Gjykatësit
8 Atëherë burrat e Efraimit i thanë Gideonit: «Ç’na bëre? Pse s’na thirre kur shkove të luftoje kundër Midianit?»+ Prandaj, gjithë vrer, e sulmuan me fjalë.+ 2 Por ai u tha: «Po çfarë kam bërë unë në krahasim me ju? A nuk është mbledhja e rrushit të mbetur të Efraimit+ më e mirë se vjelja që bën Abi-Ezeri?+ 3 A nuk i dha Perëndia në duart tuaja princat e Midianit, Orebin dhe Zebin?+ Ç’kam bërë unë në krahasim me atë që bëtë ju?» Me këto fjalë, ata u qetësuan.*
4 Pastaj Gideoni mbërriti në Jordan dhe e kaloi bashkë me 300 burrat që kishte me vete. Ata ishin të lodhur, por e vazhduan ndjekjen. 5 Kështu u tha burrave të Sukotit: «Ju lutem, jepuni bukë njerëzve që më vijnë pas, sepse janë të lodhur dhe unë po ndjek Zebahun e Zalmunain, mbretër të Midianit.» 6 Por princat e Sukotit thanë: «Mos i ke kapur gjë dhe i ke tashmë në dorë Zebahun dhe Zalmunain, që t’i japim bukë ushtrisë sate?» 7 Atëherë Gideoni tha: «Ngaqë thatë këtë, kur Jehovai të m’i japë në dorë Zebahun dhe Zalmunain, do t’ju fshikulloj me gjembat dhe me drizat e shkretëtirës.»+ 8 Që andej vajti në Penuel dhe u kërkoi të njëjtën gjë burrave të Penuelit, por ata iu përgjigjën njësoj si burrat e Sukotit. 9 Prandaj edhe burrave të Penuelit u tha: «Kur të kthehem me fitore, do ta rrëzoj këtë kullë.»+
10 Tani, Zebahu dhe Zalmunai ishin në Karkor me ushtritë e tyre prej rreth 15.000 vetash. Vetëm këta kishin mbetur nga tërë ushtria e popujve të Lindjes,+ sepse 120.000 burra të armatosur me shpatë ishin vrarë. 11 Gideoni vazhdoi të ngjitej nëpër udhën e nomadëve* në lindje të Nobahut e të Jogbeahut,+ dhe sulmoi kur kampi nuk e priste. 12 Kur Zebahu dhe Zalmunai ia mbathën, ai i ndoqi e i kapi robër të dy mbretërit e Midianit, Zebahun e Zalmunain, duke ngjallur panik në tërë kampin.
13 Pastaj Gideoni, biri i Joashit, u kthye nga lufta nëpërmjet rrugës që ngjitej në Heres. 14 Rrugës kapi rob një djalë të ri nga Sukoti dhe e mori në pyetje. Kështu i riu i dha me shkrim emrat e princave dhe të pleqve të Sukotit, 77 burra. 15 Kështu shkoi te burrat e Sukotit dhe tha: «Ja tek janë Zebahu dhe Zalmunai, për të cilët u tallët me mua dhe thatë: ‘Mos i ke kapur gjë dhe i ke tashmë në dorë Zebahun dhe Zalmunain, që t’u japim bukë burrave të tu të sfilitur?’»+ 16 Pastaj mori pleqtë e qytetit dhe, me gjembat e me drizat e shkretëtirës, u dha një mësim të mirë atyre burrave të Sukotit.+ 17 Veç kësaj, ai rrëzoi kullën e Penuelit+ dhe vrau burrat e qytetit.
18 Pastaj Gideoni pyeti Zebahun dhe Zalmunain: «Si ishin ata që vratë në Tabor?» Ata ia kthyen: «Ishin tamam si ti. Çdonjëri prej tyre dukej si djalë mbreti.» 19 Atëherë ai u tha: «Ata ishin vëllezërit e mi, bij të nënës sime. Siç është e vërtetë që Jehovai rron, po t’ua kishit kursyer atyre jetën, unë s’do t’ju kisha vrarë.» 20 Pastaj i tha Jeterit, të parëlindurit të tij: «Ngrihu e vriti!» Por djaloshi nuk e zhveshi shpatën se kishte frikë, ngaqë ishte ende i ri. 21 Atëherë, Zebahu dhe Zalmunai thanë: «Ngrihu e na vrit vetë, sepse një burrë matet nga fuqia e tij.»* Kështu Gideoni u ngrit, vrau Zebahun e Zalmunain+ dhe mori stolitë në formë gjysmëhëne që kishin në qafë devetë e tyre.
22 Më vonë burrat e Izraelit i thanë Gideonit: «Mbretëro mbi ne ti, biri dhe nipi yt, sepse na shpëtove nga duart e Midianit.»+ 23 Por Gideoni u tha: «Mbi ju nuk do të mbretëroj as unë e as im bir. Jehovai është ai që do të mbretërojë mbi ju.»+ 24 Gideoni vazhdoi: «Më lejoni t’ju bëj një kërkesë: secili prej jush të më japë një unazë hunde nga preja e tij.» (Ngaqë ishin ismaelitë, ata mbanin në hundë unaza prej ari.)+ 25 Ata ia kthyen: «Patjetër që do t’i japim.» Kështu, shtrinë një mantel dhe çdo burrë hodhi në të një unazë hunde nga preja e tij. 26 Pesha e unazave të arta që kishte kërkuar ai, arriti në 1.700 sikla* ari, përveç stolive në formë gjysmëhëne, vathëve, rrobave prej leshi në ngjyrë të purpurt* që kishin veshur mbretërit e Midianit dhe varëseve të deveve.+
27 Gideoni bëri me to një efod*+ dhe e vuri para të gjithëve në qytetin e tij, në Ofrah.+ Atje tërë Izraeli e tradhtoi Perëndinë* duke adhuruar efodin,+ dhe ai u bë një lak për Gideonin dhe për shtëpinë e tij.+
28 Kështu izraelitët i mposhtën midianitët,+ të cilët nuk e ngritën më kokën.* Gjatë ditëve të Gideonit, vendi nuk pati trazira* për 40 vjet.+
29 Kështu Jerubaali,+ biri i Joashit, u kthye në shtëpinë e tij dhe qëndroi atje.
30 Gideoni u bë ati i 70 djemve,* sepse kishte shumë gra. 31 Edhe konkubina* e tij në Sikem i lindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Abimelek.+ 32 Gideoni, biri i Joashit, vdiq në pleqëri të mbarë dhe e varrosën në varrin e të atit, Joashit, në Ofrah të abiezeritëve.+
33 Sapo Gideoni vdiq, izraelitët përsëri e tradhtuan Perëndinë duke adhuruar Baalët+ dhe caktuan Baal-Beritin si perëndi të tyre.+ 34 Izraelitët nuk u kujtuan për Jehovain, Perëndinë e tyre,+ i cili i kishte shpëtuar nga duart e tërë armiqve përreth;+ 35 nuk treguan as dashuri besnike ndaj shtëpisë së Jerubaalit, domethënë Gideonit, për gjithë të mirat që kishte bërë për Izraelin.+