Ezekieli
38 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 2 «Bir njeriu, ktheje fytyrën nga Gogu i vendit të Magogut,+ kryeprijësi* i Meshekut e i Tubalit,+ dhe profetizo kundër tij.+ 3 Thuaj: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, unë jam kundër teje, o Gog, kryeprijës* i Meshekut dhe i Tubalit. 4 Unë do të të kthej mbrapsht, do të të vë grremça në nofulla+ dhe do të të nxjerr me gjithë ushtrinë,+ kuajt e kalorësit e tu, të gjithë të veshur me madhështi, një ushtri e stërmadhe me mburoja të mëdha e me shqyte,* të gjithë duke vringëlluar shpatat. 5 Bashkë me ushtrinë tënde do të jenë edhe Persia, Etiopia dhe Puti,+ të gjithë me shqyte e helmeta;* 6 Gomeri me tërë trupat e tij, Togarmahu+ nga pjesët më të thella të veriut me tërë trupat e tij. Po, shumë popuj do të jenë me ty.+
7 Rri gati, po, përgatitu, ti bashkë me tërë ushtritë e mbledhura me ty, dhe ti do të jesh komandanti* i tyre.
8 Pas shumë ditësh, unë do ta drejtoj vëmendjen nga ti.* Në ditët e fundit ti do të sulesh kundër atij vendi, populli i të cilit u rimëkëmb nga shkretimi i shpatës, u mblodh nga shumë popuj dhe u çua në malet e Izraelit, që ishin të shkretuara prej shumë kohësh. Banorët e këtij vendi u mblodhën nga popujt dhe tani të gjithë banojnë të sigurt.+ 9 Ti do të sulesh mbi ta si furtunë dhe do ta mbulosh vendin si retë e dendura, ti me gjithë trupat e tua ushtarake dhe me shumë popuj.’
10 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Atë ditë, në zemër do të të lindin mendime e do të kurdisësh një plan të lig. 11 Do të thuash: “Do të sulem kundër vendbanimeve* të pambrojtura.+ Do të marshoj kundër atyre që banojnë të sigurt e pa shqetësime, kundër të gjithë atyre që banojnë në vendbanime të pambrojtura me mure, porta a shula”, 12 me qëllimin që të zësh shumë pre e plaçkë, që të sulmosh vende dikur të shkretuara, por tani të ripopulluara,+ dhe që të sulmosh një popull të mbledhur nga kombet,+ i cili po grumbullon pasuri e prona,+ po, ata që banojnë në zemër të tokës.
13 Sheba,+ Dedani,+ tregtarët e Tarshishit+ dhe tërë luftëtarët e tij* do të të pyesin: “Mos po sulesh për të zënë shumë pre e plaçkë? I ke mbledhur ushtritë për të marrë argjend e ar, për të shtënë në dorë pasuri e prona dhe për të zënë pre të madhe?”’”
14 Prandaj, o bir njeriu, profetizo dhe thuaji Gogut: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Me siguri ke për ta vënë re ditën kur populli im, Izraeli, të banojë i sigurt.+ 15 Ti do të vish nga vendi yt, nga pjesët më të thella të veriut,+ ti bashkë me shumë popuj, që të gjithë të hipur në kuaj, një forcë e madhe ushtarake, po, një ushtri e stërmadhe.+ 16 Si retë e dendura që mbulojnë vendin, do të sulesh mbi Izraelin, popullin tim. Në ditët e fundit, unë do të të çoj kundër vendit tim,+ me qëllim që kombet të më njohin kur të shenjtërohem para syve të tyre nëpërmjet teje, o Gog.’+
17 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘A nuk je ti ai për të cilin fola kohë më parë nëpërmjet shërbëtorëve të mi, profetëve të Izraelit, që profetizuan për vite të tëra se ti do të ngriheshe kundër tyre?
18 Atë ditë, ditën kur Gogu t’i sulet vendit të Izraelit,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—mua do të më ndizet një tërbim i madh.+ 19 Unë do të flas me zell të zjarrtë e gjithë furi, dhe atë ditë do të bjerë një tërmet i madh në vendin e Izraelit. 20 Prej meje, peshqit e detit, zogjtë e qiellit, kafshët e egra të tokës, të gjithë rrëshqanorët që zvarriten në tokë dhe të gjithë njerëzit që janë mbi faqen e dheut, do të dridhen nga frika; malet do të rrëzohen,+ shkëmbinjtë e thepisur do të shemben dhe të gjitha muret do të bien përtokë.
21 Unë do të dërgoj shpatën kundër Gogut në të gjitha malet e mia,—thotë Zotëria Sovran Jehova.—Secili do ta drejtojë shpatën e vet kundër të vëllait.+ 22 Unë do të sjell gjykimin tim mbi të* kur ta godas me murtajë+ e me gjakderdhje; do të derdh mbi të një rrebesh të madh, breshër kokërrmadh,+ zjarr+ e squfur,+ po, mbi të, mbi trupat e tij dhe mbi popujt e shumtë që janë me të.+ 23 Atëherë unë do të madhërohem, do të shenjtërohem e do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve, dhe ato kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’”