Eksodi
8 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Shko te faraoni dhe thuaji: “Kështu thotë Jehovai: ‘Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë,+ 2 e nëse vazhdon të refuzosh, do ta mundoj gjithë territorin tënd me plagën e bretkosave.+ 3 Në lumin Nil do të gëlojnë bretkosat, dhe ato do të vërshojnë e do të hyjnë në shtëpinë tënde, në dhomën tënde të gjumit, në shtratin tënd, në shtëpitë e shërbëtorëve të tu dhe do të vërshojnë mbi popullin tënd, në furrat dhe në magjet* e tua.+ 4 Bretkosat do të vërshojnë mbi ty, mbi popullin tënd dhe mbi gjithë shërbëtorët e tu.’”»
5 Më vonë Jehovai i tha Moisiut: «Thuaji Aronit: ‘Merre bastunin dhe shtrije dorën mbi lumenjtë, mbi kanalet e Nilit e mbi moçalet, dhe bëj që bretkosat të vërshojnë mbi vendin e Egjiptit.’» 6 Kështu, Aroni e shtriu dorën mbi ujërat e Egjiptit, dhe bretkosat nisën të vërshonin e të mbulonin vendin e Egjiptit. 7 Mirëpo edhe priftërinjtë që merreshin me magji, bënë të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta; ata bënë që bretkosat të vërshonin mbi vendin e Egjiptit.+ 8 Atëherë faraoni thirri Moisiun dhe Aronin dhe u tha: «Përgjërojuni Jehovait që t’i heqë bretkosat nga unë dhe nga populli im,+ sepse tani jam gati ta lë popullin të shkojë që t’i bëjë flijime Jehovait.» 9 Kështu Moisiu i tha faraonit: «Të takon ty të më thuash kur t’i përgjërohem Perëndisë që t’i largojë bretkosat nga ti, nga shërbëtorët e tu, nga populli yt dhe nga shtëpitë e tua. Ato do të mbeten vetëm në lumin Nil.» 10 Ai ia ktheu: «Nesër.» Prandaj Moisiu i tha: «Do të bëhet sipas fjalës sate, që të dish se s’ka asnjë tjetër si Jehovai, Perëndia ynë.+ 11 Bretkosat do të largohen nga ti, nga shtëpitë e tua, nga shërbëtorët e tu dhe nga populli yt; ato do të mbeten vetëm në lumin Nil.»+
12 Kështu Moisiu dhe Aroni u larguan nga faraoni, dhe Moisiu iu përgjërua Jehovait t’i hiqte bretkosat që Ai kishte sjellë kundër faraonit.+ 13 Atëherë Jehovai bëri atë që i kërkoi Moisiu, dhe bretkosat filluan të ngordhnin nëpër shtëpi, oborre dhe fusha, 14 prandaj egjiptianët i grumbulluan pirgje-pirgje, dhe vendi filloi të binte erë të qelbur. 15 Kur pa që situata u lehtësua, faraoni e ngurtësoi zemrën+ dhe nuk ua vuri veshin, tamam siç kishte thënë Jehovai.
16 Tani Jehovai i tha Moisiut: «Thuaji Aronit: ‘Shtrije bastunin dhe godit pluhurin e tokës, dhe ai do të kthehet në harrje në gjithë vendin e Egjiptit.’» 17 Dhe kështu bënë. Aroni e shtriu bastunin, goditi pluhurin e tokës, dhe harrjet iu ngjitën njerëzve e kafshëve: gjithë pluhuri i tokës u kthye në harrje në mbarë vendin e Egjiptit.+ 18 Priftërinjtë që merreshin me magji u përpoqën të bënin të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta+ e të sillnin harrje, por nuk mundën. E harrjet iu ngjitën njerëzve e kafshëve. 19 Prandaj priftërinjtë që merreshin me magji i thanë faraonit: «Ky është gishti i Perëndisë!»+ Por zemra e faraonit nuk u zbut dhe ai mbeti kryeneç e nuk ua vuri veshin, tamam siç kishte thënë Jehovai.
20 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Herët në mëngjes, kur faraoni të shkojë te lumi, dili përpara dhe thuaji: “Kështu thotë Jehovai: ‘Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë. 21 Por nëse nuk e lë, do të dërgoj zektha* mbi ty, mbi shërbëtorët e tu, mbi popullin tënd dhe në shtëpitë e tua. Shtëpitë e Egjiptit do të mbushen me zektha, madje zekthat do të mbulojnë tokën ku ata* do të vënë këmbë. 22 Atë ditë do ta ndaj veç vendin e Goshenit, ku banon populli im, dhe atje nuk do të ketë asnjë zekth.+ Kështu do ta marrësh vesh se unë, Jehovai, jam në këtë vend.+ 23 Unë do të bëj dallimin mes popullit tim dhe popullit tënd; kjo shenjë* do të ndodhë nesër.’”»
24 Dhe Jehovai bëri kështu. Re të mëdha zekthash filluan të pushtonin shtëpinë e faraonit, shtëpitë e shërbëtorëve të tij dhe gjithë vendin e Egjiptit;+ vendi u rrënua nga zekthat.+ 25 Në fund faraoni thirri Moisiun me Aronin dhe u tha: «Shkoni, bëni flijime për Perëndinë tuaj këtu, në vend.» 26 Por Moisiu ia ktheu: «Kjo nuk është e përshtatshme, sepse flijimi që do t’i paraqitnim Jehovait, Perëndisë tonë, do të ishte i neveritshëm për egjiptianët.+ E po të ofronim para syve të tyre një flijim të neveritshëm, a nuk do të na vritnin me gurë? 27 Do të udhëtojmë tri ditë në shkretëtirë, dhe atje do t’i bëjmë flijime Jehovait, Perëndisë tonë, pikërisht siç na tha ai.»+
28 Faraoni u tha: «Do t’ju lë të ikni që t’i bëni flijime në shkretëtirë Jehovait, Perëndisë tuaj, vetëm mos shkoni kaq larg, dhe përgjërohuni për mua.»+ 29 Atëherë Moisiu i tha: «Tani po largohem dhe do t’i përgjërohem Jehovait për ty. Nesër zekthat do të largohen nga faraoni, nga shërbëtorët e tij dhe nga populli i tij. Por faraoni të mos luajë* më me ne, duke mos e lënë popullin të shkojë që t’i bëjë flijime Jehovait.»+ 30 Kështu Moisiu u largua nga faraoni dhe i bëri përgjërime Jehovait.+ 31 Prandaj Jehovai veproi sipas fjalës së Moisiut, dhe zekthat u larguan nga faraoni, nga shërbëtorët e tij dhe nga populli i tij; nuk mbeti asnjë. 32 Mirëpo, edhe kësaj here, faraoni e ngurtësoi zemrën dhe nuk e la popullin të shkonte.