Gjykatësit
7 Pastaj Jerubaali, domethënë Gideoni,+ dhe tërë njerëzit që ishin me të u çuan herët dhe e ngritën kampin te burimi i Harodit. Kurse kampi i Midianit ishte në veri të kampit të Gideonit, pranë kodrës së Morehut, në rrafshinë.* 2 Jehovai i tha atëherë Gideonit: «Ke tepër njerëz me vete që t’ua jap Midianin në dorë.+ Kështu Izraeli mund të mbahet me të madh para meje e të thotë: ‘Dora ime më shpëtoi.’+ 3 Tani, të lutem, thuaju njerëzve që ke me vete: ‘Kushdo që frikësohet ose dridhet nga frika, të kthehet në shtëpi.’»+ Kështu, Gideoni i vuri në provë, dhe si rezultat 22.000 burra u kthyen në shtëpi; mbetën vetëm 10.000 veta.
4 Jehovai i tha sërish Gideonit: «Ke akoma tepër njerëz. Zbriti tek uji që atje t’i vë në provë. Kur të të them: ‘Ky do të vijë me ty’, ai do të vijë me ty, por kur të të them: ‘Ky nuk do të vijë me ty’, ai nuk do të vijë.» 5 Kështu i zbriti njerëzit tek uji.
Pastaj Jehovai i tha Gideonit: «Nda veç ata që pinë ujë si qeni nga ata që përkulen për të pirë në gjunjë.» 6 Numri i atyre që pinë duke e çuar ujin në gojë me dorë, ishte 300 burra. Pjesa tjetër e njerëzve u përkul të pinte në gjunjë.
7 Atëherë Jehovai i tha Gideonit: «Do t’ju shpëtoj me 300 burrat që pinë ujë me dorë dhe do t’jua jap Midianin.+ Kurse gjithë të tjerët të kthehen në shtëpi.» 8 Kështu, 300 burrat morën ushqimet dhe brirët nga gjithë ushtarët e tjerë. Pastaj Gideoni i ktheu në shtëpi të gjithë burrat e tjerë të Izraelit dhe mbajti vetëm ata të treqind. Kampi i Midianit ishte poshtë në rrafshinë.+
9 Gjatë asaj nate, Jehovai i tha: «Ngrihu e sulmo kampin, sepse e kam lënë në duart e tua.+ 10 Por, nëse ke frikë ta sulmosh, zbrit në kamp me Purahun, shërbëtorin tënd. 11 Dëgjo çfarë thuhet atje dhe më pas do të marrësh guxim* për të sulmuar kampin.» Atëherë ai zbriti me Purahun, shërbëtorin e tij, deri afër ushtrisë që kishte fushuar.
12 Midiani, Amaleku dhe tërë popujt e Lindjes+ e kishin mbuluar rrafshinën si një mori karkalecash. Devetë e tyre ishin të panumërta+ dhe të shumta si kokrrizat e rërës në breg të detit. 13 Atëherë Gideoni vajti te kampi i midianitëve, e një burrë po i tregonte një ëndërr shokut të vet e i tha: «Pashë në ëndërr sikur një kulaç elbi hyri në kampin e Midianit duke u rrokullisur. Vajti deri te një tendë dhe e goditi aq fort, sa tenda u rrëzua.+ Po, e ktheu përmbys dhe ajo u bë rrafsh me tokën.» 14 Pasi e dëgjoi, shoku i tha: «Kjo mund të jetë vetëm shpata e Gideonit,+ birit të Joashit dhe trimit të Izraelit. Perëndia e ka dhënë Midianin dhe tërë kampin në duart e tij.»+
15 Me të dëgjuar atë që tregoi ëndrrën dhe interpretimin e saj,+ Gideoni u përkul për të adhuruar Perëndinë. Më pas u kthye në kampin e Izraelit dhe tha: «Ngrihuni se Jehovai jua ka dhënë kampin e Midianit në dorë.» 16 Atëherë i ndau 300 burrat në tri grupe, u dha të gjithëve nga një bri,+ nga një qyp të madh bosh dhe brenda qypit nga një pishtar. 17 Pastaj u tha: «Më shikoni mua dhe bëni pikërisht si bëj unë. Kur të arrij buzë kampit, duhet të bëni ashtu si bëj unë. 18 Kur unë dhe tërë ata që janë me mua t’u biem brirëve, duhet t’u bini brirëve edhe ju rreth e përqark kampit dhe të bërtisni: ‘Për Jehovain dhe për Gideonin!’»
19 Gideoni dhe 100 burrat që ishin me të arritën buzë kampit kur filloi të bëhej ndërresa e mesnatës,* menjëherë pasi ishin vendosur rojat. Ata u ranë brirëve+ dhe i bënë copë-copë qypat e mëdhenj që kishin në dorë.+ 20 Kështu tri grupet u ranë brirëve dhe thyen qypat e mëdhenj. Ata i mbanin pishtarët në dorën e majtë dhe u binin brirëve që kishin në dorën e djathtë e thërritnin: «Shpata e Jehovait dhe e Gideonit!» 21 Ndërkaq çdo burrë qëndronte në vendin e vet rreth e qark kampit, dhe tërë ushtria armike ia dha vrapit dhe bërtiste ndërsa ia mbathte.+ 22 Të 300 burrat u binin pa pushim brirëve, kurse Jehovai bëri që të gjithë ata që ishin në kamp, të ktheheshin me shpata kundër njërit-tjetrit.+ Ushtria armike ia mbathi deri në Beth-Shitah, kaloi në Zererah dhe vazhdoi deri në rrethinat e Abel-Meholahut+ pranë Tabatit.
23 Burrat e Izraelit nga Neftali, nga Asheri e nga tërë Manaseu u mblodhën+ dhe e ndoqën Midianin nga pas. 24 Gideoni dërgoi lajmëtarë në tërë rajonin malor të Efraimit për të thënë: «Zbritni që të sulmoni Midianin dhe merrni nën kontroll çdo va* të Jordanit dhe degët e tij deri në Beth-Barah.» Kështu tërë burrat e Efraimit u mblodhën dhe vunë nën kontroll ujërat deri në Beth-Barah bashkë me Jordanin. 25 Ata kapën rob edhe dy princat e Midianit, Orebin dhe Zebin. Orebin e vranë në shkëmbin e Orebit,+ kurse Zebin e vranë në shtypësen e rrushit të Zebit. Ata e ndoqën pareshtur Midianin+ dhe kokat e Orebit e të Zebit ia sollën Gideonit në rajonin e Jordanit.