Zanafilla
49 Pastaj Jakobi i thirri bijtë e tij dhe u tha: «Mblidhuni që t’ju tregoj ç’do t’ju ndodhë në të ardhmen. 2 Mblidhuni dhe dëgjoni, o bij të Jakobit, dëgjoni Izraelin, atin tuaj.
3 Ruben,+ ti je i parëlinduri im,+ gjallëria ime dhe fillimi i fuqisë sime,* i shquar për dinjitet dhe forcë. 4 Ngaqë u rrëmbeve si ujërat e përmbytjes, nuk do të spikatësh, sepse je shtrirë në shtratin e babait tënd.+ Në atë kohë e përdhose* shtratin tim. Po, po, kështu bëri!
5 Simeoni dhe Levi janë vëllezër;+ ata i përdorin shpatat e tyre për dhunë.+ 6 Mos hyr në shoqërinë e tyre, o shpirti* im! Mos u bashko me grupin e tyre, o zemra ime,* sepse në zemërim e sipër vranë njerëz+ dhe për qejf u prenë dejet demave. 7 Mallkuar qoftë zemërimi i tyre sepse është mizor, dhe furia e tyre sepse është e ashpër!+ Do t’i përhap në vendin e Jakobit dhe do t’i shpërndaj në Izrael.+
8 Ty, o Judë,+ vëllezërit do të të lëvdojnë.+ Dora jote do të jetë mbi qafën e armiqve të tu*+ dhe bijtë e babait tënd do të përkulen para teje.+ 9 Juda është një këlysh luani.+ Biri im, me siguri do të zësh pre e do të kthehesh. Do të shtrihesh e do të shtriqesh si një luan. E kush guxon ta zgjojë një luan?! 10 Skeptri* nuk do të largohet nga Juda,+ as shkopi i komandantit nga këmbët e tij, derisa të vijë Shilohu,*+ dhe këtij do t’i binden popujt.+ 11 Ai e lidh gomarin te një hardhi dhe kërriçin te një hardhi e zgjedhur. Ai do t’i lajë rrobat me verë dhe mantelin e tij me lëngun e rrushit. 12 Sytë i ka në të kuqe të errët nga vera dhe dhëmbët të bardhë nga qumështi.*
13 Zabuloni+ do të banojë në bregdet, pranë bregut ku ankorojnë anijet,+ dhe kufiri i tij do të shtrihet drejt Sidonit.+
14 Isahari+ është një gomar kockëfortë që rri shtrirë me dy torbat e samarit mbi shpinë. 15 Ai do të shohë se vendbanimi i tij është i mirë dhe se toka e tij të kënaq syrin. Ai do t’i ulë shpatullat që të mbajë barrë dhe do të bëjë punë të detyruar.
16 Si një nga fiset e Izraelit, Dani+ do të gjykojë popullin e tij.+ 17 Dani qoftë një gjarpër, një gjarpër me brirë pranë rrugës, që pickon kyçin e thundrës së kalit, që kalorësi të bjerë së prapthi!+ 18 Unë do ta pres shpëtimin nga ti, o Jehova!
19 Gadin+ do ta sulmojë papritur një bandë kusarësh, por edhe ai do t’u sulet këmba-këmbës.+
20 Asheri+ do të ketë bukë* me bollëk* e do të sigurojë ushqime mbretërish.+
21 Neftali+ është një drenushë e zhdërvjellët. Ai flet me hijeshi.+
22 Jozefi+ është lastari i një peme të frytshme, një pemë e frytshme pranë burimit që i shtrin degët mbi mur. 23 Por harkëtarët e sulmonin pareshtur, e qëllonin dhe ushqenin mëri kundër tij.+ 24 E megjithatë ai e mbajti harkun të palëvizur+ dhe duart e tij mbetën të forta e të zhdërvjellëta,+ falë duarve të të fuqishmit të Jakobit, falë bariut, shkëmbit të Izraelit. 25 Ai* është dhuratë nga Perëndia i atit të tij, i cili do ta ndihmojë. Ai është me të Plotfuqishmin, i cili do të derdhë mbi të bekimet e qiejve, bekimet e thellësive+ dhe bekimet e gjinjve e të barkut.* 26 Bekimet e të atit do të jenë ku e ku më të mëdha se bekimet e maleve të përjetshme dhe ku e ku më të mëdha se të mirat e kodrave të qëndrueshme.+ Ato do të jenë gjithmonë mbi kokën e Jozefit, në majë të kokës së atij që u zgjodh mes vëllezërve të tij.+
27 Beniamini+ do të shqyejë si një ujk.+ Në mëngjes do të hajë prenë dhe në mbrëmje do të ndajë plaçkë.»+
28 Këto janë 12 fiset e Izraelit dhe këto janë fjalët që u tha babai i tyre kur i bekoi. Ai i dha secilit bekimin që i takonte.+
29 Pastaj u dha këtë urdhër: «Unë po bashkohem me popullin tim.*+ Më varrosni me etërit e mi në shpellën që është në arën e Efronit, hititit,+ 30 në arën e Makpelahut, përballë Mamresë, në vendin e Kananit, që Abrahami ia bleu Efronit, hititit, si pronë për varre. 31 Atje është varrosur Abrahami dhe gruaja e tij, Sara,+ atje është varrosur Isaku+ dhe gruaja e tij, Rebeka, dhe atje unë varrosa Lean; 32 ara dhe shpella që ndodhet aty, iu blenë bijve të Hethit.»+
33 Pasi u dha këto amanete bijve të tij, Jakobi u shtri përsëri në shtrat, dha frymë dhe u bashkua me popullin e tij.*+