UDHA E LUMTURISË
SHËNDETI FIZIK DHE RIMËKËMBJA
PROBLEMET SHËNDETËSORE KRONIKE OSE PAAFTËSITË FIZIKE NDIKOJNË GOXHA NË JETË. Pasi u paralizua, Ulfi, dikur aktiv dhe me shëndet të mirë, tha: «U dëshpërova jashtë mase. S’kisha më forcë, guxim dhe fuqi. . . . Ndihesha i shkatërruar.»
Përvoja e Ulfit na sjell ndër mend se asnjë prej nesh nuk e ka plotësisht nën kontroll shëndetin. Prapëseprapë mund të marrim masa të arsyeshme për të parandaluar sadopak problemet shëndetësore. Po sikur shëndeti të na përkeqësohet? A do ta humbim se s’bën lumturinë? Siç do ta shohim, as që bëhet fjalë. Por, së pari të shqyrtojmë disa parime që na ndihmojnë të kemi shëndet të mirë.
JI «I PËRKORË NË ZAKONE». (1 Timoteut 3:2, 11) Zakoni i ngrënies dhe i pirjes me tepri është pa dyshim i dëmshëm për shëndetin—pa përmendur anën financiare. «Mos rri me ata që pinë verë me tepri, as me ata që s’kanë të ngopur me mish. Sepse pijaneci dhe grykësi do të bien në varfëri.»—Proverbat 23:20, 21.
MOS E NDOT TRUPIN. «Të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës.» (2 Korintasve 7:1) Njerëzit e ndotin trupin kur përtypin a pinë duhan ose kur abuzojnë me alkoolin e drogën. Për shembull, sipas Qendrave Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, pirja e duhanit «shkakton sëmundje e paaftësi fizike, si edhe dëmton thuajse çdo organ të trupit».
KONSIDEROJI DHURATA TË ÇMUARA TRUPIN DHE JETËN. «Falë [Perëndisë] ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë.» (Veprat 17:28) Kur mbajmë në mendje këtë fakt, shmangim rreziqe të panevojshme, si në punë, kur i japim makinës ose kur zgjedhim zbavitjen. Nuk ia vlen të vuajmë gjithë jetën nga ndonjë paaftësi fizike thjesht për një moment adrenaline.
MBAJI NËN KONTROLL NDJENJAT NEGATIVE. Mendja lidhet ngushtësisht me trupin. Prandaj përpiqu t’i shmangësh ankthin e panevojshëm, zemërimin e pafre, zilinë dhe ndjenja të tjera të dëmshme. Psalmi 37:8 thotë: «Lëre zemërimin dhe largohu nga tërbimi.» Në Shkrime thuhet edhe: «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.»—Mateu 6:34.
PËRPIQU TË PËRQENDROHESH NË MENDIME POZITIVE. «Zemra e qetë është jetë për trupin»,—thuhet te Proverbat 14:30. Gjithashtu, Bibla pohon: «Një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç.» (Proverbat 17:22) Kjo këshillë e mençur është e vërtetuar shkencërisht. Një mjek në Skoci tha: «Nëse je i lumtur, ka më pak gjasa të sëmuresh në të ardhmen, në krahasim me ata që nuk janë të lumtur.»
MËSO TË RIMËKËMBESH. Ashtu si Ulfi, që e përmendëm më parë, edhe ne mund të mos kemi zgjidhje tjetër përveçse ta durojmë një sprovë që s’mbaron. Gjithsesi, mënyra si durojmë, është në dorën tonë. Disa i kaplon shkurajimi dhe kjo vetëm sa i përkeqëson gjërat. Te Proverbat 24:10 lexojmë: «Po të shkurajohesh në ditë të keqe, fuqia jote do të jetë e paktë.»
Të tjerë arrijnë ta marrin veten, ndonëse në fillim mund të jenë ndier të dëshpëruar. Ata përshtaten dhe gjejnë mënyra si ta përballojnë situatën, domethënë rimëkëmben. Kështu veproi edhe Ulfi. Ai tha se pasi ngulmoi në lutje dhe meditoi rreth mesazhit pozitiv të Biblës, «nisi të shihte mundësitë dhe jo pengesat». Për më tepër, ashtu si shumë veta që përballen me sprova të rënda, nxori mësime të çmuara për dhembshurinë dhe empatinë, të cilat e shtynë të fliste edhe me të tjerët për mesazhin ngushëllues të Biblës.
Edhe Stivi vuajti jashtë mase. Pas një aksidenti në moshën 15-vjeçare, mbeti i paralizuar nga qafa e poshtë. Kur ishte 18 vjeç, arriti t’i përdorte sërish krahët. Më pas shkoi në universitet, ku u zhyt në drogë, alkool e në imoralitet seksual. Nuk kishte asnjë shpresë derisa nisi të studionte Biblën, e cila e ndihmoi ta shihte me sy tjetër jetën dhe t’i mposhtte zakonet e këqija. Ai tha: «Zbrazëtia që ndieja prej kohësh, u zhduk. Tani jeta ime është e mbushur me paqe, lumturi e kënaqësi.»
Komentet e Stivit e të Ulfit na sjellin në mendje fjalët e Psalmit 19:7, 8: «Ligji i Jehovait është i përsosur, ai ta gjallëron shpirtin. . . . Urdhrat e Jehovait janë të drejtë dhe ta gëzojnë zemrën. Urdhërimet e Jehovait janë të pastra dhe i bëjnë sytë të ndrijnë.»