Gjykatësit
1 Pas vdekjes së Josiut,+ izraelitët* e pyetën Jehovain:+ «Cili prej nesh do të shkojë i pari të luftojë kundër kananitëve?» 2 Jehovai iu përgjigj: «Do të shkojë Juda.+ Ja, unë po ia jap* në dorë vendin.» 3 Atëherë Juda i tha të vëllait, Simeonit: «Eja me mua në territorin që m’u caktua,*+ për të luftuar kundër kananitëve. Pastaj do të vij unë me ty në territorin që të është caktuar.» Kështu Simeoni shkoi me të.
4 Kur Juda shkoi, Jehovai ia dha kananitët e perezitët në dorë,+ dhe ata mundën 10.000 burra në Bezek. 5 Atje gjetën Adon-Bezekun, luftuan kundër tij dhe mundën kananitët+ e perezitët.+ 6 Kur Adon-Bezeku ia mbathi, ata e ndoqën, e kapën dhe i prenë gishtërinjtë e mëdhenj të duarve e të këmbëve. 7 Atëherë Adon-Bezeku tha: «70 mbretër që u preva gishtërinjtë e mëdhenj të duarve e të këmbëve, mbledhin çfarë bie nga tryeza ime. Perëndia ma ktheu pikërisht si kam bërë.» Më pas e çuan në Jerusalem+ dhe aty vdiq.
8 Burrat e Judës luftuan edhe kundër Jerusalemit+ dhe e pushtuan; ata vranë me shpatë banorët e tij dhe i vunë zjarrin qytetit. 9 Pas kësaj burrat e Judës shkuan të luftonin kundër kananitëve që banonin në rajonin malor, në Negeb dhe në Shefelah.+ 10 Kështu Juda shkoi të luftonte kundër kananitëve që banonin në Hebron (i cili më parë quhej Kiriat-Arba) dhe vrau Sheshain, Ahimanin dhe Talmain.+
11 Prej andej u nisën të luftonin kundër banorëve të Debirit+ (që më parë quhej Kiriat-Sefer).+ 12 Atëherë Kalebi+ tha: «Atij që sulmon Kiriat-Seferin dhe e pushton, do t’i jap për grua vajzën time, Aksën.»+ 13 Dhe qytetin e pushtoi Otnieli,+ biri i Kenazit,+ që ishte vëllai më i vogël i Kalebit, kështu që ai i dha për grua vajzën, Aksën. 14 Ndërsa po shkonte në shtëpinë e burrit, ajo i tha të shoqit t’i kërkonte babait të saj* një arë, dhe pastaj zbriti nga gomari.* Kalebi e pyeti: «Çfarë do?» 15 Ajo iu përgjigj: «Të lutem, më beko me një dhuratë, sepse toka që më dhe në jug* është e thatë, prandaj më jep edhe Gulot-Maimin.»* Kështu Kalebi i dha Gulotin e Sipërm dhe Gulotin e Poshtëm.
16 Pasardhësit e kenitit,+ vjehrrit të Moisiut,+ bashkë me popullin e Judës, u ngjitën nga qyteti i palmave+ në shkretëtirën e Judës, në jug të Aradit.+ Ata shkuan atje dhe u vendosën me banim mes popullit.+ 17 Kurse Juda bashkë me të vëllanë, Simeonin, shkuan dhe sulmuan kananitët që banonin në Zefat. Ata e caktuan qytetin për shkatërrim,*+ prandaj e quajtën Hormah.*+ 18 Pastaj Juda pushtoi Gazën+ me territorin e saj, Ashkelonin+ me territorin e tij dhe Ekronin+ me territorin e tij. 19 Jehovai ishte me Judën, prandaj ata shtinë në dorë rajonin malor, por nuk mundën t’i dëbonin banorët e rrafshinës,* sepse ata kishin karroca lufte me kosa të hekurta.*+ 20 Kalebit i dhanë Hebronin, si kishte premtuar Moisiu,+ dhe ai dëboi që andej tre bijtë e Anakut.+
21 Por beniaminitët nuk i dëbuan jebusitët që banonin në Jerusalem, prandaj jebusitët banojnë edhe sot e kësaj dite në Jerusalem me beniaminitët.+
22 Ndërkohë shtëpia e Jozefit+ shkoi për të luftuar kundër Bethelit, dhe Jehovai ishte me ta.+ 23 Ata dërguan njerëz për të vëzhguar Bethelin (qytet që më parë quhej Luz).+ 24 Vëzhguesit panë një burrë që po dilte nga qyteti dhe i thanë: «Të lutemi, na trego rrugën për t’u futur në qytet dhe ne do të jemi zemërmirë me ty.»* 25 Kështu ai ua tregoi rrugën dhe ata i vranë me shpatë banorët e qytetit, kurse atë dhe familjen e tij e lanë të ikte.+ 26 Ai shkoi në vendin e hititëve, ndërtoi një qytet dhe i vuri emrin Luz, të cilin e mban edhe sot e kësaj dite.
27 Manaseu nuk e shtiu në dorë Beth-Sheanin me fshatrat e tij, Tanakun+ me fshatrat e tij, Dorin me fshatrat e tij, Ibleamin me fshatrat e tij dhe Megidon me fshatrat e tij;+ kananitët me kokëfortësi nuk pranuan të largoheshin nga ky vend. 28 Kur Izraeli u bë më i fortë, i vuri kananitët në punë të detyruar,+ por nuk i dëboi të gjithë.+
29 As Efraimi nuk i dëboi kananitët që banonin në Gezer, të cilët vazhduan të banonin mes tyre në Gezer.+
30 Zabuloni nuk i dëboi banorët e Kitronit dhe banorët e Nahalolit;+ kananitët vazhduan të banonin mes tyre dhe iu nënshtruan punës së detyruar.+
31 Asheri nuk i dëboi banorët e Akos, banorët e Sidonit,+ të Ahlabit, të Akzibit,+ të Helbahut, të Afikut+ dhe të Rehobit.+ 32 Kështu asheritët vazhduan të banonin mes kananitëve që ishin në vend, ngaqë nuk i dëbuan.
33 Neftali nuk i dëboi banorët e Beth-Shemeshit dhe banorët e Beth-Anatit,+ përkundrazi ata banuan mes kananitëve që ishin në vend.+ Banorët e Beth-Shemeshit dhe të Beth-Anatit u bënë skllevërit e tyre për punë të detyruar.
34 Amoritët i detyruan danitët të jetonin në rajonin malor e nuk i lanë të zbritnin në rrafshinë.*+ 35 Amoritët me kokëfortësi nuk pranuan të largoheshin nga mali i Heresit, nga Ajaloni+ dhe nga Shalbimi.+ Por, kur fuqia* e shtëpisë së Jozefit u rrit,* ata u detyruan të bënin punë të rëndë. 36 Territori i amoritëve fillonte nga e përpjeta e Akrabimit+ dhe shtrihej nga Sela e lart.