Numrat
14 Atëherë tërë asambleja filloi të ankohej me të madhe, dhe populli qau pa pushim tërë natën.+ 2 Të gjithë izraelitët nisën të murmuritnin kundër Moisiut dhe Aronit,+ dhe gjithë asambleja thoshte: «Ah, sikur të kishim vdekur në Egjipt ose në këtë shkretëtirë! 3 Pse po na çon Jehovai në këtë vend, që të biem të vdekur nga shpata?!+ Gratë dhe fëmijët tanë do të merren si plaçkë lufte.+ A s’është më mirë të kthehemi në Egjipt?»+ 4 Ata madje i thoshin njëri-tjetrit: «Të caktojmë dikë në krye e të kthehemi në Egjipt!»+
5 Kur dëgjuan këto fjalë, Moisiu dhe Aroni u përkulën me fytyrë përtokë para tërë kongregacionit të izraelitëve që ishte mbledhur atje. 6 Kurse Josiu,+ biri i Nunit, dhe Kalebi,+ biri i Jefunehut, të cilët ishin ndër burrat që vëzhguan vendin, shqyen rrobat 7 dhe u thanë tërë izraelitëve të mbledhur atje: «Vendi që përshkuam për të vëzhguar është një vend shumë, shumë i mirë.+ 8 Nëse Jehovai është i kënaqur me ne, patjetër do të na çojë atje e do të na e japë atë vend, po, një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë.+ 9 Veç mos ngrini krye kundër Jehovait dhe mos iu frikësoni popullit të vendit,+ se ata janë për ne si një kafshatë. Ata s’ka kush t’i mbrojë, kurse ne kemi Jehovain.+ Mos ua kini frikën!»
10 Megjithatë, tërë asambleja foli për t’i vrarë me gurë,+ kur ja, lavdia e Jehovait u shfaq mbi tendën e takimit para tërë izraelitëve.+
11 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Deri kur do të më përbuzë+ ky popull? Deri kur nuk do të kenë besim tek unë pas gjithë shenjave* që kreva mes tyre?+ 12 Do t’i godas me murtajë e do t’i përzë, dhe do të bëj prej teje një komb më të madh e më të fuqishëm se ata.»+
13 Mirëpo Moisiu i tha Jehovait: «Por do ta dëgjojnë egjiptianët prej nga e nxore këtë popull me anë të fuqisë sate+ 14 dhe do t’ua tregojnë banorëve të këtij vendi. Edhe këta kanë dëgjuar se ti, o Jehova, je mes këtij populli+ dhe i je shfaqur ballë për ballë.+ Kanë dëgjuar se ti je Jehovai, se reja jote qëndron mbi ta dhe se ditën ti shkon para tyre në shtyllën e resë, kurse natën në shtyllën e zjarrit.+ 15 Po ta vrisje gjithë këtë popull në një çast,* kombet që kanë dëgjuar për famën tënde, me siguri do të thonë: 16 ‘Jehovai nuk mundi ta çonte këtë popull në vendin për të cilin iu betua, prandaj i shfarosi në shkretëtirë.’+ 17 Të lutem, o Jehova, tregoje fuqinë tënde të madhe siç ke premtuar edhe vetë: 18 ‘Jehovai, një Perëndi që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashuri besnike,*+ që e fal fajin dhe shkeljen,* por që në asnjë mënyrë nuk e lë pa ndëshkuar fajtorin, që për fajin e etërve ndëshkon bijtë deri në brezin e tretë dhe të katërt.’+ 19 Të lutem, fale fajin e këtij populli në përputhje me dashurinë tënde besnike të madhe, ashtu siç e ke falur që nga koha kur ishim në Egjipt e deri më tani!»+
20 Atëherë Jehovai tha: «Po i fal, sipas kërkesës sate.+ 21 Megjithatë, siç është e vërtetë që unë rroj, tërë toka do të mbushet me lavdinë e Jehovait.+ 22 Prandaj asnjë nga burrat që panë lavdinë time dhe shenjat+ që kreva në Egjipt e në shkretëtirë, e që prapëseprapë më vunë në provë+ plot dhjetë herë dhe nuk e dëgjuan zërin tim,+ 23 nuk do ta shohin kurrë vendin për të cilin iu betova etërve të tyre. Jo, asnjë nga ata që më përbuzën, nuk do ta shohë.+ 24 Mirëpo, ngaqë shërbëtori im Kaleb+ kishte një frymë* krejt tjetër e m’u bind me gjithë zemër, me siguri do ta çoj në vendin ku shkoi, dhe pasardhësit e vet do ta zotërojnë atë.+ 25 Meqenëse në luginë* banojnë amalekitët dhe kananitët,+ nesër kthehuni prapa e nisuni për në shkretëtirë nëpërmjet udhës së Detit të Kuq.»+
26 Pastaj Jehovai i tha Moisiut dhe Aronit: 27 «Deri kur do të vazhdojë të murmuritë kundër meje kjo asamble e ligë?+ I kam dëgjuar çfarë po murmuritin izraelitët kundër meje.+ 28 Thuaju atyre: ‘Siç është e vërtetë që unë rroj,—thotë Jehovai,—do t’ju bëj pikërisht ato që kam dëgjuar prej jush!+ 29 Kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë,+ po, të gjithë ju nga 20 vjeç e lart që u regjistruat, të gjithë ju që murmuritët kundër meje.+ 30 Asnjë nga ju nuk do të hyjë në vendin për të cilin u betova* se do të banonit,+ përveç Kalebit, birit të Jefunehut, dhe Josiut, birit të Nunit.+
31 Atje do të çoj fëmijët tuaj, për të cilët thatë se do të merreshin si plaçkë lufte,+ dhe ata do ta njohin vendin që ju e përçmuat.+ 32 Kurse kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë. 33 Tani bijtë tuaj do të bëhen barinj në shkretëtirë për 40 vjet+ dhe do t’u duhet të përgjigjen për pabesinë* tuaj, derisa kufoma juaj e fundit të bjerë në shkretëtirë.+ 34 Në përputhje me numrin e ditëve që vëzhguat vendin, pra 40 ditë,+ do të përgjigjeni për fajet tuaja 40 vjet,+ një ditë për një vit, një ditë për një vit, dhe kështu do ta dini ç’do të thotë të më viheni kundër.*
35 Unë, Jehovai, kam folur. Kështu kam për t’ia bërë tërë kësaj asambleje të ligë, atyre që janë mbledhur kundër meje. Në këtë shkretëtirë do të marrin fund dhe këtu do të vdesin.+ 36 Burrat që Moisiu dërgoi për të vëzhguar vendin dhe që e bënë tërë asamblenë të murmuriste kundër tij kur u kthyen me një raport negativ për vendin,+ 37 po, këta burra që dhanë raport negativ për vendin, do të ndëshkohen dhe do të vdesin para Jehovait.+ 38 Kurse Josiu, biri i Nunit, dhe Kalebi, biri i Jefunehut, të cilët ishin mes atyre që shkuan për të vëzhguar vendin, do të mbeten gjallë.’»+
39 Kur Moisiu ua tha këto fjalë tërë izraelitëve, populli nisi të vajtonte pa pushim. 40 Madje ata u çuan herët në mëngjes dhe u përpoqën të ngjiteshin lart në rajonin malor, e thoshin: «Ja tek jemi, gati për t’u ngjitur atje ku tha Jehovai, sepse kemi mëkatuar.»+ 41 Por Moisiu tha: «Pse e shkelni urdhrin e Jehovait? Nuk do t’ia dilni mbanë. 42 Mos u ngjitni, se Jehovai nuk është me ju, dhe armiqtë do t’ju mundin.+ 43 Atje janë amalekitët dhe kananitët që do t’ju kundërvihen,+ dhe ju do të bini të vdekur nga shpata e tyre. Jehovai nuk do të jetë me ju, sepse u larguat nga Jehovai dhe nuk e ndoqët.»+
44 Megjithatë, me kokën e tyre, ata guxuan të ngjiteshin drejt rajonit malor,+ por arka e besëlidhjes së Jehovait dhe Moisiu nuk lëvizën nga kampi.+ 45 Atëherë amalekitët dhe kananitët që banonin në atë rajon malor zbritën, i goditën dhe i shpartalluan deri në Hormah.+