Libri i dytë i Mbretërve
4 Tani, një nga gratë e bijve të profetëve+ i thirri Eliseut dhe i tha: «Shërbëtori yt, burri im, ka vdekur, dhe ti e di mirë që ai gjithmonë tregonte nderim të thellë për Jehovain.*+ Ka ardhur huadhënësi që të m’i marrë të dy fëmijët si skllevër.» 2 Atëherë Eliseu i tha: «Si mund të të ndihmoj? Më trego, çfarë ke në shtëpi?» Ajo iu përgjigj: «Shërbëtorja jote nuk ka në shtëpi gjë tjetër përveç një qypi me vaj.»+ 3 Ai i tha: «Shko e kërko nga gjithë fqinjët enë boshe. Mos u mjafto me pak. 4 Pastaj bashkë me djemtë e tu, hyr në shtëpi e mbylle derën. Mbushi me vaj të gjitha enët dhe vëri mënjanë ato që janë plot.» 5 E ajo iku prej tij.
Pasi hyri në shtëpi bashkë me djemtë dhe mbylli derën, ata i jepnin enët e ajo hidhte në to vajin.+ 6 Me t’u mbushur enët, i tha njërit prej djemve: «Më sill edhe një enë tjetër.»+ Por ai ia ktheu: «S’ka më.» Atëherë vaji u ndal.+ 7 Kështu ajo shkoi t’i tregonte njeriut të Perëndisë së vërtetë, që i tha: «Shko, shit vajin e shlyej borxhet, dhe ti me djemtë e tu mund të jetoni me atë që tepron.»
8 Një ditë Eliseu shkoi në Shunem,+ ku jetonte një grua shumë e njohur që iu përgjërua të hante një vakt atje.+ Sa herë që kalonte andej, ai ndalonte atje për të ngrënë. 9 Atëherë ajo i tha të shoqit: «Unë e di se ai që kalon rregullisht këtej është njeri i shenjtë* i Perëndisë. 10 Të lutem, të bëjmë një dhomë të vogël në tarracë+ dhe të vëmë për të një shtrat, një tryezë, një karrige dhe një shandan. Kështu sa herë të vijë te ne, mund të rrijë në atë dhomë.»+
11 Një ditë, ai vajti tek ata, u ngjit te dhoma në tarracë dhe u shtri atje. 12 Atëherë i tha Gehazit,+ shërbëtorit të tij: «Thirr shunamiten.»+ Ky e thirri, dhe ajo vajti. 13 Pastaj Eliseu i tha Gehazit: «Të lutem, thuaji asaj: ‘Ja, je munduar shumë për ne.+ Ç’mund të bëj për ty?+ A t’i them ndonjë gjë për ty mbretit+ ose kreut të ushtrisë?’» Ajo u përgjigj: «Jo, banoj e qetë mes popullit tim.» 14 Kështu Eliseu tha: «Mirë pra, ç’mund të bëjmë për të?» Dhe Gehazi ia ktheu: «Po ja, ajo nuk ka djalë+ dhe i shoqi është i moshuar.» 15 Menjëherë Eliseu tha: «Thirre.» Kështu ai e thirri, dhe ajo vajti e ndenji te dera e dhomës. 16 Atëherë Eliseu tha: «Vitin tjetër, pikërisht në këtë kohë, do të mbash në krahë një djalë.»+ Por ajo ia ktheu: «O zotëria im, o njeri i Perëndisë së vërtetë! Mos më bëj të shpresoj kot!»
17 Megjithatë gruaja mbeti shtatzënë e, një vit më vonë, tamam në atë kohë lindi djalë, ashtu siç i kishte thënë Eliseu. 18 Fëmija rritej dhe një ditë, vajti tek babai i tij që ishte me korrësit. 19 Ai i thoshte pa pushim babait: «Oh, koka, o lele koka!» Atëherë i ati i tha shërbëtorit: «Çoje tek e ëma.» 20 Kështu ai e mori dhe ia çoi nënës, që mbajti fëmijën te prehri i saj deri në mesditë; pastaj fëmija vdiq.+ 21 Atëherë ajo e çoi sipër, e vuri në shtratin e njeriut të Perëndisë së vërtetë,+ mbylli derën dhe doli. 22 Thirri të shoqin dhe i tha: «Të lutem, më dërgo një nga shërbëtorët dhe një gomar, e lërmë të shkoj shpejt te njeriu i Perëndisë së vërtetë dhe do të kthehem.» 23 Por ai e pyeti: «Pse do të shkosh sot tek ai? Nuk është as hënë e re+ e as sabat.» Ajo iu përgjigj: «Mos ki merak.» 24 Pastaj i vuri samarin gomarit dhe i tha shërbëtorit: «Ec shpejt dhe, pa të thënë unë, mos e ngadalëso hapin për mua.»
25 Kështu, ajo shkoi te njeriu i Perëndisë së vërtetë në malin Karmel. Sapo njeriu i Perëndisë së vërtetë e pa nga larg, i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: «Shiko, po vjen shunamitja. 26 Të lutem, vrapo ta takosh dhe pyete: ‘Si je? A është mirë yt shoq? Po fëmija?’» Ajo iu përgjigj: «Mirë jemi të gjithë.» 27 Kur vajti në mal te njeriu i Perëndisë së vërtetë, menjëherë ajo e zuri nga këmbët.+ Me të parë këtë, Gehazi u afrua për ta larguar, por njeriu i Perëndisë së vërtetë i tha: «Lëre, se e ka zemrën vrer, dhe Jehovai ma ka fshehur këtë gjë, s’ma ka treguar.» 28 Pastaj ajo i tha: «A i kërkova zotërisë tim një djalë?! A nuk të kisha thënë të mos më bëje të shpresoja kot?!»+
29 Menjëherë Eliseu i tha Gehazit: «Mblidhe rrobën në mes,+ merr në dorë shkopin tim dhe nisu. Nëse të del dikush përpara, mos e përshëndet; nëse dikush të përshëndet, mos i kthe përgjigje. Shko dhe vëre shkopin tim mbi fytyrën e djalit.» 30 Por nëna e djalit tha: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron dhe siç është e vërtetë që ti rron, unë nuk do të të lë.»+ Prandaj ai u ngrit dhe shkoi me të. 31 Gehazi shkoi para tyre dhe e vuri shkopin mbi fytyrën e djalit, por djali nuk nxori zë dhe nuk dha ndonjë shenjë jete.+ Kështu ai u kthye tek Eliseu dhe i tha: «Djali nuk u zgjua.»
32 Kur Eliseu hyri në shtëpi, djali dergjej i vdekur në shtratin e tij.+ 33 Ai hyri në dhomë dhe mbylli derën. Vetëm ata të dy ishin në dhomë. Më pas Eliseu filloi t’i lutej Jehovait.+ 34 Pastaj hipi në shtrat, u shtri mbi fëmijën dhe vuri gojën e vet mbi gojën e tij, sytë e vet mbi sytë e tij dhe pëllëmbët e veta mbi pëllëmbët e tij e qëndroi sipër tij; dhe trupi i fëmijës filloi të ngrohej.+ 35 Ai eci para e prapa nëpër shtëpi, hipi në shtrat dhe u përkul përsëri mbi të. Djali teshtiu shtatë herë dhe pastaj hapi sytë.+ 36 Atëherë Eliseu thirri Gehazin dhe i tha: «Thirr shunamiten.» Kështu ai e thirri, dhe ajo vajti tek Eliseu, që i tha: «Ngrije djalin.»+ 37 Ajo u afrua dhe u përkul para këmbëve të tij. Pastaj mori djalin dhe doli.
38 Kur Eliseu u kthye në Gilgal, në vend kishte rënë zi buke.+ Bijtë e profetëve+ rrinin ulur para tij, dhe ai i tha shërbëtorit të vet:+ «Vër kazanin e madh dhe bëj gjellë për bijtë e profetëve.» 39 Kështu njëri prej tyre doli në fushë për të mbledhur mëllaga. Ai gjeti një bimë të egër kungullujësi, mblodhi fruta prej saj dhe mbushi rrobën e vet. Pastaj u kthye dhe i preu feta-feta në kazan, pa e ditur se çfarë ishin. 40 Më vonë ua dhanë gjellën burrave, që ta hanin. Por, sapo e provuan gjellën, ata thirrën: «Në kazan ka vdekje, o njeri i Perëndisë së vërtetë!» E nuk mundën ta hanin. 41 Atëherë Eliseu tha: «Më sillni pak miell.» Pasi e hodhi miellin në kazan, ai tha: «Jepuani burrave.» Dhe në kazan nuk pati asgjë të keqe.+
42 Nga Baal-Shalishahu+ erdhi një burrë që i solli njeriut të Perëndisë së vërtetë 20 bukë elbi+ të bëra nga frytet e para, si dhe një trastë me drithë të ri.+ Pastaj Eliseu tha: «Jepua burrave që të hanë.» 43 Por shërbëtori i tha: «Si të vë kaq pak ushqim para 100 burrave?!»+ Eliseu ia ktheu: «Jepua burrave që të hanë, sepse kështu thotë Jehovai: ‘Do të hanë dhe do të teprojë.’»+ 44 Atëherë ai ua vuri përpara, e ata hëngrën, dhe vërtet teproi,+ siç kishte thënë Jehovai.