Filipianëve
1 Pavli dhe Timoteu, skllevër të Krishtit Jezu, drejtuar gjithë të shenjtëve* në Filipi+ që janë në unitet me Krishtin Jezu, si edhe mbikëqyrësve e shërbëtorëve të kongregacionit:*+
2 Mirësia e pamerituar* dhe paqja nga Perëndia, Ati ynë, si edhe nga Zotëria Jezu Krisht, qofshin me ju!
3 E falënderoj gjithnjë Perëndinë tim kur ju kujtoj 4 në çdo përgjërim që bëj për të gjithë ju, dhe çdo herë i përgjërohem me gëzim+ 5 për kontributin që keni dhënë për lajmin e mirë* që nga dita e parë e deri në këtë çast. 6 Në fakt, jam i sigurt se ai që nisi një vepër të mirë mes jush, do ta vazhdojë derisa ta përfundojë+ në ditën e Krishtit Jezu.+ 7 Është më se e drejtë ta mendoj këtë për të gjithë ju, pasi ju kam në zemër, meqë të gjithë merrni pjesë me mua në mirësinë e pamerituar të Perëndisë, qoftë në vargonjtë e mi,+ qoftë në mbrojtjen e në themelimin ligjërisht të lajmit të mirë.+
8 Vërtet, kam dëshmitar Perëndinë sa mall kam për të gjithë ju, me një përzemërsi të ngrohtë si ajo e Krishtit Jezu. 9 E për këtë lutem vazhdimisht, që t’ju shtohet gjithnjë e më shumë dashuria+ nga njohuria e saktë+ dhe aftësia e plotë dalluese,+ 10 që të siguroheni për gjërat më të rëndësishme+ në mënyrë që të jeni të patëmetë e të mos pengoni të tjerët+ deri në ditën e Krishtit 11 dhe që të jepni fryt drejtësie me bollëk nëpërmjet Jezu Krishtit, në lavdi e lëvdim të Perëndisë.+
12 Vëllezër, dua të dini se ato që më ndodhën mua, në të vërtetë dolën për përparimin e lajmit të mirë, 13 aq sa, në mbarë Gardën Pretoriane* e mes gjithë të tjerëve, u bë e ditur gjerësisht se jam në vargonj+ për hir të Krishtit.+ 14 E tani pjesa më e madhe e vëllezërve në Zotërinë po tregojnë edhe më shumë guxim për ta thënë fjalën e Perëndisë pa frikë, ngaqë kanë fituar siguri prej vargonjve të mi.
15 Vërtet që disa po predikojnë për Krishtin nga zilia e rivaliteti, por të tjerët po e bëjnë nga motive të mira. 16 Këta të fundit po e bëjnë të njohur Krishtin nga dashuria, pasi e dinë se unë jam caktuar për të mbrojtur lajmin e mirë;+ 17 kurse të parët e bëjnë të shtyrë nga fryma e kundërshtimit e jo me motiv të pastër, pasi duan të më hapin telashe ndërsa jam në vargonj. 18 E me ç’rezultat? Me çdo mënyrë, qoftë me shtirje, qoftë me të vërtetë, Krishti po bëhet i njohur, e për këtë gëzoj. Madje do të vazhdoj të gëzoj, 19 sepse e di se kjo do të më sjellë shpëtimin nëpërmjet përgjërimeve tuaja+ dhe mbështetjes së frymës së Jezu Krishtit.+ 20 E në përputhje me këtë, pres me padurim e shpresoj të mos turpërohem për asgjë, por me liri të plotë fjale, Krishti të madhërohet tani, sikurse edhe më parë, me anë të trupit tim, jetofsha a vdeksha.+
21 Vërtet, për mua Krishti është jetë+ dhe vdekja është fitim.+ 22 Tani, edhe po të jetoj gjatë si njeri në tokë,* do të vazhdoj të jap fryt në veprën time; megjithatë, nuk e them çfarë do të zgjidhja. 23 Jam në dilemë: nga njëra anë dëshiroj shumë të çlirohem dhe të jem me Krishtin,+ pasi, patjetër, kjo është shumë më mirë.+ 24 Por, nga ana tjetër, është më e nevojshme të qëndroj si njeri në tokë për të mirën tuaj. 25 Prandaj, i sigurt për këtë, e di se do të jetoj dhe do të vazhdoj të qëndroj me të gjithë ju, që të përparoni dhe të ndieni gëzimin që vjen nga besimi, 26 e kështu ngazëllimi juaj si dishepuj të Krishtit Jezu të vërshojë edhe më shumë kur të jem përsëri i pranishëm mes jush.
27 Ju veç silluni* në mënyrë të denjë për lajmin e mirë rreth Krishtit,+ që, edhe nëse vij e ju shoh, edhe nëse s’jam mes jush, të dëgjoj se po qëndroni të patundur, se jeni në një mendje e të bashkuar si një trup i vetëm,*+ duke u përpjekur krah për krah për besimin tuaj te lajmi i mirë, 28 pa u trembur kurrsesi nga kundërshtarët. Kjo për ta është provë se do të shkatërrohen,+ kurse për ju është provë se do të shpëtoni,+ e kjo vjen nga Perëndia. 29 Në fakt, juve ju është dhënë privilegji që jo vetëm të tregoni besim te Krishti, por edhe të vuani për të,+ 30 përderisa po bëni të njëjtën betejë që bëra edhe unë, siç e patë vetë,+ e për të cilën dëgjoni se po bëj akoma.