KAPITULLI 2
«Perëndia i miratoi» dhuratat e tyre
NË KËTË KAPITULL: Historik i masave që mori Jehovai për adhurimin e pastër
1-3. (a) Cilat pyetje do të shqyrtojmë? (b) Cilat janë katër kriteret kryesore të adhurimit të pastër që do të trajtojmë? (Shih figurën hapëse.)
ABELI kontrollon me kujdes kopenë e dhenve. I ka rritur plot merak që kur kanë lindur. Tani, zgjedh disa, i ther dhe ia paraqet si dhuratë Perëndisë. A do ta pranojë Jehovai këtë akt adhurimi nga një njeri i papërsosur?
2 Vër re çfarë shkroi nën frymëzim apostulli Pavël për Abelin: «Perëndia i miratoi dhuratat e tij.» Megjithatë, Jehovai nuk e pranoi blatimin e Kainit. (Lexo Hebrenjve 11:4.) Kjo ngre disa pyetje që duhen shqyrtuar: pse Perëndia e pranoi adhurimin e Abelit, por jo të Kainit? Çfarë mësimesh nxjerrim nga shembujt e Kainit, të Abelit dhe të të tjerëve që përmenden në kapitullin 11 të Hebrenjve? Falë përgjigjeve të këtyre pyetjeve do të kuptojmë më qartë se çfarë përfshin adhurimi i pastër.
3 Ndërsa shqyrtojmë një përmbledhje të shkurtër të ngjarjeve nga ditët e Abelit deri në ditët e Ezekielit, vër re katër kritere kryesore që, kur kombinohen bashkë, e bëjnë adhurimin tonë të pranueshëm për Perëndinë: personi që adhurojmë duhet të jetë Jehovai, cilësia e adhurimit të jetë më e larta, mënyra të jetë e miratuar nga Perëndia dhe motivi të jetë i pastër.
Pse nuk u pranua adhurimi i Kainit?
4, 5. Pse Kaini arriti në përfundimin se dhuratën duhet t’ia paraqiste Perëndisë?
4 Lexo Zanafillën 4:2-5. Kaini e dinte se ishte Jehovai personi që e meritonte dhuratën. Ai pati plot kohë dhe mundësi për të mësuar për Jehovain. Bashkë me të vëllanë, Abelin, mund të kenë qenë afro 100 vjeç në kohën kur paraqitën dhuratat.a Që të vegjël, të dy e dinin se ekzistonte kopshti i Edenit, mbase edhe e kishin parë nga njëfarë distance atë kopsht të begatë. Me siguri duhet të kenë vënë re edhe kerubinët që bllokonin hyrjen për te kopshti. (Zan. 3:24) Pa diskutim që edhe prindërit duhet t’u kenë treguar se Jehovai kishte krijuar gjithçka dhe se qëllimi i tij fillestar për njerëzimin ishte si nata me ditën me atë çka po përjetonin—jeta e tyre kishte marrë të tatëpjetën. (Zan. 1:24-28) Të gjitha këto duhet ta kenë nxitur Kainin të arrinte në përfundimin se dhuratën duhej t’ia paraqiste Perëndisë.
5 Çfarë tjetër mund ta ketë nxitur Kainin ta ofronte flijimin? Jehovai kishte parathënë ardhjen e një ‘pasardhësi’, i cili do të shtypte kokën e «gjarprit» që kishte joshur Evën drejt një vendimi tmerrësisht të keq. (Zan. 3:4-6, 14, 15) Si i parëlinduri, Kaini mund të ketë menduar se ishte ‘pasardhësi’ i premtuar. (Zan. 4:1) Për më tepër, Jehovai nuk e kishte ndërprerë tërësisht komunikimin me njerëzit mëkatarë. Edhe pasi Adami mëkatoi, Perëndia foli me të, me sa duket nëpërmjet një engjëlli. (Zan. 3:8-10) Jehovai foli edhe me Kainin pasi ky paraqiti flijimin. (Zan. 4:6) Pra, s’mbetet pikë dyshimi që Kaini e dinte se Jehovai është i denjë të adhurohet.
6, 7. A kishte diçka të gabuar cilësia e blatimit të Kainit ose mënyra si e paraqiti? Shpjego.
6 Atëherë, pse Jehovai nuk e pa fare me miratim blatimin e Kainit? Mos ndoshta dhurata nuk kishte cilësinë e duhur? Bibla nuk e tregon. Ajo thotë thjesht se Kaini solli «disa fryte të tokës». Më vonë, në Ligjin që i dha Moisiut, Jehovai tregoi se e pranonte këtë lloj blatimi. (Num. 15:8, 9) Mendo pak edhe për rrethanat. Në atë moment të historisë, njerëzit ushqeheshin vetëm me bimësi. (Zan. 1:29) Dhe, duke qenë se Perëndia e kishte mallkuar tokën jashtë Edenit, Kaini ishte robtuar të kultivonte prodhimin që po ofronte. (Zan. 3:17-19) Ai po paraqiste produkte jetike që i kishte fituar me djersën e ballit. Prapëseprapë, Jehovai nuk e miratoi blatimin e Kainit.
7 Mos vallë kishte diçka të gabuar në mënyrën si e bëri dhuratën? Mos ndoshta mënyra si e kishte ofruar ishte e papranueshme? Kjo duket e pamundur. Pse? Sepse kur Jehovai hodhi poshtë blatimin e Kainit, nuk dënoi mënyrën si ishte ofruar dhurata. Në fakt, nuk thuhet asgjë se në ç’mënyrë i paraqitën dhuratat Kaini dhe Abeli. Atëherë, ku qëndronte problemi?
8, 9. (a) Pse Jehovai nuk e pa fare me miratim Kainin dhe blatimin e tij? (b) Çfarë të bën përshtypje nga ajo që tregon Bibla për Kainin dhe Abelin?
8 Nga fjalët e frymëzuara të Pavlit drejtuar hebrenjve kuptojmë se motivi i Kainit nuk ishte i pastër. Atij i mungonte besimi. (Hebr. 11:4; 1 Gjon. 3:11, 12) Ja pse Jehovai nuk pa fare me miratim jo thjesht blatimin, por vetë Kainin si person. (Zan. 4:5-8) Si një Atë i dashur, Jehovai u përpoq me dashamirësi ta korrigjonte birin e tij. Por Kaini e shpërfilli ndihmën e Jehovait. Zemra e tij ishte infektuar nga veprat e trupit mëkatar, si ‘armiqësitë, grindjet dhe xhelozia’. (Gal. 5:19, 20) Për shkak të zemrës së ligë, çdo aspekt pozitiv i adhurimit të Kainit u bë i pavlerë. Shembulli i tij na mëson se adhurimi i pastër nuk duhet të jetë vetëm një shfaqje e jashtme e përkushtimit ndaj Jehovait.
9 Bibla tregon goxha për Kainin: fjalët që i tha Jehovai, përgjigjen e Kainit dhe madje emrat e pasardhësve të tij e disa prej gjërave që bënë. (Zan. 4:17-24) Ndërsa për Abelin nuk tregohet nëse kishte fëmijë dhe në Bibël nuk është ruajtur asnjë fjalë e tij. Ama veprat e Abelit flasin deri sot e kësaj dite. Në ç’kuptim?
Abeli lë shembullin
10. Pse Abeli është një shembull për sa i përket adhurimit të pastër?
10 Abeli ia paraqiti flijimin Jehovait, pasi e dinte se Ai është i vetmi person i denjë për t’u adhuruar. Veç kësaj, dhurata ishte e cilësisë më të lartë—Abeli zgjodhi ‘disa pjella të para të kopesë’. Edhe pse Bibla nuk tregon nëse e paraqiti në një altar flijimin, është më se e qartë se e ofroi në mënyrë të pranueshme. Por, ajo që spikat te dhurata e Abelit është motivi pse e paraqiti. Ja pse shembulli i tij «flet» ende pas 6.000 vjetësh. Abeli u motivua nga besimi te Perëndia dhe nga dashuria për standardet e drejta të Jehovait. Nga e dimë këtë?
11. Pse Jezui e përshkroi Abelin si njeri të drejtë?
11 Si fillim, le të shohim si u shpreh Jezui për Abelin. Jezui e kishte veçanërisht për zemër këtë fëmijë të Adamit: e njihte mirë, sepse e kishte parë nga qielli. (Prov. 8:22, 30, 31; Gjoni 8:58; Kolos. 1:15, 16) Si dëshmitar okular, Jezui mund të thoshte me plot gojën se Abeli ishte njeri i drejtë. (Mat. 23:35) Një njeri i drejtë e pranon se i takon Jehovait të vendosë standardet e së drejtës dhe të së gabuarës. Por jo vetëm kaq. Ai tregon me fjalë e me vepra se jeton sipas këtyre standardeve. (Krahaso Lukën 1:5, 6.) Duhet kohë që të fitosh reputacionin si njeri i drejtë. Prandaj Abeli duhet të jetë njohur si njeri që jetonte në harmoni me standardet e Jehovait që para se të paraqiste flijimin. Mendo sa e vështirë duhet të ketë qenë kjo! Vëllai i madh s’ishte aspak shembull pozitiv—zemra e Kainit ishte bërë e ligë. (1 Gjon. 3:12) E ëma kishte shkelur një urdhër që vinte drejtpërdrejt nga Perëndia. I ati ishte rebeluar kundër Jehovait, sepse donte të vendoste vetë çfarë ishte e mirë dhe e keqe. (Zan. 2:16, 17; 3:6) Pra, Abeli u tregua shumë i guximshëm, duke zgjedhur një rrugë krejt ndryshe nga ajo e familjes.
12. Cili ishte ndryshimi kryesor mes Kainit dhe Abelit?
12 Veç kësaj, shiko se çfarë tha Pavli për lidhjen që ekziston mes besimit dhe drejtësisë. Ai shkroi: «Me anë të besimit, Abeli i paraqiti Perëndisë një flijim me vlerë më të madhe se i Kainit, e nëpërmjet këtij besimi mori dëshmi se ishte i drejtë.» (Hebr. 11:4) Këto fjalë të Pavlit tregojnë se, ndryshe nga Kaini, Abeli u motivua gjithë jetën nga besimi i sinqertë te Jehovai dhe te mënyra si vepron Ai.
13. Çfarë na mëson shembulli i Abelit?
13 Shembulli i Abelit na mëson se adhurimi i pastër vjen vetëm nga një zemër me motive të pastra—një zemër që ka besim absolut te Jehovai dhe që i pranon plotësisht standardet e tij të drejta. Për më tepër kuptojmë se adhurimi i pastër nuk është një akt i vetëm përkushtimi. Përkundrazi, përfshin gjithë jetën tonë, çdo aspekt të sjelljes sonë.
Patriarkët ndjekin shembullin
14. Pse i pranoi Jehovai flijimet e Noesë, të Abrahamit dhe të Jakobit?
14 Abeli ishte njeriu i parë i papërsosur që i bëri Jehovait adhurim të pastër, ama jo i fundit. Apostulli Pavël përmend edhe burra të tjerë që e adhuruan Jehovain në mënyrë të pranueshme, si Noeja, Abrahami dhe Jakobi. (Lexo Hebrenjve 11:7, 8, 17-21.) Në një pikë të jetës, secili prej këtyre patriarkëve i paraqiti Jehovait flijime që Ai i miratoi. Pse? Sepse ata jo vetëm ofruan flijime, por edhe plotësuan katër kriteret kryesore të adhurimit të pastër. Le t’i shqyrtojmë shembujt e tyre.
15, 16. Si i plotësoi Noeja katër kriteret kryesore të adhurimit të pastër?
15 Noeja lindi vetëm 126 vjet pas vdekjes së Adamit, e megjithatë në kohën e tij adhurimi i rremë kishte marrë dhenë.b (Zan. 6:11) Nga gjithë familjet që ekzistonin para Përmbytjes, vetëm Noeja dhe familja e tij i shërbenin Jehovait në mënyrë të pranueshme. (2 Pjet. 2:5) Pasi i mbijetoi Përmbytjes, Noeja u nxit të ndërtonte një altar dhe t’i ofronte flijime Jehovait. Ky është altari i parë që përmendet specifikisht në Bibël. Me këtë veprim të sinqertë, Noeja i dha një mesazh të qartë familjes së vet dhe njerëzimit që do të vinte prej tij: Jehovai është i vetmi person i denjë për t’u adhuruar. Noeja mund të ofronte cilat kafshë të donte, por zgjodhi «disa kafshë të pastra e disa krijesa fluturuese të pastra». (Zan. 8:20) Meqë vetë Jehovai i kishte shpallur të pastra, ato flijime ishin të cilësisë më të lartë.—Zan. 7:2.
16 Noeja i paraqiti blatimet e djegura mbi altarin që ndërtoi. A ishte e pranueshme kjo mënyrë adhurimi? Patjetër që po. Bibla tregon se Jehovai e pëlqeu aromën e blatimeve dhe pastaj e bekoi Noenë bashkë me bijtë e tij. (Zan. 8:21; 9:1) Mbi të gjitha, Jehovai e pranoi dhuratën ngaqë Noeja e paraqiti me motivin e duhur. Kjo dhuratë tregonte edhe një herë se Noeja kishte besim të patundur te Jehovai dhe te mënyra si vepron Ai. Ngaqë bindja ndaj Jehovait dhe ndjekja e standardeve të tij ishte pjesë e pandarë e jetës së Noesë, Bibla thotë se ai «eci me Perëndinë e vërtetë». Si rrjedhojë, Noeja njihet edhe sot e kësaj dite si njeri i drejtë.—Zan. 6:9; Ezek. 14:14; Hebr. 11:7.
17, 18. Si i plotësoi Abrahami katër kriteret kryesore të adhurimit të pastër?
17 Abrahami jetonte mes adhuruesve të rremë. Banonte në qytetin e Urit, që kishte një tempull të stërmadh në nder të perëndisë-hënë Nana.c Madje, për njëfarë kohe, edhe babai i Abrahamit adhuroi perëndi të rreme. (Jos. 24:2) Sidoqoftë, Abrahami zgjodhi të adhuronte Jehovain. Ka shumë të ngjarë të ketë mësuar për Perëndinë e vërtetë nga paraardhësi i tij Semi, njëri prej djemve të Noesë. Abrahami dhe Semi ishin bashkëkohës për 150 vjet.
18 Gjatë viteve të shumta të jetës, Abrahami paraqiti plot flijime. Të gjitha këto akte adhurimi i bëri gjithmonë për Jehovain, të vetmin person të denjë për t’u adhuruar. (Zan. 12:8; 13:18; 15:8-10) Ç’të themi për cilësinë e flijimeve? A ishte gati Abrahami t’i paraqiste Jehovait më të mirën? Kjo pyetje mori përgjigje të padiskutueshme kur Abrahami u tregua i gatshëm të flijonte Isakun, birin e tij të dashur. Në atë rast, Jehovai i shpjegoi fill e për pe mënyrën si ta paraqiste flijimin. (Zan. 22:1, 2) Abrahami ishte gati t’i zbatonte deri më një udhëzimet që mori, por Jehovai nuk e la ta vriste të birin. (Zan. 22:9-12) Jehovai e pranoi adhurimin e Abrahamit, ngaqë motivet e tij ishin të pastra. Në fakt, Pavli shkroi për të: «Abrahami tregoi besim te Jehovai, dhe për këtë u konsiderua i drejtë.»—Rom. 4:3.
19, 20. Si i plotësoi Jakobi katër kriteret kryesore të adhurimit të pastër?
19 Jakobi e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Kanan, në tokën që Jehovai u kishte premtuar Abrahamit dhe pasardhësve të tij. (Zan. 17:1, 8) Banorët e Kananit ishin zhytur kokë e këmbë në praktika të degjeneruara adhurimi, aq sa Jehovai tha se vendi ‘do t’i villte banorët e vet’. (Lev. 18:24, 25) Në moshën 77-vjeçare, Jakobi iku nga Kanani, u martua dhe, vite më vonë, u rikthye me një familje të madhe. (Zan. 28:1, 2; 33:18) Por, disa nga familjarët e tij ishin ndikuar nga adhurimi i rremë. Megjithatë, kur Jehovai i tha të shkonte në Bethel që t’i ndërtonte një altar, Jakobi veproi me vendosmëri. Si fillim i tha familjes: «Zhdukini perënditë e huaja që janë mes jush [dhe] pastrohuni.» Pastaj zbatoi besnikërisht udhëzimet që kishte marrë.—Zan. 35:1-7.
20 Jakobi ndërtoi disa altarë në Tokën e Premtuar, por adhuroi gjithmonë të njëjtin person, Jehovain. (Zan. 35:14; 46:1) Falë cilësisë së flijimeve, mënyrës si e adhuroi Perëndinë dhe motivit, Bibla e quan Jakobin ‘të paqortueshëm’, fjalë e cila përdoret për ata që kanë miratimin e Perëndisë. (Zan. 25:27) E gjithë jeta e Jakobit ishte një shembull i jashtëzakonshëm për kombin e Izraelit që do të vinte prej tij.—Zan. 35:9-12.
21. Çfarë mësojmë për adhurimin e pastër nga shembulli i patriarkëve?
21 Çfarë mësojmë për adhurimin e pastër nga shembulli i patriarkëve? Edhe sot njerëzit, ndoshta edhe familjarët tanë, mund të na shpërqendrojnë nga synimi për t’iu përkushtuar vetëm Jehovait. Që t’i rezistojmë presionit të tyre, duhet të zhvillojmë besim të fortë te Jehovai dhe të jemi të sigurt se standardet e tij të drejta janë më të mirat. E tregojmë këtë besim duke iu bindur Jehovait dhe duke përdorur kohën, energjitë dhe të ardhurat për t’i shërbyer. (Mat. 22:37-40; 1 Kor. 10:31) Marrim shumë zemër nga dijenia se Jehovai na konsideron të drejtë kur bëjmë më të mirën për ta adhuruar, në mënyrën që kërkon ai dhe me motive të pastra.—Lexo Jakovin 2:18-24.
Një popull i përkushtuar ndaj adhurimit të pastër
22-24. Çfarë thoshte Ligji për personin që duhej adhuruar, për cilësinë e flijimeve dhe për mënyrën si duhej të paraqiteshin flijimet?
22 Jehovai u dha pasardhësve të Jakobit Ligjin, ndaj s’kishte arsye të hamendeshin për çka priste prej tyre. Po t’i bindeshin Jehovait, do të bëheshin ‘prona e tij e veçantë’ dhe «një komb i shenjtë». (Eks. 19:5, 6) Le të shohim si i theksonte Ligji katër kriteret kryesore të adhurimit të pastër.
23 Jehovai e identifikoi qartë personin që duhej të adhuronin izraelitët. Ai u tha: «Mos ki perëndi të tjera përveç meje.» (Eks. 20:3-5) Veç kësaj, flijimet duhej të ishin të cilësisë më të lartë. Për shembull, ata duhej të flijonin kafshë të shëndetshme, pa asnjë të metë. (Lev. 1:3; Ligj. 15:21; krahaso Malakinë 1:6-8.) Edhe levitët, të cilët nxirrnin dobi nga dhuratat që i ofroheshin Jehovait, duhej të paraqisnin blatime. Nga çdo dhuratë që merrnin, «pjesën më të mirë» duhet t’ia jepnin si kontribut Jehovait. (Num. 18:29) Jehovai u dha udhëzime specifike edhe për mënyrën e adhurimit: çfarë flijimesh të paraqitnin, ku dhe si ta bënin këtë. Izraelitët morën mbi 600 ligje për aspekte të ndryshme të jetës dhe u këshilluan: «Kini kujdes që të bëni pikërisht si ju ka urdhëruar Jehovai, Perëndia juaj. Mos u ktheni as djathtas, as majtas.»—Ligj. 5:32.
24 A kishte vërtet rëndësi vendi ku paraqiteshin flijimet? Patjetër. Jehovai e udhëzoi popullin të ndërtonte një tabernakull, i cili u bë qendra e adhurimit të pastër. (Eks. 40:1-3, 29, 34) Në atë kohë, nëse izraelitët dëshironin që Jehovai t’ua pranonte blatimet, duhej t’i sillnin në tabernakull.d—Ligj. 12:17, 18.
25. Çfarë kishte më shumë rëndësi në lidhje me flijimet? Shpjego.
25 Megjithatë, ajo që kishte më shumë rëndësi ishte motivi pse një izraelit e ofronte dhuratën. Ai duhej të nxitej nga dashuria me gjithë zemër për Jehovain dhe për standardet e tij. (Lexo Ligjin e përtërirë 6:4-6.) Kur izraelitët e adhuronin Jehovain sa për inerci, Ai i hidhte poshtë flijimet e tyre. (Isa. 1:10-13) Nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai tregoi qartë se nuk mashtrohet nga aktet e përkushtimit të bëra sa për sy e faqe, kur tha: «Ky popull . . . më nderon veçse me buzë, por zemra e tyre është larguar shumë nga unë.»—Isa. 29:13.
Adhurimi në tempull
26. Për çfarë shërbeu fillimisht tempulli i ndërtuar nga Solomoni?
26 Disa shekuj pasi izraelitët ishin vendosur në Tokën e Premtuar, mbreti Solomon ndërtoi një vend ku e ku më të madh se tabernakulli, që do të shërbente si qendra e adhurimit të pastër. (1 Mbret. 7:51; 2 Kron. 3:1, 6, 7) Fillimisht, Jehovai ishte i vetmi person të cilit iu ofruan flijime në këtë tempull. Solomoni dhe nënshtetasit e tij ofruan një mori flijimesh të cilësisë më të lartë dhe në mënyrën që përcaktonte Ligji i Perëndisë. (1 Mbret. 8:63) Megjithatë, nuk ishte as vlera e ndërtesës dhe as sasia e flijimeve arsyeja pse Jehovai e pranoi adhurimin e tyre në tempull. Ajo që kishte vërtet rëndësi ishte motivi. Solomoni e theksoi këtë gjatë kushtimit të tempullit. Ai tha: «Kushtojuni me gjithë zemër Jehovait, Perëndisë tonë, duke ecur sipas rregullave të tij dhe duke zbatuar urdhërimet e tij, si po bëni sot.»—1 Mbret. 8:57-61.
27. Çfarë bënë mbretërit e Izraelit dhe nënshtetasit e tyre, e si veproi Jehovai?
27 Sa e trishtueshme që, me kohë, izraelitët nuk ia vunë veshin këshillës së mençur të mbretit! Gjatë historisë nuk përmbushën një ose më shumë nga kriteret kryesore të adhurimit të pastër. Mbretërit e Izraelit dhe nënshtetasit e tyre lejuan që t’u korruptohej zemra, humbën besimin te Jehovai dhe braktisën standardet e tij të drejta. Sa e sa herë, Jehovai dërgoi me dashuri profetë që t’i korrigjonte dhe t’i paralajmëronte për pasojat e veprimeve të tyre. (Jer. 7:13-15, 23-26) Ndër profetët që vlen të përmendet është Ezekieli besnik. Ai jetoi në një periudhë kritike të historisë së adhurimit të pastër.
Ezekieli sheh adhurimin e pastër të ndotet
28, 29. Çfarë dimë për Ezekielin? (Shih kutinë «Ezekieli—Jeta dhe periudha kur jetoi.»)
28 Ezekieli e njihte mirë adhurimin që i bëhej Jehovait në tempullin e ndërtuar nga Solomoni. I ati ishte prift dhe duhet të ketë shërbyer në tempull kur kishte radhën. (Ezek. 1:3) Ka shumë mundësi që Ezekieli të ketë pasur një fëmijëri të lumtur. Pa dyshim i ati i ka folur për Jehovain dhe për Ligjin. Në fakt, Ezekieli mund të ketë qenë rreth 1 vjeç kur u gjet ‘libri i Ligjit’ në tempull.e Mbreti i mirë Josia, i cili qeveriste në atë kohë, u prek aq shumë nga fjalët që dëgjoi, sa shtoi përpjekjet për të nxitur adhurimin e pastër.—2 Mbret. 22:8-13.
29 Ezekieli i plotësoi të katër kriteret e adhurimit të pastër, siç bënë edhe burrat besnikë para tij. Nga studimi i librit të tij, kuptojmë se ai i shërbeu vetëm Jehovait, dha vazhdimisht më të mirën dhe bëri me gatishmëri çfarë i kërkoi Jehovai e në mënyrën që ia kërkoi. Motivi pse Ezekieli bëri të gjitha këto ishte besimi me gjithë zemër, gjë që s’mund të thuhet për shumicën e bashkëkohësve të tij. Ezekieli u rrit me profecitë e Jeremisë, i cili e nisi caktimin në vitin 647 p.e.s. dhe paralajmëroi me zell gjykimin e ardhshëm të Jehovait.
30. (a) Çfarë zbulojnë profecitë e Ezekielit? (b) Çfarë është një profeci dhe si duhen kuptuar profecitë që transmetoi Ezekieli? (Shih kutinë «Të kuptojmë profecitë e Ezekielit».)
30 Fjalët e frymëzuara të Ezekielit tregojnë sa shumë ishte larguar kombi nga adhurimi i Jehovait. (Lexo Ezekielin 8:6.) Kur Jehovai nisi të disiplinonte Judën, Ezekieli ishte mes robërve që u dërguan në Babiloni. (2 Mbret. 24:11-17) Fakti që u mor rob, nuk nënkuptonte se Jehovai po e ndëshkonte. Përkundrazi, Ai donte t’i besonte një caktim mes të mërguarve. Vegimet dhe profecitë mahnitëse që hodhi me shkrim Ezekieli theksonin si do të rivendosej adhurimi i pastër në Jerusalem. Jo vetëm kaq, por na ndihmojnë edhe ne të kuptojmë si do të rivendoset plotësisht adhurimi i pastër për të gjithë ata që e duan Jehovain.
31. Për çfarë do të na ndihmojë ky libër?
31 Pjesët e ndryshme të këtij libri do të na ndihmojnë t’u hedhim një sy qiejve të padukshëm ku banon Jehovai, të kuptojmë sa shumë ishte ndotur adhurimi i pastër, të mësojmë si e ka rivendosur dhe e ka mbrojtur Jehovai popullin e tij dhe të shikojmë një pamje paraprake të kohës kur çdo njeri do të adhurojë Jehovain. Në kapitullin vijues do të trajtojmë vegimin e parë që hodhi me shkrim Ezekieli. Ky vegim do të na ndihmojë të përfytyrojmë madhështinë e Jehovait dhe pjesën qiellore të organizatës së tij, e do të nxjerrë në pah arsyet pse vetëm Jehovai meriton adhurim të pastër.
a Abeli lindi pasi Adami dhe Eva u dëbuan nga kopshti i Edenit. (Zan. 4:1, 2) Zanafilla 4:25 thotë se Perëndia u dha Setin «në vend të Abelit». Adami ishte rreth 130 vjeç kur lindi Seti, pas vrasjes së Abelit. (Zan. 5:3) Kështu që Abeli mund të ketë qenë rreth 100 vjeç kur e vrau Kaini.
b Zanafilla 4:26 tregon se në kohën e Enosit, nipit të Adamit, njerëzit «zunë të thërritnin emrin e Jehovait». Megjithatë, është e qartë se këtë e bënin në një mënyrë që tregonte mungesë respekti, mbase duke përdorur emrin e Jehovait për t’iu drejtuar idhujve.
c Perëndia Nana njihej edhe me emrin Sin. Ndonëse banorët e Urit adhuronin disa perëndi, tempujt dhe altarët e qytetit i ishin kushtuar kryesisht këtij perëndie.
d Pas heqjes së Arkës së shenjtë nga tabernakulli, duket se Jehovai i pranonte edhe flijimet që ofroheshin në vende të tjera.—1 Sam. 4:3, 11; 7:7-9; 10:8; 11:14, 15; 16:4, 5; 1 Kron. 21:26-30.
e Ka të ngjarë që Ezekieli ta ketë filluar caktimin si profet në vitin 613 p.e.s., në moshën 30 vjeçare. Pra, me sa duket lindi në vitin 643 p.e.s. (Ezek. 1:1) Josia u bë mbret në vitin 659 p.e.s. dhe libri i Ligjit, me shumë mundësi kopja origjinale, u gjend diku nga viti i 18-të i mbretërimit të tij, pra rreth viteve 642-641 p.e.s.