1A Emri i Perëndisë në Shkrimet Hebraike
Heb., יהוה (JHVH)
Emri personal i Perëndisë, «Jehova» (Heb., יהוה, JHVH), shfaqet për herë të parë te Zn 2:4. Emri hyjnor është forma shkakore, në kohën e pakryer, e foljes hebraike הוה (haváh, «bëhem»). Prandaj, emri i Perëndisë do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Ky e paraqit Jehovain si Ai që, duke vepruar hap pas hapi, shkakton të bëhet Përmbushësi i premtimeve, Ai që gjithmonë i realizon qëllimet e tij. Shih shtojcën 2B.
Fyerja më e madhe që i bëjnë përkthyesit e sotëm Autorit Hyjnor të Shkrimeve të Shenjta është heqja ose fshehja e emrit të tij personal. Në të vërtetë, emri i tij shfaqet në tekstin hebraik 6.828 herë në formën יהוה (JHVH). Kjo formë në përgjithësi quhet Tetragrami (fjalë për fjalë do të thotë «që ka katër germa»). Duke përdorur emrin «Jehova», ne i jemi përmbajtur ngushtësisht teksteve në gjuhët origjinale dhe nuk kemi ndjekur zakonin e zëvendësimit të emrit të Perëndisë, Tetragramit, me tituj të tillë si: «Zotëri», «Zotëria», «Adonai» ose «Perëndi».
Sot, me përjashtim të pak fragmenteve të Septuagintës së hershme greke, ku emri i shenjtë është ruajtur në hebraisht, vetëm në shkrimet Hebraike është ruajtur ky emër shumë i rëndësishëm në formën e tij origjinale me katër germa, יהוה (JHVH). Shqiptimi i saktë i tij nuk është ruajtur. Tekstet ekzistuese në qarkullim të Septuagintës greke (LXX), Peshitës siriake (Sy) dhe të Vulgatës latine (Vg), e zëvendësojnë emrin e pashoq të Perëndisë thjesht me titullin «Zotëri».—Shih shtojcën 1C.
Teksti që ndodhej në ish-B.R.S.S., pra Kodiku i Leningradit B 19A, i përdorur për botimin e Biblia Hebraica Stuttgartensia (BHS), vendos pikat-zanore në Tetragram, që të lexohet Jehváh, Jehvíh dhe disa herë Jehováh, si te Zn 3:14. Botimi i tekstit hebraik nga Ginsburg (Gins.) vendos pikat-zanore te fjala JHVH, që të lexohet Jehováh. Edhe pse shumë përkthyes parapëlqejnë shqiptimin «Jahveh», Përkthimi Bota e Re vazhdon të përdorë formën «Jehova», sepse njerëzit e njohin mirë prej shekujsh. Përveç kësaj, ruan, njësoj me format e tjera, katër germat e emrit hyjnor, JHVH.
Zakoni i zëvendësimit të emrit të Perëndisë me tituj, që u zhvillua nga judenjtë, u zbatua në kopjet e mëvonshme të Septuagintës greke, të Vulgatës latine dhe në shumë përkthime të tjera të lashta e të kohëve të sotme. Për këtë arsye në fjalorin A Greek-English Lexicon të autorëve Lidell dhe Skot (LSJ), fq. 1013, thuhet: «ὁ Κύριος,=hebr. Jahveh, LXX Ge. 11.5, al.» Gjithashtu në fjalorin Greek Lexicon of the Roman and Byzantine Periods, të autorit E. A. Sofokles, Kembrixh, SHBA, dhe Lajpcig, 1914, fq. 699, thuhet nën fjalën κύριος (Kírios): «Zotëri, term për fjalën יהוה. Sept. passim [i shpërndarë andej-këtej në tërë tekstin].» Për më tepër në fjalorin Dictionnaire de la Bible, të autorit F. Vigurë, Paris, 1926, vëll. 1, kol. 223, thuhet se «Septuaginta dhe Vulgata përmbajnë fjalët Κύριος dhe Dominus, ‘Zotëri’, atje ku në origjinal është fjala ‘Jehova’». Në lidhje me emrin e Perëndisë, në fjalorin A Compendious Syriac Dictionary, nga Xh. Pejn Smith, Oksford, ribotimi i vitit 1979, fq. 298, thuhet se Marjaʼ «në versionin Peshita [siriake] të B. V. përfaqëson Tetragramin».
Në pesë librat e parë të Biblës që përktheu Uilliam Tindali në vitin 1530, shfaqet për herë të parë në anglisht emri i Jehovait. Ai shkroi «Iehouah» (te Zn 15:2; Da 6:3; 15:3; 17:16; 23:17; 33:19; 34:23) dhe «Iehoua» (te Lp 3:24). Në një shënim të këtij botimi, Tindali shkroi: «Iehova është emri i Perëndisë . . . Për më tepër, sa herë shihni fjalën ZOTËRI me shkronja të mëdha (përveçse kur ka ndonjë gabim shtypi), ajo është në hebraisht Iehova.» Nga kjo, mes përkthyesve lindi zakoni për ta përdorur emrin Jehova vetëm në pak vende dhe të shkruanin «ZOTËRI» ose «PERËNDI» në shumicën e vendeve ku shfaqet Tetragrami në hebraisht. Ky zakon u përvetësua nga përkthyesit e botimit King James Version në vitin 1611, ku emri i Jehovait shfaqet vetëm katër herë, domethënë te Da 6:3; Ps 83:18; Is 12:2; 26:4.
Më tej, në botimin Theological Wordbook of the Old Testament, vëll. 1, Çikago (1980), fq. 13, thuhet: «Për të shmangur përdorimin pa respekt të emrit të Perëndisë (JHVH), judenj të devotshëm filluan ta zëvendësonin emrin e përveçëm me fjalën ʼǎdōnā(y). Megjithëse masoretët i lanë katër bashkëtingëlloret origjinale në tekst, ata shtuan zanoret ē (në vend të ǎ për arsye të tjera) dhe ā, për ta kujtuar lexuesin që ta shqiptojë ʼǎdōnā(y) pavarësisht nga bashkëtingëlloret. Kjo veçori shfaqet më tepër se gjashtë mijë herë në Biblën Hebraike. Shumica e përkthimeve përdorin shkronjat e mëdha për titullin ‘ZOTËRI’. Bëjnë përjashtime përkthimi ASV [American Standard Version] dhe Përkthimi Bota e Re, që përdorin fjalën ‘Jehova’, Amplified [Bible] që përdor fjalën ‘Zotëri’ dhe JB [The Jerusalem Bible] që përdor ‘Jahveh’. . . . Në ato vende ku shfaqet ʼǎdōnā(y) jhvh, në fjalën e fundit janë vendosur pika-zanore nga zanoret e fjalës ʼēlōhim, dhe kështu lindën terma të tillë si ‘Zotëria PERËNDI’ (për shembull, Amosi 7:1).»
EMRI I PERËNDISË NË SHKRIMET HEBRAIKE (BR)
Vetë fakti që emri shfaqet shpesh në Bibël, dëshmon se sa i rëndësishëm është ai për autorin e Biblës, që mban atë emër. Tetragrami shfaqet 6.828 herë në tekstin hebraik (BHK dhe BHS). Kjo pranohet nga botimi Theologisches Handwörterbuch zum Alten Testament, vëll. 1, i autorëve E. Jeni dhe K. Vesterman, botimi i tretë, Mynih dhe Zyrih, 1978, kolonat 703, 704. Përkthimi Bota e Re e përkthen Tetragramin me fjalën «Jehova» në të gjitha rastet, përveçse te Gjy 19:18, ku disa dorëshkrime e përkthejnë frazën «po kthehem në shtëpi» me frazën «po kthehem në shtëpinë e Jehovait». Por sipas KB-së, fq. 369, në këtë rast fjala «Jehova» mund të jetë një keqkuptim i përemrit pronor në vetën e parë njëjës, «tim».
Duke u bazuar në tekstin LXX, kemi rivendosur Tetragramin në tri vende dhe e kemi shkruar atë «Jehova», domethënë te Lp 30:16; 2Sa 15:20 dhe 2Kr 3:1, ku shënimet te BHK-ja kanë fjalën יהוה.
Sipas shënimeve të BHK-së dhe BHS-së, tek Is 34:16 dhe te Za 6:8, në vend të përemrit në vetën e parë njëjës, «ime», duhet lexuar emri i Perëndisë. Ne e rivendosëm emrin e Perëndisë në këto dy vende dhe e shkruam «Jehova».
Për një shpjegim të 141 rivendosjeve të tjera të emrit të Perëndisë, shih shtojcën 1B.
Emri «Jehova» shfaqet 6.973 herë në tekstin e Shkrimeve Hebraike të Përkthimit Bota e Re, përfshirë edhe tre emrat e ndërthurur (Zn 22:14; Da 17:15; Gjy 6:24) dhe gjashtë rastet te mbishkrimet e Psalmeve (7; 18 [3 herë]; 36; 102). Këto nëntë raste janë përfshirë në 6.828 herët që shfaqet në versionet BHK dhe BHS.
FORMA E SHKURTËR E EMRIT TË PERËNDISË
Forma e shkurtër e emrit të Perëndisë shfaqet 50 herë në tekstin masoretik me fjalën Jah. Më poshtë vijon një listë me rastet ku shfaqet kjo formë: Da 15:2; 17:16; Ps 68:4, 18; 77:11; 89:8; 94:7, 12; 102:18; 104:35; 105:45; 106:1, 48; 111:1; 112:1; 113:1, 9; 115:17, 18, 18; 116:19; 117:2; 118:5, 5, 14, 17, 18, 19; 122:4; 130:3; 135:1, 3, 4, 21; 146:1, 10; 147:1, 20; 148:1, 14; 149:1, 9; 150:1, 6, 6; Kng 8:6; Is 12:2; 26:4; 38:11, 11.
Për një trajtim të 237 rasteve të fjalës «Jehova» në Shkrimet e Krishtere Greke: Përkthimi Bota e Re, shih Shtojcën 1Ç.
Fjala «Jehova» në SH.H. të BR-së
6.827 YHWH e përkthyer «Jehova»
146 rivendosje të tjera
gjithsej 6.973 «Jehova» nga Zn deri te Ma