Libri i parë i Kronikave
14 Hirami,+ mbreti i Tirit, i dërgoi Davidit lajmëtarë, drurë cedri, gurprerës* dhe punues druri për t’i ndërtuar atij një shtëpi.*+ 2 Kështu Davidi e kuptoi që Jehovai e kishte bërë të patundur mbretërinë e tij në Izrael,+ sepse e kishte lartësuar shumë mbretërinë e tij për hir të popullit të Tij, Izraelit.+
3 Davidi mori gra të tjera+ në Jerusalem dhe atij i lindën të tjerë djem e vajza.+ 4 Këta janë emrat e fëmijëve që i lindën në Jerusalem:+ Shamuai, Shobabi, Natani,+ Solomoni,+ 5 Ibhari, Elishuai, Elpeleti, 6 Nogahu, Nefegu, Jafiai, 7 Elishamai, Beliadai dhe Elifeleti.
8 Kur dëgjuan se Davidin e kishin mirosur* si mbret mbi gjithë Izraelin,+ tërë filistinët u ngjitën për ta kapur.+ Sapo e dëgjoi këtë, Davidi doli kundër tyre. 9 Pastaj filistinët erdhën të sulmonin banorët e luginës* së Refaimit.+ 10 Davidi pyeti Perëndinë: «A të shkoj për të luftuar kundër filistinëve? A do të m’i japësh në dorë?» Atëherë Jehovai i tha: «Shko, sepse unë do t’i dorëzoj patjetër në duart e tua.»+ 11 Kështu Davidi shkoi në Baal-Perazim+ dhe i vrau. Pastaj tha: «Perëndia i vërtetë ka krijuar një të çarë mes armiqve të mi me dorën time, si e çara që hapin ujërat.» Ja pse e quajti atë vend Baal-Perazim.* 12 Filistinët i braktisën atje perënditë e tyre dhe, sipas urdhrit të Davidit, ato i dogjën në zjarr.+
13 Më vonë, filistinët sulmuan prapë në luginë.*+ 14 Atëherë Davidi kërkoi përsëri drejtimin e Perëndisë, por Perëndia i vërtetë i tha: «Mos i ndiq menjëherë. Përkundrazi shko e dilu nga pas, dhe sulmoji kur të jesh përballë shkurreve të bakës.+ 15 Me të dëgjuar një si zhurmë marshimi, nga majat e shkurreve të bakës, fillo sulmin, sepse Perëndia i vërtetë do të ketë dalë para teje për ta shpartalluar ushtrinë e filistinëve.»+ 16 Prandaj, Davidi veproi pikërisht siç e urdhëroi Perëndia i vërtetë+ dhe e shpartalluan ushtrinë e filistinëve nga Gibeoni deri në Gezer.+ 17 Fama e Davidit u përhap në të gjitha vendet, dhe Jehovai bëri që gjithë kombet t’i zinte tmerri prej tij.+