104 Lëvdo Jehovain, o shpirti im!+
O Jehova, Perëndia im, sa madhështor je!+
Je veshur me madhështi e shkëlqim,+
2 je mbështjellë me dritën+ si me një rrobë,
qiejt i ke shpalosur si pëlhurën e një tende.+
3 Ti i ngre trarët e dhomave të tua të sipërme lart mbi re,+
kurse retë i bën karrocën tënde+ dhe me krahët e erës lëviz.+
4 Engjëjt e tu i bën si erë e stuhishme,
shërbëtorët e tu si zjarr flakërues.+
5 Tokën e ke ngritur mbi themele të patundura;+
ajo nuk do të luajë vendit kurrën e kurrës.+
6 E mbështolle me ujëra të thella si me një rrobë;+
ujërat mbulonin majat e maleve.
7 Sapo ngrite zërin, ato ia mbathën;+
nga gjëmimi i bubullimës sate ia dhanë vrapit në panik
8 —malet u ngritën,+ luginat u ulën—
deri në vendin që ti kishe caktuar për to.
9 Një kufi u vure, të cilin nuk duhej ta kalonin,+
që të mos e mbulonin tokën më kurrë.
10 Ti i dërgon ujërat nëpër lugina
dhe ato rrjedhin pa pushim mes maleve.
11 Atje pinë tërë kafshët e egra të tokës;
atje shuajnë etjen gomarët e egër.
12 Pranë tyre pushojnë zogjtë e qiellit,
që këndojnë mes gjethnajës së dendur.
13 Nga dhomat e tua të sipërme, ti u jep ujë maleve;+
toka ngopet me frytin e veprave të tua.+
14 Falë teje mbin bari për bagëtinë
dhe bimësia për të mirën e njeriut,+ që toka të prodhojë ushqim:
15 verën që ia gëzon zemrën njeriut,+
vajin që ia shndrit fytyrën
dhe bukën që ia mban zemrën.+
16 Pemët e tua janë ngopur me ujë, o Jehova,
cedrat e Libanit që ti vetë mbolle.
17 Atje zogjtë ngrenë folenë,
kurse dëllinja është shtëpiza e lejlekut.+
18 Malet e larta janë shtëpi për dhitë e maleve;+
nëpër shkrepa gjejnë strehë lepujt e shkëmbinjve.+
19 Hënën ti e vure për të shënuar stinët;
ti e vure edhe diellin që e di mirë orën e perëndimit të tij.+
20 Ti sjell errësirën, dhe nata bie;+
nëpër të enden tërë kafshët e egra të pyllit.
21 Luanët e rinj ulërijnë teksa gjuajnë prenë,+
dhe Perëndisë i kërkojnë ushqim.+
22 Sapo shkëlqen dielli,
ata tërhiqen e struken në strofkat e tyre.
23 Njeriu shkon në punë të vet
dhe punon fort gjer në mbrëmje.
24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova!+
Të gjitha i ke bërë me mençuri!+
Toka është plot e përplot me ato që bëre ti!
25 Në detin e madh e të paanë
gëlojnë e s’kanë të numëruar krijesa të vogla e të mëdha.+
26 Atë e përshkojnë anijet dhe leviathani,+
që ti e ke bërë për të lodruar në të.
27 Të gjitha krijesat i mbajnë sytë nga ti,
që t’u japësh ushqim në kohën e duhur.+
28 Ti u jep atyre dhe ato mbledhin;+
kur ti hap dorën, ngopen me të mira.+
29 Kur ti i largon sytë, ato shqetësohen;
po t’ua heqësh frymën, marrin fund e kthehen në pluhur.+
30 Kur ti dërgon frymën tënde të shenjtë, lind jeta;+
ti e përtërin gjithë faqen e dheut.
31 Lavdia e Jehovait do të zgjatë përjetë;
Jehovait do t’i bëhet zemra mal falë veprave të veta.+
32 Ai sheh tokën, e ajo dridhet e tëra;
i prek malet, e ato nxjerrin tym.+
33 Gjithë jetën do t’i këndoj Jehovait!+
Sa të jem gjallë do t’i thur lavde Perëndisë tim!+
34 Të këndshme qofshin për të mendimet e mia!
Unë do të gëzoj falë Jehovait.
35 Mëkatarët do të shuhen krejt nga faqja e dheut;
të ligjtë nuk do të ekzistojnë më.+
Lëvdo Jehovain, o shpirti im! Lëvdoni Jah!