Libri i parë i Samuelit
10 Atëherë Samueli mori poçin e vajit, ia derdhi në kokë Saulit,+ e puthi dhe i tha: «Jehovai të ka mirosur* si prijës+ të popullit* të vet.+ 2 Sot, kur të ikësh nga unë, pranë varrit të Rakelës+ në territorin e Beniaminit, në Zelzah, do të takosh dy burra që do të të thonë: “U gjetën gomaricat që shkove t’i kërkosh. Tani babai yt i ka harruar gomaricat,+ por është në merak për ty e thotë: ‘Ç’të bëj për djalin tim?’” 3 Që andej vazhdo derisa të arrish te pema e madhe e Taborit, ku do të takosh tre burra që ngjiten në Bethel+ për të adhuruar Perëndinë e vërtetë: njëri do të jetë duke mbajtur tre keca, tjetri tri bukë, kurse një tjetër një qyp të madh me verë. 4 Ata do të të pyesin si je dhe do të të japin dy bukë, të cilat duhet t’i pranosh. 5 Pas kësaj do të shkosh te kodra e Perëndisë së vërtetë, ku është një garnizon filistinësh. Kur të mbërrish në qytet, do të takosh një grup profetësh që zbret nga vendi i lartë. Teksa ata profetizojnë, përpara tyre do të jenë disa njerëz që u bien instrumenteve me tela, dajreve, fyejve dhe harpave. 6 Fryma e Jehovait do të të japë fuqi+ dhe ti do të profetizosh bashkë me ta e do të kthehesh në tjetër njeri.+ 7 Kur të përmbushen këto shenja, bëj ç’të kesh në dorë, sepse Perëndia i vërtetë është me ty. 8 Pastaj zbrit përpara meje në Gilgal,+ dhe unë do të vij atje te ti për të paraqitur flijime të djegura dhe flijime në bashkësi. Prit shtatë ditë derisa të vij te ti dhe atëherë do të të them ç’duhet të bësh.»
9 Sapo Sauli u kthye që të largohej nga Samueli, Perëndia filloi t’ia ndryshonte zemrën dhe ai u kthye në tjetër njeri; atë ditë, të gjitha këto shenja dolën të vërteta. 10 Kështu, që andej ata* u nisën për në kodër ku takuan një grup profetësh. Menjëherë fryma e Perëndisë i dha fuqi+ dhe ai nisi të profetizonte+ mes tyre. 11 Kur të gjithë ata që e njihnin më parë panë se ai po profetizonte me profetët, pyetën njëri-tjetrin: «Çfarë i ka ndodhur djalit të Kishit?! Mos është edhe Sauli profet?» 12 Atëherë një vendës tha: «Po cili është babai i tyre?» Ja pse doli shprehja:* «Mos është edhe Sauli profet?»+
13 Kur mbaroi së profetizuari, ai vajti në vendin e lartë. 14 Më vonë, xhaxhai i Saulit e pyeti atë dhe shërbëtorin e tij: «Ku shkuat?» Ai iu përgjigj: «Të kërkonim gomaricat,+ por pamë se nuk ishin atje. Prandaj vajtëm te Samueli.» 15 Xhaxhai i Saulit i pyeti: «Ju lutem, më tregoni, çfarë ju tha Samueli?» 16 Sauli iu përgjigj: «Ai na tha se gomaricat tashmë janë gjetur.» Por nuk i tregoi çfarë i tha Samueli për çështjen e mbretërimit.
17 Atëherë Samueli e mblodhi popullin përpara Jehovait në Mizpah+ 18 dhe u tha izraelitëve: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: “Unë e nxora Izraelin nga Egjipti. Ju çlirova nga dora e Egjiptit+ dhe nga dora e të gjitha mbretërive që ju shtypnin. 19 Por sot ju e hodhët poshtë Perëndinë tuaj,+ Shpëtimtarin tuaj që ju shpëtoi nga të gjitha të këqijat e vuajtjet, dhe thatë: ‘Jo, ti duhet të caktosh mbi ne një mbret.’ Tani zini vend përpara Jehovait sipas fiseve dhe sipas mijësheve* tuaja.”»
20 Kështu Samueli afroi të gjitha fiset e Izraelit,+ dhe u zgjodh fisi i Beniaminit.+ 21 Pastaj afroi fisin e Beniaminit sipas familjeve të tij dhe u zgjodh familja e matritëve. Në fund u zgjodh Sauli, djali i Kishit.+ Por, kur shkuan ta kërkonin, nuk e gjetën askund. 22 Prandaj e pyetën Jehovain:+ «A ka ardhur ky njeri?» Jehovai u përgjigj: «Ja tek është, i fshehur mes plaçkave.» 23 Kështu, ata vrapuan dhe e morën që andej. Kur Sauli qëndroi në mes të popullit, panë se gjithë të tjerët i arrinin deri te supet.+ 24 Samueli i tha gjithë popullit: «Shiheni atë që ka zgjedhur Jehovai!+ Mes gjithë popullit nuk ka asnjë si ai.» Gjithë populli filloi të thërriste: «Rroftë mbreti!»
25 Samueli i foli popullit për atë që mbretërit do të kërkonin me të drejtë,+ e shkroi këtë në një libër dhe e vuri përpara Jehovait. Pastaj Samueli e nisi gjithë popullin, secilin në shtëpinë e vet. 26 Edhe Sauli shkoi në shtëpinë e tij, në Gibeah, i shoqëruar nga luftëtarë, të cilëve Jehovai u kishte prekur zemrën. 27 Por disa njerëz të këqij thanë: «E si do të na shpëtoka ky?!»+ Kështu e përbuzën dhe nuk i çuan asnjë dhuratë,+ por ai nuk e hapi gojën.*