Letra e dytë drejtuar korintasve
7 Prandaj, o të dashur, meqë kemi këto premtime,+ le të pastrohemi nga çdo gjë që ndot trupin* e mendjen,*+ që të arrijmë shenjtëri të përsosur ndërsa nderojmë thellësisht Perëndinë.*
2 Bëni vend në zemrat tuaja për ne,+ sepse nuk i kemi bërë padrejtësi askujt, nuk kemi çuar askënd në udhë të gabuar dhe nuk kemi shfrytëzuar asnjë njeri.+ 3 Këtë nuk po e them për t’ju ngarkuar me faj, sepse më parë thashë se ju kemi në zemrat tona, vdekshim a jetofshim. 4 Po ju flas gjithë çiltërsi: jam shumë krenar për ju dhe tej mase i ngushëlluar, sepse ndiej gëzim të papërshkrueshëm ndonëse mes shumë vështirësive.+
5 Në fakt, kur mbërritëm në Maqedoni,+ nuk gjetëm* qetësi, por nga çdo anë kishim vështirësi: jashtë luftë, brenda frikë. 6 Por Perëndia që ngushëllon zemërlëshuarit,+ na ngushëlloi me praninë e Titit, 7 dhe jo vetëm me praninë e tij, por edhe me ngushëllimin që i kishit sjellë ju. Ai na tregoi sa shumë ju kishte marrë malli për mua dhe se ishit tej mase të trishtuar e sinqerisht të merakosur, e kjo më solli edhe më shumë gëzim.
8 Prandaj, edhe nëse ju trishtova me letrën time,+ nuk më vjen keq. Në fillim faktikisht më erdhi keq (ngaqë ajo letër ju trishtoi, ndonëse për pak kohë), 9 mirëpo tani jam i gëzuar, jo thjesht ngaqë u trishtuat, por ngaqë ky trishtim ju nxiti të pendoheshit. Vërtet, ju u trishtuat ashtu siç i pëlqen Perëndisë, e kjo ju ndihmoi. Kështu, ajo që shkruam, nuk ju solli asnjë të keqe, 10 sepse trishtimi që i pëlqen Perëndisë, i hap rrugë pendimit që sjell shpëtim dhe nuk lë vend për keqardhje,+ kurse trishtimi që karakterizon botën, sjell vdekje. 11 Shihni sa shumë dobi ju solli ky trishtim që i pëlqen Perëndisë: shfajësuat emrin tuaj, u indinjuat për fajin, treguat nderim të thellë për Perëndinë dhe dëshirë të zjarrtë e zell për ta ndrequr fajin.+ Po, në këtë çështje jeni treguar të dëlirë* në çdo aspekt. 12 Ndonëse ju shkrova, nuk e bëra as për keqbërësin,+ as për personin që vuajti për shkak të tij, por për të parë sa do të përpiqeshit në sytë e Perëndisë t’ia vinit veshin fjalës sonë. 13 Ja pse jemi ngushëlluar.
Por përveç ngushëllimit, ndiem kënaqësi të madhe kur dëgjuam ç’gëzim provoi Titi, ngaqë të gjithë ju i kishit sjellë freskim zemrës* së tij. 14 Kështu, nuk iu mburra më kot Titit për ju, sepse siç ishin të vërteta të gjitha gjërat që ju thamë juve, po ashtu dolën të vërteta gjithë fjalët e mira që i thamë atij për ju. 15 Gjithashtu, ai ndien edhe më shumë përzemërsi të ngrohtë për ju kur kujton si u bindët që të gjithë+ dhe si e pritët me respekt e nderim të thellë.* 16 Jam shumë i kënaqur që mund të kem besim te ju* për gjithçka.