Sipas Mateut
28 Pas Sabatit, kur po zbardhte dita e parë e javës, Maria-Magdalena dhe Maria tjetër vajtën të shihnin varrin.+
2 Kur ja, atje kishte rënë një tërmet i madh, sepse engjëlli i Jehovait* kishte zbritur nga qielli, kishte ardhur, kishte rrokullisur gurin dhe po rrinte ulur mbi të.+ 3 Pamjen e kishte si vetëtima dhe rrobat të bardha si bora.+ 4 Nga frika, rojat u drodhën dhe mbetën si të vdekur.
5 Kurse engjëlli u tha grave: «Mos kini frikë, sepse e di se po kërkoni Jezuin, që u ekzekutua në shtyllë.+ 6 Ai nuk është këtu, sepse u ringjall,* ashtu si kishte thënë.+ Ejani, shihni vendin ku ishte shtrirë 7 dhe pastaj shkoni shpejt e tregojuni dishepujve të tij se ai u ngrit nga të vdekurit dhe u thoni: ‘Ai po shkon përpara jush në Galile;+ atje do ta shihni.’ Ky është mesazhi im për ju.»+
8 Kështu ato u larguan me të shpejtë nga varri* dhe, me frikë e gëzim të madh, vrapuan për t’ua çuar lajmin dishepujve.+ 9 Kur ja, Jezui u doli përpara dhe u tha: «Mirëdita!» Ato u afruan, e zunë nga këmbët dhe i bënë nderime.* 10 Atëherë Jezui u tha: «Mos kini frikë! Shkoni, çojuani lajmin vëllezërve të mi, që të shkojnë në Galile, dhe atje do të më shohin.»
11 Ndërsa ato ishin rrugës, disa nga rojat+ hynë në qytet dhe i njoftuan krerët e priftërinjve për gjithçka që kishte ndodhur. 12 Këta, pasi u mblodhën me pleqtë, u konsultuan dhe u dhanë ushtarëve një shumë të konsiderueshme monedhash argjendi 13 e u thanë: «Thoni kështu: ‘Dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën kur ne po flinim.’+ 14 Nëse kjo shkon në vesh të guvernatorit, ne do t’ia shpjegojmë çështjen,* dhe ju s’keni pse të merakoseni.» 15 Kështu ata i morën monedhat e argjendit dhe bënë siç i kishin udhëzuar. Kjo histori është e përhapur mes judenjve edhe sot e kësaj dite.
16 Megjithatë, 11 dishepujt shkuan në Galile+ për të takuar Jezuin në malin që u kishte thënë.+ 17 Kur e panë, ata i bënë nderime,* por disa dyshuan. 18 Jezui u afrua dhe u tha: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.+ 19 Prandaj shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet,+ duke i pagëzuar+ në emër të Atit, të Birit e të frymës së shenjtë 20 dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.+ Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.»*+