Zbulesa e Gjonit
6 Pashë kur Qengji+ hapi një nga shtatë vulat+ e dëgjova një nga katër krijesat e gjalla+ të thoshte me një zë si bubullimë: «Eja!» 2 Dhe ja, pashë një kalë të bardhë,+ dhe kalorësi i tij kishte një hark. Atij iu dha një kurorë,+ e ai doli fitimtar për të plotësuar fitoren e tij.+
3 Kur hapi vulën e dytë, dëgjova krijesën e dytë të gjallë+ që tha: «Eja!» 4 Doli një kalë tjetër me ngjyrë të kuqe zjarr. Kalorësit të tij iu lejua të hiqte paqen nga toka, që njerëzit të masakronin njëri-tjetrin, dhe iu dha një shpatë e madhe.+
5 Kur hapi vulën e tretë,+ dëgjova krijesën e tretë të gjallë+ që tha: «Eja!» Dhe ja, pashë një kalë të zi, dhe kalorësi i tij kishte në dorë një peshore. 6 Dëgjova një zë mes katër krijesave të gjalla që thoshte: «Një kenik* grurë për një denar*+ dhe tre kenikë elb për një denar. Mos e ço dëm vajin e ullirit dhe verën.»+
7 Kur hapi vulën e katërt, dëgjova zërin e krijesës së katërt të gjallë+ që tha: «Eja!» 8 Dhe ja, pashë një kalë të zbehtë, dhe kalorësi i tij e kishte emrin Vdekje. Atë e ndiqte nga afër Varri.* Atyre iu dha autoritet mbi një të katërtën e tokës, për të vrarë me shpatë, me mungesë ushqimi,+ me sëmundje vdekjeprurëse dhe me bishat e tokës.+
9 Kur hapi vulën e pestë, pashë rrëzë altarit+ gjakun*+ e atyre që ishin therur për shkak të fjalës së Perëndisë dhe të dëshmisë që kishin dhënë.+ 10 Ata thërritën me zë të lartë e thanë: «O Zotëri Sovran, i shenjtë dhe i vërtetë,+ deri kur do të përmbahesh dhe nuk do t’i gjykosh ata që banojnë në tokë e të marrësh hak për gjakun tonë?»+ 11 Secilit prej tyre iu dha një rrobë e gjatë e bardhë.+ Iu tha të pritnin edhe pak, derisa të plotësohej numri i shokëve të tyre të skllavërisë, i vëllezërve të tyre, që pas pak kohe do të vriteshin sikurse ishin vrarë edhe ata.+
12 Pashë kur ai hapi vulën e gjashtë dhe ra një tërmet i madh. Dielli u bë si thes leshi* i zi, hëna u bë si gjak+ 13 dhe yjet e qiellit ranë në tokë, ashtu si pema e fikut rrëzon fiqtë e papjekur kur e shkund një erë e fortë. 14 Qiejt u mbështollën si një rrotull e u zhdukën,+ dhe çdo mal e ishull u hoq nga vendi.+ 15 Atëherë mbretërit e tokës, zyrtarët e lartë, komandantët ushtarakë, të pasurit, të fuqishmit dhe çdo skllav e çdo njeri i lirë, u fshehën shpellave dhe mes shkëmbinjve të maleve.+ 16 Ata u thoshin maleve e shkëmbinjve: «Bini mbi ne+ e na fshihni nga sytë e Atij që rri ulur në fron+ dhe nga zemërimi i Qengjit,+ 17 sepse erdhi dita e madhe e zemërimit të tyre,+ dhe kush mund t’i bëjë ballë?»+