Libri i dytë i Samuelit
7 Kur banonte në shtëpinë e vet*+ dhe Jehovai i kishte dhënë prehje nga të gjithë armiqtë përreth, 2 mbreti i tha profetit Natan:+ «Ja, unë banoj në një shtëpi me dru cedri,+ ndërkohë që Arka e Perëndisë së vërtetë qëndron mes pëlhurave të tendës.»+ 3 Natani i tha mbretit: «Shko e bëj çfarë ke në zemër, se Jehovai është me ty.»+
4 Po atë natë, Jehovai i drejtoi këtë fjalë Natanit: 5 «Shko e thuaji shërbëtorit tim, Davidit: “Kështu thotë Jehovai: ‘Nuk do të ma ndërtosh ti shtëpinë ku do të banoj.+ 6 Unë nuk kam banuar në një shtëpi që nga dita kur nxora nga Egjipti popullin e Izraelit e deri më sot,+ por kam lëvizur* nga një vend në tjetrin ndërsa banoja në tendë e në tabernakull.+ 7 Gjatë gjithë kohës që lëviza me izraelitët,* a i thashë vallë ndonjërit prej prijësve të fiseve të Izraelit që i caktova të kullotnin popullin tim, Izraelin: “Pse nuk më ndërtuat një shtëpi me dru cedri?’” 8 Tani thuaji këtë shërbëtorit tim, Davidit: “Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Unë të mora nga kullotat, ndërsa shkoje pas kopesë,+ që të bëheshe prijësi i popullit tim, Izraelit.+ 9 Unë do të jem me ty kudo që të shkosh+ e do të shfaros tërë armiqtë e tu para teje.+ Unë do ta bëj emrin tënd të madh,+ si emrin e të mëdhenjve që janë mbi faqen e dheut. 10 Do t’i caktoj një vend popullit tim, Izraelit, e do ta vendos që të banojë atje, dhe askush nuk do ta shqetësojë më; njerëzit e ligj nuk do ta shtypin sërish si bënë në të kaluarën,+ 11 që prej ditës që caktova gjykatës+ për popullin tim, Izraelin. Unë do të të jap prehje nga tërë armiqtë e tu.+
Gjithashtu, Jehovai të ka thënë se Jehovai do të të bëjë një shtëpi.*+ 12 Kur ditët e tua të mbarojnë+ dhe të prehesh me paraardhësit e tu, atëherë unë do të nxjerr pas teje një pasardhës,* birin tënd,* dhe do ta bëj të patundur mbretërinë e tij.+ 13 Pikërisht ai do të ndërtojë një shtëpi për emrin tim+ dhe unë do ta bëj të patundur fronin e mbretërisë së tij përgjithmonë.+ 14 Unë do të bëhem ati i tij dhe ai do të bëhet biri im.+ Kur ai të gabojë, unë do ta korrigjoj me shkopin e disiplinës dhe do ta ndëshkoj me të goditura, siç bëjnë njerëzit.*+ 15 Nuk do ta largoj nga ai dashurinë time besnike, siç e largova prej Saulit,+ të cilin e hoqa para syve të tu. 16 Shtëpia dhe mbretëria jote kanë për të qenë të sigurta përgjithmonë. Froni yt do të jetë i patundur përjetë.’”»+
17 Natani i tregoi Davidit gjithë këto fjalë dhe tërë këtë vegim.*+
18 Atëherë mbreti David hyri, u ul para Jehovait dhe tha: «Kush jam unë, o Zotëri Sovran Jehova?! E ç’është shtëpia ime që më ke sjellë deri këtu?!+ 19 Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, o Zotëri Sovran Jehova, ti flet për shtëpinë e shërbëtorit tënd deri në një të ardhme të largët; dhe ky ligj* është për gjithë njerëzimin, o Zotëri Sovran Jehova. 20 Ç’mund të të them më tepër unë, kur ti e njeh kaq mirë shërbëtorin tënd,+ o Zotëri Sovran Jehova? 21 Për hir të fjalës sate dhe sipas asaj që ke në zemër,* ti ke bërë gjithë këto gjëra madhështore dhe ia ke treguar shërbëtorit tënd.+ 22 Ja pse ti je vërtet i madh,+ o Zotëri Sovran Jehova. Nuk ka tjetër si ti+ dhe nuk ka Perëndi përveç teje;+ gjithçka që kemi dëgjuar me veshët tanë e vërteton këtë. 23 Cili komb tjetër në tokë është si populli yt, Izraeli?+ O Perëndi, ti shkove dhe e shpengove* si popullin tënd,+ dhe i bëre një emër vetes+ duke kryer për të gjëra madhështore e që të mahnitin.+ Ti i dëbove kombet dhe perënditë e tyre për hir të popullit tënd, të cilin ti vetë e shpengove nga Egjipti. 24 Ti e bëre Izraelin popullin tënd përgjithnjë.+ Ti, o Jehova, je bërë Perëndia i tyre.+
25 Tani, o Perëndi Jehova, mbaje përgjithmonë premtimin që bëre për shërbëtorin tënd e shtëpinë e tij, dhe bëj ashtu siç premtove.+ 26 Emri yt u lartësoftë përjetë,+ që njerëzit të thonë: ‘Jehovai i ushtrive është Perëndia i Izraelit!’ Qoftë e patundur para teje shtëpia e shërbëtorit tënd David!+ 27 Se ti, o Jehova i ushtrive, Perëndia i Izraelit, ia tregove këtë shërbëtorit tënd me fjalët: ‘Unë do të të ndërtoj një shtëpi.’*+ Ja pse shërbëtori yt mori guximin* që të të drejtohet me këtë lutje. 28 Ti, pra, o Zotëri Sovran Jehova, je Perëndia i vërtetë. Fjalët e tua janë të vërteta+ dhe ti ia premtove këto gjëra të mira shërbëtorit tënd. 29 Prandaj qoftë dëshira jote ta bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd dhe qëndroftë kjo shtëpi përgjithmonë para teje,+ ashtu si ti, o Zotëri Sovran Jehova, ke premtuar! Qoftë shtëpia e shërbëtorit tënd përherë e bekuar nga ti!»+