Ezdra
6 Në atë kohë, mbreti Dar nxori një urdhër dhe ata hetuan në arkivat* ku mbahej thesari në Babiloni. 2 Atje u gjet një rrotull në kështjellën* e Ekbatanës, në provincën e Medisë, ku ishte shkruar memorandumi* vijues:
3 «Vitin e parë të mbretërimit të tij, mbreti Kir nxori një urdhër për shtëpinë e Perëndisë në Jerusalem:+ ‘Le ta rindërtojnë judenjtë shtëpinë, që të bëjnë atje flijime, dhe le t’i hedhin themelet e saj. Ajo duhet të jetë 60 kute* e lartë dhe 60 kute e gjerë,+ 4 me tri shtresa gurësh të mëdhenj dhe një shtresë trarësh.+ Shpenzimet të paguhen nga shtëpia e mbretit.+ 5 Gjithashtu, le të kthehen enët prej ari dhe argjendi të shtëpisë së Perëndisë që Nabukodonosori i mori nga tempulli që ishte në Jerusalem dhe i solli në Babiloni,+ që të vendosen në vendin e vet, në tempullin e Jerusalemit, dhe të vihen në shtëpinë e Perëndisë.’»+
6 «Tani, ti Tatená, guvernator i rajonit Përtej Lumit,* ti Shetar-Bozená dhe bashkëpunëtorët tuaj, pra guvernatorët më të vegjël të rajonit Përtej Lumit:+ i rrini larg atij vendi! 7 Mos ndërhyni në punimet e shtëpisë së Perëndisë! Guvernatori i judenjve dhe pleqtë e tyre do ta rindërtojnë shtëpinë e Perëndisë në vendin e mëparshëm. 8 Gjithashtu po nxjerr një urdhër se çfarë duhet të bëni për pleqtë e judenjve që të rindërtojnë shtëpinë e Perëndisë: këtyre burrave duhet t’u mbulohen menjëherë shpenzimet nga thesari mbretëror,+ nga taksat e vjela në rajonin Përtej Lumit, që të vazhdojnë punën pa ndërprerje.+ 9 Le t’u jepet pa diskutim çfarëdo që u nevojitet: dema të rinj,+ desh+ dhe qengja+ për blatimet e djegura për Perëndinë e qiellit, si edhe grurë,+ kripë,+ verë+ dhe vaj,+ ashtu siç thonë priftërinjtë që janë në Jerusalem. Këto t’u jepen vazhdimisht e ditë për ditë, 10 që t’i paraqitin pa ndërprerje blatime të pëlqyeshme Perëndisë së qiejve dhe të luten për jetën e mbretit e të bijve të tij.+ 11 Unë kam nxjerrë edhe një urdhër: nëse ndokush dhunon këtë dekret, prej shtëpisë së tij do të hiqet një tra e ai do të mbërthehet në të.* Për këtë shkelje, shtëpia e tij do të kthehet në nevojtore publike.* 12 Dhe Perëndia që ka zgjedhur këtë vend për emrin e vet,+ le të përmbysë çdo mbret dhe popull që ngre dorë për të dhunuar këtë urdhër dhe për të shkatërruar shtëpinë e Perëndisë, e cila është në Jerusalem. Unë, Dari, nxjerr këtë urdhër. Të zbatohet pa vonuar.»
13 Atëherë Tatenai, guvernatori i rajonit Përtej Lumit, Shetar-Bozenai+ dhe bashkëpunëtorët e tyre, zbatuan pa vonuar gjithë sa kishte urdhëruar mbreti Dar. 14 Pleqtë e judenjve vazhduan të ndërtonin dhe të ecnin përpara,+ të nxitur nga profetizimi i profetit Hage+ dhe i Zakarisë,+ nipit të Idos. Ata e mbaruan ndërtimin me urdhër të Perëndisë së Izraelit+ dhe me urdhër të Kirit,+ të Darit+ dhe të Artakserksit,+ mbretit të Persisë. 15 Ata e përfunduan shtëpinë ditën e tretë të muajit adar,* në vitin e gjashtë të mbretërimit të mbretit Dar.
16 Pastaj izraelitët, priftërinjtë, levitët+ dhe pjesa tjetër e ish-mërgimtarëve e inauguruan* shtëpinë e Perëndisë plot hare. 17 Për përurimin e shtëpisë së Perëndisë paraqitën 100 dema, 200 desh dhe 400 qengja, ndërsa si blatim për mëkatin për tërë Izraelin paraqitën 12 cjep, sipas numrit të fiseve të Izraelit.+ 18 Ata i caktuan priftërinjtë sipas grupeve të tyre dhe levitët sipas ndarjeve të tyre, për shërbimin e Perëndisë në Jerusalem,+ në përputhje me atë që është shkruar në librin e Moisiut.+
19 Ish-mërgimtarët e kremtuan Festën e Kalimit* ditën e 14-të të muajit të parë.+ 20 Priftërinjtë dhe levitët ishin të pastër, sepse ishin pastruar ceremonialisht të gjithë pa përjashtim.+ Ata therën flijimin e Festës së Kalimit për tërë ish-mërgimtarët, për priftërinjtë e tjerë dhe për vete. 21 Atëherë izraelitët e kthyer nga mërgimi hëngrën nga flijimi me këdo që ishte bashkuar me ta dhe që ishte ndarë nga zakonet e papastra të kombeve të vendit për të adhuruar* Jehovain, Perëndinë e Izraelit.+ 22 Gjithashtu kremtuan me gëzim për shtatë ditë Festën e Bukëve Pa Maja,+ sepse Jehovai i kishte mbushur me hare dhe kishte bërë që mbreti i Asirisë t’i shihte me pëlqim,+ që ai t’i mbështeste* për punën e shtëpisë së Perëndisë së vërtetë, Perëndisë së Izraelit.