Libri i dytë i Kronikave
17 Në vend të tij u bë mbret i biri, Jehozafati,+ i cili e forcoi pozitën e vet në Izrael. 2 Ai vuri forca ushtarake në tërë qytetet e fortifikuara të Judës dhe garnizone në vendin e Judës dhe në qytetet e Efraimit që kishte pushtuar Asa, i ati.+ 3 Jehovai ishte me Jehozafatin, sepse ai eci në gjurmët e Davidit, paraardhësit të tij,+ dhe nuk kërkoi Baalët. 4 Përkundrazi, kërkoi Perëndinë e të atit+ dhe zbatoi* urdhërimet e tij, e nuk veproi si Izraeli.+ 5 Jehovai e bëri mbretërinë të patundur në dorën e tij.+ Tërë Juda i jepte dhurata Jehozafatit, dhe ai pati pasuri të mëdha e shumë lavdi.+ 6 Ai mori zemër që të ndiqte udhët e Jehovait, duke hequr madje vendet e larta+ dhe shtyllat e shenjta*+ nga Juda.
7 Vitin e tretë të mbretërimit, ai u dërgoi fjalë princave të vet, domethënë Ben-Hailit, Abdisë, Zakarisë, Netanelit dhe Mikajahut, që të mësonin të tjerët në qytetet e Judës. 8 Me ta ishin këta levitë: Shemajahu, Netaniahu, Zebadiahu, Asaheli, Shemiramoti, Jehonatani, Adonijahu, Tobijahu dhe Tob-Adonijahu, si edhe Elishamai e Jehorami, që ishin priftërinj.+ 9 Ata nisën të mësonin në Judë, dhe me vete morën librin e Ligjit të Jehovait.+ Shkonin nëpër gjithë qytetet e Judës dhe mësonin popullin.
10 Gjithë mbretëritë e vendeve që ishin rreth e përqark Judës, i zuri tmerri nga Jehovai, prandaj nuk luftuan kundër Jehozafatit. 11 Filistinët i sollën Jehozafatit dhurata dhe pará si haraç.* Arabët i sollën 7.700 desh dhe 7.700 cjep nga kopetë e tyre.
12 Jehozafati bëhej gjithnjë e më i fuqishëm+ dhe vazhdoi të ndërtonte vende të fortifikuara+ dhe qytete-depo+ në Judë. 13 Ai ndërmori shumë projekte në qytetet e Judës, dhe në Jerusalem kishte ushtarë që ishin luftëtarë të fuqishëm. 14 Këta ishin ndarë sipas shtëpive të tyre atërore. Krerët e mijësheve nga Juda ishin: kreu Adnah, i pari, me 300.000 luftëtarë të fuqishëm.+ 15 Nën drejtimin e këtij, ishte kreu Jehohanan me 280.000 veta. 16 Po nën drejtimin e Adnahut, ishte edhe Amasiahu, biri i Zikrit, vullnetar për Jehovain, me 200.000 luftëtarë të fuqishëm. 17 Nga Beniamini+ ishte Eliadai, luftëtar i fuqishëm, me 200.000 burra të pajisur me harqe e mburoja.+ 18 Nën drejtimin e tij, ishte Jehozabadi me 180.000 burra të pajisur për luftë. 19 Këta ishin në shërbim të mbretit, përveç atyre që mbreti i vuri në qytetet e fortifikuara anembanë Judës.+