Toka
Përkufizimi: Fjala «tokë» përdoret me kuptime të ndryshme në Shkrime. Zakonisht, kjo fjalë na bën të mendojmë për vetë planetin, të cilin Jehovai e pajisi bujarisht që të mbështeste jetën njerëzore me qëllim që njerëzit të jetonin të lumtur. Megjithatë, duhet kuptuar se fjala «tokë» mund të përdoret edhe në një kuptim të figurshëm, duke iu referuar për shembull njerëzve që jetojnë në këtë planet ose një shoqërie njerëzore që ka disa karakteristika.
A do të shkatërrohet planeti Tokë nga një luftë bërthamore?
Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën sipas Biblës?
Mat. 6:10: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»
Psal. 37:29: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»
Shih edhe Eklisiastiun 1:4; Psalmin 104:5.
Meqenëse kombet nuk duan t’ia dinë shumë për qëllimim e Perëndisë, a ka mundësi që ato ta rrënojnë plotësisht tokën e ta bëjnë të pabanueshme?
Isa. 55:8-11: «[Jehovai thotë:] Ashtu si qiejt qëndrojnë më lart se toka, edhe udhët e mia janë më lart se udhët tuaja, dhe mendimet e mia më lart se mendimet tuaja. . . . Fjala që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, do ta bëjë atë që më pëlqen dhe do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.»
Isa. 40:15, 26: «Ja, [nga pikëpamja e Perëndisë Jehova] kombet janë si një pikë uji në një kovë. Për të ato janë si shtresa e hollë e pluhurit në peshore. . . . Ngrini sytë lart dhe shikoni [diellin, hënën dhe miliarda yjet]. Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e yjeve të llogaritur me numër dhe e thërret secilin me emër. Falë energjisë së tij dinamike dhe fuqisë së tij të madhe, nuk mungon asnjë prej tyre.» (Energjia bërthamore që mund të prodhojnë kombet, i frikëson njerëzit. Por miliarda yje përdorin energjinë bërthamore në një shkallë që është përtej aftësisë sonë për ta kuptuar. Kush i krijoi dhe i mban në kontroll tërë këta trupa qiellorë? A nuk mund t’i ndalojë kombet Ai, që të mos i përdorin armët bërthamore në një mënyrë që do ta pengonte qëllimin e tij? Që Perëndia mund ta bëjë këtë, ilustrohet nga mënyra se si shkatërroi fuqinë ushtarake të Egjiptit, kur faraoni u përpoq të ndalonte çlirimin e Izraelit.—Dal. 14:5-31.)
Zbul. 11:17, 18: «Të falënderojmë, o Perëndi Jehova, o i Plotfuqishëm, Ai që ishte dhe që është, sepse more pushtetin tënd të madh dhe fillove të mbretërosh. Mirëpo, kombet u zemëruan dhe erdhi zemërimi yt. Erdhi koha e caktuar që . . . të rrënosh ata që rrënojnë tokën.»
A do ta shkatërrojë Perëndia tokën me zjarr?
A e mbështet këtë ide 2 Pjetrit 3:7, 10 (Dio)? «Qiejt dhe dheu i sotshëm janë ruajtur nga e njëjta fjalë për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes [«shkatërrimin», DSF] së njerëzve të pabesë. . . . Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt [«do të digjenë tej-për-tej», Kris; «do të gjenden para Gjyqit», DSF; «do të zbulohen», ECM; «do të zbulohen», BR].» (Shënim: Te Kodiku Sinaitik dhe te dorëshkrimi Vatikan 1209, që të dy të shekullit të 4-t të e.s., është shkruar «do të zbulohen». Te dorëshkrimet e mëvonshme, Kodiku Aleksandrin i shekullit të 5-të dhe recensioni klementin i Vulgatës i shekullit të 16-të, është shkruar «do të digjen».)
A tregon Zbulesa 21:1 (DSF) se planeti ynë do të shkatërrohet? «Atëherë pashë një qiell të ri e një tokë të re; sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën, as deti nuk është më.»
Për të qenë të saktë, shpjegimi i këtyre vargjeve duhet të përputhet me kontekstin dhe me pjesën tjetër të Biblës
Në qoftë se kuptimi i këtyre vargjeve (2 Pjetrit 3:7, 10 dhe Zbulesa 21:1) është që planeti i mirëfilltë Tokë do të digjet, atëherë edhe qiejt e mirëfilltë (yjet dhe trupat e tjerë qiellorë) duhet të digjen. Por ky këndvështrim i drejtpërdrejtë bie në kundërshtim me sigurinë që jepet në vargje të tilla, si: Mateu 6:10, Psalmi 37:29 dhe 104:5, si edhe Proverbat 2:21, 22. Për më tepër, ç’ndikim do të kishte zjarri te dielli dhe yjet që janë tej mase të nxehtë? Pra, në shkrimet e lartpërmendura fjala «tokë» duhet kuptuar ndryshe.
Te Zanafilla 11:1, Psalmi 96:1, etj., fjala «tokë» është përdorur në një kuptim të figurshëm dhe i referohet njerëzimit, shoqërisë njerëzore. A nuk mund të jetë kështu edhe te 2 Pjetrit 3:7, 10 dhe te Zbulesa 21:1?
Është për t’u vënë re se në kontekst, te 2 Pjetrit 3:5, 6 (si edhe 2 Pj 2:5, 9), bëhet një paralelizëm me Përmbytjen e ditëve të Noesë, gjatë së cilës shoqëria e ligë njerëzore u shkatërrua, por Noeja me familjen, si edhe mbarë rruzulli, shpëtuan. Po kështu te 2 Pjetrit 3:7 thuhet se ata që do të shkatërrohen, do të jenë ‘njerëzit e paperëndishëm’. Ideja se fjala «tokë» këtu i referohet shoqërisë së ligë njerëzore, përputhet plotësisht me pjesën tjetër të Biblës, siç ilustrohet nga shkrimet e përmendura më sipër. Pikërisht kjo «tokë» simbolike ose shoqëri e ligë njerëzore ‘do të zbulohet’, domethënë Jehovai do të djegë si me zjarr çdo maskim, duke zbuluar ligësinë e shoqërisë së paperëndishme njerëzore dhe duke treguar se meriton një shkatërrim të plotë. Kjo shoqëri e ligë njerëzore quhet edhe «toka e parë» te Zbulesa 21:1 (DSF).
Nën dritën e asaj që u tha më sipër, shprehja e Jezuit te Luka 21:33 («qielli dhe toka do të kalojnë, por . . . ») mund të kuptohet si simbolike. Po kështu Zbulesa 21:1 flet për ‘qiellin e mëparshëm dhe tokën e mëparshme’.—Shih edhe Mateun 24:35.
A do të merren në qiell të drejtët dhe të rikthehen në tokë, pasi të jenë shkatërruar të ligjtë?
A e mbështet këtë pikëpamje Zbulesa 21:2, 3? Aty thuhet: «Pashë, gjithashtu, qytetin e shenjtë, Jerusalemin e Ri, të zbriste nga qielli, nga Perëndia, i përgatitur si një nuse e stolisur për burrin e saj. Atëherë, dëgjova një zë të fortë nga froni që tha: ‘Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta.’» (Fakti që Perëndia «do të banojë» me njerëzit dhe «do të jetë me ta», a do të thotë se ai do të bëhet një Qenie mishore? Nuk mund të jetë kështu, sepse Jehovai i tha Moisiut: «Asnjë njeri nuk mund të më shohë e të jetojë.» [Dal. 33:20] Në të njëjtën mënyrë, pjesëtarët e Jerusalemit të Ri nuk do të rikthehen në tokë si qenie fizike. Në ç’kuptim atëherë mund ‘të jetë’ Perëndia me njerëzit dhe si ‘do të zbresë nga qielli’ Jerusalemi i Ri? Pa dyshim, një tregues gjendet te Zanafilla 21:1, ku thuhet se Perëndia «vizitoi» Sarën dhe e bekoi me një djalë kur ajo ishte në moshë të thyer. Te Dalja 4:31 thuhet se Perëndia e «kishte vizituar» Izraelin duke dërguar Moisiun si çlirimtar. Te Luka 7:16 thuhet se, nëpërmjet shërbimit të Jezuit, Perëndia «vizitoi» popullin e tij. [Të gjitha shkrimet janë nga Dio] Përkthime të tjera përdorin shprehjen Perëndia «drejtoi vëmendjen» nga populli i vet [BR]. Pra, Zbulesa 21:2, 3 duhet të ketë kuptimin se Perëndia ‘do t’i vizitojë’ ose do të jetë me njerëzit me anë të Jerusalemit të Ri qiellor, nëpërmjet të cilit njerëzit e bindur do të marrin bekime.)
Prov. 2:21, 22, Dio: «Njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.» (Vër re se këtu nuk thuhet se njerëzit e ndershëm do të rikthehen në tokë, por që ata «do të qëndrojnë aty».)
A ka ndryshuar qëllimi që kishte në fillim Perëndia për tokën?
Zan. 1:27, 28: «Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, po, e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ai i krijoi ata mashkull dhe femër. Pastaj Perëndia i bekoi dhe u tha: ‘Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni, mbani të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.’» (Kështu, Perëndia tregoi qëllimin e tij që toka të mbushej me pasardhësit e Adamit dhe të Evës, të cilët do të kujdeseshin për parajsën në mbarë tokën. Perëndia e krijoi tokën në mënyrë të shkëlqyer që të banohej nga njerëzit, duke e bërë atë të pashoqe ndër tërë planetët që ka vëzhguar njeriu me teleskopë dhe anije kozmike. Pas gjithë kësaj, a hoqi dorë vallë nga qëllimi i tij Krijuesi, duke e lënë përgjithnjë të papërmbushur, për shkak të mëkatit të Adamit?)
Isa. 45:18: «Kështu thotë Jehovai, Krijuesi i qiejve, Ai që është Perëndia i vërtetë, Formuesi i tokës dhe Bërësi i saj, Ai që e ka bërë të patundshme, që nuk e krijoi më kot, por e formoi që të banohej: ‘Unë jam Jehovai, dhe nuk ka asnjë tjetër.’» (Shih edhe Isainë 55:10, 11.)
Në qoftë se në botën e re të Perëndisë askush nuk do të vdesë, si do t’i mbajë toka gjithë ata njerëz?
Le të kujtojmë se, kur Perëndia shpalli qëllimin e tij për tokën, tha: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën.» (Zan. 1:28) Perëndia i dha njeriut aftësinë për të lindur dhe, kur qëllimi i Tij të përmbushet, Ai mund të bëjë që të mos ketë më lindje në tokë.
Cilëve lloj njerëzish do t’u japë Perëndia jetën e pafundme në tokë?
Sof. 2:3: «Kërkoni Jehovain të gjithë ju zemërbutët e dheut që zbatuat vendimin e Tij gjyqësor; kërkoni drejtësinë, kërkoni zemërbutësinë; dhe ka mundësi që të jeni të fshehur ditën e zemërimit të Jehovait.»
Psal. 37:9, 11: «Ata që shpresojnë te Jehovai, do të trashëgojnë tokën. . . . Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»