A gjen kënaqësi në studimin personal?
ÇDO shërbëtor i sinqertë i Perëndisë duhet t’i dedikojë me kënaqësi një sasi të mirë kohe studimit personal të Biblës. (Psalmi 1:1, 2) Megjithatë, për shkak të detyrimeve të shumta që përpijnë kohën dhe fuqitë e tyre, shumë personave u duket e vështirë t’i dedikojnë studimit personal aq kohë dhe energji sa do të dëshironin.
Por, për të vazhduar veprën si shërbëtorë aktivë të Perëndisë, të gjithë duhet të përtërijnë nga dita në ditë gëzimin dhe forcën e tyre, duke gjetur aspekte të reja apo më të thella të vërtetësisë së Fjalës së Perëndisë. Të vërtetat biblike që vite më parë të nxitnin për të vepruar, ndoshta nuk të nxitin aq shumë tani. Prandaj, është mirë, madje e domosdoshme, që të bëjmë një përpjekje të ndërgjegjshme dhe të vazhdueshme për të fituar kuptueshmëri më të madhe të së vërtetës, në mënyrë që të ndihemi të nxitur frymësisht.
Si qëndruan të fortë frymësisht përmes studimit personal të Fjalës së Perëndisë njerëzit e lashtë të besimit? Në ç’mënyrë disa shërbëtorë të Jehovait në ditët moderne e bëjnë studimin e tyre më të këndshëm dhe më të frytshëm? Si janë shpërblyer përpjekjet e tyre?
Ata përtërinin forcën me anë të studimit personal
Josija, mbreti i Judës, ndërmori fushatën e tij kundër idhujtarisë, madje me zell të madh, pasi lexoi ‘vetë librin e ligjit të Jehovait nga dora e Moisiut’. Pa dyshim që nuk ishte hera e parë që ai e shqyrtonte këtë pjesë të Fjalës së Perëndisë; por duke e dëgjuar mesazhin drejtpërdrejt nga dorëshkrimi origjinal, ai u nxit në betejë për adhurimin e pastër.—2. Kronikave 34:14-19.
Profeti Daniel kuptoi ‘numrin e viteve për kryerjen e shkatërrimit të Jeruzalemit’ dhe siguria për këtë kishte ardhur jo vetëm nga libri i Jeremisë, por edhe nga «librat». Ndoshta këto përfshinin libra të tillë si Levitiku (26:34, 35), Isaia (44:26-28), Hozea (14:4-7) dhe Amosi (9:13-15). Ajo që ai përforcoi përmes studimit me zell të librave të Biblës, bëri që ky njeri i devotshëm t’i drejtonte Perëndisë një lutje të zjarrtë. Lutja e tij e zjarrtë u dëgjua dhe ai mori zbulime të mëtejshme dhe siguri në lidhje me qytetin e Jeruzalemit dhe popullin e tij.—Danieli, kapitulli 9.
Josija, i cili bëri «atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit» dhe Danieli, i cili ‘ishte i dashur’ në sytë e Perëndisë, nuk ishin krejt të ndryshëm nga ne sot. (2. Mbretërve 22:2; Danieli 9:23, BR) Përpjekjet e tyre personale kushtuar nxitjes për të studiuar Shkrimet që ishin në dispozicion në atë kohë, i çuan ata drejt rritjes frymore dhe i ndihmuan që të kishin lidhje më të forta me Perëndinë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shërbëtorë të tjerë të Jehovait në kohët e lashta, si Jeftai, një psalmist i shtëpisë së Asafit, Nehemia dhe Stefani. Të gjithë ata treguan se ishin persona që bënin një studim të kujdesshëm personal të pjesëve të Biblës që disponoheshin në kohën e tyre.—Gjykatësit 11:14-27; Psalmi 79, 80; Nehemia 1:8-10; 8:9-12; 13:29-31; Veprat 6:1–7:53.
Shërbimi le të jetë një nxitje
Sot, pjesa më e madhe e atyre që i shërbejnë Jehovait nga shumë vite, kanë një program studimi personal të Biblës. Kanë kuptuar se kjo është diçka thelbësore për të mbetur zgjuar dhe për të kryer në mënyrë të plotë përgjegjësitë e tyre të krishtere. Përveç kësaj, shumë prej tyre pohojnë se nuk është gjithmonë e lehtë të drejtpeshohet përdorimi i kohës dhe i energjisë së tyre ndërmjet studimit dhe çështjeve të tjera që nuk mund të lihen pas dore.
Përveç kësaj, në këtë fazë të avancuar të predikimit ndërkombëtar të Mbretërisë, të qëndrosh zgjuar frymësisht përmes studimit të zellshëm personal, është një gjë thelbësore për t’i bërë ballë nevojave të shërbimit të krishterë. Ata që janë riforcuar nga një kuptueshmëri më e madhe dhe më e thellë në Fjalën e Perëndisë, mund të fitojnë sfidën e prekjes së zemrës së personave të uritur frymësisht. Kjo vlen si në rastin kur një person është caktuar aty ku në kuptimin frymor mund të pritet të bëhet një «peshkim» i mbarë, ashtu edhe kur një person është këmbëngulës në territoret e punuara tashmë disa herë, ku mbizotëron indiferenca e përgjithshme.
Ushqehu rregullisht me Fjalën e Perëndisë
Ajo që bëjnë të tjerët, mund të të japë një ide se si mund ta bësh më të këndshëm programin tënd të studimit apo se si ti dhe familja jote ta shfrytëzoni më mirë kohën që i dedikoni studimit. Një ndër gjërat që një shërbëtor i Perëndisë nuk do të donte ta kalonte pa i kushtuar rëndësi, është leximi i rregullt i Fjalës së Perëndisë. Shumë veta i kanë vënë vetes si synim të lexojnë të paktën tre apo katër kapituj të Biblës çdo javë. A ke dëshirë ta lexosh gjithë Biblën brenda një viti? Atëherë duhet t’i dedikosh më shumë kohë, ndoshta një gjysmë ore në ditë, leximit të saj.
A e ke lexuar Biblën nga fillimi në fund më shumë se një herë? Përse nuk i vë vetes një synim të ri herën që vjen? Një grua e krishterë i lexoi librat e Biblës sipas radhës në të cilën ishin shkruar. Ajo fitoi shumë detaje lidhur me radhën kronologjike, që më parë i kishin kaluar pa vënë re. Një grua tjetër e krishterë e ka lexuar pesë herë Biblën nga fillimi në fund gjatë pesë vjetëve të fundit, çdo herë duke e parë nga një këndvështrim i ndryshëm. Herën e parë e lexoi nga Zanafilla deri tek Zbulesa. Gjatë leximit të dytë, ajo përmblodhi me pak fjalë, në një apo dy rreshta, përmbajtjen e çdo kapitulli. Nga viti i tretë e më pas, ajo përdori një botim të madh me referime, së pari duke kontrolluar në mënyrë selektive disa referime në anë dhe pastaj duke i kushtuar kujdes të veçantë shënimeve dhe shtojcave. Herën e pestë ajo përdori hartat biblike për të rritur kuptueshmërinë mbi aspektet gjeografike. Ajo tha: «Për mua, leximi i Biblës është bërë i këndshëm tamam si ngrënia.»
Disa studentë të zellshëm të Biblës e kanë parë të nevojshme të kenë një kopje të Biblës për ta përdorur vetëm për studimin personal, duke shënuar shkurtimisht në anët e saj komente interesante, ilustrime të efektshme apo numrat e faqeve të botimeve të tjera, të cilave mund t’u referohen më vonë. Për një shërbëtore të plotë kohore është kënaqësi që në fund të çdo muaji të shkruajë në kopjen e Biblës së saj pikat e reja që ajo ka mësuar gjatë muajit. «Pres me padurim atë moment të çmuar,—thotë ajo,—dhe kjo më ndihmon të arrij më parë synimet që i kisha vënë vetes për atë muaj.»
Disa mendime të mprehta
A mendon se programi yt është i ngarkuar me punë të përditshme dhe të përjavshme dhe se ke nevojë për disa sugjerime për ta përdorur më mirë kohën tënde të kufizuar? Atëherë, merr me vete atë që ke ndër mend të lexosh dhe shfrytëzo kohën e lirë. Në shtëpi apo atje ku zakonisht studion, aq sa mund të jetë e mundur sistemoji librat dhe mjetet e tjera të studimit, në mënyrë që t’i kapësh lehtë. Bëje të rehatshëm vendin e studimit, por ama jo aq të rehatshëm sa të të vijë gjumë. Të kanë caktuar një fjalim? Lexoje të gjithë materialin sa më shpejt që të jetë e mundur dhe më pas lër që të të vijnë mendime kur çlodhesh apo kur merresh me punë të ndryshme.
Të tjerët mund të bashkëpunojnë me ty për ta shfrytëzuar më mirë kohën me përfitim reciprok. Për shembull, dikush mund të të lexojë diçka me zë të lartë, ndërkohë që ti merresh me ndonjë gjë apo i servir çajin lexuesit tënd të sjellshëm. Ç’mund të themi për një marrëveshje ndërmjet gjithë anëtarëve të familjes për të caktuar një kohë qetësie për studimin personal? «Ç’gjë të bukur ke lexuar kohët e fundit?» Ndonjëherë mund t’u kërkosh miqve se çfarë kanë mësuar, duke e filluar bashkëbisedimin në këtë mënyrë.
A do të dëshiroje të futje disa ide përtëritëse në programin tënd të studimit? Mund t’i vësh vetes si qëllim që t’i dedikosh studimit një sasi orësh, ashtu si shumë të tjerë i vënë vetes si qëllim që t’i dedikojnë një sasi orësh të folurit për Biblën me të tjerët. Një lajmëtare (pioniere) në kohë të plotë, caktoi një minimum mujor orësh për studimin dhe gjen shumë kënaqësi kur shikon se programi i saj i studimit zbatohet pak nga pak. Të tjerë kufizojnë kohën dedikuar televizorit për të rezervuar kohë për studim. Disa zgjedhin një temë studimi që e ndjekin për disa kohë, të tilla si: frytet e frymës, ambienti historik i librave të Biblës apo arti i të mësuarit. Disa zbaviten duke bërë harta kronologjike, si ato që tregojnë lidhjen ndërmjet mbretërve izraelitë dhe profetëve apo ndërmjet Veprave të Apostujve dhe letrave të Pavlit.
Të rinj, a doni ta forconi besimin? Përse të mos studiosh një botim gjatë pushimeve të ardhshme të shkollës? Një nxënëse e pagëzuar e shkollës së mesme zgjodhi Njerëzimi në kërkim të Perëndisë (angl.), një libër i botuar nga Shoqata Watch Tower. Pas çdo kapitulli, ajo bënte një përmbledhje të shkurtër të gjërave që kishte mësuar në një fletore. Ishte një sfidë dhe kërkonte më shumë kohë sesa mendonte. Megjithatë, kur e mbaroi krejt librin, ajo ishte shumë e prekur nga vërtetësia e mesazhit të Biblës.
Ji i zellshëm për të mësuar
Sot, shumë shërbëtorë besnikë të Jehovait kanë «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (1. Korintasve 15:58, BR) Edhe me një program të rishikuar dhe me përpjekje të sinqerta, sasia e kohës që i dedikon studimit në një javë të zakonshme nuk ndryshon dukshëm. Megjithatë, dëshira e vazhdueshme nga ana jote për të fituar një kuptueshmëri më të thellë për të vërtetën dhe për të qenë plotësisht në harmoni me qëllimet e zbuluara të Jehovait, do të të ndihmojë të kesh sukses në përmirësimin e zakonit tënd të studimit.
Është inkurajuese të dëgjosh dobitë e atyre që e kanë përmirësuar zakonin e tyre të studimit. Një burrë i krishterë, që kuptoi se po anonte nga një qëndrim negativ drejt kërkimit të një kuptueshmërie më të thellë të së vërtetës, e organizoi jetën e tij në mënyrë që të mund t’i kushtonte më shumë orë të lira studimit personal. «Më dhuroi kënaqësinë që nuk e kam ndier kurrë më parë,—tha ai.—Duke pasur gjithnjë e më shumë besim në autorësinë hyjnore të Biblës, kuptova se mund t’u flas me entuziazëm të vërtetë të tjerëve për besimin tim. Në fund të çdo dite ndihem i ushqyer mirë, i fortë frymësisht dhe i kënaqur.»
Një mbikëqyrës udhëtues i Dëshmitarëve të Jehovait, që viziton shumë kongregacione, i përshkroi dobi të tjera në këtë mënyrë: «Ata që janë të zellshëm në studimin personal, zakonisht janë të gëzuar dhe të gjallë në shprehjet e tyre. Shkojnë mirë me të tjerët dhe nuk lëkunden kollaj nga vërejtjet negative të të tjerëve. Sa për shërbimin në fushë, ata janë të adoptueshëm dhe të zgjuar ndaj nevojave të njerëzve që takojnë.»
Ai shtoi një pikë që çdokush mund të ketë dëshirë ta mbajë në mend, kur analizon zakonin e vet të studimit. «Gjatë mbledhjeve, në të cilat trajtohen argumente nga Shkrimet, shumë kanë prirjen që t’i lexojnë komentet e tyre drejtpërdrejt nga faqja e shtypur. Do të nxirrnin më shumë dobi, nëse do të meditonin se si lidhet materiali me atë që kanë mësuar më parë apo me vetë jetën e tyre.» A mendon se mund të përmirësohesh në këtë aspekt?
Profeti Daniel, pas më shumë se 90 vjet jetë, nuk mendonte se i kuptonte në masë të mjaftueshme rrugët e Jehovait. Në vitet e fundit të jetës së tij, ai pyeti për diçka që nuk arrinte ta kuptonte plotësisht: «Imzot, cili do të jetë fundi i këtyre gjërave?» (Danieli 12:8) Pa dyshim që kjo dëshirë e vazhdueshme për të mësuar më shumë për të vërtetën e Perëndisë, ishte çelësi për integritetin e mrekullueshëm që karakterizoi gjithë jetën e tij plot me ngjarje.—Danieli 7:8, 16, 19, 20.
Çdo Dëshmitar i Jehovait nuk ka më pak përgjegjësi për të qëndruar i paepur si një nga Dëshmitarët e Tij. Ji gjithmonë i zellshëm për të mësuar se si të qëndrosh i fortë frymësisht. Përpiqu t’i shtosh programit të studimit personal javor, mujor apo vjetor një ose dy aspekte të reja. Shiko se si do ta bekojë Perëndia çdo përpjekje të vogël që ti bën. Po, gjej kënaqësi në studimin personal dhe në rezultatet që ai sjell.—Psalmi 107:43.