19 Më mirë të jesh i varfër dhe të ecësh me integritet,+
se të jesh i pamend dhe të thuash gënjeshtra.+
2 S’është mirë që njeriu të mos ketë njohuri,+
dhe kush vepron rrëmbimthi, mëkaton.
3 Marrëzia e vet ia shtrembëron udhën njeriut,
dhe zemra e tij tërbohet me Jehovain.
4 Pasuritë afrojnë shumë shokë,
por të varfrin e braktis edhe ai shok që ka.+
5 Dëshmitari i rremë do të ndëshkohet se s’bën,+
dhe kush gënjen sa herë që hap gojën, s’do të shpëtojë.+
6 Shumë e kërkojnë pëlqimin e fisnikut
dhe të gjithë bëhen shokë me atë që jep dhurata.
7 Gjithë vëllezërit e vet e urrejnë të varfrin,+
e aq më tepër i largohen miqtë!+
Ai i mbyt me kërkesa, por asnjëri s’i përgjigjet.
8 Kush fiton gjykim të mirë, e do veten.+
Kujtdo që e çmon si thesar aftësinë dalluese, do t’i shkojë mbarë.+
9 Dëshmitari i rremë do të ndëshkohet se s’bën,
dhe kush gënjen sa herë që hap gojën, do të marrë fund.+
10 Të marrit nuk i shkon për shtat të jetojë në luks,
e aq më pak një shërbëtori të sundojë mbi princat.+
11 Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut,+
dhe sa bukur është ta anashkalojë fyerjen.+
12 Tërbimi i mbretit është si ulërima e luanit,+
por pëlqimi i tij është si vesa përmbi bar.
13 Një djalë i marrë i sjell telashe të atit,+
dhe një bashkëshorte grindavece është si çatia që pikon pa pushim.+
14 Shtëpia dhe pasuria janë trashëgimi nga etërit,
por një grua e matur është dhuratë nga Jehovai.+
15 Përtacia sjell gjumë të thellë,
dhe njeriu i plogësht vuan për bukën e gojës.+
16 Kush i zbaton urdhërimet e Perëndisë, ruan jetën e vet,+
por kush ecën me moskokëçarje në udhët e tij, do të vdesë.+
17 Kush i bën mirë të përvuajturit, i jep hua Jehovait,+
dhe Ai do t’ia shpërblejë të mirën.+
18 Disiplinoje djalin tënd sa ka shpresë;+
mos u bëj përgjegjës për vdekjen e tij.+
19 Njeriu gjaknxehtë do të ndëshkohet;
mos i dil krah, se do të të duhet ta bësh këtë sa e sa herë.+
20 Dëgjoje këshillën dhe pranoje disiplinën,+
që të bëhesh i mençur në të ardhmen.+
21 Të shumta janë planet në zemrën e njeriut,
por vetëm vullneti i Jehovait do të triumfojë.+
22 Ajo që pëlqehet te njeriu, është dashuria besnike,+
dhe më mirë të jesh i varfër se gënjeshtar.
23 Nderimi i thellë për Jehovain të çon në jetë;+
kush ka këtë nderim, do të pushojë i qetë e s’do ta gjejë asnjë e keqe.+
24 Përtaci e zhyt dorën në tasin e gostisë,
por as që e merr mundimin ta çojë në gojë.+
25 Rrihe tallësin,+ që i papërvoji të bëhet mendjemprehtë,+
dhe korrigjoje njeriun me mend, që t’i shtohet njohuria.+
26 Djali që keqtrajton babanë dhe përzë nënën e vet,
sjell turp dhe çnderim.+
27 Biri im, nëse nuk ia vë më veshin disiplinës,
ke për të dalë nga udha e njohurisë.
28 Dëshmitari i pavlerë tallet me drejtësinë,+
dhe goja e të ligut e gëlltit me qejf të keqen.+
29 Tallësit i pret gjykimi,+
dhe kurrizin e të marrëve, dajaku.+