Levitiku
13 Pastaj Jehovai i tha Moisiut dhe Aronit: 2 «Nëse dikujt i ënjtet një pjesë e lëkurës* ose i del një dregëz a një njollë, të cilat mund të shndërrohen në sëmundjen e lebrës,*+ atë duhet ta çojnë te prifti Aron ose te ndonjëri nga djemtë e tij priftërinj.+ 3 Prifti do t’ia ekzaminojë infeksionin që ka në lëkurë. Nëse qimet në vendin e infektuar janë zbardhur dhe infeksioni duket se shkon më thellë se lëkura, atëherë është sëmundja e lebrës. Pasi ta ketë ekzaminuar infeksionin, prifti do ta shpallë atë njeri të papastër. 4 Por nëse njolla në lëkurë është e bardhë, duket se nuk shkon më thellë se lëkura dhe qimet në vendin e saj nuk janë zbardhur, prifti do ta vërë në karantinë personin e infektuar për shtatë ditë.+ 5 Pastaj, ditën e shtatë, prifti do ta ekzaminojë: nëse duket që infeksioni ka ndaluar e nuk është përhapur në lëkurë, prifti do ta vërë atë njeri në karantinë edhe për shtatë ditë të tjera.
6 Prifti duhet ta ekzaminojë përsëri ditën e shtatë: nëse infeksioni është zbehur e nuk është përhapur në lëkurë, ai do ta shpallë atë njeri të pastër;+ ishte thjesht një dregëz. Prandaj personi do të lajë rrobat e do të jetë i pastër. 7 Por nëse dregëza* është përhapur dukshëm në lëkurë pasi u paraqit te prifti që të shpallej i pastër, ai do të paraqitet përsëri* te prifti. 8 Prifti do ta ekzaminojë: nëse dregëza është përhapur në lëkurë, ai do ta shpallë atë njeri të papastër; është lebër.+
9 Nëse dikë e zë sëmundja e lebrës, ai duhet çuar te prifti, 10 dhe prifti do ta ekzaminojë.+ Nëse ka një pjesë të ënjtur e të bardhë në lëkurë e ajo i ka zbardhur qimet dhe plaga në vendin e ënjtur është e hapur,+ 11 atëherë është lebër kronike në lëkurë, dhe prifti do ta shpallë atë njeri të papastër. S’ka nevojë ta vërë në karantinë,+ sepse është i papastër. 12 Por nëse lebra shpërthen në gjithë lëkurën dhe e mbulon të sëmurin nga koka te këmbët, kudo që shikon prifti, 13 dhe prifti e ekzaminon dhe sheh se lebra ia ka mbuluar të gjithë lëkurën, ai do ta shpallë personin e infektuar të pastër.* Lëkura është bërë e tëra e bardhë, prandaj ai është i pastër. 14 Por ditën që në lëkurë do t’i dalë një plagë e hapur, ai do të jetë i papastër. 15 Kur ta ekzaminojë plagën e hapur, prifti do ta shpallë atë njeri të papastër.+ Plaga e hapur është e papastër; është lebër.+ 16 Por nëse plaga bëhet përsëri e bardhë, ai do të shkojë te prifti. 17 Prifti do ta ekzaminojë:+ nëse plaga është bërë e bardhë, ai do ta shpallë të pastër personin e infektuar; ai është i pastër.
18 Nëse dikujt i del në lëkurë një çiban* dhe pastaj çibani shërohet, 19 por në vendin ku ishte çibani një pjesë e lëkurës ënjtet e bëhet e bardhë ose i del një njollë e bardhë në të kuqe, ai duhet të paraqitet te prifti. 20 Prifti do ta ekzaminojë:+ nëse duket se njolla shkon më thellë se lëkura e qimet në të janë zbardhur, prifti do ta shpallë personin të papastër; është sëmundja e lebrës që ka shpërthyer në vendin ku ishte çibani. 21 Por nëse prifti e ekzaminon dhe sheh se njolla nuk ka asnjë qime të bardhë, nuk shkon më thellë se lëkura dhe duket e zbehtë, prifti do ta vërë në karantinë personin për shtatë ditë.+ 22 Nëse duket qartë se njolla është përhapur në lëkurë, prifti do ta shpallë atë njeri të papastër; është një sëmundje. 23 Por nëse njolla mbetet në vend e nuk përhapet, është thjesht një inflamacion nga çibani, dhe prifti do ta shpallë atë njeri të pastër.+
24 Nëse dikush ka një djegie dhe mishi i plagës nuk mbyllet e kthehet në njollë të bardhë në të kuqe ose në njollë të bardhë, 25 prifti do ta ekzaminojë. Nëse qimet në njollë janë zbardhur dhe njolla duket se shkon më thellë se lëkura, është lebër që ka shpërthyer në vendin e djegur, dhe prifti do ta shpallë personin të papastër; është sëmundja e lebrës. 26 Por nëse prifti e ekzaminon dhe sheh se në njollë nuk ka asnjë qime të bardhë, njolla nuk shkon më thellë se lëkura dhe është e zbehtë, prifti do ta vërë në karantinë personin për shtatë ditë.+ 27 Ditën e shtatë prifti do ta ekzaminojë: nëse duket qartë se njolla është përhapur në lëkurë, ai do ta shpallë atë njeri të papastër; është sëmundja e lebrës. 28 Por nëse njolla mbetet në vend, nuk përhapet në lëkurë dhe është e zbehtë, është thjesht ënjtje e vendit të djegur. Prifti do ta shpallë atë njeri të pastër, sepse është inflamacion i vendit të djegur.
29 Kur një burri ose një gruaje i del një infeksion në kokë a në mjekër, 30 prifti do ta ekzaminojë infeksionin+ dhe, nëse duket se shkon më thellë se lëkura dhe qimet në të janë të verdha e të rralla, ai do ta shpallë atë njeri të papastër; është një infeksion i lëkurës së kokës ose i mjekrës. Është lebër e kokës ose e mjekrës. 31 Por nëse prifti e sheh se infeksioni nuk duket se shkon më thellë se lëkura dhe nuk ka qime të zeza, ai do ta vërë në karantinë personin e infektuar për shtatë ditë.+ 32 Ditën e shtatë prifti do ta ekzaminojë infeksionin: nëse vendi i infektuar nuk është zmadhuar, nëse në të nuk ka dalë asnjë qime e verdhë dhe duket se nuk shkon më thellë se lëkura, 33 personi i infektuar duhet të rruhet, por jo në vendin e infektuar. Pastaj prifti do ta vërë atë në karantinë për shtatë ditë.
34 Ditën e shtatë prifti do ta ekzaminojë përsëri vendin e infektuar: nëse infeksioni i lëkurës së kokës dhe i mjekrës nuk është përhapur e duket që nuk shkon më thellë se lëkura, prifti duhet ta shpallë atë njeri të pastër; ai duhet të lajë rrobat e do të jetë i pastër. 35 Por nëse duket qartë se infeksioni përhapet në lëkurë pasi ai është shpallur i pastër, 36 prifti do ta ekzaminojë dhe, nëse infeksioni është përhapur në lëkurë, s’ka nevojë të shohë a ka qime të verdhë; ai njeri është i papastër. 37 Por nëse nga ekzaminimi duket se infeksioni nuk është përhapur dhe në të kanë dalë qime të zeza, atëherë infeksioni është shëruar; ai është i pastër, dhe prifti do ta shpallë të pastër.+
38 Nëse një burri a një gruaje i dalin në lëkurë* njolla dhe ato janë të bardha, 39 prifti do t’i ekzaminojë+ dhe, nëse njollat në lëkurë kanë ngjyrë të bardhë të zbehtë, është thjesht një acarim i parrezikshëm i lëkurës; ai njeri është i pastër.
40 Nëse një burri i bien flokët dhe bëhet tullac, ai është i pastër. 41 Nëse i bien flokët në ballë dhe bëhet tullac atje, ai është i pastër. 42 Por nëse i del një plagë e bardhë në të kuqe në pjesën ku i kanë rënë flokët e kokës ose të ballit, është lebër që i ka shpërthyer në lëkurën e kokës ose të ballit. 43 Prifti do ta ekzaminojë: nëse në pjesën ku i kanë rënë flokët e kokës ose të ballit, vendi i ënjtur nga infeksioni është i bardhë në të kuqe dhe duket si lebër në lëkurë, 44 ai është i lebrosur. Ai është i papastër, dhe prifti do ta shpallë të papastër për shkak të sëmundjes që ka në kokë. 45 Kurse i lebrosuri që ka sëmundjen, duhet të mbajë rroba të grisura dhe kokën të pakrehur. Ai duhet të mbulojë mustaqet me një napë dhe të thërrasë: ‘I papastër! I papastër!’ 46 Gjatë gjithë kohës që do të ketë sëmundjen, ai do të jetë i papastër. Ngaqë është i papastër, duhet të jetojë i izoluar dhe vendbanimi i tij do të jetë jashtë kampit.+
47 Nëse sëmundja e lebrës infekton një rrobë prej leshi ose prej liri, 48 qoftë indin ose majën* e saj, ose një lëkurë a çfarëdo gjëje të bërë me lëkurë, 49 dhe sëmundja që infekton rrobën, lëkurën, indin, majën ose ndonjë send lëkure, ka njolla të gjelbra në të verdhë ose në të kuqe, atëherë është infektim lebre dhe duhet t’i tregohet priftit. 50 Prifti do ta ekzaminojë njollën dhe do ta vërë në karantinë për shtatë ditë atë gjë që ka sëmundjen.+ 51 Ditën e shtatë kur prifti ta ekzaminojë njollën dhe të shohë që është përhapur në rrobë, në ind, në majë ose në lëkurë (pavarësisht për çfarë përdoret lëkura), atëherë njolla është lebër ngjitëse; ajo gjë është e papastër.+ 52 Ai duhet ta djegë rrobën ose copën e endur prej leshi a liri, ose çfarëdo gjëje prej lëkure ku ka dalë njolla, sepse është lebër ngjitëse; ajo duhet të digjet në zjarr.
53 Por nëse prifti e ekzaminon dhe sheh që njolla nuk është përhapur në rrobë, në ind a në majë, ose në ndonjë gjë prej lëkure, 54 ai do të urdhërojë që gjëja e infektuar të lahet dhe do ta vërë në karantinë edhe për shtatë ditë të tjera. 55 Prifti do ta ekzaminojë gjënë e infektuar pasi të jetë larë mirë. Nëse njolla nuk ka ndryshuar, edhe pse nuk është përhapur, ajo gjë është e papastër. Duhet djegur në zjarr, sepse sëmundja e ka ngrënë nga jashtë a nga brenda.
56 Por nëse prifti e ekzaminon dhe njolla është zbehur pasi është larë mirë, atëherë ai do ta grisë atë pjesë nga rroba, nga lëkura ose nga copa e endur. 57 Mirëpo, nëse shfaqet prapë në një pjesë tjetër të rrobës, në ind a në majë, a në ndonjë gjë prej lëkure, atëherë sëmundja po përhapet dhe çdo gjë e infektuar duhet djegur në zjarr.+ 58 Por, kur infektimi të zhduket nga rroba, nga indi, nga maja dhe nga çdo gjë prej lëkure që është larë, ato do të lahen për së dyti dhe do të jenë të pastra.
59 Ky është ligji për sëmundjen e lebrës që del në një rrobë leshi ose liri, në ind a në majë ose në një gjë prej lëkure, që ajo gjë të shpallet e pastër ose e papastër.»