KAPITULLI 21
«Qyteti do të quhet: Jehovai Është Atje»
NË KËTË KAPITULL: Çfarë përfaqësojnë qyteti dhe kontributi
1, 2. (a) Për ç’qëllim të veçantë duhej vënë mënjanë një pjesë toke? (Shih figurën e kopertinës.) (b) Çfarë garancie u jep vegimi të mërguarve?
NË VEGIMIN e tij të fundit, Ezekieli mëson për një pjesë toke që duhej vënë mënjanë për një qëllim të veçantë. Kjo pjesë nuk i jepet si trashëgimi ndonjë fisi të Izraelit, por jepet si kontribut për Jehovain. Ezekieli dëgjon edhe për një qytet të mrekullueshëm me një emër që të tërheq vëmendjen. Kjo pjesë e vegimit u jep të mërguarve një garanci tejet të rëndësishme: Jehovai do të jetë me ta kur të kthehen në vendlindjen e tyre të dashur.
2 Ezekieli e përshkruan me shumë hollësi këtë kontribut. Le ta shqyrtojmë këtë fragment, që përmban plot mësime për ne si adhurues të vërtetë të Jehovait.
‘Kontributi i shenjtë, duke përfshirë qytetin’
3. Cilat janë pesë zonat që përmenden në pjesën që Jehovai vuri mënjanë për një qëllim të veçantë, dhe për çfarë do të shërbenin? (Shih kutinë «Kontributi që do të vini mënjanë».)
3 Në atë pjesë toke të vënë mënjanë për një qëllim të veçantë, kishte një copë toke katrore 13 kilometra nga veriu në jug dhe 13 kilometra nga lindja në perëndim, që quhej ‘kontributi në tërësi’. Ajo ishte e ndarë në tre rripa horizontalë. Pjesa e sipërme ishte për levitët, kurse e mesit ishte për tempullin dhe për priftërinjtë. Këto dy pjesë përbënin ‘kontributin e shenjtë’. Pjesa e poshtme që ishte më e vogël, pra, ‘pjesa që mbetej’, shërbente «për përdorim të zakonshëm». Kjo ishte për qytetin.—Ezek. 48:15, 20.
4. Ç’mësim nxjerrim nga tregimi për kontributin për Jehovain?
4 Ç’mësim nxjerrim nga tregimi për kontributin për Jehovain? Në fillim duhej vënë mënjanë një pjesë toke si kontribut për Jehovain dhe pastaj pjesa që mbetej, duhej ndarë mes fiseve. Në këtë mënyrë, Jehovai tregoi se këtij kontributi të veçantë duhej t’i kushtohej më tepër rëndësi. (Ezek. 45:1) Pa dyshim, të mërguarit mësuan shumë nga radha që duhej ndjekur në ndarjen e tokës. Adhurimin e Jehovait duhej ta vinin në vend të parë. Edhe ne sot u japim rëndësi parësore aktiviteteve të tilla, si studimit të Fjalës së Perëndisë, mbledhjeve të krishtere dhe veprës së predikimit. Kur ndjekim shembullin e Jehovait duke u dhënë përparësi gjërave të duhura, adhurimi i pastër mbetet boshti i jetës sonë ditë pas dite.
«Qyteti do të jetë në mes të saj»
5, 6. (a) Kujt i përkiste qyteti? (b) Çfarë nuk është qyteti dhe pse e themi këtë?
5 Lexo Ezekielin 48:15. Çfarë përfaqësojnë ‘qyteti’ dhe zona përreth? (Ezek. 48:16-18) Në vegim, Jehovai i kishte thënë Ezekielit: ‘Prona e qytetit do t’i përkasë tërë shtëpisë së Izraelit.’ (Ezek. 45:6, 7) Pra, qyteti dhe zona përreth tij nuk ishin pjesë e ‘kontributit të shenjtë’ që duhej ‘vënë mënjanë për Jehovain’. (Ezek. 48:9) Me këtë në mendje, le të shqyrtojmë ç’mund të mësojmë nga ky qytet.
6 Për këtë, në fillim duhet të përcaktojmë se çfarë s’mund të ishte ky qytet. Së pari nuk mund të ishte qyteti i rindërtuar i Jerusalemit me tempullin e tij. Pse? Sepse qyteti që pa Ezekieli në vegim, nuk kishte tempull. Së dyti, qyteti nuk mund t’i referohej ndonjë qyteti tjetër në Izrael ku do të ktheheshin të mërguarit. Pse? Sepse as të mërguarit e as pasardhësit e tyre nuk ndërtuan kurrë një qytet me karakteristikat e përshkruara në vegim. Së treti, qyteti nuk mund të ishte një qytet qiellor. Pse e themi këtë? Sepse ai nuk u ndërtua në tokën e vënë mënjanë vetëm për adhurimin e shenjtë, por në një tokë për «gjërat e zakonshme [pra, jo të shenjta]».—Ezek. 42:20.
7. Ç’lloj qyteti pa Ezekieli, dhe me sa duket çfarë përfaqëson ai? (Shih figurën hapëse.)
7 Atëherë, çfarë është qyteti që pa Ezekieli? Mos harro se ai pa qytetin në të njëjtin vegim që pa vendin. (Ezek. 40:2; 45:1, 6) Fjala e Perëndisë lë të kuptohet se vendi që pa Ezekieli në vegim, ishte i figurshëm, ndaj edhe qyteti duhet të jetë i figurshëm. Në përgjithësi, çfarë ideje përcjell fjala «qytet»? Një strukturë të organizuar që përbëhet nga një grup njerëzish që jetojnë së bashku. Kështu, qyteti që pa Ezekieli në vegim, i cili formonte një katror të përsosur, duket se përfaqëson një administratë të mirorganizuar.
8. Ku shtrihet ndikimi i administratës, dhe pse nxjerrim këtë përfundim?
8 Ku shtrihet ndikimi i kësaj administrate? Vegimi i Ezekielit zbulon se ky qytet, që simbolizon administratën, vepron brenda vendit të figurshëm. Prandaj, sot kjo administratë vepron brenda parajsës së figurshme, duke drejtuar aktivitetet e popullit të Perëndisë. Çfarë tregon fakti që qyteti ndodhet në një vend të zakonshëm, pra, jo të shenjtë? Na kujton se administrata nuk është qiellore, por tokësore dhe se prej kohësh ka vepruar në dobi të të gjithë banorëve të parajsës së figurshme.
9. (a) Nga cilët përbëhet administrata tokësore sot? (b) Çfarë do të bëjë Jezui gjatë Mijëvjeçarit?
9 Nga cilët përbëhet kjo administratë tokësore? Në vegimin e Ezekielit, ai që merrte drejtimin në qytet, ishte ‘prijësi’. (Ezek. 45:7) Ai ishte mbikëqyrës mes popullit, por nuk ishte as prift, as levit. Prijësi na sjell ndër mend mbikëqyrësit e kongregacioneve sot, sidomos ata që nuk janë të mirosur nga fryma. Këta barinj të dashur e të përulur nga ‘delet e tjera’ i shërbejnë qeverisë qiellore të Krishtit. (Gjoni 10:16) Gjatë Mijëvjeçarit, Jezui do të zgjedhë dhe do të emërojë pleq të kualifikuar si «princa të mbarë tokës». (Psal. 45:16) Nën drejtimin e Mbretërisë qiellore, ata do të kujdesen për popullin e Perëndisë gjatë Mijëvjeçarit.
«Jehovai Është Atje»
10. Si quhet qyteti dhe çfarë garancie jep emri i tij?
10 Lexo Ezekielin 48:35. Qyteti quhet «Jehovai Është Atje». Ky emër garantonte se në këtë qytet ndihej prania e Jehovait. Duke i treguar Ezekielit këtë qytet që ndodhej në qendër të vendit, ishte sikur Jehovai po u thoshte të mërguarve: «Unë do të jem përsëri me ju.» Sa premtim zemërdhënës!
11. Ç’mësime nxjerrim nga vegimi i Ezekielit për qytetin dhe për emrin e tij domethënës?
11 Çfarë mësojmë nga kjo pjesë e profecisë së Ezekielit? Emri i këtij qyteti na siguron se Jehovai banon me shërbëtorët e tij besnikë në tokë sot e do të vazhdojë të banojë me ta përgjithmonë. Ky emër domethënës thekson edhe këtë të vërtetë jetësore: qyteti nuk ekziston për t’i dhënë pushtet ndonjë njeriu, por për të vënë në zbatim drejtimin e dashur dhe të arsyeshëm të Jehovait. Për shembull, Ai nuk ia ka dhënë kësaj administrate autoritetin për të ndarë vendin sipas mendimit të njerëzve. Përkundrazi, Jehovai pret që administratorët të respektojnë ndarjen, pra, caktimet e privilegjet që u jep shërbëtorëve të tij, edhe atyre që duken të parëndësishëm.—Ezek. 46:18; 48:29.
12. (a) Cila është një veçori spikatëse e qytetit, dhe çfarë tregon? (b) Cilin përkujtues të rëndësishëm përmban kjo veçori për mbikëqyrësit e krishterë?
12 Cila është një veçori tjetër spikatëse e qytetit «Jehovai Është Atje»? Ndonëse qytetet në lashtësi kishin mure me sa më pak porta të ishte e mundur, ky qytet kishte 12 porta. (Ezek. 48:30-34) Numri i madh i portave (tri në secilën anë të këtij qyteti me sipërfaqe katrore) tregon se administratorët e qytetit janë të afrueshëm dhe përherë gati të ndihmojnë çdo shërbëtor të Perëndisë. Veç kësaj, fakti që qyteti ka 12 porta, thekson se ai qëndron hapur për këdo, për ‘tërë shtëpinë e Izraelit’. (Ezek. 45:6) Kjo veçori shërben si përkujtues i rëndësishëm për mbikëqyrësit e krishterë. Jehovai dëshiron që ata të jenë të afrueshëm dhe gjithnjë gati të ndihmojnë këdo që banon në parajsën e figurshme.
Shërbëtorët e Perëndisë shkojnë për të adhuruar dhe punojnë për qytetin
13. Çfarë tregon Jehovai për format e ndryshme të shërbimit që kryenin shërbëtorët e tij?
13 Le të kthehemi në kohën e Ezekielit dhe të shohim çfarë veçorish të tjera dokumenton ai në vegimin e detajuar për ndarjen e vendit. Jehovai përmend njerëz që marrin pjesë në forma të ndryshme shërbimi. Priftërinjtë, domethënë «shërbëtorët e shenjtërores», ofronin flijime dhe i afroheshin Jehovait për t’i shërbyer. Levitët, domethënë «shërbëtorët e tempullit», ‘kujdeseshin për çdo shërbim e për gjithçka që duhej bërë në të’. (Ezek. 44:14-16; 45:4, 5) Veç kësaj, pranë qytetit kishte edhe punëtorë. Për kë e kemi fjalën?
14. Çfarë na kujtojnë ata që punojnë pranë qytetit?
14 Ata që punojnë pranë qytetit, janë «nga të gjitha fiset e Izraelit» dhe kanë një rol mbështetës. Caktimi i tyre është të kultivojnë tokën që «do të sigurojë ushqim për ata që shërbejnë në qytet». (Ezek. 48:18, 19) Kjo na kujton një mundësi që kemi ne sot. Cilën? Të gjithë banorët e parajsës së figurshme kanë mundësinë të mbështetin vëllezërit e mirosur të Krishtit dhe vëllezërit nga ‘shumica e madhe’, të cilët Jehovai i ka caktuar të marrin drejtimin. (Zbul. 7:9, 10) Një mënyrë kryesore si e bëjmë këtë, është duke ndjekur me gjithë zemër drejtimin e skllavit besnik.
15, 16. (a) Ç’detaj tjetër përmban vegimi i Ezekielit? (b) Në cilat aktivitete të ngjashme mund të marrim pjesë?
15 Vegimi i Ezekielit përmban edhe një detaj tjetër nga i cili mund të nxjerrim mësim për shërbimin tonë. Ç’detaj? Jehovai thotë se pjesëtarë nga 12 fiset (me përjashtim të fisit të Levit) do të shërbenin në dy vende: në oborrin e tempullit dhe në tokat për kullotë të qytetit. Me çfarë do të merreshin? Në oborrin e tempullit, çdo fis «hyn . . . për të adhuruar», duke ofruar flijime për Jehovain. (Ezek. 46:9, 24) Kurse në kullotat e qytetit, pjesëtarë nga të gjitha fiset kultivojnë tokën për të mbështetur ata që punojnë në qytet. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i këtyre punëtorëve?
16 Sot, shumica e madhe ka mundësinë të kryejë aktivitete të ngjashme me ato në vegimin e Ezekielit. Ata e adhurojnë Jehovain «në tempullin e tij», duke ofruar flijime lëvdimi. (Zbul. 7:9-15) Këtë e bëjnë kur marrin pjesë në veprën e predikimit dhe kur shprehin besimin në mbledhje me anë të komenteve e këngëve. Kjo mënyrë adhurimi është përgjegjësia e tyre më e madhe. (1 Kron. 16:29) Veç kësaj, shumë shërbëtorë të Perëndisë e mbështetin organizatën e tij në sa e sa mënyra praktike. Për shembull, ndihmojnë në ndërtimin dhe në mirëmbajtjen e Sallave të Mbretërisë dhe të godinave të degëve, si edhe japin një dorë në projekte të ndryshme të organizatës së Jehovait. Të tjerë i mbështetin këto projekte me anë të kontributeve financiare. Vepra të tilla, që mund të krahasohen me kultivimin e tokës pranë qytetit, i bëjnë «për lavdi të Perëndisë». (1 Kor. 10:31) Punojnë me zell e me gëzim, sepse e dinë që Jehovai «kënaqet shumë me flijime të tilla». (Hebr. 13:16) A po i shfrytëzon plotësisht këto mundësi?
«Ne presim qiej të rinj e një tokë të re»
17. (a) Si do të përmbushet vegimi i Ezekielit në një shkallë më të gjerë në të ardhmen? (b) Kush do të nxjerrë dobi nga administrata gjatë Mijëvjeçarit?
17 Në të ardhmen do të shohim një përmbushje më të madhe të vegimit të Ezekielit për kontributin. Mendo pak: Ezekieli pa që pjesa e tokës e quajtur «kontributi i shenjtë» ku ndodhej «shenjtërorja e Jehovait», ishte në qendër të vendit. (Ezek. 48:10) Kjo na garanton se pas Armagedonit, Jehovai do të banojë me ne kudo që të jemi në tokë. (Zbul. 21:3) Gjatë Mijëvjeçarit, administrata që simbolizohet nga qyteti—pra, burrat që do të emërohen për t’u kujdesur për popullin e Perëndisë—do ta zgjerojë ndikimin në çdo cep të botës. Ajo do të sigurojë udhëzime të dashura për të gjithë ata që formojnë ‘tokën e re’, domethënë, shoqërinë e re njerëzore.—2 Pjet. 3:13.
18. (a) Pse mund të jemi të sigurt se administrata do të jetë plotësisht në harmoni me qeverisjen e Perëndisë? (b) Për çfarë na siguron emri i qytetit?
18 Pse mund të jemi të sigurt se kjo administratë do të veprojë gjithmonë në harmoni të plotë me qeverisjen e Perëndisë? Sepse Fjala e Tij e bën të qartë se qyteti tokësor me 12 porta ngjason me qytetin qiellor me 12 porta, pra, Jerusalemin e Ri, që përbëhet nga 144.000 bashkëqeveritarët e Krishtit. (Zbul. 21:2, 12, 21-27) Kjo tregon se çdo vendim i administratës tokësore do të jetë në harmoni të plotë me të gjitha vendimet që merr Mbretëria e Perëndisë në qiell dhe do t’i zbatojë pikë për pikë. Po, emri i qytetit «Jehovai Është Atje» na siguron se adhurimi i pastër do të vazhdojë e do të lulëzojë përgjithmonë në Parajsë. Ç’e ardhme e mrekullueshme na pret!