א [Alef]
119 Lum ata që janë të paqortueshëm në jetë
dhe ecin sipas ligjit të Jehovait!+
2 Lum ata që ua vënë veshin përkujtuesve të tij+
dhe e kërkojnë me gjithë zemër!+
3 Ata nuk ecin në udhën e padrejtësisë,
por ecin në udhët e tij.+
4 Ti, o Perëndi, na ke urdhëruar që t’i zbatojmë me kujdes urdhrat e tu.+
5 Sa shumë dua të qëndroj i palëkundur në udhët e mia+
që të zbatoj rregullat e tua!
6 E kur t’i shoh nga afër tërë urdhërimet e tua,
nuk do të më vijë aspak turp;+
7 kur të njoh vendimet e tua të drejta,
do të të përlëvdoj nga një zemër e sinqertë.
8 Rregullat e tua do t’i zbatoj gjithnjë.
Mos më lër vetëm, mos më braktis!
ב [Beth]
9 Si mund ta mbajë të pastër një i ri shtegun e tij?
Duke qenë syçelë për të vepruar sipas fjalës sate.+
10 Të kërkoj me gjithë zemër,
ndaj mos më lër të largohem nga urdhërimet e tua.+
11 I ruaj fjalët e tua si thesar në zemër,+
që të mos mëkatoj kundër teje.+
12 Lëvduar qofsh, o Jehova!
Mësomë rregullat e tua.
13 Botës mbarë i tregoj me buzët e mia
tërë vendimet që ke shpallur ti.
14 Përkujtuesit e tu ma gëzojnë zemrën+
më shumë se çdo thesar i çmuar.+
15 Urdhërimet e tua do t’i bluaj në mendje,+
dhe sytë s’kam për t’i larguar nga shtigjet e tua.+
16 Ligjet e tua janë të shtrenjta për mua,
dhe fjalën tënde s’kam për ta harruar.+
ג [Gimel]
17 Ji zemërmirë me shërbëtorin tënd,
që të jetojë e ta zbatojë fjalën tënde.+
18 Hapmi sytë, që të shoh qartë mrekullitë e ligjit tënd.
19 Unë s’jam veçse një i ardhur në këtë vend.+
Mos m’i mbaj të fshehura urdhërimet e tua.
20 Shpirti më digjet gjithnjë për vendimet që shpall ti!
21 Ti i qorton arrogantët,
këta të mallkuar që largohen nga urdhërimet e tua.+
22 Hiq prej meje poshtërimin dhe përçmimin,
se unë ua vë veshin përkujtuesve të tu.
23 Edhe kur princat ulen e flasin kundër meje,
shërbëtori yt mendon thellë për rregullat e tua.
24 Përkujtuesit e tu janë të shtrenjtë për mua,+
se ata janë këshilltarët e mi.+
ד [Daleth]
25 Jam bërë njësh me pluhurin;+
më mbaj gjallë sipas fjalës që më dhe.+
26 Çdo udhë timen ty ta tregova, e ti më dëgjove;
mësomë rregullat e tua.+
27 Më ndihmo të kuptoj domethënien e urdhërimeve të tua,
që të mendoj thellë për veprat e tua të mrekullueshme.+
28 S’kam vënë gjumë në sy nga pikëllimi;
më jep forcë sipas fjalës që më dhe.
29 Largo nga unë udhën e mashtrimit;+
ji zemërmirë me mua dhe mësomë ligjin tënd.
30 Kam zgjedhur udhën e besnikërisë,+
se e pranoj që vendimet e tua janë të drejta.
31 Pas përkujtuesve të tu, fort kapem;+
o Jehova, mos lejo të zhgënjehem!+
32 Në udhën e urdhërimeve të tua do të rend,
sepse ti u bën vend në zemrën time.
ה [He]
33 O Jehova, më mëso+ udhën e rregullave të tua,
dhe unë do të eci në të deri sa të kem frymë.+
34 Ndriçoma mendjen, që të respektoj ligjin tënd
e ta zbatoj me gjithë zemër.
35 Më pri në shtegun e urdhërimeve të tua,+
sepse në të gjej shumë kënaqësi.
36 Prire zemrën time drejt përkujtuesve të tu e jo drejt lakmisë.+
37 M’i largo sytë nga gjërat e kota;+
më mbaj gjallë në udhën tënde.
38 Mbaje premtimin që i bëre shërbëtorit tënd,
që të gjithë të kenë nderim të thellë për ty.
39 Ma largo poshtërimin që aq fort i trembem,
se vendimet e tua janë të mira.+
40 Sa fort i dua urdhrat e tu!
Më mbaj gjallë për hir të drejtësisë sate.
ו [Ua]
41 O Jehova, sa dua të ndiej dashurinë tënde besnike,+
dorën tënde shpëtimtare, siç më premtove,+
42 që t’i përgjigjem atij që më përbuz,
sepse kam besim te fjala jote!
43 Qofshin gjithmonë në gojën time fjalët e së vërtetës,
se te vendimi yt kam shpresuar.
44 Do ta zbatoj ligjin tënd përherë, po, në jetë të jetëve.+
45 Do të eci në vend të sigurt,+
sepse urdhrat e tu i kërkoj me ngulm.
46 Para mbretërve do të flas për përkujtuesit e tu,
e s’ka për të më ardhur turp.+
47 Urdhërimet e tua janë të shtrenjta për mua!
Oh, sa shumë i dua!+
48 Duart në lutje do t’i ngre, sepse i dua urdhërimet e tua,+
e për rregullat e tua do të mendoj thellë.+
ז [Zajin]
49 Mbaje mend fjalën që i dhe shërbëtorit tënd,
me të cilën më jep shpresë.
50 Kjo më ngushëllon në vuajtjen time,+
po, fjalët e tua më kanë mbajtur gjallë.
51 Arrogantët më përbuzin sa s’ka ku të vejë më,
por unë nuk i shmangem ligjit tënd.+
52 O Jehova, i kujtoj vendimet e tua të lashta,+
dhe në to gjej ngushëllim.+
53 Një zjarr i tërbuar më ka pushtuar
për shkak të të ligut që e braktis ligjin tënd.+
54 Rregullat e tua janë si melodi për mua, kudo që banoj.
55 Natën e kujtoj emrin tënd, o Jehova,+
që të zbatoj ligjin tënd.
56 Kështu kam bërë gjithmonë,
sepse u jam përmbajtur urdhrave të tu.
ח [Heth]
57 Ti, o Jehova, je pjesa ime;+
unë të kam premtuar që do t’i zbatoj fjalët e tua.+
58 Me gjithë zemër të përgjërohem;+
ji zemërmirë me mua+ siç më premtove.
59 I kam shqyrtuar udhët e mia,
që t’i drejtoj hapat nga përkujtuesit e tu.+
60 Nxitoj e nuk vonoj
që të zbatoj urdhërimet e tua.+
61 Litarët e të ligjve më mbështjellin,
por ligjin tënd unë nuk e harroj.+
62 Në mes të natës zgjohem
të të falënderoj për vendimet e tua të drejta.+
63 I kam miq të gjithë ata që të nderojnë thellësisht
dhe ata që zbatojnë urdhrat e tu.+
64 Dashuria jote besnike, o Jehova, mbush gjithë tokën;+
mësomë rregullat e tua.
ט [Teth]
65 Ti ke qenë i mirë me shërbëtorin tënd, o Jehova,
sipas fjalës që më dhe.
66 Më mëso të kem gjykim të mirë dhe më jep njohuri,+
sepse kam besim tek urdhërimet e tua.
67 Dikur endesha larg udhës sate dhe vuaja,
kurse tani i zbatoj fjalët e tua.+
68 Ti je i mirë+ dhe gjithë veprat e tua janë të mira;
mësomë rregullat e tua.+
69 Arrogantët ma përlyejnë emrin me gënjeshtra,
por unë u përmbahem me gjithë zemër urdhrave të tu.
70 Zemra e tyre është e pandjeshme,+
kurse unë e kam për zemër ligjin tënd.+
71 Më mirë që vuajta,+ se kështu mësova rregullat e tua.
72 Ligji që shpalle, është për të mirën time;+
për mua është më i mirë se mijëra monedha ari dhe argjendi.+
י [Jod]
73 Duart e tua më bënë dhe më dhanë formë.
Ndriçoma mendjen, që të mësoj urdhërimet e tua.+
74 Ata që të nderojnë thellësisht, më shohin dhe gëzojnë,
sepse te fjala jote i kam varur shpresat.+
75 Unë e di, o Jehova, se vendimet e tua janë të drejta,+
dhe se ti lejove që të vuaja ngaqë je besnik.+
76 Të lutem, më ngushëllo me dashurinë tënde besnike,+
siç i premtove shërbëtorit tënd!
77 Tregomë mëshirë, që të mbetem gjallë,+
sepse ligji yt është i shtrenjtë për mua!+
78 U turpërofshin arrogantët,
se më bien në qafë pa shkak!
Por unë do t’i bluaj në mendje urdhrat e tu!+
79 Le të kthehen tek unë ata që të nderojnë thellësisht,
ata që i njohin përkujtuesit e tu.
80 I zbatofsha me gjithë zemër rregullat e tua,+
që të mos turpërohem!+
כ [Haf]
81 Më digjet shpirti për dorën tënde shpëtimtare,+
se te fjala jote i kam varur shpresat.
82 Sytë m’u tretën tek prisja për fjalën që më dhe,+
ndaj pyes: «Kur do të më ngushëllosh?»+
83 Se jam tharë si caliku i rreshkur në tym,
por rregullat e tua nuk i harroj.+
84 Edhe sa ditë duhet të presë shërbëtori yt?
Kur do t’i ndëshkosh ata që më përndjekin?+
85 Arrogantët hapin gropa që të bie brenda,
po, ata që s’duan t’ia dinë për ligjin tënd.
86 Të gjitha urdhërimet e tua janë të besueshme.
Jam përndjekur pa shkak, ndaj më ndihmo!+
87 Për pak sa s’më zhdukën nga faqja e dheut,
por unë nuk i braktisa urdhrat e tu.
88 Më mbaj gjallë për hir të dashurisë sate besnike,
që t’ua vë veshin përkujtuesve që më ke dhënë.
ל [Lamed]
89 O Jehova, fjala jote do të qëndrojë përgjithnjë;
do të jetë e qëndrueshme si qiejt.+
90 Ti tregon besnikëri brez pas brezi.+
Tokën e ke ngritur mbi themele të forta, që të mbetet përgjithnjë.+
91 Sipas vendimeve të tua, gjithçka qëndron sot e kësaj dite,
sepse i gjithë krijimi është në shërbimin tënd.
92 Po të mos e kisha për zemër ligjin tënd,
do të kisha marrë fund në vuajtjen time.+
93 Nuk do t’i harroj kurrë urdhrat e tu,
se me anë të tyre më ke mbajtur në jetë.+
94 Unë të përkas ty, ndaj më shpëto,+
se i kam shqyrtuar me kujdes urdhrat e tu.+
95 Të ligjtë zënë pusí që të më rrënojnë,
por unë u kushtoj vëmendje përkujtuesve të tu.
96 Pashë që çdo gjë, sado e përsosur, e ka një cak,
kurse urdhërimet e tua janë të pakufishme.
מ [Mem]
97 Oh, sa e dua ligjin tënd!+
Gjithë ditën e ditës e bluaj në mendje.+
98 Urdhërimet e tua më bëjnë më të mençur se armiqtë e mi,+
sepse janë gjithnjë me mua.
99 Kam më shumë gjykim të thellë se tërë mësuesit e mi,+
ngaqë bluaj në mendje përkujtuesit e tu.
100 Sillem më me mend se të moshuarit,
se u përmbahem urdhrave të tu.
101 Nuk pranoj të eci në asnjë udhë të ligë,+
që të zbatoj fjalën tënde.
102 Nuk jam larguar nga vendimet e tua,
sepse ti vetë më ke mësuar.
103 Sa të ëmbla janë fjalët e tua për qiellzën time,
më të ëmbla se mjalti për gojën time!+
104 Falë urdhrave të tu, unë sillem me mend,+
prandaj urrej çdo udhë të rreme.+
נ [Nun]
105 Fjala jote është llambë për këmbët e mia,
është dritë për shtegun tim.+
106 Kam bërë një betim dhe do ta mbaj.
Po, do t’i zbatoj vendimet e tua të drejta.
107 Kam hequr shumë vuajtje.+
O Jehova, më mbaj gjallë sipas fjalës që më dhe.+
108 O Jehova, të lutem, gjej ëndje në flijimet e mia të lëvdimit+
dhe mësomë vendimet e tua.+
109 Ndonëse e kam kokën gjithnjë në rrezik,
nuk e kam harruar ligjin tënd.+
110 Të ligjtë kanë ngritur gracka për të më zënë,
por unë nuk jam shmangur nga urdhrat e tu.+
111 Përkujtuesit e tu janë trashëgimia ime përjetë,
sepse janë gëzimi i zemrës sime.+
112 Me gjithë zemër kam vendosur
që rregullave të tua t’u bindem përherë,
derisa të kem frymë.
ס [Sameh]
113 I urrej njerëzit me zemër të lëkundur,+
por e dua ligjin tënd.+
114 Ti je streha ime, mburoja ime;+
te fjala jote i kam varur shpresat.+
115 Mos m’u afroni, o njerëz të ligj,+
se dua t’i zbatoj urdhërimet e Perëndisë tim.
116 Më mbështet siç më premtove,+ që të mbetem gjallë;
mos lejo që shpresa të më kthehet në zhgënjim.+
117 M’u bëj krah, që të shpëtoj;+
atëherë s’do t’ua ndaj sytë rregullave të tua.+
118 Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga rregullat e tua,+
se janë mashtrues dhe tinëzarë.
119 Ti i flak tej nga faqja e dheut gjithë të ligjtë
si të ishin zgjyrë e pavlerë metalesh.+
Ja pse unë i dua përkujtuesit e tu.
120 Më ngjethet mishi nga frika jote,
dhe vendimet e tua më ngjallin nderim të thellë.
ע [Ajën]
121 Kam vepruar me paanshmëri dhe drejtësi.
Mos më braktis në duart e shtypësve të mi!
122 Sigurohu që shërbëtorit tënd t’i vejë mbarë.
Mos i lejo arrogantët të më shtypin!
123 Sytë m’u tretën teksa pritnin shpëtimin që sjell ti,+
teksa pritnin premtimet e tua të drejta.+
124 Tregoji dashuri besnike shërbëtorit tënd,+
dhe mësomë rregullat e tua.+
125 Unë jam shërbëtori yt.
Ndriçoma mendjen,+ që t’i kuptoj përkujtuesit e tu.
126 O Jehova, ka ardhur koha të veprosh,+
se ata kanë shkelur ligjin tënd.
127 Oh, sa i dua urdhërimet e tua!
I dua më shumë se arin, po, më shumë se arin e kulluar.+
128 Ndaj e konsideroj të drejtë çdo udhëzim tëndin+
dhe e urrej çdo shteg të rremë.+
פ [Pe]
129 Përkujtuesit e tu janë të mrekullueshëm,
prandaj ua vë veshin.
130 Kur zbulohen, fjalët e tua japin dritë+
dhe ia ndriçojnë mendjen të papërvojit.+
131 Sa shumë digjem për urdhërimet e tua,+
aq shumë sa më mbahet fryma.
132 Kthehu nga unë e ji zemërmirë me mua,+
siç bën gjithnjë me ata që e duan emrin tënd.+
133 M’i drejto hapat me anë të fjalës sate,
që të eci në shtigje të sigurta;
asnjë e keqe mos më shtëntë në dorë!+
134 Më çliro nga duart e shtypësve,
që t’i zbatoj urdhrat e tu.
135 Shihe shërbëtorin tënd me një buzëqeshje miratimi+
dhe mësomë rregullat e tua.
136 Nga sytë lotët më rrjedhin çurg,
ngaqë populli nuk zbaton ligjin tënd.+
צ [Cade]
137 Ti je i drejtë, o Jehova,+
dhe vendimet e tua janë të paanshme.+
138 Përkujtuesit e tu janë të drejtë
dhe plotësisht të besueshëm.
139 Zelli për ty më përpin,+
ngaqë kundërshtarët e mi i kanë harruar fjalët e tua.
140 Fjalët e tua janë krejt të kulluara!+
Oh, sa shumë i do shërbëtori yt!+
141 Ndonëse jam i papërfillshëm dhe i përbuzur,+
nuk i kam harruar urdhrat e tu.
142 Drejtësia jote është e përjetshme,+
dhe ligji yt është i vërtetë.+
143 Ndonëse brengat dhe hallet më mundojnë,
urdhërimet e tua i kam për zemër.
144 Përkujtuesit e tu janë përjetësisht të drejtë.
Ndriçoma mendjen,+ që të mbetem gjallë.
ק [Kof]
145 Të thërras me gjithë zemër.
M’u përgjigj, o Jehova, se rregullat e tua do t’i zbatoj.
146 Ty të thërras. Të lutem, më shpëto,
se do t’ua vë veshin përkujtuesve të tu.
147 Jam zgjuar para se të agojë, që të të thërras për ndihmë,+
se te fjalët e tua i kam varur shpresat.
148 Sytë më hapen në mes të natës,
që të bluaj në mendje fjalët e tua.+
149 Dëgjoje zërin tim për hir të dashurisë sate besnike!+
O Jehova, më mbaj gjallë sipas drejtësisë sate!
150 Ata që i ndyjnë duart me veprime të turpshme, më vijnë pranë;
ata janë shumë larg ligjit tënd.
151 Por ti je afër meje, o Jehova,+
dhe tërë urdhërimet e tua janë të vërteta.+
152 Shumë kohë më parë mësova se përkujtuesit e tu
i ke bërë që të mbeten përgjithmonë.+
ר [Resh]
153 Shih sa po vuaj dhe më çliro,+
se nuk e kam harruar ligjin tënd.
154 Më mbro e më çliro;+
më mbaj gjallë, siç më premtove.
155 Shpëtimi është shumë larg të ligjve,
sepse ata nuk i kanë shqyrtuar me kujdes rregullat e tua.+
156 E madhe është mëshira jote, o Jehova!+
Sipas drejtësisë sate, më mbaj në jetë!
157 Përndjekësit dhe kundërshtarët e mi janë të shumtë,+
por unë nuk u jam shmangur përkujtuesve të tu.
158 I shoh me neveri tradhtarët,
sepse ata nuk i zbatojnë fjalët e tua.+
159 Shih, sa shumë i dua urdhrat e tu!
O Jehova, më mbaj gjallë për hir të dashurisë sate besnike!+
160 Esenca e fjalës sate është e vërteta,+
dhe çdo vendim i drejtë që jep, është i përjetshëm.
ש [Sin] ose [Shin]
161 Princat më përndjekin+ pa shkak,
por zemra ime mahnitet nga fjalët e tua.+
162 Fjalët e tua ma gëzojnë zemrën,+
ashtu si gëzon një luftëtar kur gjen plaçkë të madhe.
163 E urrej gënjeshtrën!
Është e pështirë për mua!+
Por ligjin tënd e dua shumë!+
164 Për vendimet e tua të drejta,
shtatë herë në ditë të lëvdoj.
165 Ata që e duan ligjin tënd,+
gëzojnë paqe të pafund e s’ka gjë që t’i pengojë.
166 O Jehova, unë i kam varur shpresat te dora jote shpëtimtare,
dhe i zbatoj urdhërimet e tua!
167 Ua vë veshin përkujtuesve të tu,
se janë shumë të shtrenjtë për mua.+
168 I zbatoj urdhrat dhe përkujtuesit e tu,
sepse tërë udhët e mia janë para syve të tu.+
ת [Ta]
169 O Jehova, ardhtë te ti britma ime për ndihmë!+
Ndriçoma mendjen sipas fjalës që më dhe.+
170 Ardhtë te ti përgjërimi im!
Më shpëto, siç më premtove.
171 Nga buzët e mia lavde do të vërshojnë,+
sepse ti më mëson rregullat e tua!
172 Goja ime thurtë këngë për fjalën tënde,+
sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta!
173 Dora jote më ndihmoftë pa vonesë,+
sepse unë zgjedh t’u bindem urdhrave të tu!+
174 Po më digjet shpirti për dorën tënde shpëtimtare, o Jehova,
dhe ligji yt është i shtrenjtë për mua.+
175 Më mbaj gjallë që të të lëvdoj!+
Vendimet e tua më ndihmofshin!
176 Jam endur sa andej këtej si dele e humbur.+
Kërkoje shërbëtorin tënd, se nuk i kam harruar urdhërimet e tua.+