Levitiku
12 Jehovai i tha akoma Moisiut: 2 «Thuaju izraelitëve: ‘Nëse një grua mbetet shtatzënë dhe lind djalë, do të jetë e papastër për shtatë ditë, si në ditët kur është me menstruacionet.+ 3 Ditën e tetë djali duhet rrethprerë.*+ 4 Gruaja do të vazhdojë të pastrohet nga gjaku edhe për 33 ditë të tjera; ajo nuk duhet të prekë asgjë të shenjtë dhe nuk duhet të hyjë në vendin e shenjtë derisa të mbushë ditët e pastrimit.
5 Por nëse lind vajzë, do të jetë e papastër për 14 ditë, si në ditët kur është me menstruacionet dhe do të vazhdojë të pastrohet nga gjaku edhe për 66 ditë të tjera. 6 Pasi të ketë mbushur ditët e pastrimit për djalin a për vajzën, do t’i çojë priftit në hyrje të tendës së takimit një qengj njëvjeçar* si blatim të djegur+ dhe një zog pëllumbi ose një turtull si blatim për mëkatin. 7 Ai do t’ia paraqitë Jehovait dhe do të bëjë shlyerjen për të, e kështu ajo do të jetë e pastër nga gjakrrjedhja. Ky është ligji për gruan që lind një djalë a një vajzë. 8 Por nëse nuk i ka mundësitë të sjellë një qengj, le të sjellë dy turtuj ose dy zogj pëllumbash,+ njërin si blatim të djegur dhe tjetrin si blatim për mëkatin. Prifti do të bëjë shlyerjen për të, dhe ajo do të jetë e pastër.’»