Këngë e Asafit.+
83 O Perëndi, mos hesht;+
mos rri pa folur, o Perëndi i Shenjtë, mos rri duarkryq!
2 Se ja, armiqtë e tu po ziejnë nga zemërimi;+
ata që të urrejnë, të sfidojnë gjithë arrogancë.
3 Kundër popullit tënd kurdisin plane me dinakëri;
komplotojnë kundër atyre që i ke si dritën e syrit.
4 Ata thonë: «Ejani që t’i shfarosim si komb,+
që Izraelit t’ia shuajmë emrin!»
5 Thurën një strategji e u bashkuan,
kundër teje formuan një aleancë:+
6 edomitët, ismaelitët, moabitët+ dhe hagritët,+
7 gebalitët, amonitët+ dhe amalekitët,
filistinët+ bashkë me banorët e Tirit.+
8 Edhe Asiria+ është bashkuar me ta;
u është bërë krah bijve të Lotit.+ (Selah)
9 Bëj me ta si me Midianin,+
si me Siserën e me Jabinin në përroin e Kishonit.+
10 Në En-Dor+ ata krejt u shuan,
u bënë pleh për dheun kur u sosën.
11 Fisnikët e tyre bëji si Orebi dhe si Zebi,+
princat e tyre si Zebahu dhe Zalmunai,+
12 se thanë: «Ta shtiem në dorë vendin ku banon Perëndia.»
13 O Perëndia im, bëji ata si lëmsh gjembaçësh,+
si kashtë që era e vërvit tutje.
14 Porsi zjarri që përzhit pyllin,
porsi flakët që zhuritin malet,+
15 i ndjeksh këmba-këmbës me furtunën tënde,+
me erën e shtrëngatës i tmerrofsh!+
16 Mbulojua fytyrat me turp,
që emrin tënd të kërkojnë, o Jehova.
17 U turpërofshin e u tmerrofshin përjetë,
u poshtërofshin e u shofshin!
18 Le ta dinë të gjithë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova,+
je Më i Larti në mbarë tokën.+