MËLÇIA
Gjëndër e madhe te njeriu dhe kafshët vertebrore që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes dhe në rregullimin e përbërësve kimikë të gjakut; te njeriu është gjëndra më e madhe. Fjala hebraike për mëlçi (ĥavédh) vjen nga rrënja e një fjale që do të thotë «të jesh i rëndë». Në Shkrimet Hebraike përmendet më shpesh ‘mëlçia’ e kafshëve që përgatitnin izraelitët për flijim. (Da 29:22; Le 3:4, 10, 15; 4:9) ‘Riza që ishte mbi mëlçinë’ digjej mbi altar. (Da 29:13) Një vepër referimi e përshkruan këtë pjesë të mëlçisë si «rrjetëz që mbështjell mëlçinë ose stomakun . . . , që nis aty ku ndahet lobi i djathtë nga lobi i majtë i mëlçisë dhe zgjatet nga njëra anë mbi stomak e nga ana tjetër deri në zonën e veshkave. . . . Kjo rrjetëz më e vogël është delikate dhe jo aq e dhjamur sa rrjetëza më e madhe; megjithatë përfshihet te pjesët e dhjamura.» (Commentary on the Old Testament, nga K. F. Kajli dhe F. Deliçi, 1973, vëll. I, Libri i tretë i Moisiut, f. 300) Në një koment për Levitikun 3:4, ajo përcaktohet si «veshja (membrana) mbrojtëse e mëlçisë».—Pentateuch With Targum Onkelos, Haphtaroth and Rashi’s Commentary, përkthyer nga M. Rozenbaumi dhe A. Zilbermani.
Mbreti Solomon flet për një të ri të papërvojë që joshet nga një grua imorale. Ai thotë: «Befas ai shkon pas saj, . . . derisa një shigjetë t’i çajë mëlçinë, . . . dhe nuk e di se është në lojë vetë shpirti i tij.» (Pr 7:21-23) Kjo është shumë e vërtetë pasi mjekët kanë parë se në fazat e përparuara të sifilizit (njësoj si me shumë sëmundje të tjera), mikrobet sulmojnë mëlçinë. Edhe mikrobi i gonokokut që shkakton gonorrenë, një tjetër sëmundje që transmetohet në rrugë seksuale, në disa raste shkakton acarim të rëndë të mëlçisë. Dëmtimet serioze të mëlçisë çojnë pa dyshim në vdekje. Bibla e pranon rolin jetësor të mëlçisë duke e përdorur në mënyrë figurative për të treguar brengën e thellë.—Va 2:11.
Mbreti Nabukodonosor i Babilonisë hidhte fall ‘duke shikuar mëlçinë’ për të kërkuar drejtim në lidhje me manovrat ushtarake.—Ezk 21:21; shih FALLI.