A1
Parimet e përkthimit të Biblës
Fillimisht Bibla u shkrua në hebraishten, në aramaishten dhe në greqishten e lashtë. Sot disponohet e plotë ose pjesërisht në më shumë se 3.000 gjuhë. Pothuajse të gjithë lexuesit e Biblës nuk i kuptojnë gjuhët origjinale në të cilat u shkrua, prandaj kanë nevojë për një përkthim të saj. Por, çfarë parimesh duhet të ndiqen për të përkthyer Biblën? Dhe si janë zbatuar këto parime në Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re?
Disa mund të mendojnë se një përkthim i ngurtë fjalë për fjalë, ose interlinear, do ta ndihmonte lexuesin të kapte më mirë kuptimin e asaj që ishte shkruar në gjuhët origjinale. Megjithatë, nuk është gjithmonë kështu. Të shqyrtojmë disa arsye:
Nuk ekzistojnë dy gjuhë që të jenë plotësisht të ngjashme për sa i përket gramatikës, fjalorit dhe ndërtimit të fjalisë. Një profesor i hebraishtes, S. R. Drajvëri, shkroi se gjuhët «ndryshojnë jo vetëm në gramatikë dhe në prejardhjen e fjalëve, por edhe . . . në mënyrën se si lidhen idetë në një fjali». Mendimet formulohen në mënyra krejt të ndryshme në gjuhë të ndryshme. Profesori Drajvër shtoi: «Si pasojë, edhe mënyrat e ndërtimit të fjalive në gjuhë të ndryshme nuk janë të njëjta.»
Asnjë gjuhë e sotme nuk pasqyron plotësisht fjalorin dhe gramatikën e hebraishtes, të aramaishtes dhe të greqishtes së kohëve biblike. Prandaj një përkthim fjalë për fjalë i Biblës mund të ishte i paqartë, madje mund të përcillte ide të gabuara.
Kuptimi i një fjale apo i një shprehjeje mund të ndryshojë në varësi të kontekstit.
Një përkthyes mund të pasqyrojë fjalë për fjalë tekstin e gjuhës origjinale në disa fragmente, por kjo duhet bërë me shumë kujdes.
Ja disa shembuj se si përkthimi fjalë për fjalë mund të përcjellë ide të gabuara:
Në Shkrime shprehjet ‘fle’ dhe ‘bie në gjumë’ i referohen si gjumit të mirëfilltë, ashtu edhe gjumit të vdekjes. (Mateu 28:13; Veprat 7:60) Kur këto shprehje përdoren në kontekste që i referohen vdekjes, përkthyesit e Biblës mund të përdorin shprehje të tilla, si ‘bie në gjumin e vdekjes’, e cila i ndihmon lexuesit e sotëm të mos ngatërrohen.—1 Korintasve 7:39; 1 Selanikasve 4:13; 2 Pjetrit 3:4.
Tek Efesianëve 4:14, apostulli Pavël përdori një shprehje që fjalë për fjalë mund të përkthehet «në lojën me zare të njerëzve». Kjo idiomë e vjetër lidhej me zakonin e mashtrimit kur luhej me zare. Në shumicën e gjuhëve, kjo idiomë nuk ka kuptim kur përkthehet fjalë për fjalë, prandaj kjo shprehje është përkthyer «dredhitë e njerëzve», e cila e përcjell më qartë idenë.
Te Romakëve 12:11, përdoret një shprehje greke, që fjalë për fjalë do të thotë «të zieni frymën». Kjo nuk përcjell kuptimin e duhur në shqip, prandaj shprehja është përkthyer: «Lëreni frymën e shenjtë të vlojë si zjarr në zemrat tuaja.»
Gjatë Predikimit të famshëm në Mal, Jezui përdori një shprehje që shpesh është përkthyer: «Lum skamësit në frymë.» (Mateu 5:3, Përkthimi Dio) Mirëpo në shumë gjuhë, ky përkthim fjalë për fjalë është i paqartë, madje mund të përcjellë idenë se ai që është ‘i skamur në frymë’, ka çrregullime mendore ose i mungon entuziazmi apo vendosmëria. Megjithatë, në këtë rast, Jezui po i mësonte njerëzit se do të ishin të lumtur po të pranonin se kishin nevojë për drejtimin e Perëndisë, jo po të plotësonin nevojat fizike. (Luka 6:20) Kështu, domethënia e kësaj shprehjeje përcillet më saktësisht kur përkthehet «ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë».—Mateu 5:3.
Në mjaft kontekste, fjala hebraike e përkthyer «xhelozi» ka të njëjtin kuptim si në shqip, domethënë, të zemërohesh kur dyshon se një person i dashur të ka tradhtuar, ose të kesh zili të tjerët për gjërat që kanë. (Proverbat 6:34; Isaia 11:13) Megjithatë, e njëjta fjalë hebraike ka edhe ngjyrim pozitiv. Për shembull, ajo është përdorur për të treguar ‘zellin’, ose dëshirën e zjarrtë të Jehovait, për të mbrojtur shërbëtorët e vet ose ‘për të kërkuar përkushtim vetëm ndaj tij’. (Eksodi 34:14; 2 Mbretërve 19:31; Ezekieli 5:13; Zakaria 8:2) Gjithashtu është përdorur që të tregojë se shërbëtorët besnikë të Perëndisë kanë ‘zell’ për të dhe për adhurimin e tij ose që ‘nuk tolerojnë asnjë rivalitet’ ndaj tij.—Psalmi 69:9; 119:139; Numrat 25:11.
Fjala hebraike që fjalë për fjalë përkthehet «dorë» mund të ketë domethënie të ndryshme. Në varësi të kontekstit, mund të përkthehet ‘autoritet’, ‘bujari’ ose ‘fuqi’. (2 Samuelit 8:3; 1 Mbretërve 10:13; Isaia 57:10) Në fakt, në Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re kjo fjalë është përkthyer në shumë mënyra.
Duke pasur parasysh këta faktorë, të përkthesh Biblën, nuk do të thotë thjesht të zëvendësosh çdo fjalë të gjuhës origjinale gjithmonë me të njëjtën fjalë. Përkthyesi duhet të përdorë gjykim të mirë për të zgjedhur fjalë të gjuhës së tij që i paraqesin saktë dhe qartë idetë e gjuhës origjinale. Për më tepër, ai duhet t’i lidhë fjalët dhe fjalitë në atë mënyrë që përputhet me rregullat gramatikore të gjuhës në të cilën po përkthen, që teksti të jetë i lehtë për t’u lexuar.
Nga ana tjetër, nuk duhet të kalohen caqet kur teksti përshtatet në gjuhën që po përkthehet. Një përkthyes i cili e ka shprehi të parafrazojë Biblën sipas interpretimit të vet, mund të shtrembërojë kuptimin e tekstit. Pse themi kështu? Sepse gabimisht ai mund të futë mendimin e vet te domethënia e tekstit ose mund të heqë ndonjë hollësi të rëndësishme nga teksti origjinal. Kështu, edhe pse parafrazimet e Biblës mund të jenë të lehta për t’u lexuar, këto përkthime të lira mund të errësojnë kuptimin e saktë të tekstit origjinal.
Doktrinat e fesë që ndjek përkthyesi, mund të ndikojnë fare kollaj në mënyrën si përkthen. Për shembull, Mateu 7:13 thotë: «E gjerë është porta dhe e madhe është rruga që të çon në shkatërrim.» Disa përkthyes, ndoshta të ndikuar nga doktrinat e fesë së tyre, kanë përdorur fjalën «ferr» në vend të asaj që nënkuptonte vërtet termi grek, domethënë, «shkatërrim».
Gjithashtu, një përkthyes i Biblës duhet të marrë parasysh se Bibla u shkrua në gjuhën që flitej përditë nga njerëzit e thjeshtë, si bujqit, barinjtë dhe peshkatarët. (Nehemia 8:8, 12; Veprat 4:13) Prandaj, një përkthim i mirë i Biblës e përcjell mesazhin e saj në mënyrë të kuptueshme për njerëzit me zemër të sinqertë, pavarësisht nga formimi i tyre. Shprehjet e qarta, të zakonshme dhe të lehta për t’u kuptuar preferohen më shumë sesa termat që, në përgjithësi, përdoren rrallë.
Një numër i madh përkthyesish të Biblës, pa asnjë arsye të vlefshme, kanë guxuar të heqin emrin e Perëndisë, Jehova, nga përkthimet e kohëve të sotme, edhe pse emri gjendet në shumë dorëshkrime të lashta të Biblës. (Shih Shtojcën A4.) Në mjaft përkthime, emri i Perëndisë është zëvendësuar me një titull, si «Zotëri», madje përkthime të tjera e fshehin faktin që Perëndia ka një emër. Për shembull, një Bibël e përkthen kështu lutjen e Jezuit te Gjoni 17:26: «U tregova kush je ti», ndërsa te Gjoni 17:6: «Të bëra të njohur me njerëzit që m’i besove.» Megjithatë, një përkthim besnik ndaj origjinalit thotë: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd», dhe «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd njerëzve që më dhe».
Botimi i parë në anglisht i Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re pohon në parathënien e tij: «Ne nuk po paraqesim një parafrazim të Shkrimeve. Nga fillimi në fund jemi përpjekur të bëjmë një përkthim sa më fjalë për fjalë të ishte e mundur, kur idiomat e anglishtes moderne e lejonin dhe kur përkthimi fjalë për fjalë nuk e errësonte domethënien me shprehje të panatyrshme.» Kështu, Komiteti i Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re është përpjekur të gjejë ekuilibrin e duhur: nga njëra anë të përdorë fjalë ose shprehje që pasqyrojnë tekstin origjinal, nga ana tjetër të shmangë fjalë që mezi kuptohen ose që e fshehin kuptimin e saktë. Si rezultat, Bibla është e kollajshme për t‘u lexuar dhe lexuesi mund të jetë plotësisht i sigurt se mesazhi i frymëzuar është përcjellë me besnikëri.—1 Selanikasve 2:13.