Romakëve
1 Pavli, skllav i Jezu Krishtit, i thirrur që të jetë apostull dhe i caktuar* të shpallë lajmin e mirë të Perëndisë,+ 2 që Perëndia e premtoi kohë më parë në Shkrimet e shenjta nëpërmjet profetëve të vet 3 e që lidhet me Birin e tij, i cili prej gjaku* ishte pasardhës* i Davidit,+ 4 por që me fuqinë e frymës së shenjtë* u shpall Bir i Perëndisë+ kur u ringjall nga të vdekurit+—po, me Jezu Krishtin, Zotërinë tonë, 5 nëpërmjet të cilit na* u tregua mirësi e pamerituar dhe morëm caktimin si apostull,+ me qëllim që të gjitha kombet+ të tregojnë besim tek ai dhe t’i binden për hir të emrit të tij, 6 e nga këto kombe edhe ju u thirrët që t’i përkitni Jezu Krishtit. 7 U drejtohem të gjithë atyre që janë në Romë, që Perëndia i do dhe i ka thirrur për të qenë të shenjtë:*
Mirësia e pamerituar* dhe paqja nga Perëndia, Ati ynë, si edhe nga Zotëria Jezu Krisht, qofshin me ju!
8 Para së gjithash, e falënderoj Perëndinë tim për të gjithë ju nëpërmjet Jezu Krishtit, sepse për besimin tuaj flitet në mbarë botën. 9 Vërtet, kam dëshmitar Perëndinë, të cilit i bëj shërbim të shenjtë me mish e me shpirt* duke shpallur lajmin e mirë për Birin e tij, se ju përmend pa pushim në lutjet e mia+ 10 dhe i përgjërohem që, po të jetë e mundur, t’ia dal mbanë më në fund të vij te ju, në qoftë vullneti i Tij. 11 Kam shumë dëshirë t’ju takoj, që t’ju jap ndonjë dhuratë nga Perëndia e të bëheni të patundur,* 12 ose më mirë, që të inkurajohemi nga besimi i njëri-tjetrit,+ unë nga besimi juaj dhe ju nga besimi im.
13 Megjithatë, vëllezër, dua të dini se shumë herë kam dashur të vij te ju, që predikimi im të ishte i frytshëm edhe te ju, sikurse ka qenë edhe te kombet e tjera, por deri tani kam hasur pengesa. 14 U jam borxhli si grekëve, edhe të huajve,* si të mençurve, edhe të pamendëve, 15 prandaj mezi pres t’jua shpall lajmin e mirë edhe juve në Romë.+ 16 Në të vërtetë, mua nuk më vjen turp për lajmin e mirë,+ sepse ai është tregues i fuqisë së Perëndisë për të shpëtuar këdo që ka besim,+ më parë judeun+ e po ashtu edhe grekun.+ 17 E nëpërmjet tij, ata që kanë besim, e shohin qartë drejtësinë e Perëndisë, dhe kjo u forcon besimin,+ pikërisht siç është shkruar: «I drejti do të jetojë falë besimit.»+
18 Në fakt, nga qielli Perëndia e tregon zemërimin e tij të furishëm+ kundër gjithë njerëzve të padrejtë që nuk duan t’ia dinë për të dhe që po e mbytin padrejtësisht të vërtetën,+ 19 sepse ajo që mund të dihet për Perëndinë, duket sheshit, pasi vetë Perëndia e ka bërë fare të qartë.+ 20 Vërtet, cilësitë e tij të padukshme shihen qartë që nga krijimi i botës, sepse dallohen nga gjërat që ka bërë+—po, ai ka fuqi të përjetshme+ dhe është Perëndia i vërtetë+—prandaj ata nuk kanë asnjë justifikim. 21 Edhe pse e njohën Perëndinë, ata nuk i dhanë lavdi si Perëndi dhe as e falënderuan. Përkundrazi, arsyetuan me mendjelehtësi dhe në zemrën e tyre të marrë mbretëroi errësira.+ 22 Ndonëse e mbanin veten për të mençur, ata u bënë të marrë 23 dhe e këmbyen lavdinë e Perëndisë së pavdekshëm* me diçka të ngjashme me njeriun e vdekshëm, me zogjtë, me krijesat katërkëmbëshe dhe me zvarranikët.+
24 Prandaj, në përputhje me dëshirat e zemrës së tyre, Perëndia i la të ndiqnin rrugën e tyre të ndyrë,* që të çnderonin trupat e tyre. 25 Ata e këmbyen të vërtetën e Perëndisë me gënjeshtrën dhe adhuruan* e i bënë shërbim të shenjtë krijesës në vend se Krijuesit, i cili qoftë lëvduar në jetë të jetëve. Amin! 26 Për këtë arsye, Perëndia i la të jepeshin pas pasioneve çnderuese seksuale,+ sepse femrat e tyre i këmbyen marrëdhëniet e natyrshme me marrëdhënie të panatyrshme.+ 27 E po njësoj, edhe meshkujt i lanë marrëdhëniet e natyrshme me femrat dhe u ndezën gjithë epsh pas njëri-tjetrit, meshkuj me meshkuj,+ duke bërë gjëra të ndyra e duke marrë ndëshkimin* e plotë që meritonin për mbrapshtinë e tyre.+
28 Meqë nuk u dukej me vend ta pranonin si Perëndi,* Perëndia i la të jetonin sipas një mendësie* që nuk e miraton dhe të bënin gjëra të papërshtatshme.+ 29 Ata ishin plot padrejtësi,+ ligësi, lakmi,+ të këqija, zili,+ vrasje,+ konflikte, mashtrime,+ shpirtligësi,+ si edhe ishin thashethemexhinj,* 30 përgojues,+ njerëz që urrenin Perëndinë, të pacipë, fodullë, mburravecë, trillues të këqijash, të pabindur ndaj prindërve,+ 31 të pamend,+ që s’e mbanin fjalën, pa përzemërsi të natyrshme dhe të pamëshirshëm. 32 E po njësoj sot, të tillë njerëz, edhe pse e njohin fare mirë dekretin e drejtë të Perëndisë—sipas të cilit ata që bëjnë gjëra të tilla, meritojnë vdekjen+—jo vetëm që vazhdojnë t’i bëjnë ato, por edhe i miratojnë ata që i bëjnë.