Klasa e 101-të e Galaadit: Të zellshëm për vepra të mira
KRIJUESI ynë, Perëndia Jehova, është i zellshëm për vepra të mira dhe po kështu është edhe Biri i tij, Jezu Krishti. Si shembulli ynë, Jezui tregoi zell, duke çuar në vend caktimin që i kishte dhënë Perëndia, i cili përfshinte dhënien ‘e vetes për ne . . . për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira’. (Titit 2:14) 48 anëtarët e klasës së 101-të të Galaadit (Watchtower Bible School), me siguri që e kanë treguar zellin e tyre për vepra të mira. Programi i diplomimit të këtyre misionarëve u mbajt më 7 shtator 1996, në Qendrën Arsimore Watchtower, në Paterson, Nju Jork.
Këshilla praktike për të qëndruar të zellshëm
Drejtuesi i programit të diplomimit ishte Carey Barber, një anëtar i Trupit Udhëheqës, me mbi 70 vjet në shërbimin e plotë kohor. Në komentet e tij të hyrjes, vëllai Barber tërhoqi vëmendjen drejt aktivitetit të predikimit dhe të mësimit të bërë nga Jezui, i cili ishte «drita e botës». (Gjoni 8:12) Ai nxori në pah se Jezui nuk e mbajti për vete këtë rol të nderuar, por i nxiti dishepujt e tij që edhe ata të linin dritën e tyre të ndriçonte. (Mateu 5:14-16) Ky privilegj shërbimi ia shton domethënien jetës së krishterë dhe vë një përgjegjësi serioze mbi shpatullat e të gjithë atyre që «ecin si bij të dritës».—Efesianëve 5:8.
Pas këtyre vërejtjeve të hapjes, u paraqit Dan Adams, nga Zyrat Ekzekutive të selisë qendrore, në Bruklin. Ai foli mbi temën «Të ecim përpara, jo prapa». Vëllai Adams u përqendrua në vetë Shkollën e Galaadit dhe në qëllimin e saj, për të shtrirë predikimin e lajmit të mirë në vendet e huaja. Ai foli për përparimin e organizatës së Perëndisë, e cila ka botuar literaturë biblike në mbi 300 gjuhë anembanë botës. Libri Njohuria që të çon në jetën e përhershme, i botuar në 1995-n, është vënë në dispozicion në 111 gjuhë dhe është programuar të shtypet edhe në gjuhë të tjera. Tashmë ka qenë një vegël, që i ka ndihmuar dishepujt e rinj të Jezuit që të arrijnë në pikën e dedikimit dhe të pagëzimit, vetëm brenda disa muajsh. Në këtë mënyrë, misionarët e rinj do të kenë në dispozicion për veprën e tyre, ndihmën më të fundit për zhvillimin e studimeve biblike.
Pas kësaj, Lyman Swingle, një anëtar i Trupit Udhëheqës, foli mbi argumentin «Vazhdoni t’i jepni Jehovait shërbimin tuaj të shenjtë», bazuar në Zbulesën 7:15. Duke qenë se vetë Jehovai është një Perëndi i lumtur, ajo që na bën të lumtur është shërbimi i vazhdueshëm ndaj tij. (1. Timoteut 1:11) Si rezultat i këtij shërbimi të gëzuar, një shumicë e madhe individësh nga të gjitha pjesët e tokës, ka ardhur për ta adhuruar atë. Me kalimin e viteve, ata që janë stërvitur në Shkollën e Galaadit, kanë pasur pjesën e tyre, në ndihmesën e dhënë shumë prej këtyre personave që të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës. Prandaj, kemi çdo arsye për të besuar se Jehovai do të vazhdojë t’i bekojë ata, që tani po dërgohen për të grumbulluar më shumë anëtarë të shumicës së madhe, e cila po shtrihet gjithnjë e më shumë.
«Të pasqyrojmë gëzimin e Jehovait» ishte tema që theksoi Daniel Sydlik, gjithashtu, anëtar i Trupit Udhëheqës. Ai tregoi se të gjithë shërbëtorët e Perëndisë, duke përfshirë edhe misionarët e rinj, kanë privilegjin për t’u mësuar njerëzve rrugën e jetës së përhershme dhe atë të përfitimit të më të mirës në jetën e tanishme. «Mësimi,—tha vëllai Sydlik,—është një profesion që i sjell shpërblim vetes. Kjo gjë pasqyrohet në fytyrat e njerëzve që e japin dhe në fytyrat e atyre që e marrin këtë mësim.» (Psalmi 16:8-11) Ai citoi një misionar nga Estonia, i cili tha: «Kemi mesazhin më të madh në të gjithë tokën dhe këtë e pasqyron fytyra jonë.» Shprehja jonë e fytyrës mund të bëjë që njerëzit të na dëgjojnë dhe të ngjallë interesin e tyre. Njerëzit duan të dinë se çfarë i bën të lumtur shërbëtorët e Jehovait. «Prandaj, kushtojini vëmendje shprehjes suaj të fytyrës,—këshilloi vëllai Sydlik.—Të tjerët gëzojnë, kur shohin njerëz të lumtur.»
Ulis Glas, i cili ka marrë pjesë në dhënien e udhëzimeve studentëve të Galaadit që nga klasa e 12-të në 1949-n, e drejtoi auditorin në temën «Me durim, ruani shpirtrat tuaj». Çfarë është durimi? Ai përçon idenë e pritjes së diçkaje me qetësi, duke treguar durim nën provokime apo tendosje. Njeriu i duruar përmbahet; ai që është i paduruar, ngutet dhe irritohet. «Shumë njerëz mendojnë se durimi tregon dobësi apo pavendosmëri,—vërejti vëllai Glas,—ndërsa për Jehovain ai është tregues i forcës dhe i vendosmërisë.» (Proverbat 16:32) Cilat janë shpërblimet që sjell durimi? «Durimi në një moment zemërimi, do të të kursejë njëqind ditë ankthi»,—thotë një proverb kinez. «Durimi lartëson personalitetin e personit,—komentoi vëllai Glas.—Në fakt, ai i vesh cilësitë e tjera të mira me një lustër qëndrueshmërie. Ai e bën besimin të dëshirueshëm, paqen të qëndrueshme dhe dashurinë të patundshme.»
«Është privilegj të marrim një caktim nga Perëndia Jehova përmes organizatës së tij»,—deklaroi Mark Numar, i cili ka shërbyer për 11 vjet si misionar në Kenia dhe tani është instruktor në Galaad. Ndërsa zhvillonte temën «Po të mos keni besim, nuk do të qëndroni gjatë», vëllai Numar e drejtoi vëmendjen drejt shembullit të mbretit Ahaz, nga Juda. Isaia i siguroi mbretit përkrahjen e Jehovait në caktimin e tij, por Ahazi përsëri nuk besoi në Të. (Isaia 7:2-9) Më pas, vëllai Numar theksoi se misionarët, në fakt, të gjithë ne, duhet të kemi besim në Jehovain, me qëllim që të qëndrojmë gjatë në caktimet tona teokratike. Sfidat e veçanta të caktimit misionar kërkojnë besim të fortë. «Mbani gjithmonë në mendje se nuk ka situata të përsosura në këtë sistem gjërash»,—tha vëllai Numar.
Përvoja që inkurajojnë aktivitetin e zellshëm
Gjatë kursit të stërvitjes së tyre në Galaad, çdo fundjavë studentët kalonin kohë në shërbimin publik, i cili do të jetë, gjithashtu, kujdesi kryesor në caktimet e tyre misionare. Ualas Liverens, anëtar i kuadrit të Galaadit, intervistoi 15 studentë, të cilët treguan përvojat e tyre. Pas kësaj, Liën Uever nga Komiteti i Repartit të Shërbimit dhe Lon Shiling nga Komiteti Operativ i Bethelit, intervistuan anëtarë të komiteteve të degëve nga Afrika dhe Amerika Latine, të cilët treguan përvoja nga fusha misionare dhe dhanë disa këshilla të shkëlqyera për misionarët që diplomoheshin. U theksua se në Sierra Leone, rreth 90 për qind e atyre që u pagëzuan gjatë vitit të shërbimit 1995, ishin ndihmuar nga misionarët. Një regjistrim vërtet i shkëlqyer i aktivitetit të zellshëm!
Në fund, Milton Henschel, presidenti i Shoqatës, e drejtoi auditorin prej 2.734 personash në temën «Organizata e dukshme e Jehovait është unike». Ç’gjë e bën organizatën e Perëndisë diçka që s’ka shoqe? Nuk është as përmasa e saj dhe as fuqia, por fakti që drejtohet nga rregullimet e drejta të Perëndisë dhe vendimet gjyqësore. Në kohët e lashta, ishte populli i Jehovait, kombi i Izraelit, të cilit iu besua shpallja e tij e shenjtë, gjë që e bënte unik këtë komb. (Romakëve 3:1, 2) Sot, organizata e Jehovait është e bashkuar, ndërsa vepron nën drejtimin e Jezu Krishtit. (Mateu 28:19, 20) Ajo po lulëzon, po rritet. A ka ndonjë organizatë tjetër në tokë, Trupi Udhëheqës i së cilës konsulton Fjalën e Perëndisë, Biblën, para se të marrë vendime të rëndësishme? Në këto dhe në aspekte të tjera, organizata e dukshme e Jehovait është vërtet unike.
Programi i këndshëm përfundoi me prezantimin e diplomave dhe leximin e një letre të përpiluar nga klasa, e cila shprehte çmueshmërinë për stërvitjen speciale.
[Kutia në faqen 22]
Statistikat e klasës
Numri i vendeve të paraqitura: 9
Numri i vendeve ku u caktuan: 12
Numri i studentëve: 48
Mosha mesatare: 31,7
Mesatarja e viteve në të vërtetën: 13,8
Mesatarja e viteve në shërbim të plotë kohor: 9,8
[Figura në faqen 23]
Diplomimi i klasës së 101-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit
Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë rreshtuar nga e majta në të djathtë të çdo rreshti.
(1) Swint, H.; Zezenski, A.; Highfield, L.; Mercado, S.; Diehl, A.; Chavez, V.; Smith, J.; Selenius, S. (2) Kurtz, D.; Clark, C.; Leisborn, J.; Mortensen, W.; Bromiley, A.; Toikka, L.; Marten, A.; Smith, D. (3) Zezenski, D.; Bjerregaard, L.; Garafalo, B.; Kaldal, L.; Chavez, E.; Fröding, S.; Khan, R.; Selenius, R. (4) Swint, B.; Bjerregaard, M.; Garafalo, P.; Holmblad, L.; Keyzer, M.; Fröding, T.; Palfreyman, J.; Palfreyman, D. (5) Minguez, L.; Leisborn, M.; Mercado, M.; Kurtz, M.; Diehl, H.; Toikka, J.; Clark, S.; Khan, A. (6) Minguez, F.; Marten, B.; Highfield, L.; Holmblad, B.; Bromiley, K.; Kaldal, H.; Mortensen, P.; Keyzer, R.