Nxirrni dobi nga mësimi hyjnor
«Unë, Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson për dobinë tënde.»—ISAIA 48:17, BR.
1. Si do të ndihemi nëse zbatojmë mësimin hyjnor në jetën tonë?
PERËNDIA JEHOVA di më shumë se të gjithë. Askush nuk mund ta kalojë në mendime, në fjalë apo veprime. Pasi është Krijuesi, ai i di nevojat tona dhe merr masa për t’i plotësuar ato me bollëk. Ai di sigurisht se si të na mësojë. Dhe nëse vëmë në praktikë mësimin hyjnor, nxjerrim prej tij dobi në nivel personal dhe jemi me të vërtetë të lumtur.
2, 3. (a) Si do të kishte përfituar populli i lashtë i Perëndisë nëse do t’u ishte bindur urdhrave të Tij? (b) Çfarë do të ndodhë nëse e zbatojmë mësimin hyjnor në jetën tonë sot?
2 Mësimi hyjnor zbulon dëshirën e zjarrtë të Perëndisë që shërbëtorët e tij të shmangin telashet dhe të gëzojnë jetën, duke iu përshtatur ligjeve dhe parimeve të tij. Nëse populli i lashtë i Jehovait do ta kishte dëgjuar, do të kishte pasur bekime të mëdha, sepse ai kishte thënë: «Unë, Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson për dobinë tënde, Ai që të bën të ndjekësh rrugën në të cilën duhet të ecësh. Ah, sikur me të vërtetë t’u kushtoje vëmendje urdhrave të mia! Atëherë, paqja jote do të bëhej si një lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.»—Isaia 48:17, 18, BR.
3 Po t’i kishte dëgjuar urdhrat dhe udhëzimet e Perëndisë, populli i tij do të kishte përfituar prej tyre. Në vend se të vuante prej babilonasve, do të kishte gëzuar paqe dhe lulëzim të plotë, të thellë dhe të përhershëm si një lumë. Veç kësaj, veprimet e tij të drejta do të kishin qenë të panumërta, si valët e detit. Në mënyrë të ngjashme, nëse e zbatojmë në jetë mësimin hyjnor mund të nxjerrim prej tij dobi të panumërta. Cilat janë disa?
Të ndryshon jetën
4. Si ka ndikuar mësimi hyjnor mbi jetën e shumë njerëzve?
4 Mësimi hyjnor ka pasur dobi mbi shumë njerëz, duke ndryshuar jetën e tyre për mirë. Ata që zbatojnë udhëzimet e Jehovait i braktisin «punët e trupit», si sjellja e shthurur, idhujtaria, praktikat spiritiste, zënkat dhe xhelozia. Përkundrazi, ata manifestojnë frytin e frymës: dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtmadhësinë, dashamirësinë, mirësinë, besimin, butësinë dhe vetëkontrollin. (Galatasve 5:19-23) Gjithashtu, ata dëgjojnë fjalët e Pavlit të shkruara në Efesianëve 4:17-24, ku ai i nxit bashkëbesimtarët që të mos ecin në rrugën e kombeve, në padobishmërinë e mendjes së tyre, të cilat ndodhen nga ana mendore në errësirë dhe të përjashtuara nga jeta që i përket Perëndisë. Duke mos u udhëhequr nga zemra të pandjeshme, personat ngjashëm Krishtit «e heqin personalitetin e vjetër që i përket sjelljes së tyre të hershme dhe janë të përtërirë në forcën që vë në veprim mendjet e tyre». Ata «veshin personalitetin e ri që u krijua sipas vullnetit të Perëndisë, në drejtësi të vërtetë dhe besnikëri».—BR.
5. Si ndikon mësimi hyjnor mbi rrugën në të cilën ecin njerëzit?
5 I vënë në praktikë, mësimi hyjnor triumfon duke u treguar njerëzve se si të ecin me Perëndinë. Nëse ecim me Jehovain, siç bëri Noeja, ndjekim linjën e jetës të shënuar nga Mësuesi ynë i Madh. (Zanafilla 6:9; Isaia 30:20, 21) Siç tha Pavli, njerëzit e kombeve «ecin në padobishmërinë e mendjes së tyre». Dhe sa të padobishme janë disa shkrime që janë vepër e atyre mendjeve! Duke vërejtur shkrimet e të tjerëve mbi një mur të Pompeit, një vëzhgues shkroi: «Është e çuditshme, o mur, se si nuk je rrëzuar nga pesha e kaq shumë shkrimeve pa kuptim.» Por «mësimi i Jehovait» nuk është pa kuptim, ashtu si nuk është pa kuptim vepra e predikimit të Mbretërisë që ai ka bërë të mundur. (Veprat 13:12) Me anë të kësaj vepre, njerëzit që duan të vërtetën janë bërë të arsyeshëm. U mësohet atyre se si të mos ecin më në rrugën e tyre mëkatare, në injorancë ndaj qëllimeve të Perëndisë. Nuk janë më në errësirë nga ana mendore dhe zemra e tyre nuk është më e pandjeshme që t’i nxisë për të kërkuar synime të padobishme.
6. Çfarë lidhjeje ekziston midis bindjes ndaj mësimit të Jehovait dhe lumturisë sonë?
6 Mësimi hyjnor është në dobinë tonë, sepse na familjarizon me Jehovain dhe veprat e tij. Kjo gjë na afron më pranë Perëndisë, rrit dashurinë tonë për të dhe dëshirën tonë për t’iu bindur. Letra e parë e Gjonit 5:3 thotë: «Dashuria ndaj Perëndisë njihet nga fakti se ne bëjmë atë që ai kërkon nga ne; e kjo nuk është e vështirë.» (ECM) Vihemi në përputhje edhe me urdhrat e Jezuit, sepse e dimë që mësimi i tij vjen prej Perëndisë. (Gjoni 7:16-18) Kjo bindje na mbron prej dëmeve frymore dhe mbështet lumturinë tonë.
Një qëllim i vërtetë në jetë
7, 8. (a) Si duhet ta kuptojmë Psalmin 90:12? (b) Si mund ta nxisim zemrën në mençuri?
7 Mësimi i Jehovait është në dobinë tonë, pasi na tregon se si ta përdorim jetën tonë në mënyrë të qëllimshme. Në fakt, mësimi hyjnor na tregon se si t’i numërojmë ditët tona në mënyrë të veçantë. Një jetë që zgjat mesatarisht 70 vjet paraqet gjithsej 25.550 ditë. Një njeri që ka mbushur 50 vjeç, tashmë ka kaluar 18.250 prej atyre ditëve dhe 7.300 ditët e mbetura, që shpreson të jetojë akoma, i duken me të vërtetë pak. Veçanërisht tani ai mund të kuptojë më mirë përse profeti Moisi iu lut Perëndisë me fjalët e cituara në Psalmin 90, vargu 12: «Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.» Çfarë donte të thoshte Moisiu me këtë?
8 Moisiu nuk donte të thoshte se Perëndia do të zbulonte numrin e saktë të ditëve të jetës së çdo izraeliti. Sipas Psalmit 90, vargjet 9 dhe 10, ky profet hebre e dinte që jeta mund të zgjaste rreth 70 apo 80 vjet, me të vërtetë pak. Pra, fjalët e Psalmit 90:12 shprehin qartë dëshirën e Moisiut të treguar në lutje, që Jehovai t’i tregonte ose t’i mësonte atij dhe popullit të Tij që të ushtronte mençuri në vlerësimin e «ditëve të viteve të tyre» e në përdorimin në mënyrë të aprovueshme prej Perëndisë. Ç’mund të themi për ne? A e vlerësojmë çdo ditë të çmuar? A e nxisim zemrën në mençuri, duke u përpjekur për ta përdorur çdo ditë në mënyrë të dobishme në lavdi të Mësuesit tonë të madh, Perëndisë Jehova? Mësimi hyjnor na mëson që të bëjmë pikërisht këtë.
9. Çfarë mund të presim nëse mësojmë t’i numërojmë ditët në lavdi të Jehovait?
9 Nëse mësojmë të numërojmë ditët tona në lavdi të Jehovait, ndoshta mund të vazhdojmë t’i numërojmë, sepse mësimi hyjnor jep njohuri për jetën e përhershme. «Jeta e përhershme,—tha Jezui,—përbëhet nga njohja jote, njohja e Perëndisë së vetëm dhe së vërtetë si dhe e atij që dërgove, Jezusit, Mesisë.» (Gjoni 17:3, ECM) Natyrisht, edhe nëse fitojmë tërë njohurinë që ekziston në botë, ajo nuk do të na jepte jetën e përhershme. Por, mund të kemi jetën e përhershme nëse fitojmë dhe vëmë në praktikë njohurinë e saktë mbi dy personat më të rëndësishëm të universit dhe nëse ushtrojmë besim të vërtetë.
10. Çfarë tha një enciklopedi mbi arsimin dhe si lidhet kjo me dobitë e mësimit hyjnor?
10 Pavarësisht sa gjatë kemi jetuar deri tani, le të mos harrojmë këtë dobi të çmueshme të mësimit hyjnor: ai u jep atyre që e zbatojnë një qëllim të vërtetë në jetë. Një enciklopedi thotë: «Arsimi duhet t’i ndihmojë njerëzit që të bëhen pjesëtarë të dobishëm të shoqërisë. Gjithashtu, duhet t’i ndihmojë që të zhvillojnë çmueshmëri për trashëgiminë e tyre kulturore dhe të bëjnë një jetë më të kënaqshme.» (The World Book Encyclopedia) Mësimi hyjnor është në dobinë tonë, pasi na ndihmon të bëjmë një jetë më të kënaqshme. Lind tek ne çmueshmëri të zjarrtë për trashëgiminë tonë frymore si popull i Perëndisë. Dhe patjetër na bën pjesëtarë të dobishëm të shoqërisë, sepse na lejon të luajmë një rol thelbësor në plotësimin e nevojave të njerëzve në të gjithë tokën. Përse mund ta themi këtë?
Program i arsimimit botëror
11. Si e nënvizoi Thomas Jefferson nevojën për një arsimim të përshtatshëm?
11 Si asnjë program tjetër arsimimi, mësimi hyjnor plotëson nevojën e njerëzve për arsim. Nevoja për mësimin e njerëzve u vërejt nga Thomas Jefferson, i cili u bë presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara. Më 13 gusht 1786, në një letër drejtuar George Wythe, mik i tij dhe një prej bashkënënshkruesve të Deklaratës së Pavarësisë, Jefferson shkroi: «Mendoj që ligji më i rëndësishëm i kodit tonë të jetë ai që rregullon përhapjen e njohurisë në mes të njerëzve. Nuk mund të projektohet asnjë themel tjetër i sigurt për mbrojtjen e lirisë dhe të lumturisë. . . . Prediko, zotëria im i dashur, një kryqëzatë kundër injorancës; stabilizo dhe përmirëso ligjin për arsimimin e njerëzve të thjeshtë. Le ta dinë bashkatdhetarët tanë . . . se taksa që do të paguhet për [arsimimin] nuk është më shumë sesa e njëmijta pjesë e asaj që do t’u paguhet mbretërve, priftërinjve dhe fisnikëve që do të ngrihen mes nesh nëse e lëmë popullin në injorancë.»
12. Përse mund të themi se mësimi hyjnor është programi më i suksesshëm dhe më dobiprurës për arsimimin në shkallë botërore?
12 Mësimi i Jehovait, në vend se t’i lërë në injorancë njerëzit me prirje të drejtë, siguron programin më të mirë për arsimimin në shkallë botërore në dobi të tyre. Pesëdhjetë vjet më parë, gjatë Luftës II Botërore, në Shtetet e Bashkuara, një komitet për arsimimin (US Commitee on Educational Reconstruction) e kuptoi nevojën për një «arsimim në shkallë botërore». Kjo nevojë ekziston akoma, por mësimi hyjnor është i vetmi program i suksesshëm për një arsimim në shkallë botërore. Ai është edhe më dobiprurësi, sepse i ngre njerëzit nga dëshpërimi, i ngre moralisht dhe frymësisht, i shpëton nga krenaria dhe paragjykimet e botës dhe jep njohuri për jetën e përhershme. Mbi të gjitha, ky program është i dobishëm, sepse po i mëson njerëzit e çdo vendi t’i shërbejnë Perëndisë Jehova.
13. Si është plotësuar Isaia 2:2-4 sot?
13 Prej mësimit hyjnor nxjerrin dobi edhe ata që po bëhen shërbëtorë të Perëndisë. Ata e kanë kuptuar nevojën e tyre frymore dhe e dinë se dita e Jehovait është afër. (Mateu 5:3; 1. Selanikasve 5:1-6) Pikërisht tani, «në pjesën përfundimtare të ditëve», këta njerëz nga të gjitha kombet vërshojnë në malin e Jehovait, në adhurimin e tij të pastër. Ai është fortësisht i vendosur dhe i ngritur shumë më lart se çdo formë adhurimi që është kundër vullnetit të Perëndisë. (Isaia 2:2-4) Nëse je një Dëshmitar i dedikuar i Jehovait, a nuk ndihesh i lumtur që ndodhesh në mes të shumicave gjithnjë e më të mëdha që adhurojnë atë dhe nxjerrin dobi nga mësimi hyjnor? Sa e mrekullueshme është të jesh midis atyre që thërrasin triumfues: «Lavdëroni Jah, ju njerëz!»—Psalmi 150:6, BR.
Ndikim dobiprurës për frymën tonë
14. Çfarë dobie do të kemi nëse ndjekim këshillën e Pavlit në 1. Korintasve 14:20?
14 Midis dobive të panumërta të mësimit hyjnor është edhe ndikimi pozitiv që mund të ketë mbi mendjen dhe frymën tonë. Na ndihmon të mendojmë mbi gjëra të drejta, të dëlira, të virtytshme dhe të denja për lavdi. (Filipianëve 4:8) Mësimi i Jehovait na ndihmon të ndjekim këshillën e Pavlit: «Të jeni fëmijë për kah e keqja, kurse të rritur për kah kuptimi.» (1. Korintasve 14:20) Nëse ndjekim këtë nxitje, nuk do të përpiqemi të fitojmë njohuri për nga e keqja. Pavli shkroi gjithashtu: «Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, bri[t]më, shamje me çdo lloj ligësie.» (Efesianëve 4:31) Duke i vënë veshin kësaj këshille do të mund të shmangim imoralitetin dhe mëkate të tjera të rënda. Përveçse mund të na jetë e dobishme nga ana fizike dhe mendore, kjo do të bëjë të ndiejmë veçanërisht gëzimin që dimë se kemi miratimin e Perëndisë.
15. Çfarë do të na ndihmojë për të mbetur të virtytshëm në mendime?
15 Nëse duam të mendojmë vazhdimisht mbi gjëra të virtytshme, do të na jetë një ndihmë shmangia e «shoqërive të këqija që prishin zakone të dobishme». (1. Korintasve 15:33) Si të krishterë, nuk duam të rrimë në shoqëri me ata që kryejnë kurvëri, me tradhtarë bashkëshortorë dhe me shkelës të tjerë. Është e logjikshme, pra, se nuk duam të rrimë në shoqëri me individë të tillë, duke lexuar botime që flasin për ta, me qëllime ndjesore apo duke i parë në televizor ose kinema. Pasi është gënjeshtare, zemra mund të kultivojë me lehtësi dëshirën për gjëra të dëmshme dhe mund të tundohet për t’i kryer ato. (Jeremia 17:9) Le t’i shmangim, pra, këto tundime, duke u mbajtur pas mësimit hyjnor. Ai mund të ndikojë me kaq dobishmëri mbi mënyrën e të menduarit të «atyre që e duan Jehovain», sa t’i nxitë që «të urrejnë atë që është e keqe».—Psalmi 97:10, BR.
16. Si mund të ndikojë mësimi i Perëndisë mbi frymën që shfaqim ne?
16 Pavli i tha bashkëpunëtorit të tij Timoteut: «Zotëria qoftë me frymën që shfaq ti. Dashamirësia e tij e pamerituar qoftë me ju.» (2. Timoteut 4:22, BR) Apostulli dëshironte që Perëndia, me anë të Zotërisë Jezu Krisht, të miratonte forcën nxitëse që vinte në veprim Timoteun dhe të krishterë të tjerë. Mësimi i Perëndisë na ndihmon të shfaqim një frymë të dashur, të sjellshme dhe të butë. (Kolosianëve 3:9-14) Sa e ndryshme është kjo nga fryma që shfaqin shumë veta në këto ditë të fundit! Janë mendjemëdhenj, mosmirënjohës, pa dashuri natyrore, nuk janë të gatshëm për asnjë marrëveshje, kokëfortë, dashurues të kënaqësive dhe pa devotshmëri të vërtetë ndaj Perëndisë. (2. Timoteut 3:1-5) Por, ndërsa vazhdojmë të zbatojmë dobitë e mësimit hyjnor në jetën tonë, tregojmë një frymë që na bën të dashur për Perëndinë dhe për të afërmit.
I dobishëm në marrëdhëniet njerëzore
17. Përse një bashkëpunim me përulësi është kaq i rëndësishëm?
17 Mësimi i Jehovait na ndihmon të kuptojmë dobitë që rrjedhin nga bashkëpunimi me përulësi me adhuruesit e tjerë. (Psalmi 138:6) Në ndryshim nga ajo që bëjnë shumë veta sot, ne nuk i shkelim parimet e drejta, por jemi të gatshëm për të rënë dakort. Për shembull, arrihen rezultate shumë pozitive falë faktit që mbikëqyrësit e emëruar janë të gatshëm të bien dakort gjatë mbledhjeve të pleqve. Këta burra dinë të flasin me qetësi në interes të së vërtetës, duke mos u lejuar emocioneve që të errësojnë logjikën apo të shkaktojnë përçarje. Të gjithë anëtarët e kongregacionit do të nxjerrin dobi nga fryma e unitetit që mbretëron midis nesh, nëse të gjithë do të vazhdojmë të vëmë në praktikë mësimin hyjnor.—Psalmi 133:1-3.
18. Të ndihmuar nga mësimi hyjnor, çfarë pikëpamjeje do të kemi për bashkëbesimtarët tanë?
18 Mësimi hyjnor është dobiprurës edhe sepse na lejon të kemi një pikëpamje të drejtë për shokët tanë të besimit. Jezui tha: «Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq.» (Gjoni 6:44) Veçanërisht prej 1919-ës, Jehovai ka bërë që gjykimet e tij të shpallen prej shërbëtorëve të tij dhe sistemi botëror i Satanait është shembur dhe tronditur nga ky paralajmërim botëror. Ndërkohë, njerëzit me frikë Perëndie—«gjërat e dëshirueshme»—janë tërhequr prej tij dhe janë ndarë nga kombet që të bashkohen me të krishterët e mirosur për të mbushur me lavdi shtëpinë e adhurimit të Jehovait. (Hageu 2:7, BR) Sigurisht që duhet t’i konsiderojmë si shokë të dashur këto gjëra të dëshirueshme që Perëndia i ka tërhequr.
19. Çfarë zbulon mësimi hyjnor mbi zgjidhjen e vështirësive personale me të krishterët e tjerë?
19 Natyrisht, duke qenë të papërsosur, jo gjithmonë punët do të shkojnë siç duhet. Kur Pavli ishte gati për të ndërmarrë udhëtimin e tij të dytë misionar, Barnaba ishte i vendosur që të merrte edhe Markun. Pavli nuk ishte dakort, sepse Marku «ishte ndarë në Pamfili e nuk kishte qenë në mision me ta». Atëherë «lindi në mes tyre një mosmarrëveshje». Barnaba mori me vete Markun në Qipro, ndërsa Pavli mori me vete Silën, nëpër Siri dhe Cilici. (Veprat 15:36-41) Është e qartë se më vonë mosmarrëveshja u ndreq, sepse Marku ishte me Pavlin në Romë dhe apostulli foli mirë për të. (Kolosianëve 4:10) Një dobi e mësimit hyjnor është se na tregon si t’i zgjidhim problemet personale midis të krishterëve, duke ndjekur këshilla të tilla, si ato që dha Jezui në Mateun 5:23, 24 dhe në Mateun 18:15-17.
Gjithmonë dobiprurës dhe triumfues
20, 21. Çfarë duhet të bëjmë, të nxitur nga shqyrtimi i mësimit hyjnor?
20 Do të mjaftonte ky shqyrtim i shkurtër i disa mënyrave në të cilat triumfon mësimi hyjnor dhe i disa dobive që ai sjell, për të kuptuar se të gjithë ne kemi nevojë ta vëmë atë në praktikë me qëndrueshmëri në jetën tonë. Me një frymë të devotshme, pra, le të vazhdojmë të mësojmë nga Mësuesi ynë i Madh. Shumë shpejt, mësimi hyjnor do të triumfojë si kurrë më parë. Do të triumfojë kur intelektualët e kësaj bote të kenë bërë frymëmarrjen e fundit. (Krahaso 1. Korintasve 1:19) Veç kësaj, ndërsa miliona njerëz të tjerë do të mësojnë dhe do të bëjnë vullnetin e Perëndisë, njohuria e Jehovait do të mbulojë tokën, ashtu siç mbushin ujërat vetë detin. (Isaia 11:9) Sa dobi e mrekullueshme do të jetë kjo për njerëzimin e bindur dhe sa përligjje madhështore e Jehovait si Sovran universal!
21 Mësimi i Jehovait gjithmonë do të ketë dobi dhe do të triumfojë përherë. A do të vazhdosh të nxjerrësh dobi prej tij, si studiues i apasionuar i Librit të madh të Perëndisë? A po jeton në përputhje me Biblën dhe a po ua shpall edhe të tjerëve të vërtetat e saj? Nëse po, mund të presësh me besim triumfin e plotë të mësimit hyjnor, në lavdi të Mësuesit tonë të Madh, Zotërisë Sovran Jehova.
Çfarë ke mësuar?
◻ Çfarë ndikimi mund të ketë mbi jetën tonë mësimi hyjnor?
◻ Në ç’mënyrë po e plotëson mësimi i Jehovait nevojën për arsimim?
◻ Çfarë ndikimi dobiprurës mund të ketë mësimi hyjnor mbi mendimet dhe qëndrimet tona?
◻ Si ka dalë dobiprurës mësimi hyjnor në lidhje me marrëdhëniet me njerëzit?
[Figura në faqen 15]
Mësimi hyjnor na tregon se si të ecim me Perëndinë, si edhe Noeja
[Figura në faqen 17]
Njerëz nga të gjitha kombet po vërshojnë në malin e Jehovait