Josiu
4 Kur tërë kombi kaloi Jordanin, Jehovai i tha Josiut: 2 «Merr 12 burra nga populli, një për çdo fis,+ 3 dhe jepu këtë urdhër: ‘Shkoni në mes të Jordanit, në vendin ku u ndal këmba e priftërinjve,+ dhe merrni nga atje 12 gurë e vërini në vendin ku do të kaloni natën.’»+
4 Kështu Josiu thirri 12 burrat që kishte emëruar nga izraelitët, një për çdo fis, 5 dhe u tha: «Kaloni para Arkës së Jehovait, Perëndisë tuaj, në mes të Jordanit, dhe ngrini mbi supe secili nga një gur, sa numri i fiseve të izraelitëve, 6 që të shërbejë si shenjë mes jush. Nëse fëmijët* tuaj ju pyesin më vonë: ‘Pse i keni vënë këtu këta gurë?’,+ 7 ju thuajuni: ‘Këta gurë shërbejnë si përmendore e përhershme* për popullin e Izraelit,+ ngaqë ujërat e Jordanit u ndalën para arkës+ së besëlidhjes së Jehovait kur ajo kaloi matanë Jordanit.’»
8 Kështu izraelitët bënë pikërisht siç i urdhëroi Josiu. Ata shkuan në mes të Jordanit, dhe zgjodhën 12 gurë, sa numri i fiseve të izraelitëve, ashtu siç e udhëzoi Jehovai Josiun; i morën me vete dhe i vunë në vendin ku do të kalonin natën.
9 Gjithashtu, në mes të Jordanit, në vendin ku u ndal këmba e priftërinjve që mbartnin arkën e besëlidhjes,+ Josiu vuri 12 gurë, të cilët qëndrojnë atje edhe sot e kësaj dite.
10 Priftërinjtë që mbartnin Arkën, qëndruan në mes të Jordanit derisa populli bëri gjithçka që Jehovai i urdhëroi Josiut, në përputhje me çdo gjë që Moisiu e kishte urdhëruar Josiun, e ndërkohë populli kalonte me nxitim. 11 Pasi kaloi tërë populli, priftërinjtë që mbartnin Arkën e Jehovait kaluan para syve të popullit.+ 12 Kurse rubenitët, gaditët dhe gjysma e fisit të Manaseut kishin kaluar në formacion luftimi+ para izraelitëve të tjerë, siç i kishte udhëzuar Moisiu.+ 13 Rreth 40.000 ushtarë të armatosur për betejë kaluan para Jehovait në rrafshinat e shkreta të Jerikosë.
14 Atë ditë, Jehovai e lartësoi Josiun në sytë e tërë Izraelit+ dhe ata e respektuan thellësisht* gjatë gjithë jetës së tij, siç kishin respektuar thellësisht Moisiun.+
15 Pastaj Jehovai i tha Josiut: 16 «Urdhëroji të dalin nga Jordani priftërinjtë që mbartin arkën+ e Dëshmisë.» 17 Kështu Josiu i urdhëroi priftërinjtë: «Dilni nga Jordani!» 18 Kur priftërinjtë që mbartnin arkën+ e besëlidhjes së Jehovait dolën nga Jordani dhe vunë këmbë në tokë të thatë, ujërat e Jordanit rifilluan të rridhnin dhe dolën nga shtrati+ si më parë.
19 Ditën e dhjetë të muajit të parë, populli doli nga Jordani dhe e ngriti kampin në Gilgal,+ në kufirin lindor të Jerikosë.
20 Kurse 12 gurët që morën nga Jordani, Josiu i vuri në Gilgal.+ 21 Më pas ai u tha izraelitëve: «Kur fëmijët tuaj t’ju pyesin më vonë: ‘Ç’do të thonë këta gurë?’,+ 22 shpjegojuni: ‘Izraeli e kaloi Jordanin në tokë të thatë,+ 23 pasi Jehovai, Perëndia juaj, i thau ujërat e Jordanit para tyre derisa kaluan, ashtu si Jehovai, Perëndia juaj, bëri me Detin e Kuq kur e thau para nesh derisa kaluam.+ 24 Ai e bëri këtë që të gjithë popujt e tokës ta dinë sa e fuqishme është dora e Jehovait+ dhe që ju të keni gjithnjë nderim të thellë për Jehovain,* Perëndinë tuaj.’»