Gjykatësit
14 Samsoni zbriti në Timnah+ dhe atje pa një grua midis bijave të filistinëve. 2 Ai u ngjit për t’i treguar të atit e së ëmës, dhe u tha: «Pashë një grua midis bijave të filistinëve në Timnah. Merrmani për grua.»+ 3 Por i ati me të ëmën i thanë: «Nuk paska grua midis bijave të vëllezërve të tu dhe midis tërë popullit tim,+ që shkon e merr grua midis filistinëve të parrethprerë?»+ Por prapëseprapë Samsoni i tha të atit: «Atë më merr, se ajo bën për mua.» 4 I ati dhe e ëma nuk e dinin se kjo vinte nga Jehovai+ e se ai po kërkonte shkas kundër filistinëve, pasi në atë kohë Izraeli sundohej prej tyre.+
5 Kështu, Samsoni zbriti me të atin dhe me të ëmën në Timnah.+ Ai mbërriti në vreshtat e Timnahut, kur ja, një luan i ri me krifë i doli përpara duke ulëritur. 6 Atëherë fryma e Jehovait nisi të vepronte tek ai+ dhe pa asgjë në dorë, e ndau atë më dysh, si ndahet një kec. Të atit dhe së ëmës nuk u tha çfarë bëri. 7 Pastaj vazhdoi rrugën dhe foli me gruan, sepse Samsonit ende i dukej se ajo ishte gruaja që bënte për të.+
8 Pas njëfarë kohe, ai vajti ta merrte në shtëpi.+ Rrugës u kthye të shihte luanin e ngordhur, dhe ja, në kërmën e tij kishte mizëri bletësh dhe mjaltë.+ 9 Ai mori pak mjaltë në dorë dhe vazhdoi rrugën duke ngrënë.+ Kur arriti të atin dhe të ëmën, u dha edhe atyre, e ata nisën ta hanin. Por ai nuk u tregoi se mjaltin e mori nga kërma e luanit.
10 I ati vazhdoi rrugën për tek ajo grua. Samsoni shtroi aty një gosti+ siç e kishin zakon të rinjtë. 11 Me ta parë, i dhanë menjëherë tridhjetë shoqërues, që të rrinin me dhëndrin. 12 Samsoni u tha: «Ju lutem, lërmëni t’ju them një gjëegjëzë.+ Nëse vërtet e gjeni dhe ma thoni brenda shtatë ditëve+ të gostisë, unë do t’ju jap tridhjetë palë ndërresa dhe tridhjetë palë veshje.+ 13 Por nëse nuk e gjeni dot, atëherë do të më jepni ju tridhjetë palë ndërresa dhe tridhjetë palë veshje.» Ata iu përgjigjën: «Pa thuaje njëherë gjëegjëzën që ta dëgjojmë!» 14 Atëherë ai u tha:
«Nga ngrënësi doli+ diçka që hahet,
dhe nga i forti një gjë e ëmbël.»+
Për tri ditë ata nuk e gjetën dot gjëegjëzën. 15 Ditën e katërt i thanë gruas së Samsonit: «Punoji ndonjë rreng tët shoqi që të na e tregojë gjëegjëzën.+ Përndryshe do të të vëmë zjarrin ty dhe shtëpisë së tët eti.+ Për të na marrë ç’të kemi+ na paskeni ftuar këtu?» 16 Atëherë gruaja e Samsonit zuri të qante para tij+ e të thoshte: «Ti veç më urren, po, po, ti nuk më do.+ U the një gjëegjëzë bijve të popullit tim,+ por mua nuk ma tregove.» Por ai ia ktheu: «Po kur nuk ia tregova as babait e as nënës sime,+ pse duhet të ta tregoj ty?» 17 Gjatë shtatë ditëve të gostisë, ajo qante e qante para tij. Më në fund, ditën e shtatë ai ia tregoi, se ajo nuk e linte rehat.+ Pastaj ajo ua tregoi gjëegjëzën bijve të popullit të saj.+ 18 Kështu, ditën e shtatë kur ai s’kish hyrë ende në dhomën e saj, burrat e qytetit i thanë:+
«Ku ka më të ëmbël se mjalti
dhe më të fortë se luani?»+
Por ai ua ktheu:
«Po të mos kishit lëruar me mëshqerrën time,+
nuk do ta kishit gjetur gjëegjëzën.»+
19 Pastaj fryma e Jehovait nisi të vepronte tek ai,+ kështu që zbriti në Ashkelon+ dhe vrau tridhjetë burra. Ua mori veshjet dhe ua dha atyre që gjetën gjëegjëzën.+ Me zemërimin që i vlonte, ai u ngjit në shtëpinë e të atit.
20 Gruan e Samsonit+ e mori njëri prej shoqëruesve të dhëndrit.+