Studime mbi Shkrimet e frymëzuara dhe informacione në lidhje me to
Studimi numër 6—Teksti grek i krishterë i Shkrimeve të Shenjta
Kopjimi i tekstit të Shkrimeve Greke; si është përcjellë deri në ditët e sotme në gjuhën greke dhe në gjuhë të tjera; besueshmëria e tekstit të sotëm.
1. Si nisi programi i arsimimit të krishterë?
TË KRISHTERËT e parë mësonin dhe shpallnin në mbarë botën ‘fjalën [e shkruar] të Jehovait’. Ata i morën seriozisht fjalët që u tha Jezui pak para se të ngjitej në qiell: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» (Isa. 40:8; Vep. 1:8) Siç e kishte parathënë Jezui, 120 dishepujt e parë morën frymën e shenjtë e cila u dha forcë. Kjo ndodhi në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Po atë ditë Pjetri nisi programin e ri të arsimimit duke dhënë dëshmi të plotë, e rezultati ishte që shumë njerëz përqafuan me gjithë zemër mesazhin dhe rreth 3.000 veta të tjerë iu shtuan kongregacionit të krishterë të sapoformuar.—Vep. 2:14-42.
2. Cili lajm i mirë u shpall dhe shfaqje e çfarë gjëje ishte kjo vepër dëshmie?
2 Të nxitur për të vepruar, si asnjë grup tjetër njerëzish gjatë historisë, këta dishepuj të Jezu Krishtit nisën një program mësimdhënieje që së fundi vërshoi në çdo skaj të botës që njihej atëherë. (Kolos. 1:23) Po, këta dëshmitarë të përkushtuar të Jehovait dëshironin shumë t’i përdornin këmbët duke ecur shtëpi më shtëpi, qytet më qytet dhe nga njëri vend në tjetrin për të shpallur «lajmin e mirë për gjëra të mira». (Rom. 10:15) Ky lajm i mirë fliste për masën e shpërblesës së Krishtit, për shpresën e ringjalljes dhe për Mbretërinë e premtuar të Perëndisë. (1 Kor. 15:1-3, 20-22, 50; Jak. 2:5) Kurrë më parë njerëzimit nuk i ishte dhënë një dëshmi e tillë për gjëra të papara. Për shumë njerëz që pranuan Jehovain si Zotërinë e tyre Sovran në bazë të flijimit të Jezuit, ajo u bë një ‘dëshmi e dukshme e realiteteve ndonëse të papara’, pra një shfaqje besimi.—Hebr. 11:1; Vep. 4:24; 1 Tim. 1:14-17.
3. Çfarë i karakterizonte shërbëtorët e krishterë të shekullit të parë të e.s.?
3 Ata shërbëtorë të krishterë, burra e gra, ishin shërbëtorë mendjendritur të Perëndisë. Dinin të lexonin e të shkruanin. Ishin të arsimuar për sa u përket Shkrimeve të Shenjta. Ishin të informuar në lidhje me ngjarjet botërore. Ishin mësuar të udhëtonin. Ata ishin si karkalecat, në kuptimin që nuk lejonin t’i ndalte asnjë pengesë që të ecnin përpara për të përhapur lajmin e mirë. (Vep. 2:7-11, 41; Joe. 2:7-11, 25) Në atë kohë, pra, në shekullin e parë të e.s., ata vepronin mes njerëzve që kishin cilësi mjaft të ngjashme me njerëzit sot.
4. Cilat gjëra u shkruan në kohën e kongregacionit të hershëm të krishterë, nën frymëzimin dhe drejtimin e Jehovait?
4 Si predikues të «fjalës së jetës» që donin të bënin përparim frymor, të krishterët e parë i përdornin mirë çfarëdo lloj rrotullash biblike që gjenin. (Filip. 2:15, 16; 2 Tim. 4:13) Katër prej tyre, domethënë, Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni, u frymëzuan nga Jehovai që të shkruanin ‘lajmin e mirë për Jezu Krishtin’. (Mar. 1:1; Mat. 1:1) Disa prej tyre, si Pjetri, Pavli, Gjoni, Jakovi dhe Juda, shkruan letra nën frymëzim. (2 Pjet. 3:15, 16) Të tjerë u bënë kopistë të këtyre mesazheve të frymëzuara, të cilat kongregacionet që shtoheshin i shkëmbenin mes tyre, duke i sjellë dobi njëri-tjetrit. (Kolos. 4:16) Gjithashtu, «apostujt dhe pleqtë në Jerusalem» morën vendime doktrinale nën drejtimin e frymës së Perëndisë, dhe këto u shkruan që të përdoreshin më pas. Po ashtu ky trup udhëheqës qendror u dërgonte letra me udhëzime kongregacioneve që ndodheshin larg. (Vep. 5:29-32; 15:2, 6, 22-29; 16:4) Dhe për këtë qëllim atyre iu desh të siguronin një sistem për t’i dërguar letrat.
5. (a) Çfarë është kodiku? (b) Në ç’masë e përdornin kodikun të krishterët e parë dhe cilat ishin epërsitë e tij?
5 Që të përshpejtonin shpërndarjen e Shkrimeve, si edhe t’i siguronin ato në një formë të lehtë për t’i përdorur, shumë shpejt të krishterët e parë, në vend të rrotullave, nisën të përdornin dorëshkrimet në formën e kodikut. Kodikët, që janë si librat e sotëm, mund të shfletoheshin lehtë për të gjetur një argument, ndryshe nga rrotullat që shpesh duhej më shumë kohë për t’i hapur. Për më tepër, falë kodikut shkrimet kanunore mund të lidheshin bashkë, kurse ato që ishin në rrotulla zakonisht mbaheshin të ndara. Të krishterët e hershëm ishin pionierë në përdorimin e kodikut. Ata madje mund ta kenë shpikur atë. Ndërkohë që kodiku u pranua dalëngadalë nga shkrimtarët jo të krishterë, shumica e papiruseve të krishterë të shekullit të dytë dhe të tretë janë në formën e kodikut.a
6. (a) Cila qe periudha e greqishtes klasike e nga çfarë u karakterizua ajo dhe kur u formua koineja ose greqishtja popullore? (b) Si e deri në ç’masë hyri në përdorimin e përgjithshëm koineja?
6 Greqishtja koine (greqishtja popullore). E ashtuquajtura periudhë klasike e gjuhës greke shtrihej nga shekulli i nëntë p.e.s. deri në shekullin e katërt p.e.s. Kjo ishte periudha e dialekteve atike dhe jonike. Gjatë kësaj kohe, e sidomos në shekullin e pestë dhe të katërt p.e.s., dolën shumë dramaturgë, poetë, oratorë, historianë, filozofë e shkencëtarë grekë, dhe disa prej këtyre që u bënë të famshëm ishin Homeri, Herodoti, Sokrati, Platoni etj. Periudha e shekullit të katërt p.e.s. deri rreth shekullit të gjashtë të e.s. ishte epoka e asaj që njihet si greqishtja koine ose greqishtja popullore. Zhvillimi i saj ndodhi kryesisht për shkak të operacioneve ushtarake të Aleksandrit të Madh, ushtria e të cilit përbëhej nga ushtarë prej të gjitha viseve të Greqisë. Ata flitnin dialekte të ndryshme greke dhe me përzierjen e tyre, u formua dhe hyri në përdorimin e gjerë një dialekt popullor, dialekti koine. Ngaqë Aleksandri pushtoi Egjiptin dhe Azinë, e madje arriti deri në Indi, koineja u përhap te shumë popuj, prandaj u bë gjuha ndërkombëtare dhe mbeti e tillë për shumë shekuj. Greqishtja e Septuagintës ishte koineja që flitej në Aleksandri të Egjiptit gjatë shekullit të tretë dhe të dytë p.e.s.
7. (a) Ç’dëshmi jep Bibla për përdorimin e koinesë në kohën e Jezuit dhe të apostujve? (b) Pse koineja ishte më se e përshtatshme për të përhapur më tej Fjalën e Perëndisë?
7 Në ditët e Jezuit dhe të apostujve koineja ishte gjuha ndërkombëtare e perandorisë romake. Vetë Bibla jep dëshmi për këtë. Kur Jezuin e gozhduan në shtyllë, mbishkrimi mbi kokën e tij duhej vënë jo vetëm në hebraisht, pra, në gjuhën e judenjve, por edhe në latinisht, në gjuhën zyrtare të vendit, e në greqisht, e cila flitej në rrugët e Jerusalemit pothuajse po aq shpesh sa në Romë, në Aleksandri ose madje edhe në Athinë. (Gjoni 19:19, 20; Vep. 6:1) Te Veprat 9:29 tregohet se Pavli ua predikonte lajmin e mirë në Jerusalem judenjve që flitnin greqisht. Tashmë në atë kohë koineja ishte një gjuhë dinamike, e gjallë dhe shumë e zhvilluar, një gjuhë praktike dhe më se e përshtatshme për qëllimin fisnik të Jehovait për të përhapur më tej Fjalën e tij.
TEKSTI GREK DHE MËNYRA SI U PËRCOLL AI
8. Pse do të shqyrtojmë tani rezervuarin me dorëshkrime të Shkrimeve Greke?
8 Në studimin e mëparshëm mësuam se Jehovai i ruajti ujërat e tij të së vërtetës si në një rezervuar me dokumente të shkruara—Shkrimet e frymëzuara Hebraike. Por, ç’të themi për Shkrimet që shkruan apostujt dhe dishepujt e tjerë të Jezu Krishtit? A janë ruajtur ato për ne po me aq kujdes? Një shqyrtim i rezervuarit të stërmadh me dorëshkrime në greqisht dhe në gjuhë të tjera tregon se ato janë ruajtur. Siç është shpjeguar tashmë, kjo pjesë e kanunit të Biblës përfshin 27 libra. Të shqyrtojmë se si u përcoll teksti i këtyre 27 librave, pasi kjo tregon se si është ruajtur deri sot e kësaj dite teksti grek origjinal.
9. (a) Në cilën gjuhë u shkruan Shkrimet e Krishtere? (b) Për çfarë bën përjashtim ungjilli i Mateut?
9 Burimi i dorëshkrimeve greke. 27 librat kanunorë të Shkrimeve të Krishtere u shkruan në greqishten popullore të asaj kohe. Megjithatë, libri i Mateut me sa duket u shkrua në fillim në hebraishten biblike, që të shërbente për popullin jude. Këtë e thotë përkthyesi i Biblës i shekullit të katërt, Jeronimi, i cili shton se ky libër më vonë u përkthye në greqisht.b Ka shumë mundësi që këtë përkthim ta ketë bërë vetë Mateu—meqë kishte qenë nëpunës civil i autoriteteve romake, pra, një taksambledhës, pa dyshim që dinte hebraisht, latinisht dhe greqisht.—Mar. 2:14-17.
10. Si kanë ardhur deri te ne shkrimet biblike?
10 Shkrimtarët e tjerë të krishterë të Biblës, Marku, Luka, Gjoni, Pavli, Pjetri, Jakovi dhe Juda, i shkruan dokumentet e tyre në koine, pra, në gjuhën popullore e të gjallë që e kuptonin të krishterët dhe shumica e njerëzve në shekullin e parë. Dokumentin e fundit origjinal e shkroi Gjoni rreth vitit 98 të e.s. Për aq sa dihet, asnjë prej këtyre 27 dorëshkrimeve origjinale në koine nuk ka mbijetuar deri sot. Gjithsesi, nga ky burim me origjinale kanë rrjedhur te ne kopje të tyre, kopje të kopjeve dhe familje kopjesh, të cilat formojnë të gjitha një rezervuar të stërmadh me dorëshkrime të Shkrimeve të Krishtere Greke.
11. (a) Cili fond me kopje të dorëshkrimeve ekziston sot? (b) Si ndryshojnë ato nga veprat klasike për sa i përket sasisë dhe vjetërsisë?
11 Një rezervuar me më shumë se 13.000 dorëshkrime. Sot ekziston një fond i stërmadh me kopje të dorëshkrimeve të 27 librave kanunorë. Disa prej këtyre përmbajnë pjesë të mëdha të Shkrimeve; të tjerë janë thjesht fragmente. Sipas një llogaritjeje, ka më tepër se 5.000 dorëshkrime në greqishten origjinale. Gjithashtu, ka më tepër se 8.000 dorëshkrime në gjuhë të tjera—gjithsej një sasi e jashtëzakonshme prej më shumë se 13.000 dorëshkrimesh. Këto dorëshkrime, që datojnë nga shekulli i 2-të i e.s. deri në shekullin e 16-të të e.s., ndihmojnë për të përcaktuar tekstin e vërtetë origjinal. Më i vjetri nga këto dorëshkrime të shumta është fragmenti prej papirusi i Ungjillit të Gjonit që gjendet në Bibliotekën Xhon Rajlënds në Mançester, Angli. Ai njihet me numrin P52 dhe daton në gjysmën e parë të shekullit të dytë, ka shumë mundësi rreth vitit 125 të e.s.c Pra kjo kopje u shkrua vetëm rreth çerek shekulli pas origjinalit. Kur mendojmë se për të përcaktuar tekstin e shumicës së autorëve klasikë ekziston vetëm një grusht dorëshkrimesh, të cilët rrallë janë bërë brenda disa shekujsh pas shkrimeve origjinale, mund të kuptojmë se ç’bollëk me prova kemi që na ndihmojnë për të arritur te një tekst me autoritet të Shkrimeve të Krishtere Greke.
12. Në ç’material u shkruan dorëshkrimet e para?
12 Dorëshkrimet prej papirusi. Ashtu si kopjet e hershme të Septuagintës, dorëshkrimet e para të Shkrimeve të Krishtere Greke u shkruan në papiruse, dhe ky material vazhdoi të përdorej për dorëshkrimet biblike deri rreth shekullit të katërt të e.s. Gjithashtu, shkrimtarët biblikë me sa duket e përdornin papirusin kur u dërgonin letra kongregacioneve të krishtere.
13. Cili zbulim i rëndësishëm i papiruseve iu bë i njohur publikut në vitin 1931?
13 Sasi të mëdha me shkrime në papirus janë gjetur në provincën e Fajumit, në Egjipt. Në fund të shekullit të 19-të, dolën në dritë shumë papiruse biblike. Një nga zbulimet më të rëndësishme që janë bërë në ditët e sotme në lidhje me dorëshkrimet, ishte ai që iu bë i njohur publikut në vitin 1931. Gjatë këtij zbulimi u gjetën 11 kodikë që përmbanin pjesë nga 8 libra të Shkrimeve të frymëzuara Hebraike dhe 15 libra të Shkrimeve të Krishtere Greke, që të gjitha në greqisht. Këto papiruse janë shkruar në një periudhë kohore nga shekulli i dytë deri në shekullin e katërt të erës sonë. Shumica e pjesëve të Shkrimeve të Krishtere Greke të këtij zbulimi tani janë pjesë e koleksioneve Çestër Biti dhe janë renditur me simbolet P45, P46 dhe P47, ku simboli «P» do të thotë «papirus».
14, 15. (a) Cilat janë disa dorëshkrime kryesore prej papirusi të Shkrimeve të Krishtere Greke që janë renditur në tabelën në faqen 313? (b) Trego se si janë përdorur këto dorëshkrime në Biblën me referime, në anglisht. (c) Çfarë vërtetojnë kodikët e hershëm prej papirusi?
14 Papiruse të një koleksioni tjetër të jashtëzakonshëm u botuan në Gjenevë të Zvicrës nga viti 1956 deri në vitin 1961. Këto papiruse që njihen si papiruset e Bodmerit, përmbajnë tekstet e hershme të dy ungjijve (P66 dhe P75) dhe datojnë nga fillimi i shekullit të tretë të e.s. Në tabelën që ndodhet para këtij studimi janë renditur disa nga papiruset e vjetra biblike kryesore të Shkrimeve Hebraike dhe të Krishtere Greke. Në kolonën e fundit ka vargje të cituara në Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, në anglisht, ku këto dorëshkrime prej papirusi mbështetin përkthimin e bërë, dhe kjo tregohet në shënimet për këto vargje.
15 Zbulimet e këtyre papiruseve sigurojnë prova se kanuni biblik u plotësua në një datë shumë të hershme. Midis papiruseve të Çestër Bitit, dy kodikë—ku te njëri janë lidhur pjesë të katër ungjijve dhe të Veprave (P45) dhe tjetri përmban 9 nga 14 letrat e Pavlit (P46)—tregojnë se Shkrimet e Krishtere Greke u mblodhën bashkë pak kohë pas vdekjes së apostujve. Meqë duhet të jetë dashur kohë që këta kodikë të qarkullonin gjerësisht dhe të arrinin deri në Egjipt, është e qartë se këto Shkrime ishin grumbulluar në formën e tyre standarde që kemi sot, e shumta në shekullin e dytë. Pra, nga fundi i shekullit të dytë nuk kishte asnjë dyshim se kanuni i Shkrimeve të Krishtere Greke kishte përfunduar, duke plotësuar kështu kanunin e tërë Biblës.
16. (a) Cilat dorëshkrime unciale të Shkrimeve të Krishtere Greke kanë mbijetuar deri në ditët e sotme? (b) Deri në ç’masë janë përdorur dorëshkrimet unciale në Përkthimin Bota e Re dhe pse?
16 Dorëshkrime velini dhe lëkure. Siç mësuam në studimin e mëparshëm, velini, një material më jetëgjatë, i cili ishte një lloj pergameni me cilësi të shkëlqyer që zakonisht bëhej nga lëkura e viçit, e qengjit ose e cjapit, filloi të përdorej për dorëshkrimet në vend të papirusit që prej shekullit të katërt të e.s. Disa dorëshkrime biblike shumë të rëndësishme që ekzistojnë sot janë prej velini. Tashmë i kemi marrë në shqyrtim dorëshkrimet prej velini dhe lëkure të Shkrimeve Hebraike. Në tabelën në faqen 314 janë renditur disa dorëshkrime kryesore prej velini dhe lëkure të Shkrimeve Greke e Hebraike. Ato që janë renditur për Shkrimet Greke u shkruan tërësisht me shkronja të mëdha dhe quhen unciale. Në një fjalor, New Bible Dictionary, përshkruhen 274 dorëshkrime unciale të Shkrimeve të Krishtere Greke, dhe këto datojnë nga shekulli i katërt i e.s. deri në shekullin e dhjetë të e.s. Pastaj ka më tepër se 5.000 dorëshkrime kursive ose me shkronja të vogla, që janë bërë sipas një stili shkrimi të pjerrët.d Edhe këto, që janë prej velini, u shkruan gjatë periudhës nga shekulli i nëntë i e.s. deri kur filloi përdorimi i shtypshkrimit. Ngaqë janë më të vjetra dhe në përgjithësi më të sakta, dorëshkrimet unciale u përdorën gjerësisht nga Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re për të përkthyer me saktësi tekstin grek. Kjo tregohet në tabelën «Disa dorëshkrime të rëndësishme velini dhe lëkure».
EPOKA E KRITIKËS DHE E PËRPUNIMIT TË TEKSTIT
17. (a) Cilat ishin dy ngjarjet që çuan në shtimin e interesit për studimin e tekstit grek të Biblës? (b) Për cilën vepër njihet Erasmi? (c) Si ndërtohet një tekst bazë i shtypur?
17 Teksti i Erasmit. Gjatë shekujve të gjatë të Epokës së Errët, kur mbizotëronte gjuha latine dhe Evropa Perëndimore ishte nën kontrollin e hekurt të Kishës Katolike të Romës, dija dhe arsimimi ishin në rënie. Por me shpikjen e shtypshkrimit me shkronja të lëvizshme në Evropë në shekullin e 15-të dhe me Reformën e fillimit të shekullit të 16-të, kishte më shumë liri dhe rilindi interesi për gjuhën greke. Pikërisht gjatë këtij rigjallërimi të hershëm të dijes studiuesi i famshëm holandez Desiderius Erasmus ose Erasmi prodhoi botimin e tij të parë të tekstit bazë grek të «Besëlidhjes së Re». (Një tekst i tillë bazë i shtypur përgatitet duke krahasuar me kujdes shumë dorëshkrime dhe duke përdorur ato fjalë që janë më të pranuara si origjinale. Shpesh në një aparat poshtë tij ky tekst përmban shënime për variante të tekstit që ndodhen në disa dorëshkrime.) Ky botim i parë u shtyp në Bazel të Zvicrës në vitin 1516, një vit para se të fillonte Reforma në Gjermani. Në botimin e parë kishte shumë gabime, por një tekst i përmirësuar u paraqit në botimet vijuese në vitet 1519, 1522, 1527 dhe 1535. Erasmi kishte vetëm disa dorëshkrime të vonshme kursive për të bërë krahasime dhe për të përgatitur tekstin e tij bazë.
18. Ç’gjë bëri të mundur teksti i Erasmit dhe cilët e përdorën mirë atë?
18 Teksti i përpunuar i Erasmit u bë baza për përkthime më të mira në disa gjuhë të Evropës Perëndimore. Kjo bëri të mundur prodhimin e versioneve më të mira se ato që ishin përkthyer më parë nga Vulgata latine. I pari që përdori tekstin e Erasmit ishte Martin Luteri nga Gjermania, i cili e përfundoi përkthimin e tij të Shkrimeve të Krishtere Greke në gjermanisht në vitin 1522. Përballë shumë përndjekjesh Uilliam Tindali nga Anglia nxori më pas përkthimin e tij në anglisht nga teksti i Erasmit, duke e përfunduar kur ishte në mërgim në kontinentin e Evropës në vitin 1525. Antonio Bruçoli nga Italia e përktheu tekstin e Erasmit në italisht në vitin 1530. Me tekstin grek të Erasmit tani kishte nisur epoka e kritikës tekstuale. Kritika tekstuale është metoda që përdoret për rindërtimin dhe ripërtëritjen e tekstit origjinal të Biblës.
19. Cila është historia e ndarjes së Biblës në kapituj dhe vargje dhe çfarë është bërë e mundur falë kësaj?
19 Ndarja në kapituj dhe vargje. Robert Estjeni ose Stefanusi ishte një tipograf dhe botues i shquar në Paris në shekullin e 16-të. Duke qenë botues, ai kuptoi se sa dobi praktike kishte përdorimi i sistemit me kapituj dhe vargje për t’iu referuar lehtë atyre, prandaj futi këtë sistem në Besëlidhjen e Re greko-latine që bëri në vitin 1551. Për herë të parë ndarja në vargje për Shkrimet Hebraike u bë nga masoretët, por ishte në Biblën në frëngjisht të Stefanusit, të vitit 1553, ku u paraqit për herë të parë ndarja e sotme e tërë Biblës. Më pas, kjo metodë u ndoq në Biblat e mëvonshme në gjuhën angleze dhe falë kësaj u bë e mundur prodhimi i treguesve alfabetikë si ai i Aleksandër Krudenit në vitin 1737 dhe i dy treguesve të tjerë alfabetikë që morën si bazë tekstin e Biblës në anglisht Authorized Version. Njërin e prodhoi Robert Jongu, botuar për herë të parë në Edinburg në vitin 1873, kurse tjetrin Xhejms Strongu, botuar në Nju-Jork në vitin 1894.
20. Çfarë ishte textus receptus dhe baza e çfarë gjëje u bë ai?
20 Textus receptus. Stefanusi nxori gjithashtu edhe disa botime të «Besëlidhjes së Re» në greqisht. Këto bazoheshin kryesisht në tekstin e Erasmit me korrigjime sipas Biblës Shumëgjuhëshe Komplutense të vitit 1522 dhe 15 dorëshkrimeve të mëvonshme kursive të pak shekujve më parë. Botimi i tretë i Stefanusit i tekstit të tij në greqisht në vitin 1550 u bë në të vërtetë textus receptus (frazë në latinisht që ka kuptimin «teksti i pranuar») tek i cili u bazuan versione të tjera në anglisht të shekullit të 16-të dhe King James Version i vitit 1611.
21. Cilat tekste të përpunuara janë prodhuar që prej shekullit të 18-të dhe si janë përdorur ato?
21 Tekste greke të përpunuara. Më vonë studiues të greqishtes së vjetër prodhuan tekste gjithnjë e më të përpunuara. I veçantë qe teksti që prodhoi J. J. Grisbahu, i cili mundi të konsultonte qindra dorëshkrime greke që ishin bërë të disponueshme nga fundi i shekullit të 18-të. Botimi më i mirë i krejt tekstit grek nga Grisbahu doli në vitet 1796-1806. Teksti i tij bazë u përdor për përkthimin në anglisht të Sharpit në vitin 1840 dhe është teksti grek i shtypur në versionin The Emphatic Diaglott, që u botua për herë të parë i tëri në vitin 1864. Tekste të tjera të shkëlqyera prodhuan Konstantin fon Tishendorfi (1872) dhe Herman fon Sodeni (1910). Teksti i këtij të fundit shërbeu si bazë për versionin në anglisht të Mofatit, në vitin 1913.
22. (a) Cili tekst grek është pranuar gjerësisht? (b) Si bazë për cilat përkthime në anglisht është përdorur ai?
22 Teksti i Uestkotit dhe i Hortit. Një tekst bazë grek që është pranuar gjerësisht është ai që prodhuan studiuesit e Universitetit të Kembrixhit B. F. Uestkoti dhe F. Xh. A. Horti, në vitin 1881. Boca të tekstit grek të Uestkotit dhe Hortit i konsultoi Komiteti Britanik i Rishikimeve, në të cilin bënin pjesë edhe Uestkoti dhe Horti, për të bërë rishikimin e «Besëlidhjes së Re» të vitit 1881. Ky tekst bazë është ai që u përdor kryesisht gjatë përkthimit në anglisht të Shkrimeve të Krishtere Greke në Përkthimin Bota e Re. Ky tekst është po ashtu baza për përkthimet vijuese në anglisht: The Emphasised Bible, American Standard Version, An American Translation (Smith-Gudspid) dhe Revised Standard Version.e Për përkthimin e këtij të fundit u përdor edhe teksti i Nestlesë.
23. Cilat tekste të tjera u përdorën për Përkthimin Bota e Re?
23 Teksti grek i Nestlesë (botimi i 18-të, viti 1948) u përdor edhe nga Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re për qëllime krahasimi. Ky komitet iu referua edhe teksteve të studiuesve jezuitë katolikë Hoze M. Boverit (1943) dhe Augustinus Merkut (1948). Teksti i Shoqatave të Bashkuara Biblike i vitit 1975 dhe teksti i Nestle-Alandit i vitit 1979 u konsultuan për të përditësuar shënimet e botimit me referime të vitit 1984, në anglisht.f
24. Cilave versioneve të lashta u është referuar gjithashtu Përkthimi Bota e Re? Cilat janë disa shembuj?
24 Versionet e vjetra nga greqishtja. Përveç dorëshkrimeve greke, sot mund të studiohen shumë dorëshkrime të përkthimeve të Shkrimeve të Krishtere Greke në gjuhë të tjera. Ekzistojnë më shumë se 50 dorëshkrime (ose fragmente) të versioneve në latinishten e vjetër dhe mijëra dorëshkrime të Vulgatës latine të Jeronimit. Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re iu referua këtyre, si edhe versioneve kopte, armene dhe siriake.g
25. Pse janë veçanërisht interesante versionet në gjuhën hebraike që përmenden në Përkthimin Bota e Re?
25 Të paktën që prej shekullit të 14-të e më tej, janë prodhuar përkthime të Shkrimeve Greke në gjuhën hebraike. Këto janë interesante sepse në shumë prej tyre është rivendosur emri i Perëndisë në Shkrimet e Krishtere. Në Përkthimin Bota e Re përmenden këto versione hebraike që paraqiten me simbolin «J» dhe një numër të vogël sipër. Për hollësi, shih parathënien te Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, faqet 9-11 dhe shtojcën 1Ç, «Emri i Perëndisë në Shkrimet e Krishtere Greke».
VARIACIONET TEKSTUALE DHE DOMETHËNIA E TYRE
26. Si lindën variacionet tekstuale dhe familjet e dorëshkrimeve?
26 Midis më tepër se 13.000 dorëshkrimeve të Shkrimeve të Krishtere Greke ka shumë variacione tekstuale. Vetëm në 5.000 dorëshkrimet në gjuhën greke vërehen shumë ndryshime të tilla. Mund ta kuptojmë fare mirë se çdo kopje e bërë nga dorëshkrimet e vjetra përmbante gabimet e skribëve që ishin karakteristike për atë kopje. Kur ndonjë nga këto dorëshkrime të vjetra dërgohej për t’u përdorur në një zonë të caktuar, këto gabime përsëriteshin në kopjet që bëheshin në atë zonë dhe bëheshin karakteristikë e dorëshkrimeve të tjera atje. Në këtë mënyrë lindën familjet e dorëshkrimeve të ngjashme. Atëherë, a nuk duhet të alarmohemi për mijëra gabimet e skribëve? A nuk tregojnë ato se janë jo të besueshme për sa i përket mënyrës si është përcjellë teksti? Jo, aspak!
27. Çfarë sigurie kemi për sa i përket saktësisë së tekstit grek?
27 F. Xh. A. Horti, i cili ishte bashkautori i tekstit të Uestkotit dhe Hortit, shkruan: «Masa e madhe e fjalëve të Besëlidhjes së Re qëndron sipër të gjitha proceseve diskriminuese të kritikës, sepse ato nuk kanë ndryshime dhe kanë nevojë vetëm që të transkriptohen. . . . Nëse çikërrimat relative . . . lihen mënjanë, fjalët që sipas nesh janë ende objekt dyshimesh, vështirë se mund të përbëjnë më shumë se një të njëmijtën pjesë të gjithë Besëlidhjes së Re.»h
28, 29. (a) Cili duhet të jetë vlerësimi ynë përfundimtar për tekstin grek të përpunuar? (b) Cilën deklaratë me autoritet kemi në lidhje me këtë?
28 Vlerësimi i tekstit që është përcjellë. Cili është atëherë, vlerësimi përfundimtar në lidhje me saktësinë dhe autenticitetin e tekstit pas kaq shumë shekujsh që është përcjellë ai? Jo vetëm që ka mijëra dorëshkrime për të bërë krahasime, por zbulimet e dorëshkrimeve më të vjetra biblike gjatë pak dekadave të shkuara e datojnë tekstin grek deri rreth vitit 125 të e.s., vetëm rreth njëzet vjet pas vdekjes së apostullit Gjon aty nga viti 100 i e.s. Dëshmia e këtyre dorëshkrimeve na jep siguri të fortë se tani kemi një tekst grek të besueshëm në një formë të përpunuar. Vër re vlerësimin që bën për këtë çështje ish-drejtori dhe bibliotekari i Muzeut Britanik, sër Frederik Kenioni:
29 «Intervali ndërmjet datës së shkrimit origjinal dhe kopjes më të hershme ekzistuese është kaq i vogël, saqë mund të mos përfillet fare dhe themeli i fundit për të dyshuar nëse Shkrimet kanë arritur në ditët tona në thelb ashtu siç u shkruan, tashmë është hequr. Qoftë autenticiteti, qoftë saktësia e përgjithshme e librave të Besëlidhjes së Re mund të konsiderohen të provuara përfundimisht. Megjithatë, saktësia e përgjithshme është një gjë, kurse siguria në lidhje me hollësitë është gjë tjetër.»i
30. Pse mund të jemi të sigurt se Përkthimi Bota e Re u paraqit lexuesve ‘fjalën [e besueshme] të Jehovait’?
30 Për sa i përket vërejtjes së fundit «siguria në lidhje me hollësitë», kjo trajtohet në citimin e dr. Hortit në paragrafin 27. Është puna e përpunuesve të tekstit të korrigjojnë hollësitë, dhe ata e kanë bërë këtë në një masë të madhe. Për këtë arsye, teksti grek i përpunuar i Uestkotit dhe Hortit pranohet në përgjithësi si një tekst i cilësisë së lartë. Pjesa e Shkrimeve të Krishtere Greke e Përkthimit Bota e Re, meqë bazohet në këtë tekst grek të shkëlqyer mund t’u paraqitë lexuesve ‘fjalën [e besueshme] të Jehovait’, ashtu si është ruajtur në mënyrë të mrekullueshme për ne në rezervuarin me dorëshkrime greke.—1 Pjet. 1:24, 25.
31. (a) Çfarë kanë treguar zbulimet e sotme në lidhje me tekstin e Shkrimeve Greke? (b) Si tregohet në tabelën në faqen 309 se cili është burimi kryesor i pjesës së Shkrimeve të Krishtere Greke të Përkthimit Bota e Re, dhe cilat janë disa nga burimet dytësore që u përdorën?
31 Gjithashtu janë interesante komentet e sër Frederik Kenionit në librin e tij Our Bible and the Ancient Manuscripts, 1962, në faqen 249: «Duhet të jemi të kënaqur duke ditur se autenticiteti i përgjithshëm i tekstit të Besëlidhjes së Re është mbështetur në mënyrë të jashtëzakonshme nga zbulimet e sotme të cilat e kanë zvogëluar kaq shumë intervalin midis dorëshkrimeve origjinale dhe kopjeve më të vjetra që ekzistojnë sot. Gjithashtu duhet të jemi të kënaqur që ndryshimet mes teksteve të tyre, pavarësisht sa interesante janë, nuk ndikojnë te doktrinat kryesore të besimit të krishterë.» Siç tregohet në faqen 309, në tabelën «Burime të tekstit të Përkthimit Bota e Re: Shkrimet e Krishtere Greke», janë përdorur të gjitha dokumentet përkatëse për të siguruar një tekst në anglisht të përkthyer saktë. Shënimet e vlefshme në Biblën me referime, anglisht, mbështetin tërë këto përkthime të besueshme. Gjatë prodhimit të përkthimit të tij të shkëlqyer, Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re përdori rezultatet më të mira të njohurisë biblike të arritur gjatë shekujve. Sa siguri mund të kemi sot se Shkrimet e Krishtere Greke, ashtu siç e kemi tani, përmbajnë vërtet ‘modelin e fjalëve të shëndosha’ siç u shkrua nga dishepujt e frymëzuar të Jezu Krishtit. Vazhdofshim t’u përmbahemi këtyre fjalëve të çmuara me besim dhe dashuri!—2 Tim. 1:13.
32. Pse janë shqyrtuar kaq gjerësisht dorëshkrimet dhe teksti i Shkrimeve të Shenjta dhe cili ka qenë rezultati i kënaqshëm?
32 Si ky studim, edhe studimi i mëparshëm i janë kushtuar një shqyrtimi të dorëshkrimeve dhe të tekstit të Shkrimeve të Shenjta. Pse janë trajtuar me kaq hollësi? Qëllimi ka qenë për të treguar në mënyrë bindëse se tekstet e Shkrimeve Hebraike dhe Greke janë në thelb njësoj me tekstin autentik origjinal që Jehovai frymëzoi njerëz besnikë ta shkruanin. Ato shkrime origjinale ishin të frymëzuara. Megjithatë, kopistët, sado të zotë, nuk ishin të frymëzuar. (Psal. 45:1; 2 Pjet. 1:20, 21; 3:16) Prandaj, ka qenë e nevojshme të shqyrtojmë hollësisht rezervuarin e stërmadh me kopje të dorëshkrimeve për të identifikuar qartë dhe në mënyrë të pagabueshme ujërat e pastra të së vërtetës ashtu siç rrodhën në fillim nga Burimi i Madh, Jehovai. Të gjitha falënderimet i shkofshin Jehovait për dhuratën e mrekullueshme të Fjalës së tij, Biblën e frymëzuar, dhe për mesazhin freskues të Mbretërisë që rrjedh prej faqeve të saj!
[Shënimet]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 354, 355.
b Shih në faqen 176, paragrafin 6.
c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 323, anglisht; New Bible Dictionary, botimi i dytë, 1986, nga Xhejms Dikson Dagllas, faqja 1187.
d New Bible Dictionary, botimi i dytë, faqja 1187.
e Shih tabelën «Disa përkthime të rëndësishme të Biblës në shtatë gjuhë kryesore», në faqen 322.
f The Kingdom Interlinear Translation of the Greek Scriptures, 1985, faqet 8, 9.
g Shih shënimet për Lukën 24:40; Gjonin 5:4; Veprat 19:23; 27:37 dhe Zbulesën 3:16, te Bibla me referime, anglisht.
h The New Testament in the Original Greek, 1974, vëll. I, faqja 561.
i The Bible and Archaeology, 1940, faqet 288, 289.