Studime mbi Shkrimet e frymëzuara dhe informacione në lidhje me to
Studimi numër 8—Epërsi të «Përkthimit Bota e Re»
Një shqyrtim i gjuhës së tij moderne, i njëtrajtshmërisë, i përkthimit të kujdesshëm të foljeve dhe i të shprehurit të tij dinamik të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë.
1. (a) Cilën prirje ndreq Përkthimi Bota e Re dhe si? (b) Pse përdoret termi Jehova dhe jo Jahveh ose ndonjë formë tjetër e emrit?
VITET e fundit janë botuar mjaft përkthime moderne të Biblës, të cilat kanë bërë shumë për t’i ndihmuar njerëzit që e duan Fjalën e Perëndisë, të kapin shpejt kuptimin e shkrimeve origjinale. Megjithatë, shumë përkthime e kanë hequr emrin e Perëndisë nga dokumentimi i shenjtë. Nga ana tjetër, Përkthimi Bota e Re e lartëson dhe e nderon emrin e respektuar të Perëndisë të Më të Lartë duke e rivendosur në vendin e duhur në tekst. Tani emri shfaqet 6.973 herë në pjesën e Shkrimeve Hebraike dhe në 237 vende në pjesën e Shkrimeve Greke, gjithsej në 7.210 vende. Forma Jahveh parapëlqehet në përgjithësi nga studiuesit e hebraishtes, por sot nuk mund të përcaktohet me siguri shqiptimi i emrit. Prandaj, forma e latinizuar Jehova vazhdon të përdoret sepse ka qenë në përdorim për shekuj dhe është forma më e pranuar në shqip e Tetragramit ose e emrit hebraik prej katër germash יהוה. Studiuesi i hebraishtes R. H. Fajfëri tha: «Çfarëdo gjëje që të thuhet për origjinën e tij të diskutueshme, ‘Jehova’ është dhe duhet të mbetet termi i duhur . . . për fjalën Jahveh.»a
2. (a) A ka precedentë për ta rivendosur emrin e Perëndisë në Shkrimet e Krishtere Greke? (b) Cili dyshim hiqet në këtë mënyrë?
2 Përkthimi Bota e Re nuk është versioni i parë që e rivendos emrin e Perëndisë në Shkrimet e Krishtere Greke. Të paktën që prej shekullit të 14-të e më tej shumë përkthyes janë ndier të detyruar të rivendosin emrin e Perëndisë në tekst, sidomos në ato vende ku shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke citojnë nga vargjet e Shkrimeve Hebraike që përmbajnë emrin e Perëndisë. Shumë versione të misionarëve në gjuhët e sotme, përfshirë versionet e Shkrimeve Greke në gjuhët afrikane, aziatike, amerikane dhe të ishujve të Paqësorit, e përdorin lirisht emrin Jehova, siç bëjnë disa versione në gjuhët evropiane. Kudo që paraqitet emri i Perëndisë, nuk ka më asnjë dyshim se cilit «zotëri» i referohet. Është Zotëria i qiellit dhe i tokës, Jehovai, emri i të cilit shenjtërohet duke e ruajtur si unik dhe të dallueshëm në Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re.b
3. Në cilat mënyra Përkthimi Bota e Re ndihmon për të përcjellë forcën, bukurinë dhe kuptimin e shkrimeve origjinale?
3 Përkthimi Bota e Re ndihmon për të shenjtëruar edhe më shumë emrin e Jehovait duke i paraqitur Shkrimet e Tij të frymëzuara në një gjuhë të qartë e të kuptueshme, e cila ia sjell lehtë në mendje lexuesit kuptimin e duhur. Përdor një gjuhë të thjeshtë e moderne, përpiqet të jetë sa më i njëtrajtshëm për sa i përket përkthimit të fjalëve dhe përcjell saktë veprimin ose gjendjen e shprehur në foljet hebraike e greke. Në këto dhe në mënyra të tjera, Përkthimi Bota e Re me një gjuhë moderne sjell në dritë, për aq sa është e mundur, forcën, bukurinë dhe kuptimin e shkrimeve origjinale.
I PËRKTHYER NË GJUHËN E SOTME
4. (a) Ç’qëllim fisnik shprehu një përkthyes i hershëm i Biblës? (b) Çfarë është bërë e nevojshme me kalimin e kohës?
4 Në shumë gjuhë, përkthimet më të vjetra të Biblës përmbajnë mjaft fjalë të vjetëruara që i përkasin shekullit të 16-të dhe të 17-të. Megjithëse nuk kuptohen tani, kuptoheshin lehtë në atë kohë. Për shembull, një njeri që përdori shumë fjalë të tilla në Biblën në anglisht ishte Uilliam Tindali, për të cilin thuhet se i tha njërit prej kundërshtarëve të tij fetarë: ‘Po ma kurseu Perëndia jetën, pas pak vitesh do të bëj që një djalë që nget plugun të dijë për Shkrimet më shumë se sa ju.’ Përkthimi i Shkrimeve Greke i Tindalit ishte mjaft i lehtë që ta kuptonte në atë kohë një djalë që ngiste plugun. Por shumë nga fjalët që përdori ai tani janë vjetëruar dhe ‘një djalë që nget plugun’ nuk mund të kapë qartë kuptimin e shumë fjalëve të versionit King James dhe të versioneve të tjera më të vjetra të Biblës. Prandaj, në gjuhë të tilla është bërë e nevojshme të hiqet veli i gjuhës arkaike dhe të rikthehet Bibla në gjuhën e thjeshtë të njeriut të zakonshëm.
5. Në ç’gjuhë duhet të jetë Bibla dhe pse?
5 Për përpilimin e Shkrimeve të frymëzuara u përdor gjuha e njerëzve të thjeshtë. Apostujt dhe të krishterë të tjerë të hershëm nuk përdorën greqishten klasike të filozofëve të tillë si Platoni. Ata përdorën greqishten e përditshme, domethënë, greqishten koine ose popullore. Pra, Shkrimet Greke, ashtu si edhe Shkrimet Hebraike përpara tyre, u shkruan në gjuhën e popullit. Prandaj është tejet e rëndësishme që përkthimet e Shkrimeve origjinale të jenë në gjuhën e popullit, me qëllim që të kuptohen lehtë. Për këtë arsye, kur Përkthimi Bota e Re u prodhua në anglisht dhe në gjuhë të tjera, në të nuk u përdor gjuha arkaike e tre ose katër shekujve më parë, por gjuha e sotme që është e qartë dhe shprehëse, me qëllim që lexuesit të dinë vërtet se çfarë thotë Bibla.
6. Ilustro dobitë që vijnë nga përdorimi i shprehjeve të sotme në vend të fjalëve të vjetëruara.
6 Për të dhënë një ide se sa ndryshon gjuha e vjetër me gjuhën e sotme, vër re krahasimet vijuese midis tekstit të përkthyer nga Kristoforidhi dhe Përkthimit Bota e Re. Fraza te Kristoforidhi «ishte . . . ndë lule» është bërë «kishte çelur lule» në Përkthimin Bota e Re (Dal. 9:31), ‘alëmishtat për luftë’ është bërë «mjete lufte» (1 Sam. 8:12), «të falesh» është bërë «të lutesh» (Mat. 6:6), «ulok» është bërë «paralitik» (Mat. 2:3), ‘mish-shitore’ është bërë ‘pazari i mishit’) 1 Kor. 10:25), etj. Duke parë këta shembuj mund ta çmojmë shumë vlerën e Përkthimit Bota e Re në të cilin përdoren fjalët e sotme në vend të fjalëve të vjetëruara.
NJËTRAJTSHMËRI NË PËRKTHIM
7. Në ç’mënyrë Përkthimi Bota e Re është i njëtrajtshëm?
7 Në Përkthimin Bota e Re është bërë çdo përpjekje që të ruhet njëtrajtshmëria në përkthim. Për një fjalë specifike hebraike ose greke është caktuar një fjalë në shqip, dhe kjo është përdorur në mënyrë sa më të njëtrajtshme që ta lejojë idioma ose konteksti për të dhënë kuptimin e plotë në shqip. Për shembull, fjala hebraike néfesh në shumicën e rasteve është përkthyer «shpirt». Fjala përkatëse greke psihé është përkthyer «shpirt» në çdo rast.
8. (a) Jep shembuj homografësh. (b) Si është vepruar me ta në përkthim?
8 Në disa vende ka lindur problemi për përkthimin e homografëve. Në gjuhën origjinale, këto janë fjalë që shkruhen njësoj, por kanë kuptime të ndryshme. Prandaj, në përkthimin e tyre vështirësia qëndron se si të jepet fjala me kuptimin e duhur. Në shqip kemi homografë të tillë, si «bari» (bimë) dhe «bari» (çoban), si edhe «përkrah» (mbështet) dhe «përkrah» (përbri). Këta shkruhen njësoj, por kanë kuptime krejt të ndryshme. Një shembull biblik është fjala hebraike rav, që përshkruan terma krejt të ndryshëm dhe për këtë arsye këta terma janë përkthyer ndryshe në Përkthimin Bota e Re. Zakonisht fjala rav ka kuptimin «i shumtë», si te Dalja 5:5. Mirëpo, fjala rav që përdoret te titujt, si «rabshakeh» (heb., ravshakéh) te 2 Mbretërve 18:17, ka kuptimin «krye», si në rastin kur u përkthye fraza «kreut të zyrtarëve të oborrit» te Danieli 1:3. (Shih edhe Jereminë 39:3, shënimi.) Fjala rav do të thotë gjithashtu «harkëtar», dhe kjo shpjegon pse është përkthyer kështu te Jeremia 50:29. Për të dalluar këto fjalë që shkruhen njësoj, përkthyesit janë bazuar te leksikografë me autoritet si L. Koeleri dhe U. Baumgartneri.
9. Si e vlerësoi një komentues në fushën e gjuhës hebraike dhe greke Përkthimin Bota e Re, në anglisht?
9 Në lidhje me njëtrajtshmërinë, vër re se ç’tha Aleksandër Tomsoni, komentues në fushën e gjuhës hebraike dhe greke, në recensionin e tij për Shkrimet e Krishtere Greke-Përkthimi Bota e Re, në anglisht: «Duket qartë se përkthimi është vepër e studiuesve të aftë e të shkathët, të cilët janë përpjekur të paraqitin sa më shumë kuptimin e vërtetë të tekstit grek për aq sa gjuha angleze është në gjendje ta shprehë. Versioni synon të ruajë vetëm një kuptim në anglisht për çdo fjalë greke kryesore dhe të jetë sa më fjalë për fjalë. . . . Fjala që zakonisht përkthehet ‘justifikoj’ është përkthyer në përgjithësi në mënyrë shumë të saktë si ‘shpall të drejtë’. . . . Fjala për kryq është përkthyer ‘shtyllë torture’, dhe ky është një përmirësim tjetër. . . . Luka 23:43 është përkthyer mirë: ‘Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.’ Ky është një përmirësim i madh në krahasim me mënyrën si e ka përkthyer shumica e versioneve.» Për të njëjtin përkthim të Shkrimeve Hebraike, po i njëjti kritik bëri këtë koment: «Versioni Bota e Re meriton të blihet. Është i gjallë e i fuqishëm dhe e bën lexuesin të mendojë e të studiojë. Nuk është vepër e kritikës së lartë, por e studiuesve që e nderojnë Perëndinë dhe Fjalën e tij.»—The Differentiator, prill 1952, faqet 52-57, dhe qershor 1954, faqja 136.
10. Ilustro se si njëtrajtshmëria e Përkthimit Bota e Re mbështet vërtetësinë e Biblës.
10 Njëtrajtshmëria e Përkthimit Bota e Re u ka dhënë fund shumë diskutimeve teknike në këtë fushë. Për shembull, para disa vitesh një shoqatë mendimtarësh të lirë në Nju-Jork i kërkoi Shoqatës Watch Tower që t’u dërgonte dy oratorë që të flitnin me grupin e tyre për çështje biblike, dhe kërkesa u pranua. Këta njerëz të ditur i përmbaheshin parimit latin falsum in uno falsum in toto, që do të thotë se një argument që del i gabuar në një pikë, është krejtësisht i gabuar. Gjatë diskutimit dikush i sfidoi Dëshmitarët e Jehovait në lidhje me besueshmërinë e Biblës. Ai kërkoi që t’i lexohej auditorit Zanafilla 1:3 dhe ky shkrim u lexua nga Përkthimi Bota e Re: «Pastaj Perëndia tha: ‘Le të bëhet dritë.’ Atëherë u bë dritë.» Plot siguri, më pas ai kërkoi që të lexohej Zanafilla 1:14, e ky shkrim u lexua po ashtu nga Përkthimi Bota e Re: «Perëndia vazhdoi të thoshte: ‘Le të dalin ndriçues në hapësirën e qiejve.’» «Ndal,—tha ai.—Çfarë po lexon? Në Biblën time thuhet se Perëndia e bëri dritën në ditën e parë dhe po ashtu edhe në ditën e katërt dhe këtu ka mospërputhje.» Megjithëse pohoi se dinte hebraisht, atij iu tregua se fjala hebraike e përkthyer «dritë» në Zn 1 vargun 3 ishte ʼohr, kurse fjala në Zn 1 vargun 14 ishte e ndryshme, maʼohrʹ, që i referohet një ndriçuesi ose burimi drite. Ai njeri i ditur u ul i mundur.c Njëtrajtshmëria e besueshme e Përkthimit Bota e Re kishte fituar mbi këtë pikë, duke e mbështetur Biblën si të besueshme dhe të dobishme.
PËRKTHIM I KUJDESSHËM I FOLJEVE
11. Cila veçori dinamike e Shkrimeve origjinale është ruajtur në Përkthimin Bota e Re? Si?
11 Në Përkthimin Bota e Re i kushtohet vëmendje e veçantë që të përcillet kuptimi i veprimit që shprehin foljet greke dhe hebraike. Për këtë, në Përkthimin Bota e Re janë bërë përpjekje për të ruajtur bukurinë, thjeshtësinë, forcën dhe mënyrën e të shprehurit të veçantë të shkrimeve në gjuhët origjinale. Kështu ka qenë e nevojshme të përdoren folje ndihmëse për të përcjellë me kujdes gjendjen konkrete të veprimeve. Për shkak të fuqisë së foljeve të tyre, Shkrimet origjinale janë mjaft dinamike dhe plot gjallëri.
12. (a) Cila është një mënyrë se si gjuha hebraike ndryshon nga shumë gjuhë të tjera? (b) Shpjego dy gjendjet e foljes hebraike.
12 Foljet hebraike nuk kanë «kohë», në atë kuptim që përdoret termi «kohë» në shumë gjuhë të tjera. Në shqip foljet shihen sidomos nga pikëpamja e kohës, pra: e shkuar, e tashme dhe e ardhme. Por, nga ana tjetër, foljet hebraike kryesisht shprehin gjendjen e veprimit, domethënë që veprimi konsiderohet ose i përfunduar (gjendja e kryer) ose i papërfunduar (gjendja e pakryer). Këto gjendje të foljeve hebraike mund të përdoren për të treguar veprime në të kaluarën ose në të ardhmen dhe konteksti përcakton kohën. Për shembull, gjendja e kryer ose e përfunduar e foljes përshkruan natyrshëm veprime të së kaluarës, por ajo përdoret edhe për të folur për një ngjarje të ardhme sikur ajo të kishte ndodhur tashmë dhe kishte kaluar, duke treguar kështu sigurinë ose detyrimin që do të ndodhë.
13. Pse është e rëndësishme të tregohet kujdesi i duhur për gjendjen e foljes hebraike për të arritur në një kuptim të saktë të Zanafillës 2:2, 3?
13 Transmetimi me saktësi i gjendjes së foljes hebraike është shumë i rëndësishëm, përndryshe kuptimi mund të shtrembërohet dhe mund të shprehet një mendim krejt i ndryshëm. Për këtë le të marrim si shembull shprehjet foljore që gjenden te Zanafilla 2:2, 3. Në shumë përkthime, kur flitet për pushimin e Perëndisë ditën e shtatë, janë përdorur shprehje si: «pushoi», «ndaloi», «kishte ndaluar», «pastaj pushoi», «Perëndia pushoi» dhe «kishte pushuar». Nga këto përkthime dikush mund të nxjerrë përfundimin se pushimi i Perëndisë ditën e shtatë përfundoi në të kaluarën. Por vër re se si përcillet në Përkthimin Bota e Re kuptimi i foljeve që janë përdorur në Zanafillën 2:2, 3: «Ditën e shtatë Perëndia e kishte përfunduar punën e krijimit. Ditën e shtatë ai nisi të pushonte nga tërë puna që kishte bërë. Perëndia e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e shtatë, sepse atë ditë ai filloi të pushonte nga gjithë puna e tij.» Shprehja në vargun 2 «nisi të pushonte» është një folje në hebraisht në gjendjen e pakryer, prandaj shpreh idenë e një veprimi të papërfunduar ose që po vazhdon. Përkthimi «nisi të pushonte» është në përputhje me atë që thuhet te Hebrenjve 4:4-7. Nga ana tjetër, folja te Zanafilla 2:3 është në gjendjen e kryer, por që të përputhet me vargun 2 dhe me Hebrenjve 4:4-7 është përkthyer «filloi të pushonte».
14. Ç’përpjekje janë bërë në Përkthimin Bota e Re për sa u përket foljeve hebraike, pasi është shmangur pikëpamja e gabuar e ua-së së njëpasnjëshme?
14 Një nga arsyet për pasaktësitë në përkthimin e formave foljore hebraike është teoria gramatikore që sot quhet ua-ja e njëpasnjëshme. Ua-ja (ו) është lidhëza hebraike që në thelb do të thotë «dhe». Ajo nuk qëndron kurrë e vetme, por bashkohet gjithnjë me ndonjë fjalë tjetër, shpesh me një folje hebraike, që të formojë një fjalë të vetme me të. Është thënë dhe ende thuhet nga disa se ky bashkim ka fuqinë të shndërrojë foljen nga një gjendje në një tjetër, domethënë, nga e pakryera në të kryerën (siç është bërë te Zanafilla 2:2, 3 në shumë përkthime, përfshirë edhe ato modernet) ose nga e kryera në të pakryerën. Ky efekt është përshkruar me termin «ua-ja shndërruese». Ky përdorim i pasaktë i formës foljore ka sjellë shumë pështjellim dhe ka çuar në një përkthim të gabuar të tekstit hebraik. Përkthimi Bota e Re nuk e pranon se shkronja ua ka ndonjë fuqi për të ndryshuar gjendjen e foljes. Përkundrazi në të janë bërë përpjekje që të përcillet forca e duhur dhe karakteristike e foljes hebraike, duke e ruajtur kështu të saktë kuptimin e origjinalit.d
15. (a) Me cilin kujdes janë përkthyer foljet hebraike? (b) Ilustro dobinë që vjen kur paraqitet saktë ideja e vazhdimësisë.
15 Një kujdes i ngjashëm është treguar edhe në përkthimin e foljeve greke. Në greqisht kohët e foljeve nuk shprehin vetëm kohën e një veprimi ose të një gjendjeje, por edhe llojin e një veprimi, pra, nëse është i përkohshëm, nëse fillon, vazhdon, përsëritet ose përfundon. Vëmendja e treguar ndaj këtyre kuptimeve në format foljore në greqisht çon në një përkthim të saktë që shpreh forcën e plotë të veprimit të përshkruar. Për shembull, duke dhënë kuptimin e vazhdimësisë, atje ku kjo ndeshet në foljen greke, jo vetëm sillet ngjyra e vërtetë e një situate, por edhe bëhet më i fuqishëm paralajmërimi dhe këshilla. Për shembull, mosbesimi i vazhdueshëm i farisenjve dhe i saducenjve bëhet i qartë në fjalët e Jezuit: «Një brez i lig dhe kurorëshkelës vazhdon të kërkojë një shenjë.» Dhe nevoja për të kryer vazhdimisht gjërat e drejta shprehet mirë nga fjalët e Jezuit: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj.» «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë.» «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.»—Mat. 16:4; 5:44; 6:33; 7:7.
16. Në ç’mënyrë është shprehur saktë komenti i Gjonit për ‘mëkatin’ te 1 Gjonit 2:1, duke marrë parasysh kohën aoriste të gjuhës greke?
16 Në gjuhën greke ka një kohë që quhet aoriste, e cila tregon një veprim të përpiktë ose të një çasti. Foljet në kohën aoriste mund të përkthehen në shumë mënyra, në varësi të kontekstit. Një mënyrë se si përdoret kjo kohë është për të përshkruar një veprim të një lloji, edhe pse jo të lidhur me ndonjë kohë të veçantë. Një shembull i tillë gjendet te 1 Gjonit 2:1 ku shumë versione e përkthejnë foljen greke për «mëkatoj» në një mënyrë që jep idenë e një sjelljeje mëkatare të vazhdueshme, kurse në Përkthimin Bota e Re thuhet «kryen mëkat», domethënë, një akt të vetëm mëkatar. Kjo përcjell kuptimin e saktë që nëse një i krishterë do të kryente një akt mëkatar, ai ka Jezu Krishtin i cili vepron si një avokat ose ndihmës pranë Atit qiellor. Pra, 1 Gjonit 2:1 nuk bie aspak në kundërshtim me dënimin që i bëhet ‘praktikimit të mëkatit’ që përmendet te 1 Gjonit 3:6-8 dhe 5:18.e
17. Ç’gjë tjetër mund të shprehë koha e pakryer në greqisht, përveçse të tregojë një veprim të vazhdueshëm? Ilustroje.
17 Koha e pakryer në greqisht mund të shprehë jo vetëm një veprim që vazhdon, por edhe një veprim të synuar, por që nuk është arritur të kryhet. Vër re Hebrenjve 11:17 në përkthimin Diodati i Ri: «Me anë të besimit Abrahami, pasi u vu në provë, ofroi Isakun dhe ai që kishte pritur premtimet ofroi birin e tij të vetëm.». Në këto dy raste folja greke që është përkthyer «ofroi» ndryshon për sa i përket formës. Në rastin e parë ajo është në kohën e kryer (veprim i përfunduar), kurse në rastin e dytë është në të pakryerën (veprim i vazhdueshëm në të shkuarën). Përkthimi Bota e Re, duke marrë parasysh kohët e ndryshme e përkthen këtë varg kështu: «Abrahami, kur u vu në provë, pothuaj e flijoi Isakun, dhe ai . . . provoi të flijonte birin e vetëmlindur.» Në këtë mënyrë është ruajtur kuptimi i përfunduar i foljes së parë, ndërsa koha e pakryer e foljes së dytë tregon se u synua të kryhej veprimi, por ai nuk u arrit të kryhej.—Zan. 22:9-14.
18. Çfarë rezultati është arritur ngaqë është treguar kujdes i madh ndaj funksioneve të pjesëve të tjera të ligjëratës? Jep një shembull.
18 Ngaqë është treguar kujdes i madh ndaj funksioneve të pjesëve të tjera të ligjëratës, të tilla si rasat e emrave, janë qartësuar ato që dukeshin si kontradikta. Për shembull, te Veprat 9:7, në përshkrimin që bëhet për përvojën e jashtëzakonshme të Saulit gjatë udhës për në Damask, shumë përkthime thonë se shokët e tij të udhëtimit ‘dëgjuan zërin’, por nuk panë askënd. Pastaj, te Veprat 22:9, ku Pavli tregon të njëjtën ndodhi, në të njëjtat përkthime thuhet se megjithëse e panë dritën, ata ‘nuk e dëgjuan zërin’. Gjithsesi, në rastin e parë, në greqisht fjala që ka kuptimin «zë» është në rasën gjinore, ndërsa në rastin e dytë është në rasën kallëzore, siç është edhe te Veprat 9:4. Pse ky ndryshim? Në përkthimet e mësipërme nuk është përcjellë asgjë prej kësaj, megjithatë me rasat e ndryshme teksti grek tregon diçka të ndryshme. Burrat dëgjuan «një zë (fjalë për fjalë në greqisht: ‘[tingullin] e zërit’)», por jo ashtu siç e dëgjoi Pavli, pra, t’i dëgjonin fjalët dhe t’i kuptonin. Ja pse te Përkthimi Bota e Re, pasi është vërejtur përdorimi i gjinores te Veprat 9:7, thuhet se burrat që ishin me të «dëgjonin një zë, por nuk shihnin asnjeri».
PËRKTHIMI BOTA E RE I PËRKTHYER NGA ANGLISHTJA NË GJUHË TË TJERA
19. (a) Si është bërë e mundur për gjithnjë e më shumë njerëz në botë që të nxjerrin dobi nga Përkthimi Bota e Re? (b) Cila është shifra e përgjithshme e kopjeve të Përkthimit Bota e Re që kishte shtypur Shoqata Watch Tower deri në vitin 2006?
19 Në vitin 1961 u njoftua se Shoqata Watch Tower po punonte për ta përkthyer Përkthimin Bota e Re në gjashtë gjuhë të tjera që përdoreshin gjerësisht: në frëngjisht, gjermanisht, holandisht, italisht, portugalisht dhe spanjisht. Ky përkthim iu besua përkthyesve të aftë e të kushtuar, të cilët punuan bashkë që të gjithë në selinë e Shoqatës Watch Tower në Bruklin, Nju-Jork. Ata shërbyen si një komitet i madh ndërkombëtar që punoi nën një drejtim të aftë. Në korrik të vitit 1963, në asamblenë e Dëshmitarëve të Jehovait me temë «Lajmi i mirë i përhershëm», që u zhvillua në Miluoki, Uiskonsin, në SHBA, ishin gati frytet e para të kësaj pune përkthimi kur Shkrimet e Krishtere Greke-Përkthimi Bota e Re dolën njëkohësisht në gjashtë gjuhët e lartpërmendura. Tani njerëzit nga e gjithë bota që flitnin gjuhë të tjera përveç anglishtes mund të fillonin të gëzonin epërsitë e këtij përkthimi modern. Që nga ajo kohë puna e përkthimit ka vazhduar, dhe deri në vitin 2006 Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re kishte dalë në 63 gjuhë dhe ishin shtypur më shumë se 132.000.000 kopje.f
MIRËNJOHJE PËR KËTË MJET TË FUQISHËM
20, 21. Në cilat mënyra të jashtëzakonshme u sjell dobi të krishterëve ky përkthim i Shkrimeve të frymëzuara?
20 Përkthimi Bota e Re është vërtet një mjet i fuqishëm për të treguar se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm». Nga pikat e shqyrtuara në këtë studim mund të kuptojmë se ai është i saktë e i besueshëm dhe se mund t’u sjellë kënaqësi të vërtetë atyre që duan të dëgjojnë Perëndinë që i flet në mënyrë prekëse njeriut me gjuhën e sotme të gjallë. Gjuha e Përkthimit Bota e Re është nxitëse nga ana frymore dhe ajo e vë menjëherë lexuesin në sintoni me të shprehurit dinamik të Shkrimeve të frymëzuara origjinale. Nuk kemi më nevojë të lexojmë e të rilexojmë vargjet për të kuptuar frazat e paqarta. Ai shprehet me forcë dhe qartësi që me leximin e parë.
21 Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re është një përkthim i besueshëm i Fjalës së Perëndisë, ‘i shpatës së frymës’. Si i tillë ai është vërtet një armë e efektshme në luftën frymore të të krishterëve, një ndihmë ‘për të përmbysur mësime të rreme të fortifikuara mirë dhe arsyetime që janë ngritur kundër njohurisë së Perëndisë’. Na jep mundësi të shpallim edhe me më shumë kuptueshmëri gjërat e dobishme dhe ndërtuese, gjërat e lavdishme që lidhen me Mbretërinë e drejtë të Perëndisë—po, «gjërat madhështore të Perëndisë»!—Efes. 6:17; 2 Kor. 10:4, 5; Vep. 2:11.
[Shënimet]
a Introduction to the Old Testament, nga Robert H. Fajfër, 1952, faqja 94.
b Kingdom Interlinear Translation, botimi i vitit 1985, faqet 1133-1138.
c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 528, anglisht.
d Përkthimi Bota e Re, shtojca 2B, «Folje hebraike që tregojnë vazhdimin ose rritjen progresive të veprimit».
e Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 1008, anglisht.
f Botime të plota kanë dalë në gjuhët afrikanse, angleze (edhe në braile), arabe, cebuane, çeke, daneze, finlandeze, frënge, greke, gjeorgjiane, gjermane, holandeze, hungareze, iloke, indoneziane, italiane, japoneze, jorube, kineze, kineze (e thjeshtuar), koreane, kroate, maqedonase, norvegjeze, osetiane, polake, portugeze (edhe në braile), rumune, serbe, serbe [romake], sesote, sllovake, spanjolle (edhe në braile), suahile, suedeze, shone, shqipe, tagaloge, tsonge, tsuana, xhose dhe zulu. (Gjithashtu pjesërisht në gjuhët: amerikane e shenjave [në DVD], bullgare, cibembe, çikeve, efike, igbo, italiane braile, lingale, malagase, malteze, ruse, sepede, sinhaleze, sllovene, sranantonge, turke, tviane dhe ukrainase.)