Eklisiastiu
7 Një emër i mirë* vlen më shumë se vaji aromatik,+ dhe dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes. 2 Më mirë të shkosh në një shtëpi ku vajtohet, se në një shtëpi ku festohet,*+ sepse vdekja është fundi i çdo njeriu, dhe të gjallët duhet të reflektojnë për këtë. 3 Trishtimi është më mirë se e qeshura,+ sepse nga fytyra e trishtuar zemra bëhet më e mirë.+ 4 Të mençurit e kanë zemrën në shtëpinë ku vajtohet, kurse të pamendët e kanë zemrën në shtëpinë ku festohet.*+
5 Është më mirë të dëgjosh qortimin e të mençurve,+ se këngën e të marrëve. 6 Porsi kërcitja e gjembave tek digjen nën kazan, është e qeshura e të marrëve;+ edhe kjo është kotësi. 7 Shtypja mund ta bëjë të mençurin të veprojë çmendurisht, dhe ryshfeti e korrupton zemrën.+
8 Më mirë se fillimi i një pune është fundi i saj. Më mirë të jesh i duruar, se të jesh fodull.*+ 9 Mos u fyej shpejt,*+ sepse fyerja prehet në gji të të marrëve.*+
10 Mos thuaj: «Si ka mundësi që ditët e kaluara ishin më të mira se të tanishmet?», sepse kjo pyetje nuk është aspak e mençur.+
11 Mençuria bashkë me trashëgiminë është një gjë e mirë dhe u jep epërsi atyre që shohin dritën e diellit.* 12 Vërtet, mençuria është mbrojtje+ siç është edhe paraja,+ por epërsia e njohurisë dhe e mençurisë është se i ruajnë gjallë ata që i zotërojnë.+
13 Mendo për veprën e Perëndisë së vërtetë: kush mund ta drejtojë atë që ai e ka bërë të shtrembër?!+ 14 Në ditë të mirë pasqyro mirësi,+ por në ditë të vështirë* mendo: Perëndia ka bërë si njërën, edhe tjetrën,+ që njeriu të mos dijë me siguri* ç’do t’i ndodhë në të ardhmen.+
15 Kam parë çdo gjë gjatë jetës sime të kotë+—të drejtin që vdes para kohe ndonëse është i drejtë,+ dhe të ligun që jeton gjatë ndonëse është i lig.+
16 Mos ji tepër i drejtë,+ as mos u trego më i mençur se ç’duhet.+ Pse të shkatërrosh veten?!+ 17 Mos e lër veten në duart e ligësisë, as mos u bëj i marrë.+ Pse të vdesësh kur s’e ke kohën?!+ 18 Është mirë t’ia vësh veshin këshillës së parë pa shpërfillur të dytën,+ sepse ai që ka nderim të thellë për Perëndinë,* ua vë veshin të dyjave.
19 Mençuria i jep njeriut të mençur më shumë forcë sesa kanë dhjetë prijës të fuqishëm në qytet.+ 20 Megjithatë, s’ka njeri të drejtë në tokë që bën gjithmonë të mirën dhe nuk mëkaton kurrë.+
21 Veç kësaj, mos ua vër veshin* gjithë fjalëve që thonë njerëzit,+ se ndoshta dëgjon edhe shërbëtorin tënd të flasë keq për ty,* 22 sepse thellë-thellë ti e di mirë se edhe vetë ke folur keq për të tjerët shumë herë.+
23 Të gjitha këto i shqyrtova me mençuri dhe thashë: «Do të bëhem i mençur», por kjo ishte përtej aftësive të mia. 24 Çdo gjë që ekziston, është e paarritshme dhe jashtëzakonisht e pamatshme. E kush mund ta kuptojë?!+ 25 U përpoqa me gjithë shpirt të kuptoja, të rrëmoja e të kërkoja mençurinë dhe arsyen e gjërave, si dhe të kuptoja ligësinë e të pamendëve dhe marrëzinë e budallenjve.+ 26 Pastaj zbulova këtë: më e hidhur se vdekja është gruaja që i ngjan lakut të gjuetarëve, që e ka zemrën si rrjetë peshkimi dhe duart si vargonj. Njeriu që ka pëlqimin e Perëndisë së vërtetë, ia mbath nga ajo,+ por mëkatari bie pre e saj.+
27 «Ja pra, çfarë kam zbuluar», thotë ai që mbledh popullin.+ «I shqyrtova gjërat një nga një për të nxjerrë një përfundim. 28 Mirëpo, atë që kërkova pareshtur, nuk e gjeta dot. Mes një mijë vetave, e gjeta një burrë të drejtë, por një grua të drejtë nuk e gjeta dot. 29 Ja, vetëm këtë kam zbuluar: Perëndia i vërtetë i ka bërë njerëzit të drejtë,+ por ata kanë ndjekur udhët e tyre.»*+