Numrat
16 Më pas, Korahu,+ biri i Izarit,+ biri i Kehathit,+ biri i Levit,+ u bashkua me Datanin e Abiramin, bijtë e Eliabit,+ e me Onin, birin e Pelethit, nga bijtë e Rubenit,+ 2 dhe u ngritën kundër Moisiut bashkë me 250 izraelitë, krerë të asamblesë, të zgjedhur të kongregacionit, burra të shquar. 3 Kështu u mblodhën kundër+ Moisiut dhe Aronit e u thanë: «Mjaft më me ju, sepse të gjithë janë të shenjtë,+ po, tërë asambleja, dhe Jehovai është mes tyre.+ Pse u dashka të dilni ju mbi kongregacionin e Jehovait?!»
4 Me ta dëgjuar këtë, Moisiu u përkul menjëherë me fytyrë përtokë. 5 Pastaj i tha Korahut dhe tërë përkrahësve të tij: «Në mëngjes Jehovai do të bëjë të njohur kush i përket atij,+ kush është i shenjtë dhe kush duhet t’i afrohet.+ Atë që do të zgjedhë,+ ai do t’i afrohet. 6 Bëni kështu: ti Korah dhe tërë përkrahësit e tu,+ merrni mbajtëse zjarri,+ 7 dhe nesër vini zjarr në to e hidhuni temjan para Jehovait. Ai që do të zgjedhë Jehovai+ është i shenjti. O bij të Levit,+ e kaluat cakun!»
8 Moisiu i tha prapë Korahut: «Dëgjoni, ju lutem, o bij të Levit! 9 Ju duket gjë e vogël që Perëndia i Izraelit ju ka ndarë veç nga asambleja e Izraelit+ dhe ju ka lejuar t’i afroheni, që të bëni shërbim në tabernakullin e Jehovait e të qëndroni para asamblesë për t’i shërbyer asaj?+ 10 Të duket gjë e vogël që të ka afruar ty, Korah, bashkë me tërë vëllezërit e tu, bijtë e Levit? E tani kërkoni të shtini në dorë edhe priftërinë?!+ 11 Për këtë arsye, ti dhe tërë përkrahësit e tu, jeni mbledhur kundër Jehovait. Pastaj, kush është Aroni që të murmuritni kundër tij?!»+
12 Më vonë Moisiu dërgoi të thërritnin Datanin dhe Abiramin,+ bijtë e Eliabit, por ata thanë: «Nuk vijmë! 13 S’të mjafton që na nxore nga një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë për të na vrarë në shkretëtirë?!+ Tani do të bëhesh edhe zot mbi ne?!* 14 Faktikisht, nuk na ke sjellë në ndonjë vend ku rrjedh qumësht e mjaltë+ e as nuk na ke dhënë si trashëgimi ara e vreshta. Mos do t’u nxjerrësh edhe sytë këtyre burrave? Nuk vijmë, jo!»
15 Atëherë Moisiu u zemërua shumë dhe i tha Jehovait: «Mos e mirato blatimin e tyre në drithë. As edhe një gomar s’kam marrë prej tyre dhe as i kam bërë keq ndonjërit.»+
16 Kështu Moisiu i tha Korahut: «Ti dhe tërë përkrahësit e tu, paraqituni nesër para Jehovait bashkë me Aronin. 17 Secili të marrë mbajtësen e vet të zjarrit, t’i hedhë temjan dhe të paraqitë mbajtësen e vet para Jehovait, gjithsej 250 mbajtëse zjarri, bashkë me ty dhe Aronin, secili me mbajtësen e vet.» 18 Kështu secili mori mbajtësen e vet të zjarrit, vuri zjarr e temjan mbi të dhe qëndroi në hyrje të tendës së takimit bashkë me Moisiun dhe Aronin. 19 Pasi Korahu mblodhi tërë përkrahësit+ kundër tyre në hyrje të tendës së takimit, lavdia e Jehovait iu shfaq tërë asamblesë.+
20 Tani, Jehovai i tha Moisiut dhe Aronit: 21 «Ndahuni veç nga ky grup që ta shfaros në çast.»+ 22 Menjëherë ata u përkulën me fytyrë përtokë dhe thanë: «O Perëndi, ti që u jep jetë të gjithëve,*+ do të indinjohesh me tërë asamblenë nga mëkati i një njeriu të vetëm?!»+
23 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: 24 «Thuaji asamblesë: ‘Largohuni nga tendat e Korahut, të Datanit dhe të Abiramit.’»+
25 Pas kësaj, Moisiu u ngrit dhe shkoi te Datani e Abirami, dhe bashkë me të shkuan edhe pleqtë+ e Izraelit. 26 Ai i tha asamblesë: «Largohuni, ju lutem, nga tendat e këtyre njerëzve të ligj dhe mos prekni asgjë nga gjërat e tyre, që të mos shfaroseni për shkak të mëkatit të tyre.» 27 Ata u larguan menjëherë nga tendat e Korahut, të Datanit dhe të Abiramit, kurse Datani me Abiramin dolën e zunë vend në hyrje të tendave të tyre, bashkë me gratë, djemtë dhe të vegjlit.
28 Atëherë Moisiu tha: «Nga kjo do ta merrni vesh që Jehovai më ka dërguar të bëj gjithë këto gjëra dhe se nuk po i bëj me kokën* time: 29 nëse këta njerëz vdesin nga shkaqe natyrore si gjithë të tjerët dhe ndëshkohen si ndëshkohen të gjithë, atëherë mua nuk më ka dërguar Jehovai.+ 30 Por nëse Jehovai bën ndonjë gjë të jashtëzakonshme me ta dhe toka hapet* e i përpin me gjithë ç’kanë e ata zbresin të gjallë në Varr,* atëherë do ta merrni vesh mirë se këta burra kanë përbuzur Jehovain.»
31 Me të mbaruar tërë këto fjalë, toka nën këmbët e tyre u ça.+ 32 Ajo u hap* dhe i përpiu ata, familjet e tyre, tërë njerëzit që përkrahën Korahun+ dhe tërë zotërimet e tyre. 33 Kështu ata dhe tërë njerëzit që kishin shkuar pas tyre, zbritën të gjallë në Varr.* Toka i mbuloi e ata u zhdukën nga kongregacioni.+ 34 Me të dëgjuar klithmat e tyre, të gjithë izraelitët që gjendeshin rreth e përqark ia mbathën dhe thanë: «Kemi frikë se mos toka na përpin edhe ne!» 35 Pas kësaj, një zjarr erdhi nga Jehovai+ dhe përpiu të 250 burrat që po paraqitnin temjan.+
36 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: 37 «Thuaji Eleazarit, birit të priftit Aron, që të nxjerrë nga zjarri mbajtëset e zjarrit,+ sepse ato janë të shenjta; thuaji edhe ta shpërndajë zjarrin* pak më tutje. 38 Mbajtëset e zjarrit të njerëzve që humbën jetën ngaqë mëkatuan,* të bëhen petëza të holla metali për të veshur altarin,+ sepse ato u bënë të shenjta kur i paraqitën para Jehovait; duhet të shërbejnë si shenjë për izraelitët.»+ 39 Kështu prifti Eleazar mori mbajtëset e zjarrit prej bakri, që kishin paraqitur ata që i përpiu zjarri, dhe i rrahu e i ktheu në petëza që të vishte altarin, 40 siç i kishte thënë Jehovai me anë të Moisiut. Ky ishte një përkujtues për izraelitët që asnjeri i paautorizuar,* që s’ishte pasardhës i Aronit, të mos afrohej për të djegur temjan para Jehovait,+ dhe që asnjë të mos bëhej si Korahu dhe përkrahësit e tij.+
41 Që të nesërmen, tërë asambleja e izraelitëve nisi të murmuriste kundër Moisiut dhe Aronit,+ e të thoshte: «Ju të dy e keni vrarë popullin e Jehovait.» 42 Pasi asambleja ishte mbledhur kundër Moisiut dhe Aronit, ata u kthyen drejt tendës së takimit, dhe ja, reja e mbuloi dhe lavdia e Jehovait nisi të shfaqej.+
43 Atëherë Moisiu dhe Aroni vajtën para tendës së takimit,+ 44 dhe Jehovai i tha Moisiut: 45 «Largohuni që të dy nga kjo asamble që ta shfaros në çast!»+ Ata u përkulën menjëherë me fytyrë përtokë.+ 46 Pastaj Moisiu i tha Aronit: «Merr mbajtësen e zjarrit, vër në të zjarr nga altari+ dhe temjan, shko shpejt tek asambleja dhe bëj shlyerjen për ta,+ sepse indinjata e Jehovait ka shpërthyer dhe plaga ka nisur.» 47 Aroni e mori menjëherë mbajtësen, siç i kishte thënë Moisiu, dhe vrapoi në mes të kongregacionit, por plaga kishte nisur tashmë mes popullit. Prandaj ai vuri temjan në mbajtësen e zjarrit dhe nisi të bënte shlyerjen për popullin. 48 Ai qëndronte mes të vdekurve dhe të gjallëve, dhe avash-avash plaga u ndal. 49 Ata që vdiqën nga plaga, arritën deri në 14.700 veta, përveç atyre që vdiqën për shkak të Korahut. 50 Pasi plaga ishte ndalur, Aroni u kthye te Moisiu në hyrje të tendës së takimit.