Libri i parë i Kronikave
13 Davidi u konsultua* me krerët e mijësheve e të qindësheve dhe me çdo udhëheqës.+ 2 Pastaj ai i tha gjithë kongregacionit* të Izraelit: «Nëse e shihni të udhës dhe nëse është e pranueshme për Jehovain, Perëndinë tonë, le t’u dërgojmë fjalë vëllezërve tanë që kanë mbetur në gjithë rajonet e Izraelit, si edhe priftërinjve e levitëve në qytetet e tyre+ me kullota, që të vijnë e të bashkohen me ne. 3 Le ta sjellim prapë Arkën+ e Perëndisë tonë.» Se në ditët e Saulit nuk ishin kujdesur për të.+ 4 Gjithë kongregacioni ishte dakord të vepronte ashtu, pasi kjo gjë iu duk e drejtë tërë popullit. 5 Kështu Davidi mblodhi gjithë Izraelin, nga lumi* i Egjiptit deri në Lebo-Hamath,*+ për ta sjellë Arkën e Perëndisë së vërtetë nga Kiriat-Jearimi.+
6 Davidi dhe gjithë Izraeli u ngjitën në Balah,+ pra në Kiriat-Jearim që i përket Judës, për të marrë prej andej Arkën e Perëndisë së vërtetë, të Jehovait, i cili rri ulur në fron mbi kerubinët,*+ para së cilës populli lutej në emër të Tij. 7 Megjithatë, për ta sjellë Arkën e Perëndisë së vërtetë nga shtëpia e Abinadabit, ata e vunë mbi një karrocë të re;+ karrocës i prinin Uzahu e Ahioja.+ 8 Davidi dhe gjithë Izraeli festonin para Perëndisë së vërtetë me gjithë fuqinë, me këngë, me harpa, me instrumente të tjera me tela, me dajre,+ me cimbale+ dhe me trumbeta.+ 9 Por kur mbërritën te lëmi* i Kidonit, Uzahu zgjati dorën dhe kapi Arkën, sepse gjedhët gati e rrëzuan. 10 Në çast Jehovait iu ndez zemërimi kundër Uzahut dhe e vrau, meqë kishte zgjatur dorën drejt Arkës,+ dhe ai vdiq aty, para Perëndisë.+ 11 Por Davidi u zemërua,* ngaqë Jehovait iu ndez zemërimi kundër Uzahut, dhe ai vend quhet Perez-Uzah* deri sot e kësaj dite.
12 Kështu atë ditë Davidi u frikësua nga Perëndia i vërtetë dhe tha: «E si ta sjell Arkën e Perëndisë së vërtetë në qytetin tim?»+ 13 Davidi nuk e solli Arkën në Qytetin e Davidit ku ishte ai, por urdhëroi që ta çonin në shtëpinë e gititit Obed-Edom. 14 Arka e Perëndisë së vërtetë qëndroi tre muaj në shtëpinë e Obed-Edomit me ata të shtëpisë së tij dhe Jehovai bekonte ata të shtëpisë së Obed-Edomit dhe gjithçka kishte.+