse je prind, a e kupton se si mund të ndjekësh shembullin e Jezuit kur duhet të këshillosh ose të qortosh fëmijët e tu? Është e vërtetë se kanë nevojë për disiplinë, po kjo u duhet dhënë «në masën e duhur», dhe asnjëherë në zemërim e sipër. Nuk duhet t’u flasësh pa u menduar, «si me goditje shpate». (Jeremia 30:11; Proverbat 12:18) Disiplina duhet dhënë në mënyrë të tillë, që më vonë fëmija yt të kuptojë sa me vend ishte.—Efesianëve 6:4; Hebrenjve 12:9-11.

NJË MODEL PËR FËMIJËT

17 A mund të mësojnë fëmijët nga Jezui? Po! Me shembullin e tij, Jezui tregoi se si duhet t’u binden fëmijët prindërve të tyre. Ai tha: «I them këto gjëra ashtu si më mësoi Ati.» Pastaj shtoi: «Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij.» (Gjoni 8:28, 29) Jezui i bindej Atit të tij qiellor, dhe Bibla u thotë fëmijëve që t’u binden prindërve. (Efesianëve 6:1-3) Edhe pse Jezui ishte një fëmijë i përsosur, iu bind prindërve të tij të papërsosur njerëzorë, Jozefit dhe Marisë. Patjetër që kjo ndihmoi për ta bërë më të lumtur çdo pjesëtar të familjes së Jezuit.—Luka 2:4, 5, 51, 52.

18 A ka mënyra se si fëmijët mund ta imitojnë më shumë Jezuin e t’i bëjnë të lumtur prindërit e tyre? Është e vërtetë se nganjëherë fëmijët e kanë të vështirë t’u binden prindërve, po gjithsesi këtë dëshiron Perëndia nga fëmijët. (Proverbat 1:8; 6:20) Jezui iu bind gjithnjë Atit të tij qiellor, edhe në rrethana të vështira. Një herë, kur Perëndia i kërkoi Jezuit që të bënte diçka shumë të vështirë, ai i tha: «Hiqe këtë kupë [diçka që i kërkohej të bënte] nga unë.» E megjithatë, Jezui bëri si i tha Perëndia, sepse e kuptoi që Ati i tij i dinte më mirë gjërat. (Luka 22:42) Duke mësuar të jenë të bindur, fëmijët do t’i bëjnë shumë të lumtur prindërit dhe Atin e tyre qiellor.*Proverbat 23:22-25.

19 Djalli e tundoi Jezuin dhe mund të jemi të sigurt se do t’i tundojë edhe fëmijët që të bëjnë gjëra të gabuara. (Mateu 4:1-10) Satana Djalli përdor presionin e moshatarëve, i cili mezi përballohet. Pra, është shumë e rëndësishme që fëmijët të mos shoqërohen me shokë që bëjnë gjëra të këqija. (1 Korintasve 15:33) Dina, e bija e Jakobit, u shoqërua me vajza që nuk e adhuronin Jehovain, dhe kjo gjë i solli shumë telashe. (Zanafilla 34:1, 2) Mendo sa do të dëmtohet familja, nëse njëri nga pjesëtarët e saj përfshihet në imoralitet seksual!—Proverbat 17:21, 25.

ÇELËSI I LUMTURISË FAMILJARE

20 Problemet familjare mund të zgjidhen më lehtë kur zbatohen këshillat e Biblës. Madje, zbatimi i tyre është çelësi i lumturisë familjare. Pra, burra, duajini gratë tuaja dhe trajtojini siç e trajton Jezui kongregacionin. Gra, nënshtrojuni kryesisë së burrit dhe ndiqni modelin që përshkruhet te Proverbat 31:10-31 për gruan e zonjë. Prindër, stërvitini fëmijët tuaj. (Proverbat 22:6) Etër, ‘drejtojeni shkëlqyeshëm shtëpinë tuaj’. (1 Timoteut 3:4, 5; 5:8) Ju fëmijë, bindjuni prindërve. (Kolosianëve 3:20) Asnjëri në familje nuk është i përsosur, të gjithë gabojnë. Prandaj, jini të përulur dhe kërkojini falje njëri-tjetrit.

21 Po, Bibla përmban shumë këshilla e udhëzime të vlefshme për jetën familjare! Për më tepër, ajo na mëson për botën e re të Perëndisë dhe për një parajsë tokësore plot me njerëz të lumtur që adhurojnë Jehovain. (Zbulesa 21:3, 4) Sa gjëra të mrekullueshme na presin! Por, që tani mund të kemi një jetë të lumtur familjare, nëse zbatojmë udhëzimet e Perëndisë, që i gjejmë në Fjalën e tij, në Bibël.

[Shënimet]

Një ndihmë se si t’i mbrosh fëmijët mund ta gjesh në kapitullin 32 të librit mësojmë nga Mësuesi i Madh, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

Një fëmijë do të ishte i justifikuar të mos i bindej prindit vetëm në qoftë se ky i kërkon të shkelë ligjin e Perëndisë.—Veprat 5:29.

ÇFARË MËSON BIBLA?

▪ Burri duhet ta dojë gruan si trupin e tij.—Efesianëve 5:25-29.

▪ Gruaja duhet ta dojë familjen dhe të respektojë burrin e saj.—Titit 2:4, 5.

▪ Prindërit duhet t’i duan, t’i mësojnë e t’i mbrojnë fëmijët.—Ligji i përtërirë 6:4-9.

▪ Fëmijët duhet t’u binden prindërve.—Efesianëve 6:1-3.

[Pyetjet]

 1. Cili është çelësi për të pasur një jetë të lumtur familjare?

 2. Nga se varet lumturia familjare?

 3. Si e përshkruan Bibla fillimin e familjes njerëzore? Nga e dimë se ajo që thuhet në të, është e vërtetë?

 4. (a) Si mund të ndihmojë çdo pjesëtar që familja e tij të jetë e lumtur? (b) Pse është kaq e rëndësishme të studiojmë jetën e Jezuit për të pasur lumturi familjare?

5, 6. (a) Pse mënyra si e trajton Jezui kongregacionin është një shembull për burrat? (b) Çfarë nevojitet për të marrë faljen e mëkateve?

 7. Çfarë merrte parasysh Jezui, e çfarë shembulli la për burrat?

 8. (a) Në ç’kuptim një burrë «që do gruan e tij, do veten»? (b) Çfarë do të thotë për një burrë dhe gruan e tij fakti që janë «një mish i vetëm»?

 9. Cila cilësi e Jezuit përmendet te Filipianëve 1:8, dhe pse burrat duhet të shfaqin këtë cilësi me gratë e tyre?

10. Çfarë shembulli lë Jezui për gratë?

11. Çfarë qëndrimi duhet të mbajë një grua ndaj burrit të vet, dhe si mund të ndikojë sjellja e saj?

12. Pse nuk është e gabuar që një grua t’i shprehë me respekt mendimet e saj?

13. (a) Çfarë duhet të bëjnë gratë e martuara, sipas këshillës së Titit 2:4, 5? (b) Çfarë thotë Bibla për ndarjen e për divorcin?

14. Si i trajtoi Jezui fëmijët dhe çfarë u nevojitet atyre nga prindërit?

15. Ç’duhet të bëjnë prindërit për të mbrojtur fëmijët e tyre?

16. Ç’mund të mësojnë prindërit nga mënyra si reagoi Jezui ndaj papërsosmërive të dishepujve?

17. Në cilat mënyra la një shembull të përsosur Jezui për fëmijët?

18. Pse Jezui iu bind gjithnjë Atit të tij qiellor? Po sot, kë bëjnë të lumtur fëmijët kur u binden prindërve të tyre?

19. (a) Si i tundon Satanai fëmijët? (b) Si mund të ndikojë te prindërit sjellja e keqe e fëmijëve?

20. Çfarë duhet të bëjë çdo pjesëtar i familjes për të pasur një jetë të lumtur familjare?

21. Çfarë gjërash të mrekullueshme na presin, por si mund të kemi që tani një jetë të lumtur familjare?

[Figura faqen 139]

Çfarë shembulli të mirë la Sara për gratë?

[Figurat faqen 140]

Çfarë mund të mësojnë prindërit nga mënyra si i trajtonte Jezui fëmijët?

[Figura faqen 142]

Për çfarë duhet të mendojnë fëmijët, kur kanë ndonjë tundim?