Veprat e Apostujve
14 Në Ikoni, ata hynë në sinagogën e judenjve dhe folën në mënyrë aq të efektshme, sa u bënë besimtarë një shumicë e madhe judenjsh dhe grekësh. 2 Por judenjtë që nuk besuan, ndikuan për keq te njerëzit e kombeve* dhe i nxitën kundër vëllezërve.+ 3 Kështu, ata të dy ndenjën një kohë të gjatë dhe folën me guxim e me autoritetin që u kishte dhënë Jehovai,* i cili e vërtetoi* mesazhin që shpallnin për mirësinë e tij të pamerituar, duke lejuar që të kryheshin shenja e mrekulli* nëpërmjet tyre.+ 4 Megjithatë, turma e qytetit u përça: disa ishin me judenjtë, kurse të tjerë me apostujt. 5 Njerëzit e kombeve dhe judenjtë bashkë me krerët e tyre ishin të vendosur t’i keqtrajtonin dhe t’i goditnin me gurë.+ 6 Me ta marrë vesh, Pavli dhe Barnaba ikën në qytetet e Likaonisë, pra në Listër e Derbë, dhe në vendet përreth.+ 7 Atje vazhduan të shpallnin lajmin e mirë.
8 Në Listër ishte një burrë i paralizuar që nga lindja, i cili nuk kishte ecur kurrë. Ai rrinte ulur 9 e po dëgjonte Pavlin tek fliste. Pavli ia nguli sytë, e duke parë se kishte besim që do të shërohej,+ 10 i tha me zë të lartë: «Çohu në këmbë!» Ai hovi përpjetë dhe filloi të ecte.+ 11 Kur panë atë që bëri Pavli, turmat thërritën në gjuhën likaonase: «Perënditë paskan marrë formë njerëzore e paskan zbritur te ne!»+ 12 Barnabën filluan ta quanin Zeus, kurse Pavlin Hermes, meqë ai merrte drejtimin për të folur. 13 Prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte në hyrje të qytetit, solli dema e kurora te portat dhe dëshironte të bënte flijime bashkë me turmat.
14 Por kur dëgjuan për këtë, dy apostujt, Barnaba e Pavli, shqyen rrobat dhe vrapuan mes turmës duke thirrur: 15 «Burra, ç’bëni kështu?! Edhe ne jemi njerëz si ju, me po ato të meta,+ dhe po ju shpallim lajmin e mirë që të hiqni dorë nga këto kotësira e të ktheheni te Perëndia i gjallë, që bëri qiellin, tokën, detin dhe gjithçka në ta.+ 16 Në brezat që shkuan, ai i la të gjitha kombet të ndiqnin udhët e tyre.+ 17 Megjithatë nuk e la veten pa dëshmi,+ sepse bëri mirë: ju solli shira nga qielli dhe stinë të frytshme,+ ju dha ushqim me bollëk dhe jua mbushi zemrat plot gëzim.»+ 18 Mirëpo, edhe pasi thanë këto, mezi i frenuan turmat që të mos u bënin flijime.
19 Por nga Antiokia dhe Ikonia erdhën judenj, që u mbushën mendjen turmave+ të qëllonin Pavlin me gurë. Pastaj e nxorën zvarrë jashtë qytetit, me mendimin se kishte vdekur.+ 20 Mirëpo, kur dishepujt u mblodhën rreth tij, ai u çua dhe hyri në qytet. Të nesërmen u nis me Barnabën për në Derbë.+ 21 Pasi shpallën lajmin e mirë në atë qytet dhe bënë mjaft dishepuj, u kthyen në Listër, Ikoni dhe Antioki. 22 Atje forcuan dishepujt,+ u dhanë zemër* të qëndronin në besim dhe u thanë: «Duhet të hyjmë në Mbretërinë e Perëndisë duke kaluar shumë shtrëngime.»*+ 23 Veç kësaj emëruan pleq në çdo kongregacion+ dhe, pasi u lutën dhe agjëruan,+ i lanë nën kujdesin e Jehovait,* tek i cili kishin besuar.
24 Pastaj përshkuan Pisidinë dhe mbërritën në Pamfili.+ 25 Pasi e shpallën fjalën në Pergë, zbritën në Atali. 26 Që atje lundruan për në Antioki, ku fillimisht vëllezërit i kishin lënë nën kujdesin e mirësisë së pamerituar të Perëndisë për veprën që tani e kishin përfunduar.+
27 Kur mbërritën, mblodhën kongregacionin dhe u treguan të gjitha ato që kishte bërë Perëndia nëpërmjet tyre dhe si u kishte hapur kombeve derën e besimit.+ 28 Kështu kaluan mjaft kohë me dishepujt.