Libri i dytë i Mbretërve
9 Atëherë profeti Elise thirri një nga bijtë e profetëve dhe i tha: «Mblidhe rrobën në mes, e menjëherë merr me vete këtë poç vaji dhe shko në Ramot-Galad.+ 2 Kur të mbërrish atje, kërko Jehun,+ birin e Jehozafatit, nipin e Nimshit. Hyr dhe thirre në dhomën më të brendshme, larg prijësve të tjerë. 3 Merr poçin e vajit, derdhja mbi kokë dhe thuaji: “Kështu thotë Jehovai: ‘Unë të miros* si mbret të Izraelit.’”+ Pastaj hap derën dhe ik shpejt.»
4 Kështu shërbëtori i profetit mori udhën për në Ramot-Galad, 5 dhe kur arriti atje, i gjeti ulur krerët e ushtrisë. Ai tha: «Kam një mesazh për ty, o prijës.» Jehu e pyeti: «Për cilin nga ne?» Ai iu përgjigj: «Për ty, o prijës.» 6 Atëherë Jehu u ngrit e hyri në shtëpi, dhe shërbëtori ia derdhi vajin mbi kokë e i tha: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Unë të miros si mbret të popullit të Jehovait, mbret të Izraelit.+ 7 Godite shtëpinë e Akabit, zotërisë tënd, dhe do të hakmerrem kundër Jezebelës për gjakun e shërbëtorëve të mi, profetëve, si dhe për gjakun e gjithë shërbëtorëve të Jehovait.+ 8 Tërë shtëpia e Akabit do të zhduket; do t’i shfaros Akabit çdo mashkull* në Izrael, të pambrojtur a të dobët qofshin.+ 9 Shtëpinë e Akabit do ta bëj si shtëpinë e Jeroboamit,+ birit të Nebatit, dhe si shtëpinë e Bashës,+ birit të Akijahut. 10 Kurse Jezebelën do ta hanë qentë në arën e Jezrelit,+ dhe s’ka për ta varrosur njeri.’» Me të thënë këtë, hapi derën dhe iku shpejt.+
11 Kur Jehu u kthye te shërbëtorët e zotërisë së tij, ata e pyetën: «A është çdo gjë në rregull? Pse erdhi te ti ai i çmendur?» Ai u përgjigj: «Ju e njihni atë njeri dhe e dini si flet.» 12 Por ata ia kthyen: «S’është e vërtetë! Na trego, të lutemi.» Atëherë ai iu përgjigj: «Ai më tha kështu e ashtu, dhe shtoi: “Jehovai thotë: ‘Unë të miros si mbret të Izraelit.’”»+ 13 Me të dëgjuar këtë, secili prej tyre mori me nxitim rrobën e vet, e vuri para tij në shkallë+ dhe i ra bririt e tha: «Jehu është bërë mbret!»+ 14 Atëherë Jehu,+ biri i Jehozafatit, nipi i Nimshit, komplotoi kundër Jehoramit.
Jehorami dhe gjithë ushtria e Izraelit ishin në Ramot-Galad+ duke mbrojtur Izraelin nga sulmet e Hazaelit,+ mbretit të Sirisë. 15 Më vonë mbreti Jehoram u kthye në Jezrel+ për të marrë veten nga plagët që i kishin shkaktuar sirianët, ndërsa luftonte kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë.+
Tani Jehu tha: «Nëse jeni dakord, mos lini askënd t’ia mbathë nga qyteti e të shkojë të njoftojë në Jezrel.» 16 Pastaj Jehu hipi në karrocë e u nis për në Jezrel, sepse atje dergjej i plagosur Jehorami, dhe Ahaziahu, mbreti i Judës, kishte zbritur për ta parë. 17 Ndërkohë që rrinte mbi kullën e Jezrelit, roja pa turmën me njerëzit e Jehut që po vinin. Menjëherë tha: «Shoh një turmë njerëzish.» Jehorami tha: «Merr një kalorës dhe dërgoje t’u dalë përpara e t’i pyesë: ‘A po vini në paqe?’» 18 Kështu, një kalorës u doli përpara dhe u tha: «Mbreti pyet: ‘A vini në paqe?’» Por Jehu ia ktheu: «Ç’të duhet ty nëse vijmë apo jo në paqe? Kalo prapa e më ndiq!»
Atëherë roja njoftoi: «Lajmëtari vajti tek ata, por nuk u kthye.» 19 Prandaj ai dërgoi një kalorës të dytë që, kur vajti tek ata, tha: «Kështu thotë mbreti: ‘A vini në paqe?’» Por Jehu ia ktheu: «Ç’të duhet ty nëse vijmë apo jo në paqe? Kalo prapa e më ndiq!»
20 Roja atëherë njoftoi: «Edhe ai vajti tek ata, por nuk u kthye. Kurse mënyra se si kalorësi e nget karrocën, ngjan me atë të Jehut, nipit* të Nimshit, sepse e nget si i çmendur.» 21 Jehorami tha: «Të mbrehen kuajt!» Pasi u mbrehën kuajt e karrocës së tij, Jehorami, mbreti i Izraelit, bashkë me Ahaziahun,+ mbretin e Judës, u nisën me karrocat e tyre të luftës për t’i dalë përpara Jehut. Ata e takuan atë në arën e Nabotit,+ jezrelitit.
22 Me të parë Jehun, Jehorami e pyeti: «A po vjen në paqe, Jehu?» Por ai ia ktheu: «Ç’paqe mund të ketë përderisa Jezebela, nëna jote, vazhdon të merret me prostitucion+ e me shtrigëritë e saj të shumta?»+ 23 Menjëherë Jehorami e ktheu karrocën që t’ia mbathte dhe i tha Ahaziahut: «Na e punuan, Ahaziah!» 24 Jehu mori harkun dhe e qëlloi Jehoramin mes shpatullave. Shigjeta i doli nga zemra dhe ai u rrëzua në karrocën e tij të luftës. 25 Jehu i tha Bid’harit, adjutantit të vet:* «Merre dhe hidhe në arën e Nabotit, jezrelitit.+ Mos harro që unë dhe ti u jepnim karrocave pas Akabit, atit të tij, kur Jehovai vetë shpalli këtë gjë kundër tij:+ 26 ‘Siç është e vërtetë që pashë dje gjakun e Nabotit+ dhe gjakun e djemve të tij,—thotë Jehovai,—ti do të paguash+ për gjakun e tyre, pikërisht në këtë arë,—thotë Jehovai.’ E pra tani, merre dhe hidhe në këtë arë, si ka thënë Jehovai.»+
27 Kur pa se çfarë po ndodhte, Ahaziahu,+ mbreti i Judës, ia mbathi në drejtim të shtëpisë në kopsht. (Më vonë Jehu e ndoqi dhe tha: «Vriteni edhe atë!» Ata e goditën ndërsa ishte në karrocë, në udhën që ngjitet për në Gur, e cila gjendet pranë Ibleamit,+ por ai vazhdoi të ikte drejt Megidos dhe vdiq atje. 28 Pastaj shërbëtorët e tij e çuan me karrocë në Jerusalem dhe e varrosën në varrin e vet bashkë me paraardhësit e tij në Qytetin e Davidit.+ 29 Ahaziahu+ ishte bërë mbret i Judës në vitin e 11-të të mbretërimit të Jehoramit, birit të Akabit.)
30 Kur Jehu vajti në Jezrel,+ Jezebela+ e mori vesh. Kështu, ajo leu sytë me të zezë,* u kreh bukur dhe pa poshtë nga dritarja. 31 Ndërsa Jehu po hynte te porta, ajo pyeti: «A i shkoi mirë Zimrit, vrasësit të zotërisë së tij?»+ 32 Ai ngriti sytë nga dritarja dhe tha: «Kush është me mua? Kush?»+ Menjëherë dy a tre zyrtarë oborri panë poshtë nga ai. 33 Ai u tha: «Hidheni poshtë!» Atëherë ata e hodhën dhe gjaku i saj spërkati murin e kuajt, dhe ai kaloi mbi trupin e saj me karrocë. 34 Pas kësaj hyri brenda, hëngri e piu. Pastaj tha: «Merruni, ju lutem, me këtë grua të mallkuar dhe varroseni. Në fund të fundit, është bijë mbreti.»+ 35 Por kur shkuan ta varrosnin, nuk i gjetën asgjë përveç kafkës, këmbëve dhe pëllëmbëve të duarve.+ 36 Kur u kthyen e i treguan Jehut, ai tha: «U përmbush ajo që tha Jehovai+ me anë të shërbëtorit të tij Elija, tishbitit: “Mishin e Jezebelës do ta hanë qentë në arën e Jezrelit.+ 37 Kufoma e Jezebelës do të përfundojë si pleh mbi sipërfaqen e arës së Jezrelit, që të mos thuhet: ‘Kjo është Jezebela.’”»