-
Mateu 14:24-33Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
-
-
24 Ndërkaq, varka ishte ende qindra metra* larg tokës dhe përplasej nga dallgët, sepse erën e kishin kundër. 25 Por në orët e para të mëngjesit,* ai vajti te dishepujt duke ecur mbi det. 26 Kur e vunë re që po ecte mbi det, ata u trembën dhe thanë: «Është një vegim!»* Dhe filluan të bërtisnin nga frika. 27 Menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë, mos kini frikë.»+ 28 Pjetri u përgjigj: «Zotëri, po të jesh ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë.» 29 Ai i tha: «Eja!» Prandaj Pjetri zbriti nga varka, eci mbi ujë dhe shkoi drejt Jezuit. 30 Por kur pa stuhinë, u frikësua dhe, ngaqë nisi të fundosej, thirri: «Zotëri, më shpëto!» 31 Menjëherë Jezui zgjati dorën, e kapi dhe i tha: «Pse ke kaq pak besim? Pse të mposhti dyshimi?!»+ 32 Pasi hipën në varkë, stuhia pushoi. 33 Atëherë ata që ishin në varkë, i bënë nderime* dhe i thanë: «Ti je vërtet Biri i Perëndisë!»
-
-
Gjoni 6:16-21Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
-
-
16 Kur ra mbrëmja, dishepujt zbritën në breg të detit+ 17 dhe, pasi hipën në një varkë, u nisën për në Kapernaum. Tashmë ishte errësuar dhe Jezui akoma nuk kishte vajtur tek ata.+ 18 Ndërkohë deti filloi të trazohej, ngaqë po frynte një erë e fortë.+ 19 Pasi kishin vozitur rreth pesë a gjashtë kilometra,* panë Jezuin që po ecte mbi det duke iu afruar varkës dhe u frikësuan. 20 Por ai u tha: «Jam unë, mos kini frikë!»+ 21 Atëherë e morën në varkë gjithë gëzim, dhe pak më pas varka arriti në vendin ku po shkonin.+
-