Eksodi
16 Pasi u nis nga Elimi, tërë asambleja e izraelitëve me kohë mbërriti në shkretëtirën e Sinit,+ që ndodhet mes Elimit dhe Sinait; mbërriti atje ditën e 15-të të muajit të dytë, një muaj pasi ishte larguar nga vendi i Egjiptit.
2 Në shkretëtirë, tërë asambleja e izraelitëve nisi të murmuriste kundër Moisiut dhe Aronit.+ 3 Izraelitët u thoshin pa pushim: «Ah, sikur të kishim vdekur nga dora e Jehovait në vendin e Egjiptit, kur rrinim ulur pranë tenxhereve të mëdha me mish,+ kur hanim bukë sa ngopeshim! Tani ju na keni nxjerrë në këtë shkretëtirë, që gjithë kongregacioni të vdesë nga zia e bukës.»+
4 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Unë do t’ju sjell bukë nga qielli.+ Secili të dalë e të mbledhë racionin e vet të përditshëm;+ kështu do t’i vë në provë për të parë nëse do t’i binden ose jo ligjit tim.+ 5 Kurse ditën e gjashtë,+ të mbledhin dyfishin e asaj që mbledhin në ditët e tjera dhe ta përgatitin më përpara.»+
6 Prandaj Moisiu dhe Aroni u thanë gjithë izraelitëve: «Në mbrëmje keni për ta marrë vesh se nga vendi i Egjiptit ju nxori Jehovai+ 7 dhe në mëngjes keni për të parë lavdinë e Jehovait, sepse Jehovai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja kundër tij. E cilët jemi ne që murmuritni kundër nesh?!» 8 Moisiu vazhdoi: «Kur Jehovai t’ju japë në mbrëmje mish për të ngrënë dhe në mëngjes bukë sa të ngopeni, do ta shihni se Jehovai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja kundër tij. E cilët jemi ne, që murmuritni kundër nesh?! Murmuritjet tuaja nuk janë kundër nesh, por kundër Jehovait.»+
9 Pastaj Moisiu i tha Aronit: «Thuaji tërë asamblesë së izraelitëve: ‘Afrohuni dhe paraqituni para Jehovait, sepse ai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja.’»+ 10 Sapo Aroni mbaroi së foluri me tërë asamblenë e izraelitëve, ata u kthyen me fytyrë nga shkretëtira dhe ja, lavdia e Jehovait u shfaq në re.+
11 Jehovai i tha prapë Moisiut: 12 «I kam dëgjuar murmuritjet e izraelitëve.+ Thuaju: ‘Në të ngrysur* do të hani mish dhe në mëngjes do të ngopeni me bukë,+ dhe keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai, Perëndia juaj.’»+
13 Kështu atë mbrëmje, shkurtat erdhën dhe e mbuluan kampin,+ kurse në mëngjes rreth e qark kampit kishte një shtresë vese. 14 Kur shtresa e vesës avulloi, në sipërfaqe të shkretëtirës kishte ca si petëza të holla+ e të imëta si bryma mbi tokë. 15 Kur izraelitët e panë, nisën t’i thoshin njëri-tjetrit: «Ç’është kjo?», sepse nuk e dinin ç’ishte. Moisiu u tha: «Është buka që Jehovai ju ka dhënë si ushqim.+ 16 Ja çfarë urdhëron Jehovai: ‘Secili të mbledhë aq sa mund të hajë; mblidhni një omer*+ për kokë, për aq veta sa ka secili në tendën e vet.’» 17 Prandaj izraelitët filluan të mblidhnin, kush më shumë e kush më pak, 18 dhe pastaj e peshonin me omerë. Ai që kishte mbledhur shumë, nuk pati më tepër; edhe atij që kishte mbledhur pak, nuk i mungoi gjë.+ Secili mblodhi aq sa mund të hante.
19 Atëherë Moisiu u tha: «Askush të mos lërë asgjë deri në mëngjes.»+ 20 Por ata nuk ia vunë veshin Moisiut dhe, kur disa lanë diçka deri në mëngjes, ajo zuri krimba dhe ra erë të qelbur. Prandaj Moisiu u indinjua me ta. 21 Ata mblidhnin mëngjes për mëngjes, secili aq sa mund të hante dhe, kur dielli ngrohte, ajo shkrihej.
22 Ditën e gjashtë mblodhën dyfishin e bukës,+ dy omerë për njeri, dhe gjithë prijësit e asamblesë erdhën e i raportuan Moisiut për këtë. 23 Pasi i dëgjoi, ai u tha: «Kështu thotë Jehovai: nesër do të jetë pushim i plotë,* një sabat i shenjtë për Jehovain.+ Piqni ç’keni për të pjekur dhe zieni ç’keni për të zier.+ Çfarë t’ju teprojë, ruajeni deri në mëngjes.» 24 Prandaj ata e ruajtën bukën deri në mëngjes, ashtu siç i kishte urdhëruar Moisiu, dhe ajo nuk ra erë të qelbur e nuk zuri vemje. 25 Atëherë Moisiu u tha: «Hajeni sot, sepse sot është sabat për Jehovain. Sot nuk do ta gjeni në sipërfaqe të tokës. 26 Do ta mblidhni për gjashtë ditë, por ditën e shtatë, në Sabat,+ nuk do të ketë.» 27 Megjithatë, disa nga populli dolën për të mbledhur ditën e shtatë, por nuk gjetën gjë.
28 Prandaj Jehovai i tha Moisiut: «Deri kur nuk do të pranoni t’u bindeni urdhërimeve dhe ligjeve të mia?+ 29 Mos harroni se unë, Jehovai, ju kam dhënë Sabatin.+ Ja pse ditën e gjashtë ju jap bukën e dy ditëve. Secili të rrijë në vendin e vet dhe askush të mos largohet nga atje ditën e shtatë.» 30 Kështu populli mbajti Sabatin* ditën e shtatë.+
31 Populli i Izraelit e quajti bukën «manë»;* ajo ishte e bardhë si fara e koriandrit dhe kishte shijen e kuleçve të hollë me mjaltë.+ 32 Pastaj Moisiu tha: «Kështu ka urdhëruar Jehovai: ‘Mblidhni një omer manë dhe ruajeni, që brezat e mëvonshëm+ të shohin bukën që ju dhashë të hanit në shkretëtirë kur ju nxora nga vendi i Egjiptit.’» 33 Atëherë Moisiu i tha Aronit: «Merr një qyp të vogël, hidh brenda një omer manë dhe vëre përpara Jehovait që të ruhet brez pas brezi.»+ 34 Aroni bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun dhe e vuri atë përpara Dëshmisë*+ që të ruhej. 35 Izraelitët hëngrën manë për 40 vjet+ derisa vajtën në një vend të banuar;+ ata hëngrën manë derisa mbërritën në kufirin e vendit të Kananit.+ 36 Një omer është një e dhjeta e një efe.*