Jeremia
39 Muajin e 10-të të vitit të 9-të të mbretërimit të Zedekisë, mbretit të Judës, Nabukodonosori,* mbreti i Babilonisë, bashkë me gjithë ushtrinë e tij, erdhën në Jerusalem dhe e rrethuan.+
2 Ditën e 9-të të muajit të 4-t të vitit të 11-të të mbretërimit të Zedekisë, ata çanë murin e qytetit.+ 3 Gjithë princat e mbretit të Babilonisë—samgari Nergal-Sharezer, rabsari* Nebo-Sarsekim, rabmagu* Nergal-Sharezer, si dhe tërë princat e tjerë të mbretit të Babilonisë—hynë dhe u ulën te Porta e Mesit.+
4 Me t’i parë, Zedekia, mbreti i Judës, dhe tërë ushtarët ia mbathën.+ Dolën nga qyteti natën përmes kopshtit të mbretit. Kaluan nga porta që gjendej në murin e dyfishtë e ikën në drejtim të Arabahut.+ 5 Mirëpo ushtria kaldease i ndoqi dhe e arriti Zedekinë në rrafshinat e shkreta të Jerikosë.+ Atë e kapën dhe e çuan te Nabukodonosori,* mbreti i Babilonisë, në Riblah,+ në vendin e Hamathit,+ ku e dënuan. 6 Në Riblah, mbreti i Babilonisë ia theri bijtë Zedekisë para syve. Gjithashtu theri edhe tërë fisnikët e Judës.+ 7 Pastaj e verboi Zedekinë dhe e lidhi me vargonj bakri që ta çonte në Babiloni.+
8 Kaldeasit i vunë zjarrin shtëpisë së mbretit* e shtëpive të popullit,+ dhe rrëzuan muret e Jerusalemit.+ 9 Nebuzaradani,+ kreu i rojës, çoi në mërgim në Babiloni pjesën tjetër të popullit që kishte mbetur në qytet, tradhtarët që kishin kaluar në anën e tij dhe pjesën tjetër të popullsisë.
10 Por Nebuzaradani, kreu i rojës, la në vend disa nga njerëzit më të varfër të popullit, ata që nuk kishin asgjë. Atë ditë, ai u dha edhe vreshta e ara që të punonin.*+
11 Nabukodonosori,* mbreti i Babilonisë, i dha Nebuzaradanit, kreut të rojës këta urdhra për Jereminë: 12 «Merre, kujdesu për të dhe mos i bëj asgjë të keqe. Jepi çdo gjë që të kërkon.»+
13 Prandaj Nebuzaradani, kreu i rojës, rabsari* Nebushazban, rabmagu* Nergal-Sharezer dhe gjithë të parët e mbretit të Babilonisë dërguan njerëz 14 që ta merrnin Jereminë nga Oborri i Rojës+ e ia dorëzuan Gedaliahut,+ birit të Ahikamit,+ birit të Shafanit,+ që ta merrte në shtëpinë e vet. Kështu ai banoi mes popullit.
15 Teksa ishte i burgosur në Oborrin e Rojës,+ Jehovai i drejtoi Jeremisë këto fjalë: 16 «Shko e thuaji etiopasit Ebed-Melek:+ “Kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ‘Ja, unë do t’i përmbush fjalët që thashë për këtë qytet që t’i sjell të keqen e jo të mirën, dhe atë ditë ti do ta shohësh këtë.
17 Por, atë ditë, ty do të të çliroj,—thotë Jehovai,—dhe nuk do të të dorëzojnë tek ata të cilëve u frikësohesh.
18 Po, do të të shpëtoj patjetër dhe nuk do të të vrasin me shpatë, por do të kesh si shpërblim* jetën tënde,+ se pate besim tek unë,+—thotë Jehovai.’”»